Aksione nga më ekstremet ishin ndërmarrë në fushën e mbrojtjes. Bunkerizimi i çdo pëlllëmbe tokë shqiptare ishte një prej treguesve të kësaj paranoje. Por edhe ngritja dhe amrmatimi i të gjithë çetave vullnetare në çdo fshat e qytet nga cepi në cep të Shqipërisë, me teorinë “gjithë populli ushtar”, po ashtu ishte një tregues i kësaj paranoje.
Këto çeta vullnetare ishin armatosur për çdo rast sulmi me të gjithë llojet e municioneve. Në çdo fshat a qendër ku ato ato ndodheshin ishin ngritur depot e armative, që shpresh vetëm emrin kishin të tillë, pasi rreziku i këtij armatimi ishte gjithkund. Armët mund të binin në duart e fëmijëve, mund të shpërthenin nga zjarret aksidentale, të vidheshin etj.
Problemi i këtyre depove të armatimit ishte ngritur në një raport të Prokurorit të Përgjithshëm Dhori Panariti në dhjetor të vitit 1972. Raporti i cili ruhet në fondin e Këshillit të Ministrave zbulon gjithë rastet flagrante të shkeljeve që ishin vënë re, në mënyrën si ngriheshin depot e armatimit, sa të sigurta ishin dhe nga çfarë rrezikoheshin. Raporti ngre shqetësimin e shpërdorimit të këtij armatimi apo edhe dëmtimit të tij nga lagështia, e kushtet e papërshtatshme të ruajtjes, po ashtu edhe faktin se këto armatime shpesh nuk ruheshin nga roja të afta dhe mund të vidheshin.
Shkresat shoqëruese të këtij raporti dëshmojnë se problemi kishte shkuar deri në mbledhjen e qeverisë, ku Mehmet Shehu kishte tërhequr vëmendjen posaçërisht për këtë problem. Më poshtë e sjellim të plotë këtë raport bashkë me shkresat shoqëruese të tij.
Ad.Pe.
Dokumenti i plotë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PROKURORIA E PËERGJITHËSHME
(Dega e Ushtrisë)
Nr. 2276/3
Tiranë, më 5/12/1972
ZËV. KRYETARIT KËSHILLIT MINISTRAVE (SHOKUT ADIL ÇARÇANI)
T I R A N Ë
Bashkangjitur ju dërgojmë informacionin “Mbi disa shkelje të rregullave lidhur me ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e armatimit të çetave vullnetare në disa rrethe”.
Ky informacion i është dërguar edhe Ministrit Mbrojtjes Popullore shokut Beqir Balluku.
PROKURORI PËRGJITHËSHËM
(Dhori Panariti)
(firma, vula)
I N F O R M A C I O N
MBI DISA SHKELJE TË RREGULLAVE LIDHUR ME RUAJTJEN, MIRËMBAJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E ARMATIMIT TË ÇETAVE VULLNETARE NË DISA RRETHE
Nga mbikqyrjet dhe hetimi i çështjeve konkrete që kanë bërë prokuroritë lidhur me sigurimin dhe përdorimin e armatimit të çetave vullnetare në disa rrethe dhe fshatra, ka rezultuar se disa nga depot për vendosjen dhe ruajtjen e armatimit e të municioneve, janë të pa përshtatëshme, në disa të tjera administrimi dhe shpërndarja e tyre nuk bëhet kurdoherë sipas rregullave të caktuara, etj. Në këto rrethana kanë ndodhur humbje e dëmtime armësh, fishekësh, harxhime të kota municionesh, etj.
Parregullsitë dhe shkeljet më të rëndësishme në këtë drejtim janë:
1) Ndërtimi i depove, vendosja dhe ruajtja e tyre, nuk u përgjigjet kujdo konditave të kërkuara nga rregulloret dhe urdhërat e M.M.P. e të organeve tjera kompetente. Në disa fshatra dhe rrethe, armët dhe municionet e çetave vullnetare, janë vendosur në ndërtesa të ngritura me dërrasa, gjë që paraqet rrezikshmëri të madhe djegie; në disa depo të tjera është vënë re se dritaret dhe dyerët janë të pa siguruara me hekura ose jashtë kontrollit të rojeve. Në kooperativa të tjera armatimi i çetave vullnetare, është vendosur në shtëpi private dhe për ruajtjen e tyre është caktuar pronari (i zoti) i shtëpisë, etj.
Kështu p.sh. depoja e armatimit të çetës vullnetare të fshatit Xhurë në rrethin e Librazhdit, nuk ishte siguruar as me roje as me hekura në dritare. Në këto rrethana është vjedhur një automatik. Depo të pa siguruara mirë ka edhe në fshatra të këtij rrethi si në Lunik, Hodolisht, etj. Në Libohovë, armët e çetës vullnetare ishin vendosur në ndërtesën e muzeut. Për ruajtjen e tyre nuk ish vënë roje.
Në disa fshatra të rrethit të Pukës depot janë ndërtuar në dërrasa. Ato nuk janë siguruar as nga rreziku i zjarrit as nga thyerjet që mund t’i bëjnë keqbërësit nga jashtë. Të tilla p.sh. ka në lokalitetet e Iballës e Gjegjanit të Rrethit të Pukës, etj. Në këtë rreth, janë konstatuar edhe disa raste të tilla, që armatimi është vendosur në shtëpi private dhe u është lënë në ruajtje pronarëve të këtyre shtëpive. Kështu është rasti që organet e pushtetit dhe komandanti i çetës vullnetare të fshatit Sakat-Pukë ka vendosur në shtëpi të një fshatari armatimin duke ja lënë atij në ruajtje.
Një gjendje e tillë ku depot e armatimit janë pa përshtatëshme dhe të pa siguruara mirë, është konstatuar edhe në rrethin e Pogradecit p.sh. në fshatrat Dunicë, Çesem e Vogël, Osmat etj. Në këto dhe në disa fshatra të rrethit Ersekës si Blush, Psar i Zi, Kortes, Radon, etj. armët kishin zënë ndryshk sepse depot mbanin lagështi dhe fusnin ujë. Objektet që janë në qendër ruhen nga rojet e kooperativës, ndërsa ato që janë në periferi nuk ruhen. Përveç kësaj, personat e caktuar për të bërë roje në qendër të kooperativës po thuajse pa përjashtim janë ose të kaluar nga mosha ose me aftësi të kufizuar, gjë se i pengon në kryerjen e kësaj detyre.
2) Administrimi i armëve dhe municioneve
Nga mbikqyrjet që janë bërë lidhur me administrimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e armëve, antarëve të çetave vullnetare, konstatohet se disa komandantë të çetave vullnetare, të cilët përgjigjen direkt për këtë problem, kanë shpërndarë armë antarëve të çetës pa i rregjistruar ato në regjistrin model 32 dhe pa u marrë firmën personave që u kanë dorëzuar. Kështu p.sh. është vepruar nga komandanti i çetës vullnetare të fshatit Xhurë që u përmend më lartë Q. F., i cili ka shpërndarë armët pa bërë shënimin në regjistër, ku të pasqyrohej se kush i ka marrë ato. Ky, për të qenë në rregull nga ana formale, në muajin Qershor 1972, plotëson fiktivisht regjistrin duke shënuar numura armësh dhe emëra personash të pa qenë. I pyetur gjatë hetimit, për humbjen e një automatiku ay tha se këto veprime, të pa sakta, i kishte kryer me porosi të komandantit të grupit, që përgjigjet direkt për pregatitjen e çetave vullnetare. Po ashtu edhe në disa çeta vullnetare të fshatrave të rrethit Shkodrës e të Lezhës, armët shpërndahen në copa letrash e proçes verbale jo të rregullta. Nga këto qëndrime të pakujdesëshme, ndaj administrimit e shpërndarjes së armëve, ndodhi humbja e automatikut në Librazhd dhe e një karabine në Dukagjin të Shkodrës.
3) Përdorimi i armëve dhe municioneve nga persona të ndryshëm në kundërshtim me rregullat e caktuara. Disa persona, prej tyre dhe kuadro si komandant të çetave, kryetarë të kooperativave bujqësore, kryetarë të këshillave popullore e tjerë, kanë marrë armë dhe fishek nga depoja dhe i kanë harxhuar për qejfe jashtë stërvitjes.
Vetëm në çetat vullnetare të fshatrave Flet dhe Kryezi të rrethit të Pukës, gjatë këtij viti janë harxhuar 5295 copë fishek jashtë rregullave dhe destinacionit tyre. Një pjesë e këtyre fishekëve janë dhënë në persona të ndryshëm për gjueti derrash, një pjesë tjetër për të shtënë për dasma, kurse disa të tjera kanë humbur. Kështu p.sh. ka vepruar komandanti i çetës vullnetare të fshatit Flet, Kryezi, etj.
Disa kuadro marrin armë nga depot e çetave për të gjuajtur. Kështu ka vepruar p.sh. kryetari i këshillit të bashkuar në fshatin Xhyrë të Librazhdit Muhamet Sina. Ose qytetari Sinan Çuli, nga katundi Beltos, i rrethit Shkodër, i cili pa të drejtë ka përdorur vazhdimisht armën e së motrës që ishte antare e çetës vullnetare, etj.
Të gjitha këto, tregojnë se lidhur me ndërtimin e depove, administrimin dhe përdorimin e armëve e municioneve të çetave vullnetare, disa nga organet e pushtetit e komanda ushtarake që merren me këto probleme,nuk u janë përmbajtur kërkesave të urdhërit të Ministrit të Mbrojtjes Popullore Nr. 231 datë 12/9/1968 “Mbi ruajtjen e mirëmbajtjen e armëve në çetat vullnetare të vetmbrojtjes popullore”. Në shumë raste ndihma dhe kontrolli në këtë drejtim ka munguar. Ky problem, shumë i rëndësishëm, u është lënë në dorë vetëm atyre personave që janë ngarkuar si komandantë çetash, gjë që edhe ata kanë të metat e tyre, etj.
PROKURORI PËRGJITHËSHËM
(Dhori Panariti)
(firma, vula)
Tiranë, më 1/XII/1972
Shokut Ndreko Rino, Kapo Kapaj,
Studjoni me kujdes ktë informacion dhe bisedoni edhe me shokët e Ministrisë Mbrojtjes Popullore.Kur të dalë Shoku Adil, ia referoni materialin atij.
(firma)
8/12/72
Shënim:
Problemi i armatimit u ngrit me forcë nga shoku Kryeministër në mbledhjen e Qeverisë. Në protokoll është vënë apostafat një detyrë.
(firma)
15-12-1972