Grabitja brenda një banese në Yzberisht ka përfunduar me një të vdekur. Holdi Hajdari është qëlluar me thikë dhe ka ndërruar jetë në spital. 25-vjeçari me inicialet M.S ka grabitur dhe më pas ka qëlluar me thikë Holdi Hajdarin, i cili ka ndërruar jetë në spital, duke mos i mbijetuar plagëve.

Report TV është futur brenda banesës ku ndodhi tragjedia, ku shenjat e konfliktit me thika duken qartë. Gjaku është i shpërndarë në dysheme, ndërsa pranë dhomës ku ka ndodhur sherri është një thikë, por edhe një portofol i boshatisur.

Flet fqinji

Brenda portofolit dyshohet se kishte një sasi të konsiderueshme lekësh dhe që autori i kësaj ngjarje 25-vjeçari M.S ishte në dijeni prandaj ka kryer grabitjen. Autori i kësaj ngjarje kishte dijeni që Holdi Hajdarit i kishte dërguar një sasi lekësh babai nga Greqia dhe për këtë ka organizuar grabitjen.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se Holdi Hajdari, por edhe personi që e vrau atë ishin përdorues droge. Kjo vërtetohet edhe nga shiringat që janë brenda banesës.

Pasi e ka qëlluar me thikë Holdi Hajdrin, autori i ngjarjes është larguar në këtë rrugicë. Ndërkohë Hajdari i plagosur ka dalë në rrugë duke bërtitur dhe kërkuar ndihmë.

Banorët e zonës thonë se dëgjuan të riun duke iu kërkuar të lajmërojnë ambulancën dhe se ai ka qëndruar 30 minuta i shtrirë në tokë, në pritje të mjekëve. ‘Mund të ishte ora 10:30, dëgjova një zhurmë, por mendova se ishte ndonjë kalimtar dhe mendova se mos ishte ndonjë i pirë’ tha njëri nga fqinjët.

Në rrugën pranë banesës ku ndodhi përleshja dallohen shenjat e gjakut, të Holdi Hajdarit, i cili ka dalë në rrugën “Bego Hoxha”, duke u zvarritur anës murit. Policia është në kërkim të 25-vjeçarit që vrau Holdi Hajdarin. Deri më tani ai nuk është arrestuar dhe dyshohet se fshihet në zonën e Kombinatit.

FOTO NGA VENDI I NGJARJES