Javën e kaluar, kryeministri hungarez, Viktor Orban garantoi, gjatë një telefonate me presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Shulz, se vendi i tij do të respektonte të gjitha traktatet dhe ligjet e Bashkimit Evropian për dënimin me vdekje.
Sot, Orban, pasi e kishte prekur këtë temë më parë, iu rikthye këmbënguljes së tij.
"Kush ka thënë se ligjet e Bashkimit Evropian nuk mund të ndryshojnë? Sidomos kur njerëzit, kështu si tek ne ne Hungari, duan që të ndryshojnë. Edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian mund të ketë shumë njerëz që mendojnë se dënimi me vdekje është i domosdoshëm", deklaroi Orban duke folur në një asamble me eksponentë të së djathtës dhe nacionalistë, transmetuar nga televizioni.
Partia e tij, "Fidesz", është e ndarë për këtë çështje.
Presidenti i Komisionit Legjislativ Parlamentar, Gergely Gulyas deklaroi se ishte vendosmërisht kundër rikthimit të dënimit me vdekje në Hungari, në ndërkohë që zëvendëskryeministri Janos Lazar tha se ishte dakord për rikthimin e dënimit me vdekje edhe pse e dinte se në Evropë një ndryshim i tillë ishte gati i pamundur.
Me diskutimin e çështjes për rikthimin e dënimit me vdekje, Orban kërkonte të rifitonte konsensus në jetën politike hungareze, por analistët dhe sondazhet tregojnë përfituesja kryesore e këtij debati është partia neonaziste "Jobbik", që pret prej vitesh rikthimin e dënimit me vdekje. Rreth 65 për qind e votuesve hungarezë janë në favor të dënimit me vdekje./ atsh