TIRANË- Pas protestës në Vlorë, qytetarët janë mbledhur sërish para Kryeministrisë për të protestuar kundër resortit në Zvërnec. Me flamujt shqiptarë dhe me pankarta në duar, 'Revolucion', ‘Shqipëria nuk është e tradhtarëve’, qytetarët marshuan nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, nga ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit. Protestuesit ripërsëritën 5 kërkesat, mes tyre edhe shfuqizimin e disa ligjeve që, sipas tyre, dëmtojnë natyrën dhe trashëgiminë kulturore.

Mes protestuesve ishte edhe një grup të rinjsh që kishin mbërritur pak orë më parë nga Zvërneci, ku paradite u zhvillua një tjetër protestë kundër resortit që pritet të ndërtohet në zonën e mbrojtur të Nartës.

“Sapo erdhëm nga Zvërneci, ku u zhvillua një protestë shumë e mirë. Kryeministri na quan grekë, turq, ndërsa tani thotë se ne jemi ata që nuk duam investime për Shqipërinë. Ne duam që Shqipëria të zhvillohet, por nuk duam që Shqipëria të shitet. Duam transparencë. Në Zvërnec nuk ka mbetur më asnjë fije teli dhe atë gardh e kemi hequr me këtë protestë. Narta është e jona!”, tha protestuesja.

Protestës iu bashkuan edhe të rinj nga Kosova, të cilët udhëtuan drejt Tiranës për të mbështetur kauzën e kundërshtimit të resortit në Zvërnec dhe për të inkurajuar protestuesit të vijojnë rezistencën.

“Ne nuk jemi asnjëherë kundër investimeve serioze, të huaja apo të brendshme, për të rritur përditë Shqipërinë. Asnjëri nuk është kundër rritjes dhe mirëqenies së Shqipërisë, asnjëri nga 50 mijë veta apo më shumë që janë këtu. Por çdo gjë të jetë e ndershme dhe për shqiptarët. Tani kryeministrit të pakicës i ka ngelur vetëm një gjë, siç e thonë edhe tifozët kuq e zi: “të japë dorëheqjen”, tha protestuesi i ardhur nga Kosova.

“Veç një lutje kam për ju: mos u dorëzoni. Rezistoni, ju do të fitoni. Kosova është me ju, Kosova është me Nënën Shqipëri”, tha një tjetër.

Një moment emocionues bëri bashkë të gjithë protestuesit. Një soprano interpretoi nga podiumi këngën e Vaçe Zelës “Rrjedh në këngë e ligjërime”, ndërsa qytetarët iu bashkuan në kor.

KËRKESAT E PROTESTUESVE
1-  Dorëheqjen e qeverisë
2- Shfuqizimin e statusit dhe te kuadrit ligjor për statusin strategjik
3- shfuqizimin e paketës se maleve
4- anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura
5- anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgimin kulturore shqiptare

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:52
Protesta në Tiranë/ I riu ngjitet në podium me plehrat në duar: Kam ardhur për t’ia sjellë Ramës nga Zvërneci, meqë qeveria nuk i mblodhi

1780768409_protestaperzvernecin.jpg

Një dalë i ri me emrin Dardan në protestë, i cili në dorë së bashku me të motrën mbanin në qese me plehra, u ngjitën në podium duke thënë se “Kemi ardhur për t’i sjellë Ramës plehrat e mbledhura në Zvërnec meqë qeveria nuk i mblodhi”.

Ora 19:28
Resorti në Zvërnec/ Protestuesi i rikujton Ramës kërkesat: A e di fuqinë që kemi me këtë numër apo jo? Ai po bën demoralizim, duhet dorëheqje

Një protestues në kryeqytet, nga podiumi iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke i rikujtuar kërkesat e qytetarëve, nisur nga ajo e dorëheqjes.

“Pardje u paraqitën pikat tona, duhet dorëheqje. A e dini fuqinë që keni me këtë numër apo jo? Ne nuk humbasim asgjë të dalim këtu përditë në orën 18:00, gjithë verës. Mos u mashtroni nga lojërat mendore dhe rrjetet sociale që ai bën për demoralizim. As dozat e pluhurit të bardhë që mund të marrë nuk ia ruajnë dot kontrollin”, tha protestuesi.

Ora 19:24
Sopranoja ‘rrëqeth’, në protestë, këngon ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’ të Vaçe Zelës (VIDEO)

Një soprano i është bashkuar protestës kundër ndërtimeve në Zvërnec teksa ka kënduar në podium këngën e famshme të Vaçe Zelës ‘Rjedh në këngë e ligjërime’.

Ora 19:17
Këndi i veçantë në bulevard, fëmijët pikturojnë teksa prindërit protestojnë kundër resortit në Zvërnec (VIDEO)

Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë ka pasqyruar prej ditësh anën kreative të të rinjve. Në protestën e sotme është vënë re një kënd i veçantë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku prindërit të cilët kanë marrë fëmijët me vete në protestë kanë krijuar një hapësirë ku të miturit mund të pikturojnë.

Siç shihet edhe nga pamjet, fëmijët me bojëra në duar shprehin talentin e tyre teksa në asfalt janë disa tabakë e letra të ngjyrosura nga ata. Fëmijët gjithashtu monitorohen nga prindërit të cilët protestojnë për të shtatën ditë radhazi kundër ndërtimit në Zvërnec.

Ora 19:12
Protesta për mbrojtjen e Zvërnecit/ Protestuesi: O njerëz godina e kryeministrisë duhet shembur, Rama e keqja më e madhe e këtij vendi

Një protestues u ngjit në podium duke thënë se ndërtesa e kryeministrisë duhet shembur pasi kryeministri Edi Rama, është e keqja më e madhe e këtij vendi.

“Ky vend as nuk ka shkollë, as zhvillim, ka vetëm hajdutëri, vetëm poshtërsi fajtor për të gjitha këto është kjo godinë e ndryrë. Duhet shembur kjo godinë, kjo është e keqa e këtij populli”, tha ndër të tjera një protestues.

Ora 19:01
Nga Zvërneci në protestë në Tiranë, e reja: Kryeministri na quan grekë...ne duam që Shqipëria të zhvillohet, por jo të shitet

Nga protesta në Zvërnec, protestuesit i janë bashkuar para kryeministrisë qëndresës kundër resortit luksoz. Një e re tha se duan që Shqipëria të zhvillohet, por jo të shitet.

"Sapo erdhëm nga Zvërneci, ku u zhvillua një protestë shumë e mirë. Kryeministri na quan grekë, turq, ndërsa tani thotë se ne jemi ata që nuk duam investime për Shqipërinë. Ne duam që Shqipëria të zhvillohet, por nuk duam që Shqipëria të shitet.

Ne duam transparencë dhe, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, të kërkojmë të largohesh. Në Zvërnec nuk ka mbetur më asnjë fije teli dhe atë gardh e kemi hequr me këtë protestë.

Të shtunën e kaluar një person u tërhoq zvarrë vetëm sepse protestonte kundër atij gardhi, por falë qëndresës së qytetarëve ai gardh nuk ekziston më.

Narta është e jona! Narta është e jona!", tha një protestuese.

Ora 18:57
Protesta kundër ndërtimit në Zvërnec/ Protestuesi: Rama largohu, ti do të ndërtosh ‘Romën’ tënde e të na largosh nga qyteti, por nuk ikim pa u bërë Shqipëria

Njëri prej protestuesve që mori fjalën në protestën në kryeqytet, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e bërë fajtor për emigrimin e familjarëve e të afërme.

“Pjesën më të madhe të jetëve tona prindërit e kaluan në emigrim. Jo se donin, por sepse këtu nuk i lanë të jetonin për shkak të vjedhjes tuaj të pandërprerë, hajdutë! Nuk ua falim kurrë që njerëzit tanë ikën nëpër vende që kanë çerekun e potencialit të Shqipërisë, por janë vite dritë larg në menaxhim, ndërsa njerëzit kanë qenë në emigrim, duke na trazuar shpirtin si në ditën e parë kur i përcollëm.

Kryeministër, kur erdhët thatë: “Roma nuk bëhet për një ditë.” Kanë kaluar 13 vite. Cila është Roma jote? Kullat e shokëve të tu, apo ajo me akses të kufizuar të shokëve të tu, sepse shokët tanë nuk ndenjën dot as në lagje më.

Ti do të ndërtosh Romën tënde dhe të na përzësh ne nga portat e qytetit. Ne nuk ikim nga ky shesh derisa të bëhet Shqipëria, dhe të presim këtu e të jetojmë bashkë. Këta maskarenj po na ndajnë për së gjalli. Ngrihuni edhe ju, o shqiptarë që jeni në emigrim”, tha protestuesi.

Ora 18:54
I riu vjen nga Kosova për të protestuar kundër resortit në Zvërnec: Mos u dorëzoni, Kosova është me ‘Nënën Shqipëri’

Një i ri nga Kosova i është bashkuar protestës në Tiranë kundër resortit luksoz që pritet të ndërtohet në Zvërnec.

“Vec një lutje kam për ju, mos u dorëzoni, rezistoni, ju do të fitoni. Kosova është me ju, Kosova është me nënë Shqipëri, poshtë diktatura, rroftë revolucioni”, tha ai.   

Ora 18:44
Edhe Korça i bashkohet ‘valës’ së protestave kundër resortit në Zvërnec (VIDEO)

Protesta kundër resortit në Zvërnec është shtrirë është në qytetin e Korçës. Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në shesh dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ora 18:40
‘Çohuni nga kafja’, qytetarët thirrje në pedonalen e Shkodrës për t’iu bashkuar protestës (VIDEO)

‘Çohuni nga kafja’ është thirrja që po dominon pedonalen e Shkodrës në marshimin që po zhvillohet drejt bashkisë së qytetit kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Një tjetër thirrje ‘hit’ e kësaj proteste është dhe ajo ‘revolucion’.

Ora 18:31
FOTOT/ ‘Ka dul Ivanka ktu?’ Pankartat në protestën kundër ndërtimit në Zvërnec

Pankartat në protestën kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, vijojnë e tërheqin vëmendjen më të madhe. Përveç atyre ‘Rama dorëhiqu’, ‘Rama burg, Berisha burg’, apo ‘Larg duart nga Narta’, ka të tjera me nota humori e ironie duke risjellë nëpërmjet “meme-ve që janë virale nëpër rrjete sociale”.

Ora 18:17
Protesta kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe në Shkodër, qytetarët me pankarta në duar nisin marshimin drejt bashkisë

Harta e protestave kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, është hapur deri në Shkodër. Qytetarët kanë në qendër të qytetit për të protestuar. Të rritur e fëmijë mbajnë pankarta në duar me mbishkrime “Korrupsioni na vjedh të ardhmen” apo ‘Dili zot tokës tënde’. Ata kanë nisur marshimin nga Kisha e Madhe në Gjuhadol me destinacion Bashkinë e qytetit.