‘Sigurimi inskenoi një ngjarje aksidentale, ku mbetën dy të vdekur, por ata thanë katër, se nisën jashtë me mision sekret…’/ Dëshmia tronditëse e ish-të burgosurit politik

‘Sigurimi inskenoi një ngjarje aksidentale, ku mbetën dy të vdekur, por ata thanë katër, se nisën jashtë me mision sekret…’/ Dëshmia tronditëse e ish-të burgosurit politik

Memorie.al/ Robert Krasta, e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.

Në zyrë hyri me ndrojtje Isufi.

– Më falni shoku kryetar, a mundem?

– Eja, çfarë ke?

– Më falni, kam prurë këtë shkresë.

– Çfarë është?

– Dorëheqja ime.

Kryetari e pa i habitur. Ai ishte një nga nënoficerët më të rregullt.

Çdo gjë shkon mirë kur ke shokë për kokë.

– Përse?

– Po ja, si t’ju them. Nuk e ndjej veten të aftë për të kryer këtë detyrë. Pastaj, dua të iki në fshatin tim ku kam edhe prindërit. Tashmë ata janë pleq dhe të sëmurë dhe kanë nevojë të më kenë pranë.

Isufi, paraqiti dy variante që kundërshtonin njëri – tjetrën. Edhe thoshte se nuk e ndiente veten të aftë dhe pastaj pretendonte se do shkonte pranë prindërve. Kryetari ia njihte mirë aftësinë. Ai ishte nga më të aftët. E kuptoi se shkaku duhej të ishte ndonjë tjetër.

– Dëgjo shoku Isuf! Unë të njoh shumë mirë dhe i di aftësitë e tua. Prandaj mos e sill rreth e rrotull. Përse do të largohesh?

Isufi nuk dinte si të vepronte. Të tregonte të vërtetën, kishte frikë se mos keqkuptohej dhe pasojat diheshin pastaj. Por edhe variantin e prindërve, e kuptoi që kryetari nuk e besoi. Mbasi ndenji një farë kohe pa folur, më në fund i tha:

– Po ja shoku kryetar, do t’ju them të vërtetën. E kam fjalën për shokët Demir dhe Ilia. Kjo ka ndodhur ditën e festës së çlirimit. Kisha shërbimin në qelitë e të paraburgosurve. Vjen shoku Myfit dhe më thotë se; me urdhër të shokut Demir, që kishte shërbimin e rojës, të shkoja të qëndroja te porta për çdo gjë që mund të ndodhte. I thashë se kush do të qëndronte te qelitë po të ikja unë. Më tha se ky ishte urdhri. Shkova. Pas pak kohe pashë Selimin që u kthye me makinë. Prej saj, zbritën shoku Ilia dhe dy femra, një grua dhe një vajzë. Hynë brenda. Mua më bëri përshtypje. Po afronte mesnata. Ç’kërkonin ato në atë orë të vonë?

– Leri komentet!

Çështja filloi t’i interesonte kryetarit. E kuptoi se një ngjarje e jashtëzakonshme duhej të kishte ndodhur. Dy oficerët kishin përfituar nga dita e festës, për të bërë ndonjë proçkë.

– Vazhdo!

– Nuk vonoi shumë dhe erdhi një plakë që kërkoi t’ju takonte juve. Unë i thashë se nuk ishit aty dhe e pyeta përse donte t’ju takonte në atë orë. Më tha se një oficer i Degës kishte marrë nusen dhe mbesën dhe i kishte sjellë këtu. Fjalët e saj, përkonin me ardhjen e shokut Ilia me dy femrat. Kuptova se ishte nëna e të paraburgosurit, Agron Canaj. I thashë se, do shkoja të interesohesha. Lashë një shokë te porta dhe shkova në zyrën e shokut Demir, për t’i raportuar. Atje gjeta të pandehurin dhe Myfitin. E pyeta dhe më tha se Demiri ndodhej poshtë te birucat. Zbrita poshtë. Në radhën e birucave nuk kishte këmbë njeriu. U habita si ishin lënë vetëm të paraburgosurit, pa asnjë roje.

– Të thashë t’i lësh komentet, – tha kryetari, duke humbur durimin nga zgjatimet e Isufit.

– Atëherë shkova te birucat speciale. Në dhomën e trajnimit nuk kishte njeri. Dëgjova një rënkim të çuditshëm në dhomën pranë. Hapa me ngadalë portën dhe pashë shokun Ilia, që kishte vënë poshtë gruan. Ai ishte i zhveshur. Ajo qante. U largova dhe shkova në dhomën tjetër. Atje dëgjova zërin e vajzës që qeshte dhe qante njëkohësisht si dhe rënkimet e Demirit. Prita përjashta. I pari doli shoku Ilia. Kur më pa, u prish në fytyrë dhe më tha që ta provoja edhe unë. Nuk pranova. Pastaj doli edhe shoku Demir, i cili më kërcënoi se, po të hapja gojë, do më punonin qindin. Pastaj më tha që ato të dyja, t’i shpija te makina për t’i çuar në shtëpi. Kështu veprova.

– Domethënë i përdhunuan?

– Po. T’ju them të vërtetën më erdhi shumë rëndë. Kam kaq ditë që e mbaj të fshehtë, por kur mora vesh vdekjen tragjike të tyre, nuk mund të rrija dhe të punoja më me ta. Ndaj vendosa të jap dorëheqjen.

Kryetari u ngrit i nervozuar dhe filloi të vinte vërdallë nëpër zyrë. Nuk fliste asnjë fjalë. Sillte ndër mend skenën e llahtarshme që kishte ndodhur dhe sikur në atë çast t’i kishin dalë para ata dy, nuk e dinte çdo kishte bërë.

– Dëgjo shoku Isuf, ke bërë detyrën që të takon. Por kujdes. Nuk duhet ta bisedosh me asnjë. Ma lerë mua ta gjykoj dhe të marrë vendim. Mos u thuaj asnjë fjalë atyre dyve. A më kuptuat?

– Si urdhëron shoku kryetar!

– Tani shko dhe vëri vath në vesh ato që të thashë.

Isufi nderoi dhe doli. Kryetari, vazhdonte të vinte rrotull. Gjatë karrierës së tij në organet e Punëve të Brendshme, i kishin ndodhur edhe herë të tjera ngjarje të tilla të rënda, por, asnjëherë të kësaj natyre dhe të këtyre përmasave. Iu kujtua koha e Luftës. Për një veprim të tillë, të ngjashëm, ishte pushkatuar një çift i ri. Por ai nuk kishte qenë përdhunim. Ata ishin dashuruar. Ishte kohë lufte dhe dashuria ishte e ndaluar. Një gjë e tillë, ndodhte pikërisht tani, kur atij po i hapeshin rrugët e suksesit. Kishte fituar famë për zbulimin e disa grupeve armiqësore, ndërmjet të tjerave edhe të këtij të fundit. Por ngjarja që i tregoi Isufi, do ta zhvlerësonte këtë sukses. Pasojat do të binin natyrisht edhe mbi kryetarin.

Shijo pushimet me guidat tona eksperte ne qytetet me te bukura te Europes!

Duhej vepruar sa më parë. Nuk duhej lënë që ngjarja të merrte dhenë. Vërtetë e kishte porositur Isufin që të heshte, por ku i dihej? Sikur ai ta bisedojë me ndonjë njeriun e tij të afërt? Fjala po doli nga dy dhëmballë, merr një mëhallë, thotë një fjalë e urtë. Këtë ngjarje e ka parë edhe Selimi. A e ka marrë vesh se çfarë ndodhi? Edhë nëse jo, po vajzën të dalë prej andej të çmendur, ai e çoi në shtëpi. I ra ziles. Në zyrë hyri sekretarja.

– Lajmëroni shokët Demir dhe Ilia të vinë menjëherë këtu.

Nuk vonuan dhe ata u paraqitën.

– E more bandillë, erdhët?

– Erdhëm shoku kryetar.

– Po çdo të na thoni?

– Po ja, shoku kryetar, gjithçka shkon më së miri. Me grupin e fundit i kemi kopsitur dosjet, ashtu siç na porositët juve, –foli Demiri

– Mua më duket se nuk keni vepruar ashtu si ju porosita unë.

– Përse?

Kryetari u ngrit në këmbë dhe me një zë të ashpër u tha:

– Mos ju paskam porositur unë t’i përdhunoni ato dy fatkeqe?

Ata mbetën të shtangur dhe po vështronin njëri-tjetrin. Së fundi Demiri foli:

– Ç’thua ashtu, shoku kryetar…?!

– Çfarë them? Mos do mundoheni ta mohoni edhe këtë?

– Unë nuk kam faj, – u hodh Ilia. – Demiri më detyroi.

– Të betohem shoku kryetar, për ideal, që më detyroi Demiri.

– Pushoni, maskarenj! Për këtë veprim të ndyrë do jepni llogari para Partisë. Tani shkoni!

Ata u larguan thellësisht të trembur. Ora po shkonte katër pasdite. Ndërkohë trokiti dera.

– Hyni! – foli me një zë të lodhur kryetari.

Në zyrë hyri sekretarja e Degës.

– Më falni shoku kryetar! – tha sekretarja, –  po ju shqetësoj pasi ka ardhur një telegram urgjent nga Ministria.

– Faleminderit! – tha kryetari duke marrë telegramin, – mund të largohesh.

Sekretarja doli. Kryetari hodhi vështrimin mbi telegram. Vinte nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, pranë Ministrisë së Brendshme. Binte në sy mbishkrimi “Tepër sekret”. E hapi me të shpejtë dhe filloi ta lexojë: “Në mënyrë urgjente, të paraqiteni në drejtorinë tonë”.

U nis në çast. Nuk e mori Selimin. Makinën e ngiste vetë. Në Ministri e priste Gjika, drejtori i Drejtorisë së Sigurimit. U mbyllën të dy në zyrë dhe Gjika tha:

– Na duhen dy shokë besnikë dhe të zgjuar, për t’i dërguar me mision jashtë shtetit, në Greqi dhe këtë detyrë po jua ngarkoj juve, pasi kam besim se do e kryeni më së miri. Duhet të keni parasysh se, ata do paraqiten atje me identitet tjetër. Në regjistrat e gjendjes civile, ata duhet të figurojnë të vdekur. Ndaj duhet të përgatitni ndonjë lloj aksidenti, ku gjoja ata do të humbasin jetën.

Petritit i kishte dalë fati në rrugë.

– Po sikur të sakrifikojmë edhe ndonjë person tjetër në këtë aksident, ndonjë peshë të lehtë? – pyeti me një kënaqësi të madhe.

– Natyrisht ndonjë njeri jo shumë të rëndësishëm. Vetëm kini mendjen. Çdo gjë duhet përgatitur më së miri dhe në fshehtësi absolute.

– Si urdhëron! Kam dy oficerë shumë të zotë. Njëri prej tyre zotëron gjuhën greke, – tha kryetari që, aty për aty e gjeti zgjidhjen e çështjes që e kishte shqetësuar aq shumë.

– Cilët janë ata? – pyeti Gjika

Kryetari i dha emrat e Demirit dhe Ilias.

– Kur i doni? – pyeti.

– Pasnesër në orën shtatë të mëngjesit, duhet të jenë këtu. Që nga ai çast ata nuk do të ekzistojnë më.

U ndanë dhe kryetar Petriti, u nis menjëherë për në qytetin e tij.

Nga shtëpia mori në telefon dikë.

– Nesër eja në zyrë në orën tetë, – i tha me një zë të akullt.

Ai erdhi. Biseduan kokë më kokë dhe në fund kryetari tha:

– Tani do të nisesh me ata dy për në Tiranë dhe nesër në darkë, duhet të ketë marrë fund gjithçka. Mos harro Tatrën

– Si urdhëron!

Si u largua vizitori misterioz, thirri Demirin me Ilian.

– Partia do ju ngarkojë një detyrë shumë të rëndësishme. Për këtë, do të niseni për në Ministri urgjent. Atje do të kërkoni Gjikën, drejtorin e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, i cili do t’iu tregojë detyrën e re. Në asnjë mënyrë nuk duhet ta kundërshtoni. Kryerja me nder e kësaj detyre, do shlyejë turpin që keni bërë. Shpërblimi vjen më prapa.

– Si urdhëron shoku kryetar! – folën të dy me një zë duke ndjerë një lehtësim në veten e tyre. U nisën menjëherë, në rrugën e gjatë dhe plot të fshehta.

Kryetari nuk kishte kohë të priste. Duhej vepruar sa më parë. Thirri Isufin.

– Sipas informatave që kemi, – i tha – sonte në orën dhjetë, te Shpella e Ujqërve, do të zhvillohet takimi i një të dërguari të KGB-së me dikë, që nuk ia dimë ende emrin. I dërguari, punon diku në kryeqytet dhe kërkon informacion për bandën që kemi zbuluar. Personi, që nuk ia dimë emrin, do t’ia japë këto informata. Të dy duhen arrestuar menjëherë. Për këtë, janë nisur qysh dje Demiri me Ilian. Prandaj nisu menjëherë me Selimin. Merr me vete edhe armatim. Ora po shkon shtatë. Kam besim te ty, prandaj po ta ngarkoj këtë detyrë.

– Si urdhëron, shoku kryetar!

Nuk vonoi dhe “Gaz”-i u nis. Shpella e Ujqërve ishte afër majës së një mali, që ndodhej mbi det. Rruga ishte shumë e vështirë. Një rrugë e ngushtë, të cilën shiu që kishte rënë e bënte shumë rrëshqitëse, por zotësia e Selimit në timon, bënte që vështirësitë të kalonin. Pasi kishin bërë pothuajse dy orë e gjysmë rrugë, po i afroheshin fundit. Ja, edhe një kthesë të fortë kishin dhe pastaj shtrihej një pllajë e vogël dhe, pas dy tri kthesave më të vogla, do të arrinin te Shpella e Ujqërve. Te pllaja, pas kthesës së fortë, do të linin makinën dhe do të afroheshin fshehtas më këmbë, në mënyrë që të mos diktoheshin nga dy të kërkuarit.

Sapo kaluan kthesën një dritë e fortë u verboi sytë. Një “Tatra” e madhe me drita ndezur, po vinte drejt tyre. U munduan t’i dredhojnë, por ishte e kotë. “Tatra” vazhdonte të ecte, me gjithë thirrjen e tmerruar të tyre. “Gaz”-i u rrokullis disa herë dhe në fund u dëgjua zhurma e diçkaje të rëndë që bie në det.

Të nesërmen barinjtë e stanit të kooperativës, që kishin dëgjuar zhurmën e rënies së “Gaz”-it, por nuk e kishin kuptuar se çfarë kishte ndodhur, dolën për të parë. Prapa një shkëmbi gjetën dy kufoma njerëzish të gjakosur. Lajmëruan postën e policisë dhe brenda një kohe të shkurtër, erdhi një ekip i Degës së Punëve të Brendshme, me kryetarin në krye. Kërkuan për të tjerë por ishte e kotë. Kufomat u ekzaminuan dhe rezultuan se ishin të polic Isufit dhe shofer Selimit.

Ceremonia mortore, u zhvillua në sallën e Degës së Punëve të Brendshme. Ishin katër arkivole, të Demirit, Ilias, Isufit dhe Selimit, të vendosur në ballë të sallës së madhe. Njerëzit bënin homazhe pranë tyre. Qëndronin gatitu para fotografive të viktimave të vendosura pranë çdo arkivoli, duke nderuar me grusht. Familjarët ishin rreshtuar njëri pas tjetrit dhe prisnin ngushëllimet.

– Ngushëllime dhe të paharruar qofshin!

– Të rrojë Partia dhe shoku Enver!!

Këto ishin fjalët që shkëmbeheshin ndërmjet tyre. Në fund, arkivolet i hipën në makinën e funeraleve që u nis për në Varrezat e Dëshmorëve. Ata kishin rënë në krye të detyrës dhe Komiteti Ekzekutiv, kishte vendosur të varroseshin si Dëshmorë të Atdheut. Një turmë e madhe, ishte mbledhur për t’i përcjellë. Në varreza, mbajti një fjalim prekës kryetar Petriti.

Nga ministria, mbërriti radiogrami i mëposhtëm: “Shqiponjat fluturuan lart”.

Pas tri ditësh, Petriti dërgoi një relacion të gjatë në Ministrinë e Brendshme. Pasi parashtroi arsyen e misionit, ndërmjet të tjerave shtoi:

“Duke udhëtuar për të kryer këtë detyrë të rëndësishme, për shkak të shiut që kishte rënë, shoferi humbi kontrollin e makinës dhe ajo ra në humnerë, duke përfunduar në det. Nga të katër amtarët e ekipit, u gjetën vetëm kufomat e dy prej tyre, policit të nderuar Isuf Tahiri dhe shoferit Selim Bredhi. Oficerët e shquar, Demir Vreshtazi dhe Ilia Ndreçko, përfunduan në det. Me gjithë kërkimet tona intensives, nuk u bë e mundur gjetja e trupave të tyre”.

Çdo gjë ishte kopsitur më së miri. Për agjentin e KGB-së dhe bashkëpunëtorin e tij, si dhe për automjetin “Tatra”, që doli papritur dhe pa kujtuar, nuk u shkrua asnjë rresht. Askush nuk e mori vesh të vërtetën, madje as vetë viktimat. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • fuati: 11/04/2023 10:06

    Akoma me kete kripen e pa lare mereni...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria në krah të Kosovës, nuk mbështet qëndrimin e BE-së: Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

A do ndërmjetësojë Shqipëria dialogun Kosovë-Serbi? Ironizon Rama: Jo, ndonëse jam vëllai i Vuçiçit

A do ndërmjetësojë Shqipëria dialogun Kosovë-Serbi? Ironizon Rama: Jo, ndonëse jam vëllai i Vuçiçit