Bashkia e Vlorës ka bllokuar qarkullimin e motorëve, monopatinave dhe skuterëve elektrikë në rrugët e qytetit.

Si pasojë, bizneset që operojnë në Lungomare kanë dalë në protestë, duke kundërshtuar vendimin.

Sipas tyre, prej vitesh këto mjete motorike dhe elektrike, jepen me qira për turistët, por këtë sezon kontratat nuk janë rinovuar nga bashkia.

“Përfaqësoj motorët me 4 goma për turistët që i çojmë në zonën e Manastirit dhe tani ndodhem këtu te bashkia për arsye se nuk na lejojnë që t’i nxjerrim në hapësirën publike, por kam 4 vjet që operoj dhe këtë herë na e kanë refuzuar. Doja t’i thosha kryetares që thjesht të na takojë, të na japë zgjidhje”, shprehet një prej tyre.

Deri më sot, ata kanë paguar tarifën për zënien e hapësirave publike pranë bashkisë që shkon deri në 200 mijë lekë ( të reja) në vit.

Tashmë ata po përballen edhe me gjoba nga policia bashkiake për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm.

“Përditë vjen Policia Bashkiake edhe na gjobit me 20 mijë lekë. Me çfarë do t’i shërbejmë turizmit?”, thotë një prej protestuesve.

Bizneset theksojnë se këto mjete përdoren kryesisht nga turistët në zona ku mungon infrastruktura, ndërsa presin zgjidhje nga bashkia e Vlorës.