'Ligjet' miratojnë raportin: Të ngrihet Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit! Meta i refuzon sërish: Kam axhendë, shihemi me 10 maj! Manja: Tentativë të djegë afatet!

TIRANË- Nesër, seanca plenare ka në dorë ngritjen e Komisionit Hetimor për kërkesën e 49 deputetëve që kërkojnë shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Ditën e sotme, Komisioni i Ligjeve miratoi me 14 vota pro dhe 1 kundër, vetëm të deputetit Adriatik Alimadhi, raportin që do i dërgohet Kuvendit, ku argumentohet se kërkesa për shkarkimin e Metës është legjitime e bazuar në prova dhe i rekomandon seancës plenare ngritjen e Komisionit Hetimor.

Në këtë seancë të 'Ligjeve' do duhej të zhvillohej seanca dëgjimore me kreun e shtetit, por ky i fundit ka refuzuar sërish duke thënë se ka një axhendë të zënë që nuk mund ta shkelë, dhe se është i gatshëm vetëm në datën 10 maj.

"Sigurisht që agjenda e Presidentit të Republikës, është e paracaktuar, dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi apo mbajtjen e bashkëbisedimit e bashkëdëgjimit me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021. Kjo datë, 10 maj 2021, përveçse përkon me një ditë të lirë në agjendën e tij, përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Nuk do të kishte një moment më të përshtatshëm që një aktivitet i tillë i përbashkët, të zhvillohej në një ditë kaq të rëndësishme për Shqipërinë, që evokon përpjekjet e parreshtura të shtetit shqiptar për shtetin e së drejtës", shkruan Meta.

Kjo përgjigje e kreut të shtetit, për deputetët e mazhorancës është një tentativë për të nxjerrë jashtë afateve punën e Komisionit dhe të Kuvendit, pasi data përfundimtare është 9 maji, 4 muaj para përfundimit të legjislaturës më 9 shtator. Kreu i 'Ligjeve', Ulsi Manja tha se po e bën qëllimisht këtë, e ndërsa deputeti Alket Hyseni ka shkuar edhe më tej duke e konsideruar këtë një sjellje tipike opozitare e Metës, që duhet të dënohet.

Në mbledhjen  e djeshme në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, dhe relatorja Klotilda Bushka, nënvizuan se Presidenti ka mbajtur qëndrim tërësisht të njëanshëm politik në favor të opozitës gjatë fushatës. Ai ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka përfaqësuar unitetin e kombit. Kujtojmë se Komisioni i Ligjeve përgatit një raport dhe vendimin nëse do të ngrihet apo Komisioni Hetimor i takon Kuvendit të Shqipërisë.  Ndërsa hetimin e natyrës së shkeljeve të Presidentit të Republikës, pra janë të rënda apo jo, do të jetë Komisioni Hetimor që e vendos diçka të tilla.

Si nisën procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta? Për herë të dytë brenda dy viteve, Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet në LSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”. Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi  i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendi.

VIDEO/Mbledhja e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:34
Meta s’u paraqit në Komisionin e Ligjeve, presidenca i përgjigjet akuzave të deputetëve të maxhorancës: Shpifje! Kishte takim të planifikuar me Ministren për BE-në e Austrisë

Presidenca ka reaguar pasi Presidenti Ilir Meta nuk u paraqit ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve, ku ishte thirrur për të dëgjuar argumentet e 50 deputetëve socialistë që kanë kërkuar shkarkimin e tij, veprim ky që nga deputetët e maxhorancës u interpretua si akt që synon të nxjerrë jashtë afateve punën e Kuvendit për shkarkimin e tij.

Me një reagim, Presidenca i quan “shpifje dhe qëndrime aspak korrekte të deputetëve të Kuvendit njëpartiak”, duke thënë se Presidenti kishte planifikuar që më 29 mars një takim me Ministren për BE-në e Austrisë Karoline Edtstadler.

Sipas reagimit, Qeveria ka qenë e njoftuar për axhendën e Presidentit, duke akuzuar Kuvendin për “blofe” dhe qëndrime jo korrekte.

“Sigurisht, që Presidenti i Republikës, nuk mund të anulonte apo të shmangte sot agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën ishin të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit, siç ishte edhe takimi i mëpasshëm me Presidentin e Sllovenisë, Sh.T.Z Borut Pahor. Blofet e Kuvendit njëpartiak nuk çudisin më askënd, pasi ishte ky Kuvend, që për hir të Partisë i shtoi kushtet e integrimit europian Shqipërisë dhe shkallmoi pabesisht Marrëveshjen ndërpartiake të 5 Qershorit për Kodin Zgjedhor, pasojat e së cilës janë skandaloze me shumëfishim të krimeve zgjedhore”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë: 

Në përgjigje të interesimit të kolegëve gazetarë dhe pasi u njohëm me shpifjet dhe qëndrimet aspak korrekte të deputetëve të Kuvendit njëpartiak, lidhur me arsyet e mospranisë së Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Ligjore, sqarojmë se:

Në datën 28 prill 2021, siç faktohet edhe nëpërmjet këtij komunikimi zyrtar me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, Presidenti i Republikës është vënë në dijeni me një kërkesë për takim, për në datën 6 maj 2021, të Ministres Federale për BE-në dhe Kushtetutën të Austrisë, znj.Karoline Edtstadler.

Në datën 29 prill 2021, Drejtori i Kabinetit të Presidentit, në përgjigjen e dërguar për MEPJ ka shprehur zyrtarisht vullnetin e Kreut të Shtetit për takimin me znj.Edtstadler dhe po këtë ditë Drejtoria e Protokollit të Shtetit ka sugjeruar që takimi, sipas axhendës së përgatitur në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Tiranë, të zhvillohej në datë 6 maj 2021, në orën 11:15 - 11:55.

Edhe ky sugjerim i propozuar, është mirëpritur nga ana e Presidentit Meta dhe është fiksuar në axhendë po atë ditë, më 29 prill 2021.

Ndërkohë në datën 5 maj 2021, Komisioni për Çështjet Ligjore, me anë të një komunikimi të përcjellë në rrugë elektronike dhe shkresore pas orës 14:00 në Institucionin e Presidentit të Republikës, ka kërkuar, që Kryetari i Shtetit të marrë pjesë në datën 6 maj 2021, ora 11:00, në një seancë dëgjimore.

Presidenti Meta, siç është bërë me dije edhe në shkresat e Institucionit të Presidentit të Republikës me nr. prot.1520/2, datë 5.5.2021 dhe nr. prot. 1533/2, datë 6.5.2021, drejtuar Komisionit për Çështjet Ligjore, ka shprehur gadishmërinë e Tij për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me dhe në Komisionin e Ligjeve, por në datën 10 maj 2021.

Kjo edhe për shkak se axhenda e Tij për datën 6 maj 2021, ishte e paracaktuar dhe për këtë ka qenë në dijeni edhe Qeveria, siç faktohet nga këto dy dokumenta, që provojnë edhe njëherë nivelin banal të akuzave dhe shpifjeve të sotme të deputetëve të Kuvendit njëpartiak, gjoja për shmangien e Presidentit nga ballafaqimi me ta.

Ky komunikim zyrtar mes Institucionit të Presidentit dhe MEPJ, vërteton botërisht jo vetëm se Qeveria, nga i merr urdhërat Kuvendi njëpartiak, ishte në dijeni të axhendës së sotme të Kreut të Shtetit, por fakton para të gjithë shqiptarëve edhe banalitetin e pretendimeve të deputetëve në skadim mandati.

Sigurisht, që Presidenti i Republikës, nuk mund të anulonte apo të shmangte sot agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën ishin të planifikuara prej kohësh realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit, siç ishte edhe takimi i mëpasshëm me Presidentin e Sllovenisë, Sh.T.Z Borut Pahor.

Blofet e Kuvendit njëpartiak nuk çudisin më askënd, pasi ishte ky Kuvend, që për hir të Partisë i shtoi kushtet e integrimit europian Shqipërisë dhe shkallmoi pabesisht Marrëveshjen ndërpartiake të 5 Qershorit për Kodin Zgjedhor, pasojat e së cilës janë skandaloze me shumëfishim të krimeve zgjedhore.

Dokumentet e publikuara nga Presidenca
 
Ora 11:49
14 vota pro dhe 1 kundër, 'Ligjet' miratojnë propozimin për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës

Komisioni i Ligjeve miraton propozimin për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. 14 deputetë votuan pro, e ndërsa 1 votë kundër që është i deputetit Adriatik Alimadhi.  

Ora 11:39
Relatorja Bushka: Presidenti ka bërë shkelje flagrante, kërkesa legjitime

 

Relatorja në Komisionin e Ligjeve e kërkesës së 49 deputetëve për shkarkimin e Presidenti Ilir Meta, Klotilda Bushka, nënvizioi sot se Meta ka bërë shkelje flagrante para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit.

"Kërkesa është në përputhje me bazën ligjore. Sa i përket çështjet substanciale Presidenti i Republikës ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutë.  Kërkesa për shkarkim është një panorama e qartë e të gjitha shkeljeve që listohen atje, dhe kanë të bëjnë me shkelje flagrante para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit", Klotilda Bushka.

Ora 11:33
Meta nuk shkon në seancën dëgjimore, Manja: Tentativë të djegë afatet e komisionit

 

Deputetët e mazhorancës kanë akuzuar presidentin Ilir Meta, duke thënë se ky i fundit synon q ëtë nxjerrë jashtë afateve punën e Kuvendit për shkarkimin e tij.

"Nëse e ngremë komisionin para datës 9 maj, veprimtaria do shtrihet deri në datën 9 Korrik është sërish në përputhje me Kushtetutën. Meta për t'u dëgjuar në datën 10 është kërkesë opozitare, prandaj Meta kërkon në datën 10 se është jashtë afateve. Duhet të jetë i dënueshëm dhe është në vijim të kësaj sjellje, duke anashkaluar, nënvlerësuar Kuvendin e Shqipërisë. Jemi në përputhje me ligjin",  tha Hyseni.

"Metës jo se nuk i ka mjaftuar Koha, por ai duke kërkuar datën 10 maj, ka kërkuar që kërkesën e deputetëve ta nxjerrë jashtë afatit, Pra presidenti ka tentuar që të pengojë qëllimisht punën e Komisionit të Ligjeve", tha Manja.

Ora 11:11
Meta: S'kam kohë të vij! Manja: Nuk e di çfarë axhende më të rëndësishme paska Presidenti se kërkesa e deputetëve për shkarkimin e tij

 

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka komentuar refuzimin nga ana e kreut të Shtetit Ilir Meta për të mos qenë i pranishëm në seancën e sotme dëgjimore.

" Nuk e di se çfarë axhende më të rëndësishme ka Meta sesa kërkesa e 49 deputetëve që kërkojnë shkarkimin e presidentit dhe lidhur me kohën unë dua të bëj me dije se Presidenti i Republikës është vënë në dijeni menjëherë nga kryetari i Kuvendit. Gjithsesi Komisioni i Ligjeve në zbatim të detyrimeve ia garantoi mundësinë që të shprehej,  Meta ka vlerësuar si kohë të pamjaftueshme. Meta të shprehet në Komisionit në rast se Kuvendi do e ngre këtë Komision. Ka mundësinë dhe kohën e nevojshme për të dhënë sqarimet e duhura para deputetëve të Komisionit hetimor, nëse nesër Kuvendi do votojë për ngritjen e këtij Komisioni", tha Manja.

Ora 11:03
Meta i përgjigjet Komisionit të Ligjeve: Nuk mund të vij sot në seancë dëgjimore, kam axhendë! Shihemi më 10 maj

Për të dytën herë radhazi, presidenti Ilir Meta ka refuzuar kërkesën e Komisionit të Ligjeve për të qenë i pranishëm në seancën dëgjimore mbi kërkesën e 49 deputetëve që kërkojnë shkarkimin e tij. Në argumentet e dhëna ditën e sotme, Meta thotë se ka një axhendë të ngjeshur, e nisur nga kjo thotë se është i gatshëm që të vijë në datën 10.

"Për të dytën herë radhazi, presidenti Ilir Meta ka refuzuar kërkesën e Komisionit të Ligjeve për të qenë i pranishëm në seancën dëgjimore mbi kërkesën e 49 deputetëve që kërkojnë shkarkimin e tij. Në argumentet e dhëna ditën e sotme, Meta thotë se ka një axhendë të ngjeshur, e nisur nga kjo thotë se është i gatshëm që të vijë në datën 10", shkruan Meta. 

Ai ka hedhur akuza në drejtim të Komisionit të Ligjeve, ku thotë se ata po "nxitohen"  për shkak të urdhrave të mbërritura nga politika, teksa u thotë se duhet të jenë në lartësinë e detyrës dhe të respektojnë afatet ligjore.

" Procese apo nisma të kësaj natyre, megjithëse janë iniciuar përmes urdhrave politikë që synojnë të shmangin vëmendjen nga parregullsitë që partia në pushtet ka shkaktuar në këtë proces zgjedhor, ju si Komisioni i Ligjeve, keni detyrimin që të qëndroni në lartësinë e detyrës që mbani, e që të kujdeseni që asnjë garanci dhe kërkesë e Kushtetutës dhe e ligjit të mos shkelet, por të respektohet. Ky nxitim i Komisionit të Ligjeve, sidomos në këtë situatë pas realizimit të zgjedhjeve të 25 prillit, përveç se reflekton qartë se po realizon me urgjencë përmbushjen e porosisë politike për të krijuar një proces fiktiv për shmangien e vëmendjes nga gjendja reale post zgjedhore dhe zbardhja e krimeve zgjedhore, mbart dhe rrezikun evident për të konsumuar shkelje kushtetuese dhe ligjore që natyrshëm, prodhojnë shpërdorim të veprimtarisë së deputetëve të Kuvendit, që për pasojë ka vetëm pavfleshmërinë e gjithë kësaj nisme fiktive", vijon Meta.

(Kliko ketu per te lexuar pergjigjen e plote te Presidentit Meta)

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 07/05/2021 00:59

    Ore Like, dhelperush i lindur qenke,por nga justifikimi qe tenton,nuk e paske marre akoma diplomen e rufianise!Te duhet nje raport mjekesor si ai i Bashes.Thuaji doktorit qe te zune te prerat ne bark,sa morre vesh qe kuvendi mund te te shkarkoje dhe pastaj kushedi, mund te te perkeqesohet gjendja nga nje laksativ i rekomanduar nga Amerika dhe populli shqiptar,i quajtur //SPAK//,shume i vlefshem per te pastruar sistemin tretes te Shqiperise nga helme e mbetje si ti me shoke.

    Përgjigju
  • Skrapar: 06/05/2021 10:34

    Ishalla e heqin kete pisin se na e shpifi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion