Policia rrugore ka intensifikuar kontrollet në terren gjatë fundjavës. Aksionet kanë qenë kryesisht në akset e kryeqytetit dhe në pikat hyrëse/dalëse.
62 shoferë janë ndëshkuar vetëm gjatë fundjavës nga policia rrugore e Tiranës pasi nuk respektojnë radhën në trafik, kryesisht në daljet nga autostrada, shkelje të evidentuara nga droni.
Gjobat kryesojnë për përdorimin e celularëve gjatë drejtimit të automjetit, në total 529 masa administrative.
Për mos vendosjen e rripit të sigurimit gjatë fundjavës janë vendosur 517 gjoba. Masa janë marrë edhe për drejtuesit e motorëve, 635 të tilla për mos vendosjen e kaskës mbrojtëse.
Për shkelje të rënda të kodit rrugor, përfshirë drejtimin në gjendje të dehur janë arrestuar dhe vënë në hetim 24 shoferë. 41 automjete janë hequr me karrotrec për parkim të gabuar.
Njoftoi Policia
Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë/Intensifikohen kontrollet gjatë fundjavës, për të menaxhuar trafikun në akset e kryeqytetit dhe në pikat hyrëse/dalëse, si dhe për të parandaluar ngjarjet rrugore, me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës. Për të përmbushur këto objektiva, gjatë javës që kaloi dhe gjatë fundjavës, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës kanë shtuar prezencën në terren, si dhe kanë intensifikuar monitorimin me pajisje logjistike bashkëkohore, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor.
Për shkeljet e konstatuara, janë vënë këto masa administrative:
-Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit – 529 masa;
-Mosvendosja e rripit të sigurimit – 517 masa;
-Mosvendosja e kaskës mbrojtëse – 635 masa;
-Mosrespektimi i radhës në qarkullim – 62 masa.
Më tej, për shkelje të rënda të neneve të Kodit Rrugor, si dhe për vepra në fushën e qarkullimit rrugor, të parashikuara nga Kodi Penal, janë arrestuar/proceduar penalisht 24 drejtues mjetesh.
Në vijim, janë tërhequr me mjet ngritës, 41 automjete, të cilat duke u parkuar në mënyrë të parregullt, kishin penguar lëvizjen e lirë të mjeteve/qytetarëve.
Policia Rrugore e Tiranës apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës, që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si kontribut i përbashkët dhe i domosdoshëm për garantimin e sigurisë rrugore dhe për mbrojtjen e jetës.
Komente












