Shqiptarët, si erdhën e sunduan
Europën derisa u tkurrën sot

Shqiptarët, si erdhën e sunduan<br />Europën derisa u tkurrën sot
Vepra e cila e bëri Sami Frashërin shkencëtar në suaza ndërkombëtare; vepra e cila e kishte shty të shëtisë bibliotekat e shumta të kohës dhe të gjurmojë edhe librat të cilët i kishte mbuluar pluhuri; vepra e cila e kishte lodhur më së shumti, pa dyshim është: KÂMÛS AL-A'LÂM.

Kjo është vepra më vëllimore dhe më e rëndësishme e Samiut. Është e shkruar në gjuhën turke të asaj kohe, d.m.th. me alfabet arab, në gjashtë vëllime me gjithsej 4830 faqe. Është enciklopedi historike-gjeografike.

Me këto fjalë e prezanton këtë vepër të Sami Frashërit studiuesi Mehdi Polisi në botimin e vitit 1992 realizuar nga Rilindja Prishtinë. Vepra  në gjuhën shqipe mban  titullin  “Personalitete shqiptare  në KÂMÛS AL-A'LÂM TË SAMI FRASHËRIT” dhe është publikuar së fundmi edhe në librarinë dixhitale Dielli.net. 

 Në këtë libër të vyer është përfshirë edhe studimi i Sami Frashërit “Shqiptarët” të cilin e sjellim për lexuesit tanë  në dy numra të gazetës Shqiptarja.com.
 
Nga Sami Frasheri
Janë një komb që banon në anën perëndimore të Gadishullit Ballkanik d.m.th. të Rumelisë së Shtetit Osman. Fjala “arnaut” rrjedh nga fjala greke “arvanit”. E kemi sqaruar se edhe kjo fjalë është marrë nga fjala “arban” të cilën e përdorin shqiptarët. (për “arban” dhe “arbanija” flasim tjetërkund - nënvizim i Samiut). Ky komb banon në Gadishullin Ballkanik që nga kohët shumë të hershme që nuk ka mundur ta shënojë historia. Kjo është dëshmuar shumë herë. Ndonëse ka qenë në raporte me Greqinë e vjetër dhe me Romën, gjithmonë ka jetuar i ndarë nga ata. Mirëpo, duke e prezentuar të përzier me kombe dhe popuj të tjerë dhe, meqë asnjëherë nuk është shikuar si i bashkuar dhe se ka gjuhën e tij kombëtare, deri më tash ka mbetur në një gjendje të panjohur. Ndonjëri nga historianët evropianë mendon se ky popull, tash vonë, ka ardhur nga Alabana e Kaukazit, d.m.th. nga Dagistani; ndonjëri thotë se rrjedhin nga sllavët, kurse ndonjë del e thotë se shqiptarët janë një popull që ka mbetur në një gjendje të egër e që rrjedh nga grekët. Çdonjëri prej tyre, pa dyshim, është larg të vërtetës.

Edhe disa historianë tanë kanë supozuar se shqiptarët janë një fis arab që ka ardhur nga Arabia. Ç'është e vërteta, të gjithë këta e kanë ditur që në gjuhën e tyre ka ngjashmëri me greqishten e vjetër, latinishten dhe sllavishten ose që ka fjalë të përziera, por kanë menduar se këto fjalë janë marrë nga ato gjuhë. Më në fund, kur disa studiues të mirëfilltë evropianë u thelluan në studimin e gjuhës shqipe, kuptuan se në çfarë raporti qëndron kjo gjuhë me gjuhën e vjetër greke si dhe me gjuhët: latine, sllave, gotike, persiane dhe sanskrite. Duke marrë në shqyrtim esencën e gjuhës shqipe dhe, duke studiuar hollësisht edhe historinë e tyre, kuptuan rrënjën dhe prejardhjen e popullit shqiptar, prej nga ka ardhur dhe çka u bë me të. Kjo çështje që kishte mbetur me shekuj në një gjendje enigmatike dhe të paqartë, tani është zgjidhur në tërësi dhe është vërtetuar se kombi shqiptar është njëri nga degët më të lashta të kombeve të Azisë dhe të Evropës të quajtur “Aria”.

Nëse i jepet rëndësi çështjes së fjalëve shqipe që janë në lidhje dhe të ngjashme me gjuhën e vjetër greke, gjuhën latine, sllave dhe gjermane, pastaj me të gjitha gjuhët e vjetra evropiane të cilat rrjedhin nga këto gjuhë, në njërën anë, dhe me gjuhët persiane, zende dhe sanskrite nga ana tjetër, diskutimi këtu do të zgjasë shumë dhe për lexuesin tanë, meqë do të flitet për dy çështje abstrakte (të panjohura), do të shkaktojë mërzi dhe lodhje. Mund të themi që, po të bëjmë një fjalor etimologjik të fjalëve të gjuhës shqipe, do të mbesin shumë pak fjalë që nuk do të kenë raporte dhe ngjashmëri me një ose me disa gjuhë që i numëruam këtu. Mirëpo, nuk mund të konstatohet në mënyrë bindëse se këto fjalë janë marrë nga ndonjë gjuhë tjetër, sepse, shihet qartë se ka shumë fjalë, format rrënjore të të cilave janë në gjuhën shqipe, dallohen nga format rrënjore të fjalëve të gjuhës së vjetër greke dhe latine. Edhe ky është një argument që provon se gjuha shqipe është më e vjetër se gjuha e vjetër greke dhe ajo latine, prandaj edhe populli shqiptar është më i vjetri.

Ngjashmëritë dhe lidhjet që kanë disa fjalë shqipe me gjuhët persiane, zende dhe sanskrite më shumë se të gjitha gjuhët e tjera ariane të Evropës, tregojnë se gjuha shqipe nuk është e një dege me gjuhët latine, greke e sllave porse është një degë e drejtpërdrejtë e gjuhëve të vjetra ariane dhe se ky popull kryesisht ka ardhur nga Azia Qendrore në Evropë, ashtu si popujt e lashtë të tjerë arianë. Popujt që janë në Evropë, në kohë shumë të lashta, sipas argumenteve më bindëse, duke u këputur nga anët e Belhit dhe Heratit të Azisë Qendrore, grupe-grupe kanë migruar drejt Perëndimit; një pjesë prej tyre në Maverai Nehri dhe në Rusi, një pjesë në Iran dhe në Anadoll, dhe një pjesë në Kaukaz dhe në brigjet e Detit të Zi, pastaj janë shpërndarë në të gjitha pjesët e Evropës. Këto migrime, ndërkaq, nuk kanë ndodhur njëkohësisht, por me intervale të gjata kohore.

Është e ditur se populli kelt, i cili ishte i shpërndarë në Evropën Perëndimore, është nga të parët që ka ardhur. Ja pra, edhe shqiptarët është e mundshme të kenë ardhur në ato kohë, d.m.th. ose pak para, ose pak pas tyre. Zaten, ngjashmëritë e gjuhëve si dhe disa ngjashmëri të tjera specifike tregojnë qartë se këta dy popuj kanë ardhur njëkohësisht, ose njëri pas tjetrit. Keltët u vendosën në perëndim, kurse shqiptarët në lindje të Evropës. Ndërkaq, shumë më vonë, në veri të Evropës erdhën e u vendosën totonët dhe sllavët. Në atë kohë shqiptarët quheshin “pellasxh” ose “pellazg”. Sipas një varianti, ky emër rrjedh prej fjalës shqipe “plak” që, sipas historianëve, u jepej atyre që ishin të vjetër. Sido që të jetë, ky komb në atë kohë ka qenë i përhapur në të gjitha anët e Gadishullit Ballkanik dhe në anët perëndimore të Anadollit. Helenët të cilët erdhën më vonë, ua nxorën nga dora pellazgëve Morenë dhe një pjesë të Greqisë, prandaj një pjesë e madhe e pellazgëve, për të kompensuar këtë, kaluan në Itali dhe ka mundësi që, duke u përzier me popullin që gjetën aty ose që kishte ardhur më vonë, të kenë formuar popullin latin. Edhe nga Greqia pellazgët nuk u tërhoqën krejtësisht, por mbetën grupe-grupe në male dhe në krahinat e Etolisë dhe Akarnanisë; shumë prej tyre u përzien me helenët dhe u asimiluan.

Pellazgët, d.m.th. shqiptarët e lashtë, sipas asaj që do të shihet në vazhdim, ishin të ndarë në katër degë: 1. Ilirët, ishin të përhapur që nga kufiri i Greqisë së Vjetër deri në pikën më në veri të gjirit të Adriatikut, d.m.th. në Shqipërinë e tanishme, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Dalmaci. 2. Maqedonasit banonin në pjesën e Maqedonisë që shtrihet nga mali Pindos dhe Sharr e deri në malin Rodop, lumin Karasu dhe Detin Egje, d.m.th. në anën e Selanikut, Manastirit, Shkupit dhe Serezit. 3. Trakasit, banonin në anët e vilajetit të Edrenesë, Bullgari e, mbase, deri në anën e djathtë të lumit Danub. 4. Frigiasit (frixhiasit) ishin të përhapur në pjesët nga Bregdeti i Anadollit deri në Ankara dhe Sivas.

Katër popujt që i numëruam, është argumentuar bindshëm se janë degë të popullit pellazg. Vetëm se shumë më të afërt, si në gjuhë, si në veti dhe zakone, ishin ilirët me maqedonasit, në njërën anë, dhe trakasit me frigasit, në anën tjetër. Veçanërisht gjuha e ilirëve me gjuhën e maqedonasve ishte si një gjuhë e vetme. Afërsia e këtyre katër popujve ishte aq e fortë saqë kur të gjithë mbretërit dhe heronjtë grekë ishin tubuar për ta sulmuar mbretin trojan që konsiderohej nga frigiasit, historikisht është vërtetuar se shumë nga Maqedonia e lashtë dhe Trakia u kishin shkuar në ndihmë trojanëve kundër grekëve.

Disa emra që ruhen në histori nga gjuha e popullsisë së lashtë maqedonase, frigiase dhe trakase, shihet se kanë ngjashmëri me fjalët e gjuhës shqipe që përdoren sot. Veçanërisht Herodoti, babai i historisë, shpjegon atë lidhje, duke thënë se në gjuhën frigiase bukës i thonë “buks”. Kështu, kur hiqet s-ja e cila është një prapashtesë greke, që është shtuar nga vetë Herodoti, shihet qartë se është fjalë shqipe “bukë” (turq. ekmek) që përdoret edhe tani në gjuhën shqipe. Edhe Straboi që ka jetuar në shekullin e parë të erës sonë, duke treguar qartë se ilirët dhe maqedonasit janë një popull i vetëm dhe se flasin me të njëjtën gjuhë, thoshte: “Banorët e Epirit, të Maqedonisë dhe të Ilirisë flasin me një gjuhë, i presin flokët (qethen) në të njëjtën mënyrë si dhe zakonet dhe vetitë (moralin) i kanë të njëjta”. Pastaj, në një vend tjetër thotë: “Këta udhëhiqen nga këshillat pleqërorë që i quajnë “plagonija”, plakut i thonë “plajis”, kurse plakës “plaje”. Kështu, fjalët “plakonja” dhe “plak” siç përdoren tani në gjuhën shqipe me këto kuptime, malësia shqiptare që i ka ruajtur zakonet e vjetra, mosmarrëveshjet që ndodhin në mes tyre, sot i rregullojnë përmes këshillave pleqërorë që i quajnë “plakonja”.

Sikurse u tha me një mendim të prerë se katër popujt që u përmendën më lart rrjedhin nga pellazgët, poashtu, pa fije dyshimi, është konstatuar se ilirët janë gjyshërit e shqiptarëve të sotëm. Janë ruajtur (regjistruar) me saktësi ngjarjet që kanë rrjedhë qe dy mijë vjet, kurse në këtë kohë nuk mbahet në kujtesë se një popull ka ardhur nga jashtë dhe është vendosur në trojet e shqiptarëve (në Shqipëri). Përveç kësaj, marrë në përgjithësi, ka edhe më shumë fakte e argumente që provojnë se pellazgët e vjetër dhe shqiptarët e tashëm janë të një race dhe kanë gjuhë të njëjtë. Sidomos, historianët e vjetër grekë tregojnë se feja dhe besimet e grekëve të vjetër dhe të romakëve janë marrë nga pellazgët e vjetër.

Edhe emrat e perëndive romake e greke, sikurse është treguar qartë, janë të pellazgëve, pra, të shqiptarëve të vjetër. Pra, pa u friguar se do të përgënjeshtrohem nga historia dhe, duke menduar se nuk do të mendohet se kam dashur t'i zmadhoj gjërat, meqenëse vetë i takoj racës shqiptare, mund të them se populli shqiptar dikur ka qenë një popull i madh që shtrihej nga Trieshta deri në Sivas, pra në dy territore të mëdha: në Evropë dhe në Azi. Mirëpo, duke qenë në mes popujve dhe shteteve të mëdha të Iranit, Greqisë, Romës etj., dhe, duke rënë në dorë të pushtuesve të ndryshëm, pellazgët u asimiluan dhe u zhdukën në Anadollinë e atëhershëm, pastaj, duke u tërhequr edhe nga Trakija dhe nga anët juglindore të Maqedonisë dhe nga ana e Ilirisë, d.m.th. nga Bosnja dhe Hercegovina dhe, duke u nxjerrë nga ana e bullgarëve dhe sllavëve të cilët sulmuan vazhdimisht, janë ngjeshur në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë dhe në pjesën perëndimore të Ilirisë, d.m.th. në Shqipërinë e sotme. Shqiptarët nuk i kanë ndryshuar zakonet dhe vetitë që i kanë pasur nga koha e ilirëve dhe pellazgëve.

Gjithnjë kanë jetuar të ndarë dhe të vetmuar nga popujt e tjerë. Edhe në mes veti kanë jetuar të ndarë në fise të vogla dhe të hasmuar njëri me tjetrin. Po t'i shikojmë të dhënat historike të Strabonit, vërejmë se - thotë Samiu - mënyra e jetesës së tyre që ka qenë në ato kohëra, vazhdon edhe sot në Malësinë e Dibrës dhe të Shkodrës. Për këtë arsye, duke mos qenë të bashkuar, nuk kanë mundur të formojnë një shtet ose të  shkruajnë gjuhën e tyre kombëtare ose të krijojnë një letërsi kombëtare. Edhe njerëzit e mëdhenj (të ditur) që ka pasur ky popull, kanë qenë të detyruar të mësojnë në ndonjë gjuhë tjetër dhe me atë gjuhë kanë qenë të shtrënguar të gjenden në punët shtetërore. Në këtë mënyrë kanë mundur shumë pak të shërbejnë në ngritjen dhe famën e popullit që i kanë takuar. Të jetuarit në këtë mënyrë, ka ruajtur në gjendje të vjetër si gjuhën, si zakonet vetitë e tyre dhe ka qenë shkak në mospërpjekjet e tyre për ndryshime.

Shqiptarët prej kohësh ishin të ndarë në fise-fise dhe, meqë janë udhëhequr nga kryetarët e tyre dhe nga këshillat pleqërorë, nuk është dokumentuar historia e tyre. Sikurse është e ditur, kishin formuar tri shtete; njëri ishte në Shkodër, tjetri në Epir, d.m.th. në territoret e Janinës dhe, i treti në një qytet të vjetër Pella i cili ishte në afërsi të Jenixhe-i Vardarit të Maqedonisë. Ky i treti është i njohur si shtet i Maqedonisë, historia e të cilit është dokumentuar plotësisht (për Maqedoninë flasim tjetërkund - nënvizim i Samiut). Ky shtet u bë i njohur me ngjarjet shumë të mëdha që mund t'u thuhet madje të jashtëzakonshme, si p.sh. pushtimi i menjëhershëm i shumë vendeve të botës që nuk ishin të njohura dhe të ditura në atë kohë e deri në Indi nga ana e Aleksandrit (Lekës) të Madh (turq. Iskender Zülkarnejn) i biri Filipit. Vetëm se për shkak të rrethanave të njëjta që u përshkruan për shqiptarët, edhe Leka i Madh ka mësuar në gjuhën greke. Megjithëse, ashtu siç ishin maqedonas të gjithë ushtarët që merrnin pjesë në pushtime, po ashtu, edhe ai vetë ishte maqedonas për nga origjina dhe gjuha. Madje, edhe pse është e ditur se ai nuk i ka dashur grekët, i ka konsideruar popull të madh. Mbreti më i njohur i mbretërisë së Epirit ishte Pirroja, i cili dy herë i kishte mundur romakët. Edhe pse kishte ngadhënjyer dhe ishte zgjeruar deri në Greqi dhe Egjipt, dhe, edhe pse kishte ambicie të pushtojë edhe më tepër, kur vdiq, la pas vetes diçka më tepër se pasuria që kishte gjetur nga babai i tij.

Edhe nga mbretërit e Ilirisë që kishin fituar famë më të madhe, ishte mbretëresha Teuta dhe mbreti Genci i Parë (Gjençoja) = kështu e përdor Samiu në: “Shqipëria çka qenë...” - M.P.). Shqiptarët, të cilët së bashku me Lekën e Madh kishin pushtuar botën, nuk pranuan t'u nënshtrohen lehtë romakëve. Ata u bënë atyre një qëndresë të vendosur, saqë Paol Emili, pasi i mundi me forcat e tij të mëdha, për hakmarrje i rrënoi 85 qytete të tyre dhe disa qindra mija njerëz i zuri peng dhe ashtu të lidhur me pranga i dërgoi në Romë. Ja, që nga ajo kohë filloi fatkeqësia e këtij populli. Nga njëra anë u gjendën nën romakët, nga ana tjetër, për të mos u marrë nëpër këmbë nga avarët, hunët dhe popuj të tjerë gjakpirës, shkatërrimtarë dhe të egër, të cilët kohëve të fundit u vërsulën dhe sulmuan nga anët veriore, shqiptarët u tërhoqën në vende malore dhe të sigurta, duke qenë të detyruar të lëshojnë vendet pjellore dhe të rrafshta, kurse një pjesë, duke braktisur në tërësi atdheun e tyre, u detyruan të ikin në Greqi, More, në ishujt e Greqisë deri në anët qendrore dhe në ujdhesën Marmara. Kështu, një pjesë e shqiptarëve, afër gjysma e kombit, mbeti në Greqi dhe në More, përgjithësisht, në ujdhesat greke dhe në Marmara që nga ajo kohë. Ndërkaq, ata që mbetën në Shqipëri u tërhoqën në vende të sigurta natyrore. Meqë gjithnjë jetonin me armë në dorë, ndiqnin rrugën e mbretërve romakë dhe bizantinë. Në të vërtetë, këta udhëhiqeshin në mënyrë të pavarur nga kryetarët e vet, sikurse në të kaluarën dhe këta kryetarë dalëngadalë merrnin gradën e princit ose mbretit. (...) Edhe disa qytete dhe kala që ishin në brigjet e Adriatikut, kaluan në duart e venedikasve.
Ishte një kasaba, 27 km në veri të Selanikut, pranë së cilës kalon lumi Vardar. Quhej kështu, për dallim nga Jenixhe-ja që gjendej në afërsi të Edrenes.
(Vijon nesër…)
 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë/ Berisha i lirë, por rri në shtëpi! Në Vlorë shkojnë deputetët

Dita e Pavarësisë/ Berisha i lirë, por rri në shtëpi! Në Vlorë shkojnë deputetët