
SPAK ka kërkuar arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku pasi Kushtetuesja e ktheu në detyrë deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama. Për të zbatuar masën e arrestit, qoftë arrest me burg apo arrest shtëpie, do duhet që Kuvendi të miratojë heqjen e imunitetit të Ballukun. SPAK e ka depozituar kërkesën, por çfarë rruge ndjek Kuvendi?
Çështjen e heqjes së imunitetit për një deputet apo anëtar qeverie dhe dhënien e lejes për arrestim e zgjidh neni 118 i Rregullores së Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit tashmë ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, një institucion me 10 anëtarë (5 mazhoranca dhe 5 opozita), i cili do të mblidhet të premten në orën 10:30. Deputeti vihet në dijeni dhe ka të drejtë të mbrohet para Këshillit.
Ky këshill nuk voton, por brenda 2 javëve, nga momenti i përfundimit të shqyrtimit të kërkesës së SPAK, ka kohë të përgatisë një raport në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi për Belinda Ballukun, siç kërkon SPAK, dhe më tej i përcillet Kuvendit për votim të hapur në seancë plenare.
Shqyrtimi bëhet në seancën pasardhëse plenare të Kuvendit si pikë e parë e rendit të ditës. Kuvendi me shumicë votash voton ose jo heqjen e autorizimit.
Afati maksimal sipas rregullores për një vendimmarrje është 3 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës. Nëse Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.
Lajmi kryesor:
Kushtetuesja e ktheu në detyrë, SPAK kërkon autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut: Në hetim për 8 tenderë! Këshilli i Mandateve mblidhet të premten (DOKUMENTI i firmosur nga Dumani)












