Si lindi dhe kush e mbështeti skandalin e sajuar e 1400 konteinerëve me mbetje të rrezikshme

Si lindi dhe kush e mbështeti skandalin e sajuar e 1400 konteinerëve me mbetje të rrezikshme

Ju kujtohet skandali (i shpikur) i 1400 konteinereve të mbushur me plehra të rrezikshme që ishin groposur në Shqipëri të sjella nga Italia? Ju kujtohen akuzat e ish-qeveritarëve të PD-së dhe LSI-së që bashkë me mediat e tyre nënvizonin çdo ditë madhështinë e skandalit, duke përdorur si provë një portal të mistershëm italian me emrin “Pianeta Italia”, që këmbëngulte mbi këtë skandal duke përdorur shpesh të njëjtat lajme të shpikura nga “gazetarët” shqiptarë? I pari portal që e publikoi në Shqipëri këtë sajesë ishte Syri.net, pronë e çiftit Meta-Berisha. Tani që u zbulua origjina e këtij scoop-i fallco, kuptohet se si e gjeti Syri lajmin dhe e publikoi atij shkrimi të Pianeta Italia, një portal i panjohur edhe në Itali: e qartë tashmë se sinjalizimi i ishte bërë nga Shqipëria

Siç ndodh gjithmonë Shqiptarja.com ishte e vetmja media që pati interes të verifikonte e të zbulonte në se ai “skandal” ishte i bazuar apo një fake news e prodhuar nga “Pianeta Italia News'', portal i lidhur me një ish senator italian të përfolur, ish-fashist, me emrin Sergio De Gregorio, që përdorte mesa duket informacione nga ndonjë pseudoinformator shqiptar.

Dje prokuroria antimafia e Romës ka arrestuar politikanin italian Sergio De Gregorio dhe Giuseppina De Iudicibus, pronare e portalit “Pianeta Italia News'' dhe shtate persona të tjerë të akuzuar për një sërë krimesh të kryera në Itali. Në dosje e hetimit zbulohet edhe se fushata e “Pianeta Italia” kundër qeverisë shqiptare u porosit dhe u koordinua nga Ilir Kulla këshilltar personal i Ilir Metës. Ishte shkurti 2017 kur nisi lumi I lajmeve të rreme mbi historinë e 1400 konteinerëve, që nga Iitalia ishin groposur në Shqipëri, pranë kufirit me Maqedoninë. Pa marrë fare parasysh madhësinë e falsitetit, “lajmi” u shpërnda nga shumë portale shqiptarë, dhe u mbështet me entuziazëm nga analistët e lidhur me ish-qeveritarët e PD dhe LSI. Ish-qeveritarët e drejtuar nga Basha dhe Berisha ishin mbyllur në çadrën para kryeministrisë ndërsa Ilir Meta ishte në konflikt të hapur me Edi Ramën. Historia e konteinerëve italianë të destinuar të helmonin Shqipërinë kishte zaptuar faqet e para të shtypit dhe të debatit politik. Nuk kishte asnjë provë veç fjalës së “Pianeta Italia”, por inkuizitorëve shqiptarë që luftonin dhe luftojnë për të risjellë në pushtet ish-qeveritarët, nuk iu interesonte asnjë verifikim.

Shqiptarja.com siç vepron gjithmonë, nuk u ndal as atëherë përballë fjalëve, ndaj kërkoi faktet. Dhe pas një investigimi të thjeshtë dhe të shpejtë zbuloi se bëhej fjalë për një fake news, e shpikur totalisht. Mediat e ish-qeveritarëve u hodhën sërish në sulm kundër Shqiptarja.com, sepse e vërteta ishte e vetmja gjë që nuk u interesonte dhe nuk u pëlqente. Prokuroria e Durrësit hapi një hetim për 1400 konteinerët, po sigurisht nuk zbuloi asgjë. Historia në këtë mënyrë u harrua, si shumë histori të këtij lloji, e zëvendësuar me një tjetër skandal të shpikur.

Pas tre vjet e gjysëm del më në fund prova e skandalit. Prokuroria antimafia e Romës arrestoi dje nëntë vetë përfshi Sergio De Gregorio dhe Giuseppina De Iudicibus, pronare e portalit “Pianeta Italia”: akuzohen për shantazh dhe krime të tjera. Por pikërisht në ato hetime zbulohen prapaskenat e fushatës denigruese kundër qeverisë shqiptare të porositur te Sergio De Gregorio në 2017 nga Ilir Kulla këshilltar i ilir Metës. Sipas prokurorisë italiane Ilir Kulla ka marrë nga De Gregorio edhe 30.000 euro ne forma hua, por ky aspekt mbetet akoma i paqartë. Sipas prokurorisë italiane “në bazë të sa del nga përgjimet, - shkruhet në urdhërarrest, - Ilir Kulla kishte porositur De Gregorion të organizonte, përmes njohjeve të tij dhe mjeteve të komunikimit në dispozicion të tij, një fushatë shtypi denigruese për qeverinë shqiptare, që të shkaktonte rrëzimin. Vetë Ilir Kulla kishte shkuar në Itali pasditen e 26 shkurtit 2017 me qëllim që të ndiqte çështjen”. 

“Më duhet të merrem me çështjen shqiptare”, thotë në një nga përgjimet De Gregorio.

Skandali i plehrave kishte shpërthyer pikërisht 2 ditë pas vizita te Ilir Kulla ne Rome, ne date 28 shkurti 2017, i ushqyer në Itali nga portal fake “Pianeta Italia” dhe i mbështetur në Shqipëri nga portale të lidhur me ish-qeveritarët si Syri, Lapsi, Exit Shekulli, etj. etj. Ndërsa në Shqipëri po zhvillohej një betejë mes PD që kishte bllokuar bulevardin me çadrën e saj, Edi Rama që mbronte qeverinë e tij dhe Ilir Meta që kishte ndërprerë komunikimin me kryeministrin duke kërcënuar çdo dy ditë krizë qeverie (po pa pasur kurajon ta bënte), këshilltari i Metës, kerkonte Sergio De Gregorion të orkestronte një fushatë shtypi kundër qeverisë shqiptare duke shpresuar të detyronte Edi Ramën të jepte dorëheqjen. Çfarë iu premtua Sergio De Gregorio-s në këmbim të favorit të tij?

Pas arrestimit të De Gregorio dikush nga inkuizitoret ka tentuar të fshijë provat e pjesëmarrjes në fushatën e porositur. Po për fat, webi të paktën ka memorie të gjatë. Asnjë “analist” shqiptar dhe as ndonjë gazetar “investigativ” që gërrmojnë vetëm në një drejtim, nuk vuri re asgjë, përkundrazi e ushqyen fushatën. Kushedi pse duhen pritur gjithmonë letra të prokurorisë italiane për të vertetuar prapaskenat e skandaleve shqiptare. 

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë