Ish-deputeti demokrat dhe ish-kandidat për Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli, reagoi nga Kenia për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, duke folur sot për Report TV.
Dikur ish-kreu i Kulteve Fetare në Kryeministri, ai vlerësoi figurën e kryepeshkopit të ndjerë, duke thënë se sot të gjithë shqiptarët duhet t’i përulen veprës së tij dhe trashëgimisë që ai la pas, pas paragjykimeve ndër vite që i bënë.
Kadilli vuri në dukje se Kisha Ortodokse nuk u cenua asnjëherë nën drejtimin e Janullatos dhe aktualisht pjesa më e madhe e Sinodit dhe Mitropolitëve janë shqiptarë.
“Ngushëllime për të gjithë besimtarët ortodoksë, kryebariun. Shpresoj sinqerisht, të paktën tani që nuk është më, ti japim plotësisht meritat që i takojnë sepse s’është trajtuar me respektin e duhur sa ishte gjallë, kurse tani mund të jemi më mirënjohës për veprën e tij. Ngritjen e Kishës Ortodokse pasi regjimi nuk la asnjë kishë në këmbë dhe asnjë klerik, teksa u ndërtuan kisha e manastire të reja. Ka meritë që kemi një kishë të bashkuar ortodokse të Shqipërisë, sepse ka pasur edhe kisha të tërhequra që të krijonin kishat e tyre të pavarura dhe e kërcënonin këtë bashkim dhe për këtë shqiptarët duhet të jenë mirënjohës”, tha ish-deputeti.
Ai shpjegoi edhe vështirësitë që ka pasur Kryepeshkopi për shkak të kombësisë së tij, por megjithatë ia doli ta mbante të pavarur kishën, edhe kur kishte ndërhyrje apo incidente.
“Nuk ka qenë asnjëherë e lehtë për faktin e nacionalitetit të tij që të lundrojë në ujërat e turbullta nacionaliste greke apo dhe shqiptare. Kujtoj një incident në Himarë kur një djalë u vra nga disa aventurierë dhe reagimi i tij ishte i balancuar, teksa pati edhe të tjerë që bustin e atij djali donin ta vendosnin në kishë si hero i saj. Nuk ishte zgjedhje nëse do kishim një të huaj apo shqiptar, ishte e qartë se do ishte i huaj (pas vitit 90-të), sepse ne nuk kishim lënë asnjë nga regjimi që kaluam, s’kishin asnjë drejtues. Pra duhet të zgjidhnim një ortodoks grek, serb, rumun, ukrainas etj. Në s’e dimë se si funksionon kjo kishë dhe flasim për të. Kemi 5 mitropolitë, dhe 4 prej tyre janë shqiptarë, shumë vijnë nga besime të tjera por kanë zgjedhur këtë besim në përfaqësim. Në duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për këtë besim fetar. Ai ringjalli kishën që shqiptarët e vranë në 1967. Ai ishte shtetas grek, por i përkiste një feje të përbotshme ku nuk ka luftë, por paqe, bashkëekzistencë. Çdo shqiptar sot duhet të përulet për veprën që ai la pas. Ndaj emri i tij lidhet edhe me ringjalljen e kishës”, shprehet Kadilli ndër të tjera për figurën e Janullatos.
Teksa nënvizon se ‘feja nuk është patriotizëm, por besim i përbotshëm’, propozon që t’i kërkohet falje ortodoksëve. Gjithashtu flet edhe për procedurën e përzgjedhjes së pasardhësit të Janullatosit, duke vënë në dukje se me shumë mundësi do të jetë një drejtues shqiptar. Kadilli vlerëson edhe figurën e Imzot Joanit, i cili është caktuar mbikëqyrës nga Sinoti i Shenjtë, deri në zgjedhjen e pasardhësit.
“T’i kërkojmë falje komunitetit ortodoks, sepse nuk jemi treguar të drejtë me të, unë vetë nuk jam ortodoks. Por ata janë treguar luajalë gjatë këtyre viteve dhe meritojnë vlerësim. Rregulli është që zgjidhet përkohësisht më i vjetri si mbikëqyrës i përkohshëm, që është Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, deri në fazën tjetër, vjen nga një arsimim në Amerikë, i formuar, figurë pozitive. Janë ortodoksët që do e zgjedhin pasuesit. Por kam njohuri se që nga vitet 70-të ai ka qenë i angazhuar në një kishë klandestine në Tiranë. Por ka nivel të lartë të përgatitjes teologjike. Imzot Joani ka lidhje të hershme me Ortodoksinë. Këshilli Laik propozon emrat dhe Sinodi voton. Sinodi përbëhet nga 7 emra dhe 6 prej tyre janë shqiptarë. Por zgjedhja do jetë fetare, ai që përfaqëson më mirë besimin e përbotshëm. Do ishte mirë të mos bënim tifozllikun, por mendoj dhe urojmë të zgjidhet më i zoti”, thotë ai.
Teksa në fund Kadilli tregon se Kryepeshkopi i ndjerë Janullatos ka shërbyer edhe në Kenia si prift vite më parë, ku ai po jeton aktualisht vetë, dhe shton se “këtu kam dëgjuar përshtypje shumë të mira për të dhe figurën e tij”.