Shamikuqja, një natë magjike 
në Durrësin e gladiatorëve

Shamikuqja, një natë magjike <br />në Durrësin e gladiatorëve
TIRANE- Me 9 shtator, në natën e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës do shfaqet filmi i restauruar me muzikë të luajtur live enkas për këtë shfaqje...

Një natë e paharruar do të jetë 9 shtatori në Durrës,  me rikthimin emocioneve të garës, të çmimeve të mëdha dhe të ftuarve specialë në Festivalin Ndërkombëtar Veror, i cili këtë vit shënon edicionin e shtatë të tij.
Ylli i kësaj mbrëmje do të jetë Türkan Soray, aktorja e famshme turke, e njohur në të gjithë botën me filmin “Shamikuqja”, njëkohësisht e ftuara e nderit e këtij edicioni. Filmi që rrëmbeu zemrat e gjithë shqiptarëve në fund të viteve’70-të i saporestauruar, po ashtu do të shfaqet natën e çeljes së festivalit, ndërsa kolona zanore e tij do të interpretohet live  me ballama dhe fyell.

Organizatorët i kanë kushtuar një vëmendje të posaçme këtij detaji të filmit, pasi për shumë vite është listuar si një nga kolonat zanore më të bukura në kinematografinë botërore.  Ndërkohë që gjithçka është gati, organizatorët e festivalit zbulojnë detaje të hollësishme që nga programi i të gjithë ditëve, sipas seksioneve të veçanta, të ftuarit që do të jenë të pranishëm dhe vlerësimet e çmimet e këtij edicioni.  

Ky edicion, i cili do të zhvillohet në datat 9–14 shtator 2014  përveç qytetit të Durrësit do të ketë një shtrirje edhe në katër qytete të tjera të Shqipërisë: Tiranë, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë me një program të veçantë për këto qytete.

Edhe këtë vit festivali është i ndarë në disa seksione konkurruese. “Vizione bashkëkohore”, është një seksion i dedikuar filmave të gjatë narrativë europianë, ku konkurrojnë 8 filma, të cilët do të gjykohën nga juria me anëtarë: Leon Vitali-president i jurisë ndërkombëtare, Xhevdet Jashari, Gjergj Vlashi, Muharrem Fejzo dhe Per Nielsen.

Seksioni kushtuar filmit ballkanik quhet “Botë Ballkanike” dhe përfshin në garë 6 filma, të cilët do të gjykohen nga një juri e përbërë prej Hrivoje Hribar, Genti Kames dhe Teuta Krasniqit.
“Filmi i Shkurtër i Studentëve Shqiptarë” është seksioni që i kushtohet talenteve të reja në fushën e kinematografisë , në të cilin futen në garë  për çmimin “Bukuroshja e Durrësit” studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ndërsa FIPRECI do të japë çmimin e tij për filmin më të mirë të shkurtër të studentëve shqiptarë. Juria e këtij seksioni do të drejtohet nga kandidati për çmimin “Oskar 2013”, Tom Van Avermaet.

Seksioni i retrospektivës është një tjetër moment i rëndësishëm i festivalit dhe që këtë vit i kushtohet veprës së aktorit serb me famë botërore, Miki Manojlovic. Ndërsa gjatë ditëve të edicionit të shtatë të festivalit nuk do të mungojnë as seminaret, takimet mes kineastëve, por edhe netët muzikore, që do të shtojnë larminë e netëve durrsake.

Sa i takon vlerësimeve organizatorët e festivalit veçojnë Çmimin e Karrierës, i cili këtë vit do ti shkojë kineastit Viktor Gjika, dhe aktores së mirënjohur Marta Burda, e ndarë nga jeta 20 vjet më parë, krijimtaria e të cilëve do të kujtohet përmes filmave që të zgjedhur realizuar prej tyre.  

Karriera e Viktor Gjikës
Viktor Gjika lindi më 23 qershor 1937 në Korçë. Vazhdoi studimet për Regji filmi në Moskë në institutin kinematografik “VGIK”. Pasi shërbeu si kameraman së bashku me Anagnostin në kryeveprën e vitit 1961 të Hysen Hakanit “Debatik”, Gjika nisi të merrej me regji dhe realizoi filmin bardhë e zi të pasluftës “Komisari i Dritës”. Ai realizoi dhe tre filma të tjerë bardhë e zi “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz” dhe “Yjet e netëve të gjata”, para se të realizonte dy kryeveprat e tij. Karriera e tij do të kulmonte me filmat “Rrugë të bardha”, “Gjeneral Gramafoni” dhe “Nëntori i Dytë”. Viktor Gjika drejtoi dhe filmoi 12 filma e dokumentarë në vitet 1970-1980. Më 1980, Gjika u bë drejtor i kinostudios “Shqipëria e re”, një post që e mbajti deri në rënien e komunizmit, më 1991-shin.
 
Karriera e Marta Burdës
Marta Burda filloi si aktore në Teatrin Popullor të Tiranës fill pas luftës, në vitin 1945. Në vitin 1953 kaloi si aktore në Teatrin Profesionist të Durrësit, ku interpretoi disa role deri në vitin 1994, kur ndërroi jetë. Në kinematografi ka luajtur 16 role, kryesisht të nënës dhe gjyshes. Disa nga filmat ku ajo ka interpretuar, janë “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Liri a vdekje”, “Në shtëpinë tonë”, “Përtej mureve të gurta”, “Radiostacioni”, “Fillim i vështirë”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Vitet e pritjes” etj.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri