6 viktima me COVID-19/ 174 të infektuar...4 fëmijë! Dy rastet e para në Tropojë (Tirana 102 të prekur)

TIRANË- 4 fëmijë janë prekur në koronavirus në Shqipëri, si rezultat i kontaktit të rasteve pozitive të konfirmuara më herët. Një fakt i tillë konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë, teksa në total numri i të prekurve ka shkuar në 174. Fatmirësisht, referuar burimeve zyrtare, fëmijët, më i vogli i moshës 3-vjeç nuk kanë shfaqur shenja klinike, siç ndodh me të rritur dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Aktualisht, ata ndodhen në shtëpi në karantinë, por në rast se do të lindë nevoja për trajtim mjekësor më të specializuar, te Pediatria në QSUT është krijuar një pavion i veçantë i izoluar, për të pritur fëmijët e dyshuar me COVID-19. 

28 raste të reja kanë rezultuar pozitiv brenda këtyre 24 orëve të fundit, ku hartës së qyteteve të prekura i është shtuar edhe Tropoja, me 2 të prekur. Bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh, të moshës 50 dhe 48 vjeç, nga qyteti i Bajram Currit. Burri është punonjës i shërbimit Informativ në Tropojë, (SHISH) e ndërsa gruaja arsimtare. Dyshimet e para janë se çifti është infektuar nga motra e bashkëshortes, e cila ka qenë më herët në Itali, teksa dhe po zhvillohet një hetim epidemologjik për të zbuluar në rast se kanë infektuar persona të tjerë. Gjatë 24 orëve të fundit, vetëm një rast i ri është shtruar në Urgjencën e Spitalit Infektiv në QSUT, duke e çuar në total në 73. Tre prej tyre janë në terapi intesive, dy të intubuar në gjendje më të rëndë shëndetësore. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente, bën me dije Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.

Renditja e qyteteve më të prekura me COVID-19 në Shqipëri
Tiranë 102 raste
Fier 18 raste
Korçë 11 raste
Durrës 10 raste
Vlorë 5 raste
Elbasan 5 raste
Lushnje 4 raste
Kavajë 4 raste
Lezhë 4 raste
Shkodër 3 raste
Rrogozhinë  2 raste
Has 2 raste
Tropojë 2 raste
Berat 1 rast
Krujë 1 rast  

Harta e qyteteve të prekura me koronavirus, përgatitur nga Report Tv

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital! Të telefonojnë fillimisht në numrin "127" ose për informacione rreth COVID-19 të marrin në linjën e gjelbër 0800 40 40.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:40
Prefektura Shkodër: Dy raste me koronavirus në Pukë, izolohen 7 mjekë dhe infermierë

Prefektura e Shkodrës njofton se në Pukë janë shënuar dy raste të prekur me koronavirus. Pas analizave, dy personat kanë rezultuar pozitiv, ndërsa 7 mjekë dhe infermierë në Pukë janë vetëkarantinuar, pasi dyshohet se mund të jenë prekur nga covid 19.

Ora 13:15
4 të infektuar në Fier, punonjës së Degës së Thesarit, pezullohen procedurat

4 nga 18 të prekurit me COVID-19 në qarkun e Fierit janë nëpunës të Degës së Thesarit të cilët janë vetëkarantinuar.

Ndërkohë sot do të bëjë tamponin edhe një punonjës tjetër pasi ka shfaqur simptoma të koronavirusit. Në total zyra e degës së thesarit ka 6 punonjës, ndërsa janë pezulluar procedurat.

Pritet ndërhyrja e Ministrisë së Financave për të zëvendësuar nëpunësit e infektuar.

Ora 11:34
Dy të infektuarit e parë në Bajram Curri burrë e grua, 48-vjeçarja me profesion mësuese

Ditën e sotme nga Ministria e Shëndetësisë u konfirmuan dy rastet e para në qytetin e Bajram-Currit që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Burime bëjnë me dije së bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh të moshës 48-50 vjeç, të cilët jetojnë në lagjen Partizani.

Burri 50-vjeçar është punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror në Tropojë, ndërsa gruaja është mësuese, bën me dije kryetari i bashkisë Tropojë Rexhe Beberi.

Pavarësisht se gruaja është me profesion mësuese nuk ekziston mundësia e infektimit të nxënësve, pasi masat e marra nga autoritet e hedhin poshtë këtë hipotezë, duke qenë se shkollat janë mbyllur që prej datës 9 mars.

Ora 11:18
4 fëmijë të prekur me COVID-19 në Shqipëri (por ndodhen në shtëpi), ngrihet pavion i izoluar tek Pediatria (VIDEO)

Në mesin e të infektuarve me koronavirus në Shqipëri janë edhe 4 fëmijë, më i vogli i moshës 3 vjeç. Ata ndodhen në shtëpi në karantinë, pasi nuk kanë shenja klinike dhe ndodhen në gjendje të mirë shëdetësore. Por nëse do të lindë nevojë për trajtim mjekësor për fëmijët e infektuar, tek Pediatria në QSUT është krijuar një pavion i veçantë i izoluar, për të pritur fëmijët e dyshuar me COVID-19. Fëmijët përgjithsësisht nuk shfaqin simpomtoma, ose shenja klinike shumë të lehta. 

Ndërkohë fluksi ka rënë tek pediatria pasi prindërit kanë frikë për t'i dërguar fëmijët në spital nga rreziku i mundshëm se mund të infektohen.

Në Spitalin Infektiv pamja e përditshme që ofrohet është ardhja e ambulancës me të dyshuar si të infektuar me COVID-19, gjendja e të cilëve është me e rënduar dhe që kanë nevojë për trajtim mjekësor. Ka nga ata që zbresin nga ambulancat me këmbët e tyre, por ndryshe është rasti i një zotërie që vjen me barrelë, ndërsa nga auto-ambulanca zbret edhe bashkëshortja e tij.

Tek spitali "Shefqet Ndroqi" i cili pritet që shumë shpejt të jetë spitali i dytë për trajtimin e rasteve me COVID-19 ka nisur largimi i atyre pacientëve që nuk kanë më nevojë për trajtim spitalor, duke u dërguar në shtëpi, ndërkohë që një pjesë janë dërguar në Spitalin e Elbasanit.

Ora 10:11
Pacientja tek Ortopedia del pozivite me koronavirus, mbyllet i gjithë pavioni në Spitalin e Lezhës! Vetëkarantinohen mjekët (VIDEO)

Pavioni i ortopedisë në spitalin e Lezhës është mbyllur, pasi një paciente e shtruar në këtë pavion ka rezultuar dje pozitive me COVID-19. Bëhet fjalë për një të moshuar e cila ishte shtruar prej tre ditësh në këtë pavion, pasi kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë.

Gjatë qëndrimit në spital pacientja ka shfaqur temperature të lartë e cila ka vijuar për dy ditë më radhë. Duke parë gjendjen e sajë shëndetësore, 70-vjeçares ju bë tamponi dhe rezultoi pozitive me covid-19. Menjëherë pas konstatimit të rastit u dezinfektua dhe u mbyll reparti i ortopedisë, ndërsa stafi mjekësor dhe ai sanitar janë futur në karantinë si masë mbrojtëse dhe parandaluese e përhapjes së koronavirusit nëse ata mund të jenë infektuar për shkak të kontakteve që mund të kenë patur me pacienten. Atyre u janë marrë tamponët dhe janë në pritje të rezultateve të analizave.

Sipas burimeve pacientja që rezultoi pozitive me covid 19 ka patur historik udhëtimi me Italinë, por vetëm pasi i janë shfaqur shenjat klinike të koronavirusit, u ka treguar bluzave të bardha që kishte qenë në shtetin fqinj kohet e fundit. E moshuara është dërguar në spitalin infektiv të Tiranës, ndërsa familjareve të saj ju është kërkuar që të vetëkarantinohen. Në Lezhë janë në total 4 të prekur me COVID-19, mes të cilëve 2 infermiere, 1 saniatare.

Reparti i Ortopedisë te Spitali i Lezhës
B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    7 Dhjetor, 15:58

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?



×

Lajmi i fundit

Kapen 9.5 tonë kokainë në banane, ngarkesa më e madhe në historinë e shtetit latin

Kapen 9.5 tonë kokainë në banane, ngarkesa më e madhe në historinë e shtetit latin