Armëpushimi i paqëndrueshëm mes SHBA-së dhe Iranit mbetet në provë, me forcat amerikane që sulmojnë dronët dhe radarët iranianë, dhe Teheranin që qëllon me raketa bazat amerikane në Gjirin Persik.
Ushtria amerikane rrëzoi 4 dronë iranianë të nisur drejt Ngushticës së Hormuzit. Po ashtu forcat amerikane goditën vendet e radarëve të mbikëqyrjes bregdetare iraniane në ishullin Goruk dhe Qeshm, siç thanë për t'u mbrojtur nga sulmet e mëtejshme.
Garda revolucionare e Iranit u hakmor duke qëlluar me raketa balistike dy baza ajrore amerikane në Kuvajt dhe objektet e Marinës Amerikane në Bahrein.
Nga shtatë raketat iraniane të qëlluara drejt dy shteteve të Gjirit, gjashtë u interceptuan dhe një nuk e arriti objektivin.
Presidenti amerikan, Donald Trump tha se udhëheqësit iranianë ende nuk e kanë mbyllur marrëveshjen sepse janë të fortë dhe krenarë, por nuk kanë zgjidhje tjetër.
Sipas tij Irani ka pësuar humbje të konsiderueshme në kapacitetin ushtarak, dhe aktualisht zotëron rreth 21%–22% të arsenalit të tij raketor.
Ndërmjetësi mes Iranit dhe SHBA, ministri i Brendshëm pakistanez pritet të vizitojë këtë të shtunë Teheranin.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian paralajmëroi Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të përmbahet nga shndërrimi i raporteve teknike në mjete të presionit politik, nëse dëshiron të marrë pjesë në zgjidhje diplomatike. Ai akuzoi Agjencinë për shfrytëzim të pasojave të sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj vendeve bërthamore iraniane për të krijuar paqartësi në lidhje me programin bërthamor të Teheranit.
Disa ushtarë libanezë mbetën të vrarë gjatë sulmit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit në Libanin jugor. Duke e cilësuar të padrejtë, Papa Leone XIV kritikoi ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit në Iran. Ati i Shenjtë shprehu shqetësim për situatën në Liban dhe vazhdimin e luftës në Ukrainë që po marrin jetë njerëzish.
Komente






