Fillimisht i duhet të hedhë poshtë akuzat e kundërshtarëve politikë që e akuzojnë se s’po le gur pa lëvizur që t’i shpëtojë “shpatës” së drejtësisë. Kjo është relativisht e lehtë pasi në çdo rast dhe për çdo gjë Berisha dhe të tjerët do të ishin kundër asaj që bën Edi Rama me axhendën e tij diplomatike. E kanë goditur për politikën rajonale, për raportet me SHBA, për Kosovën, Greqinë dhe gjithçka tjetër që mban brenda harta politike e hemisferës veriore.

Edi Rama duhet t’i shpjegojë lëvizjet e tij diplomatike më së shumti në planin e jashtëm. Duhet t’ua shpjegojë partnerëve evropianë të cilët në shumicë i ka miq e të njohur të vjetër. Duhet të japë shpjegime në kohën kur kontinenti i vjetër dhe shteti më i fuqishëm i botës po polarizojnë qëndrimet mes tyre duke përfshirë kërcënimet tregëtare por edhe territoriale, siç qe rasti i Groenlandës.

Në të gjitha këto ngjarje të mëdha Shqipëria e vogël nuk ka as gisht e as të drejtë vote. Jemi shumë të parëndësishëm për të qenë aktorë në këtë paradë muskujsh të nivelit botëror. E megjithatë porsi pluhuri i hekurit kur i vendos afër një magnet, kjo përmbysje gjeopolitike po kërkon rreshtimin e të gjitha “grimcave” sipas poleve të magnetit. Ashpërsimi i marrëdhënieve brenda botës perëndimore do të kërkojë me gjasë që dikur të gjithë dhe cilido të bëjnë një zgjedhje mes SHBA dhe Evropës. Kjo është mesa duket e ardhmja, pasi amerikanët e kanë bërë të qartë se parimi i ri të cilit i falen është “secili për vete, Zoti për të gjithë”!

Në këtë rirreshtim të historisë për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria duhet të ruajë interesat dhe të ardhmen e saj. Të qëndrojë fort me Amerikën në aspektin e sigurisë dhe të mbajë hapur korsinë që çon në BE, si projekti i vetëm afatgjatë dhe me perspektivë për shqiptarët. Edhe ky është një balet i vështirë për t’u kërcyer mes dy gjigandësh, i cili do të testojë skajshëm aftësitë diplomatike të kryeministrit shqiptar dhe të të gjithë shtetit.

Edi Rama ka qenë kurdoherë një notar që ka pëlqyer të notojë kundër rrymës. Edhe kur tentoi paqëtimin e rajonit përmes Ballkanit të Hapur, edhe kur ra dakord me Melonin për bazën e refugjatëve në Shëngjin apo kur mbante e vazhdon të mbajë raporte me Erdoganin, Sorosin, Orbanin apo sheikët e Gjirit. Që të gjithë figura me dritë-hije të cilët jo rrallë dalin nga spektri i diplomacisë korrekte.

Natyrshëm që Rama ka ndjekur jo vetëm instiktin e shtetarit dhe punët e vendit, por edhe interesin e tij politik në këto raporte që ka ndërtuar. Natyrshëm edhe pjesëmarrja në Bordin e Paqes është një lëvizje politike e tillë, pra ndarëse. Siç është gjithashtu ndarëse dhe e debatueshme një vizitë në Tel Aviv për t’i shtrënguar dorën Bibit, udhëheqësit që edhe kur merr avionin për të udhëtuar jashtë vendit kujdeset që të evitojë qiejt e Evropës se mos e ulin me zor në tokë dhe i venë prangat.

E nëse marrja pjesë në OKB-në private të Donald Trump është diçka që shumëkush në Shqipëri (e më pak në Evropë) nuk e konsiderojnë si sakrilegj, vizita në Izrael është një akt që kërcet dhe bie në sy për së largu. Për keq natyrisht, më shumë sesa për mirë, duke parë tragjedinë që u shpalos para syve të të gjithë globit në Gaza për shkak të sulmeve izraelite.

Ky i Ramës është një balet diplomatik në tehun e briskut, i cili për kundërshtarët e tij në Tiranë është një valle vetëvrasëse e imponuar nga problemet e  brendshme, teksa për miqtë në Evropë, Turqi e gjetiu duket si një ndër shumë episodet e galerisë së gjesteve provokative me të cilat Edi Rama i ka mësuar tashmë. Nisur nga atletet e bardha, batutat e kudondodhura majtas e djathtas dhe stilin e drejtpërdrejtë e pa komplekse që tejkalon manualet ideologjike, ato politike e diplomatike.

Në mandatin e katërt qeverisës Edi Ramës i takon të menaxhojë një Shqipëri të turbullt me një qeverisje gjithashtu të turbullt, në një botë kaotike dhe të pasigurt. Kjo kërkon diçka më shumë se një batutë me Makronin apo një palë atlete sportive në foton familjare të një Samiti. Kërkon të dish ç’po bën, pse po e bën dhe çfarë përfitimesh do të marrësh në fund të rrugës. Improvizimet janë të ndaluara në kohë kolere. Dhe bota po kalon një epidemi më të keqe se covidi. Po kalon “epideminë” dramatike të ribërjes së rendit botëror, ku duhet mendje e kthjellët, miq besnikë dhe nerva çeliku.