Vendi ynë vazhdon të jetë në situatë epidemie, aktualisht shënohen 20 mijë të prekur në jave.

Konfirmimi vjen nga epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik, Artan Simaku, i cili theksoi se trendi i shifrave është në rënie.
 
"Aktualisht jemi në epidemi, megjithëse nga java e dytë e muajit janar vërehet një rënie dhe nivel më i ulët i qarkullimit të virusit të gripit. Në javët në vazhdim presim të kemi rënie të mëtejshme dhe të kthehemi në nivelin normal të qarkullimit të gripit", thotë Simaku.   

Mundësia e rikthimit të epidemisë në vlerat e një risku më të madh është e madhe, por ajo që epidemiologu Simaku thekson është vaksinimi, kryesisht e personave që i përkasin grupeve të riskut.
 
"Mesazhi kryesor për popullatën mbetet vaksinimi. Duhet të paraqiten në qendrën shëndetësore të lagjes së tyre dhe vaksinimi është falas. Cilët persona duhet të vaksinohen? Fëmijët e vegjël të moshës mbi 6 muaj, gratë shtatzëna dhe personat e moshës së tretë të cilët kanë probleme shoqëruese si të zemrës, mushkërive, diabet, obezitet, personat që vuajnë nga sëmundje tumorale, që marrin kimioterapi", thotë epidemiologu, Artan Simaku. 

Prej fundit të muajit dhjetor dhe deri më tani shënohen 7 raste të pacientëve që kanë ndërruar jetë dhe kanë rezultuar pozitivë ndaj gripit klasik të gripit A.  

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com