Platforma e fundit politike për protestën e vazhdueshme në Tiranë, ka autorësinë e një prej koordinatorëve, Edviol Kulluri. Kryeministri Edi Rama zbuloi një skedë të zezë të tij me drejtësinë, i hetuar 8 herë në 8 vite, nga rrahje, kërcënime e plagosje, dhunë në familje, e vjedhje energjie. . 

Një Kuvend Kombëtar Qytetar me 150 anëtarë kërkohet të krijohet duke i ftuar të interesuarit të regjistrohen në një grup Whtas App-i të organizatorëve, që për tu certifikuar si anëtarë, do duhet të dalin përpara popullit në protestë e të marrin miratimin e tyre. Kuvendi, i cili ka detyrën të përzgjedhë anëtarët e qeverisë teknike që do të duhej të zëvendësonte qeverinë Rama pas dorëheqjes së saj, mblidhet një herë në vit. Pas këtij institucioni të ri, do të ngrihen edhe dy të tjera, Këshilli Ekzekutiv dhe së fundi, Mbledhja e Përgjithshme e Popullit Shqiptar”, që thirret sa herë devijohet nga vullneti i popullit.

Paraqitja e kësaj platforme nga ky I ri me origjinë nga Dukati I Vlorës, tërhoqi vëmendjen e kryeministrit Edi Rama, I cili në fakt, zgjodhi të shpërfillë planin e protestës, dhe të flasë për nismëtarin që e ka shpalosur atë. 

Duke publikuar një foto të Edviol Kullurit në rrjetin social, Rama thotë se ai është I hetuar për një sërë veprash penale, nga 2014 deri në 2022-shin. 

“Njihuni me kontributin mbresëlënës për atdheun të njërit prej 13 flamurtarëve firmëtarë të protestës së bulevardit, ku sorrat dhe korbat i kanë marrë përfundimisht peng flamingot, nën maskën e “Shqipërisë së Re”, shkruan kreu i qeverisë teksa publikon shkeljet ligjore për të cilat Kulluri është proceduar nga organet e drejtësisë.

Kjo është platforma e dytë e protestës, pas planit të Dritan Goxhajt, i cili propozonte krijimin e një Asambleje Tranzitore me 101 anëtarë të përzgjedhur me short, sipas modelit të Athinës së lashtë.

 Edviol Kulluri i proceduar:
- ⁠2014 – Rrahje në bashkëpunim, Tiranë
- 2016 - Vjedhje energjie, Tiranë
- 2016 – Rrahje në dëm të një shtetaseje, Tiranë
- 2017 - Rrahje në grup, Durrës
- 2019 – Pjesëmarrje në protestë të paligjshme, pengim qarkullimi I automjeteve, pengim i IMT per prishjen e ndertimit te paligjshëm, Vlorë
- 2020 – Kanosje & plagosje e lehtë, Vlorë
- 2021 – Kanosje ndaj një shtetaseje grua, Vlorë
- 2022 – Dhunë në familje ndaj xhaxhait të tij, Vlorë