SHKODËR- Rrjedhja e gazit nga bombola në një dyqan në Shkodër, gati sa nuk ka shkaktuar një tragjedi, ndërsa zjarri i shkaktuar ka lënduar shitësen e dyqanit.  

Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Perashit" mëngjesin e kësaj të diele, teksa në një dyqan që tregtonte bombola ka pasur rrjedhje e gazi e cila ka shkaktuar edhe një zjarr. 

Ndërhyrja e zjarrfikësve ka evituar që bombolat të shpërthenin çka do të shkaktonte një tragjedi në një zonë mjaft të populluar në metropolin verior.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI).
 
Sipas ISHTI, pas inspektimit në vendngjarje mendohet se nga një rrjedhje gazi, i cili shërbente edhe për ngrohje, ka rënë zjarri.
 
Nga verifikimi rezulton se nuk ka çarje të bombolave që ishin në dyqan.
 
Po ashtu nga kontrolli rezultoi se dyqani nuk ishte i licencuar për shitje  bombolash. Në këto kushte ndaj këtij subjekti po ndërmerren masat përkatëse administrative në bazë të ligjit.
 
Nga zjarri i rënë është lënduar lehtë shitësi i dyqanit.


[gallery]20461[/gallery]


Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com