TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka zbardhur ditën e sotme vendimin që mori më 2 korrik për rrëzimin le bazës igjore për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar ndërkohë që nuk e shpalli antikushtetuese shembjen e teatrit, duke mos arritur një shumicë prej 5 votash.
E vënë në lëvizje nga Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin nr. 37/2018, për negocimin dhe lidhjen e kontratës me një palë private për projektimin dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Ligji është miratuar në 5 korrik 2018. U kthye për rishqyrtim nga Meta në 27 korrik 2018, por u miratua sërish pa ndryshime nga Kuvendi.
Në njoftimin e sotëm Kushtetuesja thotë se ky ligj cenon lirinë ekonomike, parimin e shtetit të së drejtës, në kuadër të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare, duke shkelur nenet 3, 11 dhe 17 të Kushtetues.
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar edhe vendimin e qeverisë nr. 377 datë 08.05.2020, për kalimin e teatrit dhe truallit në pronësi të Bashkisë së Tiranës. VKM-ja është rrjedhojë e ligjit për ndërtimin e teatrit të ri. Sipas gjykatës, VKM-ja shkel parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës. Presidenca pati kërkuar edhe rrëzimin e vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës 50/2020, për shembjen e Teatrit. Kjo kërkesë nuk është pranuar, pasi nuk votuar 5 anëtarë pro saj, që është edhe kuorumi minimal.
Gjykata vëren se në momentin e miratimit të ligjit nr. 37/2018 vënia në dispozicion e sipërfaqes prej 2.100 m2 në pronësi të Bashkisë së Tiranës, nuk është nënshtruar për diskutim paraprak në Këshillin Bashkiak Tiranë. Ligjvënësi edhe pse ka qenë në dijeni se një pjesë e pronës shtetërore mbi të cilën do realizohej projekti i zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar ka qenë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, ka anashkaluar nenin 133, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës, duke ndërhyrë në këtë mënyrë në kompetencat e këtyre organeve vendore, në kundërshtim me parimet e decentralizimit, qeverisjes vendore dhe ndarjes e balancimit të pushteteve.
Sa i përket kërkësave për pezullim Gjykata shprehet se duke që shembja e godinës së Teatrit Kombëtar ishte fakt tashmë ligji nuk plotëson as karakteristikën e menjëhershmërisë, as të parandalimit të pasojës së rëndë dhe të pariparueshme, pasi nëse do të parandalohej pasoja e rëndë.
Gjykata vlerëson se trashëgimia kulturore është pjesë e trashëgimisë së popullit, si dhe përbën kujtesën e prekshme dhe të paprekshme të asaj që njeriu ka krijuar (dhe vazhdon të krijojë) për pasardhësit e tij. Gjithashtu, ajo mund të quhet edhe dëshmi materiale që ka vlerën e civilizimit dhe bën pjesë në trashëgiminë kombëtare të një shteti, duke reflektuar jetën e komunitetit, historinë dhe identitetin e tij, si dhe lidhjen e së shkuarës me të tashmen e të ardhmen, si dhe konsiston në manifestime të jetës njerëzore, që dëshmojnë për vlerat, besimet, historinë dhe traditat e vendit dhe u japin qytetarëve ndjesinë e përkatësisë në një popull, që lidhet më pas me identitetin kombëtar.
"Trashëgimia kulturore përbën një formë të veçantë të shprehjes së kulturës së popullit dhe përfshin çdo gjë që konsiderohet vendimtare për identitetin e një shoqërie ose vendi. Prandaj çdo ankesë ndaj cenimit të këtyre të drejtave duhet të zgjidhet duke vendosur në balancë interesat e palëve të prekura me interesin e përgjithshëm të shoqërisë, duke marrë gjithmonë në konsideratë aspektet morale, historike, kulturore, kombëtare, financiare dhe ligjore të përfshira. Gjetja e këtyre zgjidhjeve duhet të konsistojë në shkëmbim informacioni, konsultim, dialog dhe bashkëpunim mes palëve të përfshira. Në vijim të këtij arsyetimi, mbi identitetin kombëtar, si dhe trashëgiminë kombëtare dhe kulturore, në vlerësimin e Gjykatës, detyrimi kushtetues për mbrojtjen dhe respektimin e tyre, i lidhur me parimin e shtetit të së drejtës, ka të bëjë me marrjen e masave nga ana e ligjvënësit për mbrojtjen e tyre, ashtu dhe me zbatimin në praktikë nga institucionet përkatëse të procedurave ligjore. ", thuhet në vendim.
Vendimi thotë se nuk është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese të analizojë nëse Teatri Kombëtar është apo jo vlerë kulturore kombëtare por ky institucion analizon procedurat.
Gjykata vlerëson se ligji nr. 37/2018 është në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës, të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse në lidhje me godinën e Teatrit Kombëtar.
Gjykata Kushtetuese mes të tjerash sqaron se transferimi I pronës së Teatrit Kombëtar nga qeveria tek Bashkia nuk mund të bëhej me këtë bazë ligjore, pasi duhej mbështetur në ligjin në fuqi Nr 37 për Teatrin dhe jo të nxirrej një VKM e re. Në argumentet e saj, trupa gjykuese vlerëson se përderisa ka qenë në fuqi ligji Nr 37 për Teatrin, nuk duhet të dilte VKM e re po për të njëjtën gjë për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, e rrjedhimisht dhe baza ligjore duhet të ndryshojë.
“Duke iu rikthyer çështjes konkrete në shqyrtim, Gjykata vëren se VKM-ja nr. 377/2020 ka si bazë ligjore për miratimin e saj ligjet nr. 8743/2001 dhe nr. 8744/2001, ndërsa për objekt, përveç kalimit të pronësisë Bashkisë së Tiranës të pasurisë nr. 1/241 me emërtimin “Teatri Kombëtar”, për sipërfaqen prej 5.522,7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m², ka edhe ndërtimin e Teatrit Kombëtar si një godine me standarde bashkëkohore, në konsultim me të gjitha grupet e interesit (neni 1 i VKM-së nr. 377/2020). Gjithashtu, edhe ligji nr. 37/2018 ka të njëjtin objekt me atë të VKM-së nr. 377/2000, që është ndërtimi dhe dorëzimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar (neni 1 dhe neni 2 i ligjit). Në këtë kuptim, edhe pse ligjvënësi ka shprehur vullnetin e tij përmes miratimit të një ligji të posaçëm, që ka pasur për qëllim zhvillimin e zonës në të cilën gjendeshin edhe godinat e Teatrit Kombëtar, Këshilli i Ministrave, pavarësisht këtij fakti, ka miratuar një akt nënligjor me të njëjtin objekt dhe qëllim, duke anashkaluar dhe duke mos u bazuar në këtë ligj. Në këtë pikëpamje janë të paqarta arsyet e mungesës së nismës për rishikimin e ligjit nr. 37/2018 dhe të vijimit të procedurave në mënyrë koherente. Është e vërtetë se organet kushtetuese, me kompetenca në nxjerrjen e akteve normative ose individuale, kanë hapësirën e tyre të vlerësimit për rregullimin e çështjeve në kompetencë të tyre, por në zgjedhjen e instrumentit ligjor ato duhet të respektojnë shtetin e së drejtës, të garantojnë koherencën e rendit juridik dhe hierarkinë e normave të tij”, thuhet në vendimin e zbardhur të Kushtetueses.
Gjykata Kushtetuese nënvizon se miratimi i të njëjtave rregullimeve me dy akte me vlerë të ndryshme ligjore, pa asnjë referencë te njëri – tjetri, jo në kuptimin formal, por në substancë, nga dy organe të ndryshme, cenon parimin e hierarkisë së akteve ligjore.
“Në kushtet kur ligji nr. 37/2018 në nenin 4 të tij ka përcaktuar se në dispozicion të zhvillimit të projektit vihen pasuritë e paluajtshme në pronësi shtet, sipas parashikimeve të tij, Kodit Civil dhe legjislacionit për pronat e paluajtshme, edhe pse ai nuk përmban ndonjë delegim të shprehur për ekzekutivin në këtë drejtim, Gjykata vlerëson se miratimi i të njëjtave rregullimeve me dy akte me vlerë të ndryshme ligjore, pa asnjë referencë te njëri – tjetri, jo në kuptimin formal, por në substancë, nga dy organe të ndryshme, cenon parimin e hierarkisë së akteve ligjore dhe krijon, gjithashtu, pasiguri dhe paqartësi në zbatimin e këtyre normave juridike”, thuhet në vendim.
Godina e Teatrit Kombëtar u rrafshua mëngjesin e 17 majit 2020, ngjarje e cila solli protesta dhe përplasje fizike mes aktivistëve për mbrojtjen e teatrit dhe policisë. Shembja e godinës u realizua pasi kryebashkiaku Erion Veliaj arriti marrëveshjen me disa nga artistët për ndërtimin e godinës së re. Por, artistët u ndanë në dy grupe, pro dhe kundra shembjes së teatrit. PD-LSI u pozicionuan kundër shembjes së Teatrit, duke e kthyer madje edhe në një nga kauzat opozitare. Duke u pozicionuar në krah të PD-LSI, Presidenti Ilir Meta, në korrik të vitit 2019, depozitoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit nr. 37/2018 të Kuvendit, i cili parashikonte ndërtimin e një teatri të ri, rrjedhimisht shembjen e godinës dhe rrëzimin për kalimin e teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës, kërkesa për të cilën Gjykata Kushtetuese vendosi sot.
(Kliko ketu per te lexuar vendimin e plote)
Kushtetuesja po merr vendii politike dhe jo juridike .Anetaret e gjykates Kushtetyese nuk dihet te jene ushtar te politikes se pi shjaterrijn vendin .Ata jane gardian te Kushtwtutes qe populli e ka votuar me Referendum dhe jo te zghedhurit nga Meta.Me jeto antar kjo gjykate do ti sherbeje politikes dhe jo popullit.Kush votoi kundra vwprimeve te mazhorances te tre anetaret e zgjedhur nga Meta dhe Tusha.Populli po zhgenjehet nga veprimet e saj si dergimi ne VENECIA per zgjedhjet e 30 Qershorit
Përgjigju