Nuk kanë të ndalur ndërtimet, s’ka më shtëpi individuale por zona rezidenciale, me vila dy-tre katëshe, të ndërthurura edhe blloqe pallatesh shumëkatëshe. Mbi 2 milionë metra katrorë është sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të miratuara nga bashkitë përgjatë 9 muajve të këtij viti me rritje prej 493 mijë metra katrorë krahasuar me vjet.
Shifrat e fundit të INSTAT, tregojnë se në total në këtë periudhë janë miratuar 1019 leje ndërtimi ose 280 leje më pak se vjet, por sipërfaqja ndërtimore është në shifër rekord prej mbi 2 milionë metrash katrorë nga 1.5 milionë metër që ishte vjet. Kjo tregon se kullat qiellgërvishtës ende nuk kanë mbaruar për Shqipërinë.
Bumi i ndërtimeve është i përqendruar në kryeqytet, ku nga janari deri në shtator janë miratuar 380 leje ndërtimi në total, me sipërfaqe ndërtimore mbi 1.5 milionë metër katrorë, shifër rekord. Vlera e ndërtimeve që pritet të shtohen në Tiranë, përllogaritet në 563 milionë euro.
Kurse vlera totale e ndërtimeve të reja në të gjithë vendin përllogaritet në 806 milionë euro nga 643 milionë euro që ishte vjet për periudhën 9-mujore.
Pas Tiranës, më shumë leje ndërtimi janë miratuar në Durrës me 258 të tilla, ndjekur nga Elbasani me 99 leje dhe Korça me 77 leje. Në të gjitha qarqet e vendit po bëhen ndërtime, ndërsa numri më i ulët regjistrohet në Kukës dhe Dibër me 5 leje ndërtimi të miratuara gjatë këtij viti.
Ky shtim i ndërtimeve, vjen në një kohë kur me mijëra apartamente në vend janë bosh, ndërkohë që shitjet kanë ‘ngecur’ për shkak të çmimeve të larta të pasurive të paluajtshme.
Banka e Shqipërisë ka raportuar se në Tiranë koha mesatare e shitjes së një prone është në 9.7 muaj këtë vit nga 8.3 muaj që ishte vjet. Por edhe pse mijëra apartamente po shtohen nga ndërtimet që po gëlojnë kudo, çmimet nuk pritet të pësojnë ndonjë rënie, por më i mundshëm është një stanjacion pasi 71% e agjentëve të pyetur nga Banka e Shqipërisë presin që çmimet të jenë në këtë nivel, 26% presin rritje të fortë dhe vetëm 3% thonë se do bien.