Shkodra i jep lamtumirën mjeshtrit të humorit Zef Deda! Duartrokitja e fundit dhe lot në Teatrin 'Migjeni'! Aktorët: U shua një yll! Juli: Na ndihmo nga lart!

Shkodra i jep sot lamtumirën Zef Dedës, njeriut që i fali aq shumë buzëqeshje në vitet e zymta të komunizmit. Qyteti sot u zgjua me shi dhe ftohtë.  

Kanë ardhur të gjithë, nga Tirana e kudo, aktorë, miq dhe të afërm por dhe artëdashës. U mblodhën në hollin e Teatrit "Migjeni", për t'i bërë nderimet e fundit aktorit të njohur të humorit, i nderuar dhe me titullin "Mjeshtri i madh". 

Teatri "Migjeni" ishte shtëpia e dytë e Zef Dedës. Aty nisi rrugëtimin e tij të ëndrrës për t’u bërë ai që vërtetë u bë, një nga komedianët më të mirë të traditës sonë të artit komik, i cilësuar edhe si “Charlie Chaplini” i Shqipërisë.

Për t’i dhënë lamtumirën e fundit mbërritën të parët kolegët me të cilët ka ndarë skenën, Zyliha Miloti, Drande Xhaj, Arjan Culiqi, Edmond Halili, Zef Ndoja. Por dhe miq të vjetër, Filip Cakuli, Agron Llakaj, Osman Mula e shumë artistë të tjerë. Përfaqësues të politikës dhe të kishës katolike, qytetarë të shumtë shkodranë, miq e dashamirë morën pjesë në homazhe.

"Sot Shkodra jonë e dashur është zgjuar pa një artist të madh, pa një ikonë. Zoti ia kishte falur talentin atij artisti në të gjithë drejtimet. Për mua është këngëtar, instrumentist, të gjitha të dhënat që mund të ketë një artist, ia kishte falur Zoti, Zef Dedës",-  thotë aktorja e njohur Zyliha Miloti e cila me Zef Dedën ka ndarë 50 vite skenë. 

‘U shua një yll’ ,- flet e përlotur Drane Xhai, aktore e teatrit Migjeni.

Agron Llakaj uron që djali i Zefit, Julian Deda ta çojë përpara artin e të atit.

Trupa profesioniste e humorit shqiptar sot më shumë është në qiell se në tokë. Aty i bashkohet edhe Zef Deda, ndryshe i quajtur Çaplini shqiptar. Shpresoj që dy djemtë e vet që janë artistë, Juli sidomos të jetë i zoti të trashëgojë diçka nga geni i Zefit"
 

Regjisori Osman Mula tregon pse e mirëpriti publiku.

Zefi ka qenë shumë i pranishëm në darkë, edhe pasdite tek fëmijët, ka qenë i pranishëm nëpër koncertet e mëdha të natës së Vitit të Ri.  Futi në teatrin e estradës një interpretim ndryshe. E emancipoi dhe e modernizoi interpretimin skenik, sepse Zefi në pistë që u fut e kishte të pamundur tjetër kush të vraponte apo të afrohej afër Zefit. Zefi kishte një vokal që nuk e kishte kush."

Për bashkëshorten Rozina Dedën dhe dy djemtë, Julianin dhe Marion tashmë rëndon jo vetëm dhimbja por dhe pesha për të ruajtur emrin e mirë të mjeshtrit të madh.

Djali, Julian Deda mbjati fjalimin e lamtumirës. 

"Kam dëshirë që të falënderoj Zef Dedën për atë që ishte. Babai i jashtëzakonshëm, burrë i jashtëzakonshëm, gjysh i mrekullueshëm, artist i madh. Nuk e di se sa të fokusuar duhet të jemi ne dhe fëmjët tanë të mundohemi të ruajmë emrin e mirë që ka lënë në Shkodër e Shqipëri. Shpresoj t’ia dalim, por besoj që një ndihmë e madhe do na japë dhe baba nga lart",- tha Juli i përlotur.

Më pas duartrokitja e fundit dhe lot!

Kortezhi mortor përcillet nga banda e qytetit për në meshën e dritës. 

E ndërsa trupi i tij prehet në banesën e fundit, në varrezat e Rrmajit, në sofrat e familjeve shqiptare në raste gëzimesh do të jetë gjithmonë i pranishëm me karakteret që arriti ti skaliste aq bukur dhe batutat që sa herë i kujton buzëqesh.  

Publiku shqiptar dhe veçanërisht ai shkodran do ta kujtojnë përmes personazheve si “Kunati i shokut Xhemal”, “Kola i dritave”, Kushrini nga Amerika” apo dhe Charlie Chaplini shqiptar.

"Bëri epokën e tij që nuk kthehet më' thotë Filip Çakulli

"Nuk lind më një Zef Dedë",- thanë aktorët në një zë.

Zef Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950 dhe u shua  më 24 nëntor 2023 po në qytetin e tij të lindjes, Shkodër që e deshti aq shumë. e kuptoi dhe nuk e largoi kurrë veç e afroi.

Talenti i tij spikati që në moshë të vogël kur luajti disa role në teatër. Karrierën e nisi si aktor kur performonte në skenë para punëtorëve të Vaut të Dejës më pas në teatrin "Migjeni". 

Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike, ai arriti të realizojë qindra figura artistike me një vërtetësi dhe sinqeritet. 

Rrugëtimi i tij artistik u shkëput për një periudhë 6-vjeçare, për shkak të emigrimit jashtë atdheut në Gjermani. Por kthehet në vitin 1996 për të rifilluar ku e kishte lënë. Në vitet e fundit spikati me rolin e tij dhe në komeditë, "Vëllai nga babai", "Kollovari", "Big Brother Shkodra 1", "Big Brother Shkodra 2" .

Zef Deda u nda nga jeta duke lënë pas jo vetëm trishtim dhe dhimbje, jo vetëm pikëllim dhe lot, por edhe kujtime të bukura dhe një galeri të pasur rolesh dhe karakteresh, tipash dhe personazhesh.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:58
‘Sot e përcjellim si një legjendë’, kryebashkiaku Beci: Zef Deda ikonë që ka shtuar nderin e Shkodrës

1700925020_benetbeci.jpg

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci është shprehur se aktori Zef Deda po përcillet në “banesën e fundit” si një legjendë.

Në një prononcim për mediat, Beci tha se artisti i madh Zef Deda do të mbetet gjithmonë një inspirim për brezat, për humorin e madh që ka dhuruar.

“Është një humbje e madhe. Ne përcjellim një respekt të jashtëzakonshëm gjithë qyteti, por besoj dhe i gjithë kombi shqiptar. Një figurë shumë dimensionale artistike. Me Zef Dedën jemi rritur një brez i tërë në festa, në gëzime, por edhe në ditë të vështira, na ka dhënë ai buzëqeshje. Ai do të mbahet mend për shumë role, do të mbahet mend si “Çaplini shqiptar”, por në fakt brezat kanë shumë për të kujtuar. Ne sot e përcjellim me dhimbje, por mendoj se si një legjendë, i cili do të mbetet gjithmonë me një buzëqeshje në kujtimin e qytetit. Do të mbetet një inspirim për brezat si një ikonë që ka shtuar në nderin e Shkodrës dhe që ka dhuruar gjithmonë humor të madh. Kemi për detyrë ta çojmë më tej këtë trashëgimi, këtë histori, këtë krenari që i ka dhënë qytetit një emër i madh si Zef Deda”,- është shprehur Beci.

 

Ora 15:49
'Madhështia e tij shihej e bashkuar me thjeshtësinë', Arjan Culiqi: Kohëve të fundit kishte një merak, që ta ngremë estradën e Shkodrës në lartësinë që meriton

1700923900_arjaniii.PNG

Aktori Arjan Culiqi, teksa dukej i kapluar nga mërzia për vdekjen e aktorit të mirënjohur, Zef Dedës, u shpreh se ky i fundit ishte një aktor me cilësi tepër të rralla.

“Largimi i Zef Dedës nga kjo jetë edhe një humbje e madhe jo vetëm për qytetin tonë po për të gjithë shqiptarinë. Zefi ishte një aktor multidimensional, ishte një aktor me cilësi tepër të rralla, me cilësi që akoma edhe sot nuk ka aktorë të tillë. Zefi kishte një vokal të rrallë, ishte një këngëtar, ishte parodist, pantomimist. Madhështia e tij shihej e bashkuar me thjeshtësinë. Ishte një aktor që ishte tepër i rrespektuar, krijonte atmosferë të mirë, gjithmonë i qeshur, gjithmonë aktiv gjatë provave. Unë kam qenë me fat që kam punuar me të madhin Zef Deda. Kohëve të fundit ai kishte një merak, një dëshirë të madhe që ta ringremë estradën e Shkodrës, në ato nivele që ajo ishte dikur dhe kjo dëshirë e tija për mua është detyrë që ta ngremë estradën në atë lartësi që ajo meriton”,- është shprehur Culiqi.

Ora 14:11
'Zef Deda shembull i shembujve’, Osman Mula: E emancipoi dhe modernizoi interpretimin skenik

”Thonin si është e mundur ky djalë kaq i shkurtër të ketë kaq fuqi, të lëvizë, të hidhet nëpër skenë”,- është shprehur regjisori Osman Mula për aktorin Zef Deda, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme.

Mula e cilësoi aktorin Deda si një shembull të artit shqiptar dhe theksoi se aftësitë e tij skenike ishin unike dhe magnetike për spektatorin.

"Personalisht si shok më është dhimbsur shumë por duke e parë edhe në rang kombëtar, i gjithë populli e kujtoi. Natyrisht ky është një aktor i madh, i një trupe të madhe, të një skene të madhe, të një teatri të madh, ku secili ka luajtur një rol kryesor në fuqizimin e artit në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë.

Zefi është një nga interpretuesit më të mirë të kësaj skene dhe mesazhet që kanë dalë nga kjo skenë, nga ky teatër, janë shpërndarë shumë shpejt, janë thithur nga populli, siç është “Kunati i shokut Xhemal”, e me radhë.

I pranishëm në çdo koncert të Vitit të Ri për të rritur dhe për fëmijët.

Ne qoftë së Zefi ka qenë shumë i pranishëm në darkë, edhe pasdite tek fëmijët, ka qenë i pranishëm nëpër koncertet e mëdha të natës së Vitit të Ri. Zefi është një neoaktor në interpretim, një tjetër pistë. Zefi futi në teatrin e estradës një interpretim ndryshe. E emancipoi dhe e modernizoi interpretimin skenik, sepse Zefi në atë pistë që u fut, e kishte të pamundur tjetër kush të vraponte apo të afrohej afër Zefit. Zefi kishte një vokal që nuk e kishte kush. Nuk është puna për të folur, se përgjithësisht nëpër estrada hedhin batutën më tepër edhe për sallë dhe pothuajse janë në të njëjtin tonalitet.

 Zefi kishte një vokal ndryshe dhe një shtrirje të madhe vokale dhe Zefi këtu e muzikoi frazën e estradës, prandaj edhe publiku e vlerësoi, e duartrokiti dhe shpeshherë me tonalitetet e tij të shprehjes, ai afrohej dhe shpesh herë largohej. Ishte zëri i Zefit, ishte forca e tij interpretuese që e merrte me vete spektatorin. Ndoshta spektatori nuk ishte në gjendje ta shpjegonte se përse, por ishte forca e një gjeniali Zef në interpretimin e tij të shkëlqyer që e bëri këtë publik kaq për vete në të gjithë Shqipërinë.

Unë e kam ndjekur gjithandej, aq më tepër që kam qenë përfaqësues i RTSH-së, edhe në koncertet e Vitit të Ri, ku unë kam qenë shpesh herë regjisor, Zefi ka patur rol kryesor dhe mund të ketë qenë protagonisti i natës së Vitit të Ri.

Të gjithë njerëzit në rrugë na thonin: ka ardhur estrada e Shkodrës? Ka materiale estrada e Shkodrës? Ka Zefi? Ka Tano Banushi? Ka Zylihe?,- e me radhë.

Në atë pistë Zefi ka kolonën e dytë, këtë modernizmin e interpretimit aktorial në estradë. Zefi plastikisht ishte komplet ndryshe me të tjerët. Zefi ishte një aktor i plastikës i shkëlqyer. Zefi që kur futej në skenë kishte një vrull ishte alegro, kishte një ritëm të brendshëm, të cilët ndoshta thonin si është e mundur ky djalë kaq i shkurtër të ketë kaq fuqi, të lëvizë, të hidhet nëpër skenë. Zefi ishte i tillë dhe duhet parë me kujdes dhe duhet nënvizuar më vonë në analizat që bëhet për këta aktorë dhe për trupën e Shkodrës, ku secili nga ata ishte shkollë më vete. Për shembull Tano Banushi Zyliha Miloti, Paulin Preka, Katrina, Drania, Besniku, Mondi, është një trupë që duhet marrë si shembull, por në këtë shembull nuk është e lehtë të bëhesh shembull i këtyre shembujve, dhe ky shembull është Zef Deda”- u shpreh Mula.

Ora 13:19
'Baca Zef' aktorja Drane Xhai tregon anën tjetër të Zef Dedë: Më qëndroi pranë, ndamë gëzimet e hidhërimet

 

‘U shua një yll’ thotë Drane Xhai, aktorja e teatrit Migjeni, partnere ndër vite në skenë me Zef Dedën

“45 vjet në skenë. Unë jam rrit me Zefin. Në krah të Zef Dedës kam pasur shumë kujtime”

Njerëzit e thërrisnin ‘Baca Zef’ dhe kështu do e kujtojnë tregon aktorja për gazetarët ndërsa ndan dhe një moment tjetër të tij ku shfaqen vlerat e Zefit jo vetëm si aktor.  

“E kam pasur edhe pjesë të familjes. Kemi ndarë gëzimet, hidhërimet. Kur më vdiq im shoq para 17 vitesh Zefi më vinte përditë në shtëpi dhe më thoshte dil dil, do të vish në teatër, më ka qëndruar shumë afër” kujton ai.

Ora 13:10
Aktorja Zyliha Miloti kujton e pikëlluar Zef Dedën: Lindi për të qenë artist, vepra e tij do të jetojë

 

Aktorja Zyliha Miloti, mes pikëllimit ka kujtuar kontributin e kolegut të saj Zef Deda, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.

Në një prononcim për mediat, Miloti tha se Shkodra dhe Shqipëria janë zgjuar sot pa një artist të madh.

“Sot Shkodra jonë e dashur është zgjuar pa një artist të madh, pa një ikonë. Zef Deda është personalitet i artit shqiptar. Ai ka lindur me qenë artist. Që në moshën 5-vjecare ka dalë në skenën e Migjenit. Babai i tij ishte piktor. Me Zefin kam punuar mbi 50 vite në skenë, kemi qëndruar më shumë se në shtëpi dhe gjysmë fjalë se kemi bërë. Zoti ia kishte falur talentin atij artisti në të gjithë drejtimet. Për mua është ça t’ju them..këngëtar, instrumentist, të gjitha të dhënat që mund të ketë një artist, ia kishte falur Zoti, Zef Dedës. Zefi fizikisht nuk ekziston më, por jeton me vepra. Nuk lind më një Zef Dedë. Zefi kishte një karakter të veçantë. Ishte shumë i dashur, gazmor, krijonte para shfaqjes atmosferë, këndonte dhe bërtiste. E kemi quajtur alegria e estradës, Guseppe, beniamini i estradës. Zhurmaxhiu, i shkathtë, kavalier. Është humbje e madhe, për familjen, Shkodrën, dhe gjithë shqiptarët.”, tha aktorja.

Ora 12:08
'Shkodrës nuk i vjen më një si Zef Deda!' Përlotet Cekja i Beratit

 

Edhe aktori i njohur i humorit Sejfulla Myftari, i njohur si Cekja i Beratit udhëtoi sot drejt Shkodrës për t’i dhënë lamtumirën aktorit të humorit.

E ndërsa flet për Zef Dedën përlotet: “Është humbje shumë e madhe për humorin shqiptar. Shkodrës nuk i vjen më një si Zef Deda! ”thotë ai ndërsa kujton se aktori skaliti personazhet e tij.

Ora 11:23
'Shkoi ta takonte por në shkallët e pallatit mori lajmin: Zefi na la!' Edmond Halili tregon momentin prekës: Më këputi këmbët

 

“Është një humbje e madhe për qytetin e Shkodrës dhe mbarë Shqipërinë. Si Zef Deda nuk ban nana ma!” thotë aktori i humorit Edmond Halili.

Prej vitesh ishin më shumë se miq me njëri tjetrin dhe dje kishte shkuar për ta takuar por mori lajmin e hidhur.

 “Nuk e dija që ishte rëndë dhe doja të shkoja për një kafe. Në kat të dytë doli një djalë me çantë. Më tha jam infermier. E pyeta si është Zefi? Më tha na la. Sa dha shpirt. Më këputi këmbët’ tregon për gazetarët Halili.
 

Ata ishin miq të ngushtë. Halili tregon dhe bisedën me bashkëshorten e Zef Dedës.

“Zefi të kishte në gojë. Si s’po vjen Mondi të më takojë se më ka këputur këmbët; tregon ai.

Shkodra i jep sot lamtumirën njeriut që i fali aq shumë buzëqeshje edhe në vitet e vështira.

Prej orës 09:00 Teatri “Migjeni’ hapi dyert për të pritur miq, të afërm, aktorë dhe artëdashës që duan ti bëjnë nderimet e fundit aktorit që u nderua me titullin "Mjeshtri i madh" Zef Deda  

Ora 10:40
VIDEO/Homazhet për vdekjen e aktorit Zef Deda, Agron Llakaj: Ikje e parakohshme, la pas të qeshura

Në Teatrin ‘Migjeni’ në Shkodër po mbahen homazhet për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit dhe aktorit të mirënjohur Zef Deda, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.

Miq të shumtë të humoristit shkodran, nuk kanë munguar në homazhe. Mes tyre aktori Agron Llakaj, i cili u përlot për largimin nga kjo jetë të Zef Dedës.

'Natyrisht të gjithë të Zotit jemi dhe një ditë të gjithë do të largohej. Ikja e Zefit është e parakohshme, ne themi edhe kur vitesh në një moshë dhimbja është e madhe. Por artistët me emrin e Zefit janë të tillë që në momentin e parë të shkaktojnë dhimbjen por ai me artin e tij ka lënë të qeshura mbrapa dashurinë, publikun që e ka dashur dhe e ka mbështetur gjatë gjithë kohës. Duhet që institucionet tu rikthehen brezit të ri e të tregojnë se kush ka qenë arti i vërtetë e çdo të thotë artist humori. Trupa pr0ofesioniste e humorit shqiptar sot më shumë është në qiell se në tokë. Aty i bashkohet edhe Zef Deda, ndryshe i quajtur Çaplini shqiptar. Dhimbja nuk është vetëm për publikun e Shkodrës por për këdo që ka ndjekur artin e Zefit është një dhimbje e madhe.'- tha Llakaj.

Ora 10:37
FOTO ALBUM/ Zef Deda, një jetë në në skenë

Shkodra i jep sot lamtumirën njeriut që i fali aq shumë buzëqeshje edhe në vitet e vështira.

Talenti i tij spikat që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkelqyër psiko-fizike, ai arrin të realizojë qindra figura artistike me një vërtetësi dhe sinqeritet, sikur ata dilnin nga shpirti i tij. Kjo marrëdhënie që ai pati me skenën bëri që Zef Deda të ishte edhe “Kunati i shokut Xhemal”, “Kola i dritave”, Kushrini nga Amerika” po aq sa Charlie Chaplini.

Zef Deda nuk mund të ikte pa lënë në thesaret e tij interpretuese edhe monumentet e tij të fundit, komeditë, "Vëllai nga babai", "Kollovari", "Big Brother Shkodra 1", "Big Brother Shkodra 2", role të cilat ai i dha atë më të çmuarën që kishte, talentin dhe pasionin e tij për skenën, kontributin dhe vlerësimin që ai kishte si obligim për Shkodrën, për Teatrin Migjeni dhe artin komik.

 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • iliri: 25/11/2023 15:01

    AKTOR I MADH,,NGUSHELLIME FAMILJES,,DHE I UROJME JULIT TE NDJEKE RRUGEN E ZEFIT...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja