/ ATSH/ -  Po zhvillohet në  Paris në Pallatin Fontenoy, ku ndodhet Selia e UNESCO-s, Konventa  e 5- te Boterore  e Trashegimisë Nënujore.  Kjo Konvente ka mbledhur specialistë të fushës, por dhe diplomatët përfaqësues të vendeve anëtare të UNESCO-s  për një diskutim 3-ditor mbi rëndësinë  që ka ruajtja e pasurive nënujore për njerezimin.
Konventa u hap me një minutë zi për viktimat e tragjedisë së Nepalit  dhe fjalen e rastit e mbajti Kryetari i Vendeve Anëtare, Khalil Karem.
Shqipëria mer pjesë për herë të parë në këtë Konventë mjaft të rëndësishme ku ndër të tjera do të zgjidhet Komiteti i ri shkencor i Unesco- s për Trashëgiminë nënujore. Në këtë komitet  kandidon për Shqipërinë Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare dhe me shumë gjasa pritet të zgjidhet si anëtar i ri i komitetit shkencor, cka do t'i jepte një mundësi të madhe Shqipërisë për të hedhur vëmëndjen edhe nga ruajtja e Trashëgimisë nënujore.  Për herë të parë Shqiperia do të kishte një anëtar permanent në një nga Komitetet  e rëndësishme të ruajtjes së Trashegimisë.

Shqipëria është vendi i fundit në Mesdhe ende i pa eksploruar mbi pasurinë nënujore që mban në detin e saj. Gjatë periudhës komuniste ishte e ndaluar eksplorimi i nënujit nga ekspedita shkencetarësh të huaj. Vetëm vitet e fundit, falë një pune të madhe midis Fondacionit Amerikan RPM, Qendrës Shqiptare për Kërkime Detare  dhe  disa institucioneve shqipëtare, u bë e mundur fillimi i eksplorimeve të  trashëgimisë nënujore.
Këto eksplorime bënë të mundur që për herë të parë media shumë prestigjioze të flasin mbi zbulimet e rëndësishme në detrat shqiptare, ku mund te veçohet gjetja e bashit të anijes britanike "Volage" e mbytur në  1946-tën  duke i dhënë fund enigmës  së Incidentit te Korfuzit, një ngjarje që dikur solli përplasjen e bllokut sovjetik me atë perendimor ne Kombet e Bashkuara.
Megjithatë,  Shqipëria ende nuk ka një legjislacion të posaçëm për ruajtjen e trashegimisë nënujore si dhe i mungon totalisht infrastruktura mbrojtëse. Edhe pse zbulimet e viteve të  fundit kanë qenë befasuese, shumë pak është bërë për të njohur  dhe mbrojtur historinë  e kësaj trashgimije.
Konventa e 5-te e UNESCO-s do të debatojë disa nga mënyrat më të mira të mbrojtjes së kësaj pasurie jo vetëm si pjesë e trashëgimisë së vendeve anëtare, por edhe si një detyrë për ruajtjen e pasurive kulturore të njerezimit.