Forcat xheniere, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë dhe Policinë e Shtetit, zhvilluan një tjetër operacion për asgjësimin e shkëmbinjve të rrezikshëm në malin e Torovicës. Pas evakuimit të banorëve dhe bllokimit të rrugës, u bë shpërthimi i kontrolluar i një shkëmbi problematik mbi zonën e banuar.

Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë Lezhë, Gjergj Prendi, bëri të ditur se operacioni rezultoi i suksesshëm, ndërsa ndërhyrjet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim eliminimin e plotë të rrezikut për banorët dhe kalimtarët.

"Kjo është faza e dytë e kryerjes së operacionit. Është një ditë e ftohtë por operacioni shkoi me sukses. Shpërthimi u krye në bazë të parametrave teknike. Deri më tani nuk kemi dëme. Presim për 2-3 ditë të bëjmë shpërthimin tjetër. Të dy grup-shkëmbinjtë ishin më problematikët dhe paraqisnin rrezikshmëri jo vetëm për operacionin por edhe për banorët” tha Prendi për mediat

Shkëmbinjtë në malin e Torovicës ne Lezhe ishin kthyer në rrezik për banorët dhe kalimtarët përgjatë aksit rrugor, ndaj edhe strukturat përgjegjëse u vunë në lëvizje për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike, e cila ishte identifikuar prej 9 vitesh.