Si gjithnjë, njeriu do fitojë!

Si gjithnjë, njeriu do fitojë!

Bota, siç nuk ka qenë kurrë, dekor i denjë për spektaktlin e shfaqjes së mbretërisë së sëmundjeve ngjitëse në qytetërim. Nuk është hera e parë! Ka ndodhur edhe më herët, por janë kapërxyer, diku me pasoja të rënda, diku më lehtë. Njerëzimi i kërcënuar, institucione të trembura, shohin të shëmben fasada farfuritëse të ngritura prej nginjjes e pasurisë, që një pjesë e Europës i ka, por jo ne. Europa i vuri diku me tregtinë e njeriut (duke skllavëruar afrikanët), herë me pushtimin dhe shfrytëzimin e popujve të tjerë, por jo rrallë edhe të popullit të vet. Bodrume nëntokësore të stërmbushura me lingota ari, nuk po janë në gjendje të qetësojë qeveritë dhe njerëzit e tromaksur para të keqes. Virusi, asaj bote pasanikësh që jetojnë kotësitë për kënaqësi e dëfrime, ua ka ndërprerë zbavitjet, flirtimet e harbimet dhe u ka vënë në lojë bixhozi pasuritë.

Ky realitet i frikshëm ka tronditur edhe jetët tona. Mediat vizive mundohen t’i gjenë kohë vendosjes së pak sekuencave, ku njoftohet se Hollanda e paska dhënë okein (me kusht?!) për një PO, të pranimit të Shqipërisë në BE, dhe lajmi kalon pa u vënë re. Askush se ka më mendjen te kjo procedurë, që po rraskapit shoqërinë shqiptare prej mëse dy dhjetëvjeçarësh.

Njeriu, kjo qenie sociale, që evoluoi falë komunikimit, ndodhet në rrethana të diktuara për të hequr dorë nga kjo sjellje. Për të mirën e tij vjen ky shtrëngim. Për pak kohë bëhet fjalë? Për sa kohë flitet? Askush nuk e di! Është momenti që armiqtë e kryeministrit të kundërshtojnë masat shtrënguese, detyrimet e vëna për qarkullimin, ta akuzojnë se është i paaftë dhe të japë dorëheqjen. A është vallë koha për procedura të tilla? Marrëzirat, pra miq, nuk njohin kufi!

Jemi të sulmuar, na kanë shpallur luftë! A do ta fitojë njerëzimi këtë betejë? Përgjegja vjen nga mitet e lashta.

Të pasionuarit pas numizmatikës e kanë për zemër një monedhë të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, të vitit 1926. Gjysëm Leku, me pamjen e Herakliut që ndeshet me Luanin. Dizajnuesi i saj, Xhusepe Romanjoli, me kulturën e gjerë njohëse që kish për monedhat e lashtësisë, e kish mbartur tematikën nga emëtime të para 2500 vjetëve, prej qytet-shtetit të Heraklea. Mitet greko-romake kishin krijuar e bërë “tokësor” figura të mbinatyrshme njerëzizh. Mes tyre spikaste Herakliu. Bëmat e këtij heroi dhe të tjerëve heronj, u bënë poema, u kënduan, krijuan e mbushën legjenda. Këngë, poema e legjenda i thurrin lavde dhe himnizojnë njeriun, që fitonte mbi natyrën, mbi egërsirën e bishën, mbi infeksionet, që shekulli i 20-të i quajti “Viruse”.

Orfeu e shprehte dhimbjen me tingujt e lirës, tinguj të cilët e shtrinë Cereberin të zbutur te këmbët e tij. Dymbëdhjetë detyrat që i ngarkuan Herakliut, vrasja e Luanit të Nemeut, vrasja e Hidrës shumëkokëshe, pastrimi i fëlliqësirave nga stallat e mbretit Augjia, etj., u kënduan në shekuj nga popujt e Mesdheut, si për të treguar që ky, ‘njeriu”, (që do shihej si perëndi), ndonëse i brishtë në një botë të egër e armiqësore, që e rrethonte, do fitonte, gjithnjë do fitonte.

Jemi të vdekshëm, ndaj dhe jemi porositur në shekuj që të njohim kufijtë tanë. Në gojën e autorëve të ndryshëm janë vënë dhjetra thënje të urta, që i kushtohen përvojës njerëzore ndodhur në luftë me natyrën e panjohur. “Nuk është fatkeq ai që s’mund të durojë një fatkeqësi”-thotë njëra prej tyre. Zvicra i ka ngritur një shtatore mjekut Paracelse, që në shekullin e 16-të synonte me metodat e tij të mjekimit të organizonte njeriun se si ta përballonte shërimin e sëmundjes. “Nëse dashuria jonë-shprehej ai-do jetë e fortë, mjekimi do japë frute të mira”. Paracelse ka qënë i pari, që në veprën “Për zgjatjen e jetës”, tre shekuj para të tjerëve, përcaktoi se dukuritë e jetës, sëmundja dhe shëndeti, rrjedhin vetëm nga reaksionet biokimike.

Një nga themeluesit e mjekësisë moderne në Shqipëri, i pari që ngriti rrjetin e spitaleve në Tiranë, dr. Jani Basho, shkruante në vitet ‘20 te “Dialëria”, se “…lëngatat kronike te shqiptarët janë orientale, mikrobe të rrezikshëm” dhe më tej shtjellon rëndësinë shëndetësore të ujit të pastër dhe atij të ndotur, kushtet higjenike të ujit, si mjet kulture i klasës së parë për një qytet. Në atëbotë ishte uji me mikrobe që përhapte sëmundjet ngjitëse, ndërsa sot është korona virusi i padukshëm.

Në rrugën e Bashos të arsimuar në Vjenë, Shqipëria përgatiti dhe ka në shërbimin shëndetësor mjekë me kualifikim të lartë. Mbi këtë shtresë të nderuar të shoqërisë, në këto 30 vjetët e fundit ka pështyrë kush ka mundur. Të tashmit në shërbimin spitalor i kanë fyer si të paaftë, me demek se të aftët kanë ikur nga Shqipëria dhe kanë ngelur këta “derdimenët”. A ka njeri me mend në kokë sot, që mjekëve të ndodhur ballas me rrezikun, të mos ju jetë mirënjohës? Zonja Vokshi, në emër të PD-së shpreh skepicizmin ndaj “…masave të marra kot nga Rama”, por pak më vonë Ambasada Amerikane publikon në emër të SHBA-së një mesazh të ambasadores Yuri Kim, ku mes të tjerash falënderon të gjithë personelin tonë mjekësor. “Ju mëshironi çdo gjë që e gjithë bota adhuron te Shqipëria dhe populli shqiptar, guxim, besnikëri dhe këmbëngulje…”, u thotë ajo mjekëve tanë heronj, infermierëve dhe sanitareve. Do ju jemi mirënjohës për jetë!

Në këto rrethana, kur autoritete mjekësore i luten popullit, posaçërisht moshës së tretë, të mos dalë nga shtëpia, sa më të organizuar ta kemi ndërgjegjen, aq më lehtë mund ta zhdukim të keqen. Ndërsa mjeksia rreket të ndërpresë zinxhirin e infektimit, një tjetër zinxhir, ai i veprimtarisë së domosdoshme ekonomike krijon premisë infektimi. Ndaj duhet të izolohemi. Më mirë-thonë italianët për këto raste-të thyesh këmbët se kokën!

Të kemi besim e respekt pa fund për atë që na porositin mjekët. Nuk të vret vetëm plumbi, të vret edhe virusi. Ndaj këtij, edhe këtë radhë njeriu do fitojë!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Po rriten pensionistët por jo pensionet

Po rriten pensionistët por jo pensionet