Rama: Duhet të bashkojmë zërat! Opozita rrugore nuk ka vullnet për çeljen e negociatave (VIDEO)

Kuvendi i Shqipërisë i ka fokusuar diskutimet e sotme tek rekomandimi pozitiv dhe pa kushte i Komisionit Evropian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Edi Rama i ka bërë apel opozitës joparlamentare që të mos ktheje në peng të axhendës politike një proces të rëndësishëm për gjithë Shqipërinë që nuk ka lidhje me një palë politike, që të bashkojnë zërin për marrë dritën jeshile edhe nga Këshilli i Evropës për çeljen e negociatave.

"Mes rekomandimit pa kushte për çeljen e negociatave, dhe vendimit politik të KiE, ka një hapësire kohore dhe subjektivizmi politik ku Shqipërisë i takon të bëjë të vetën, dhe partive u takon të jenë bashkë në një zë. Mjafton të shohësh reagimet e opozitës rrugore në raport me raportin e progresit për të kuptuar se jo vetëm që nuk ka asnjë vullnet për të bashkuar zërin me të gjithë ne që jemi këtu pavarësisht dallimeve dhe kundërshtimeve që kemi këtu, dhe me gjithë shqiptarët që mbi 90% e tyre duan BE-në, është e qartë që ka një vendosmëri për të vijuar përpjekjen destruktive dhe alibi negative të gjithë atyre që për arsyet e tyre nuk e duan as zgjerimin e Evropës, aq më pak çeljen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë", tha Rama. 

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari vlerësoi këtë raport por kërkoi që të ngrihen urat e dialogut politik, e bashkëpunimit me grupet e interesit. Siç ajo u shpreh, të zbatohet ligji në Kuvend edhe nga vetë deputetët, pasi tashmë nuk ka më kohë për gabime, kur vendi ynë është në pritje të hapjes, ose jo, të negociatave nga Këshilli i Evropës. Kritikat e Hajdarit u fokusuan edhe tek kryeministri Edi Rama i cili nuk ishte në seancë në nisje të saj, duke thënë se kreu i qeverisë duhej të fliste para shqiptarëve për atë se çfarë përmban raport progresi.

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla e quajti rekomandimin e djeshëm të KE-së një lajm të gëzueshëm dhe meritë në radhë të parë të vetë shqiptarëve. Ai veçoi reformën në drejtësi si një nga proceset më historike që sipas tij mori vlerësimin e Komisionit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:02
Maliqi: Rama erdhi i 'futi' një paradë, dhe iku të shkruajë letrën e shtatë për Bashën (VIDEO)

Deputeti i opozitës së Re, Lefter Maliqi hodhi akuza të rënda në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Maliqi deklaroi se 61 kandidatët për kryebashkiakë nuk janë zgjedhur në bazë të meritës por nga oligarkët.

"Kryeministri erdhi këtu dhe i futi një paradë të mirë për ERTV. I dëgjuan socialistë e demokratë. Pamë këtu një parodi me ironi për punën. Nuk dua të bëj avokatin e PD por në kohën e tyre janë bërë rrugë pa fund. Edhe rrugës së Kombit i vunë një taksë se gjasme i dhimbsen kosovarët. Duam integrimin në BE. Këta nuk e duan se përndryshe nuk do e kishin shkrirë ministrinë e Integrimit. Nëse këta duan kodin zgjedhor ta ndryshojnë. Edhe ju që ngrini zërin këtu për gjykatën kushtetuese, nuk do miratoni asnjë ligj veç atij për sistemin zgjedhor. E dini ju që po të bëhet vettingu në politikë asnjë deputet nuk do e kalonte. Këta bëjnë vettingun në polici.

Mungon Edi Rama. Mos harroni se është duke përgatitur letrën e shtatë. Ndërkohë që Rama thotë se opozita është pothuajse zvogëluar, pse nuk bën një akt civil për zgjedhje të parakoshme. Kur fliste Rama deputetët e vjetër nuk e dëgjonin, e dëgjonte vetëm rilindja. I uroj suksese 61 kandidatëve e zgjedhur nga oligarkët", u shpreh Maliqi.

Ora 13:25
Deputeti i ri i ndërhyn gjatë fjalimit, Rama: Ty të zgjodhi Luli, mua populli! Ralf Gjoni i del në mbrojtje (VIDEO)

Gjatë fjalimit të Ramës, deputeti i ri i opozitës Valter Haliti ndërhyri duke sjellë dhe reagimin e kryeministrit. Teksa Rama ishte duke folur për rrugët, deputeti i ka ndërprerë fjalën, por kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ndërhyri dhe e paralajmëroi se do ta nxjerrë jashtë nëse flet nga karrigia.

Të lutem mos ndërhy nga vendi se do të të nxjerr jashtë. Zotëri po të them edhe njëherë ndalohet rreptësisht të ndërhysh nga vendi’, tha Ruçi, ndërkohë që Rama i kërkoi të mos bëjë gabime me rregulloren.

‘Edhe unë nuk jam në rezervat e PD-së po ju dëgjoj me respekt. Ju lutem më dëgjoni. Si? Si? Nuk ke ç’a bën. E di që të duket vetja si në mbledhje të PS po unë kryetari i PS jam. Mos bëj gabime elementare që lidhen me etikën dhe rregulloren. Unë po flas atë që mendoj dhe zotrote ti do flasësh atë që mendon, për këtë punë kemi ardhur. Mua më ka zgjedhur populli ty të ka zgjedhur Luli’, tha Rama.

Më tej deputeti i ri mori sërish fjalën ku ju drejtua kryeministrit duke thënë: "I ke të gjitha instrumentet çojë në kokërr të burgut nëse ata kanë bërë abuzime. U morët më shumë me opozitën e vjetër. Gëzoni për rekomandimet që i morën për të pestën a gjashtën herë".

Pas tij, fjalën e mori deputeti Ralf Gjoni i cili tha se kryeministri nuk mund të ofendojë deputetët e rinj.

Ralf Gjoni: Kryeministri vjen me vonesë dhe shpërfill deputetët për diskutimet. Dhe merr gjysmën e kohës për të folur për koncesionet, PPP, që na i fusin fshehurazi për votim. Për segmentin Milot-Balldren, Orikum - Llogora, Orikum -Dukat. Kryeministri nuk mund të vijë në parlament një herë në muaj të mbajë monologje dhe të ikë pas fjalës së tij. Nuk mund t'i drejtohet një deputeti me fjalën rezervë e Partisë Demokratike. Fjala e kryeministrit për koncesione mu dukën si kode dashuriçkash mes Ramës dhe Bashës. A ka ai ndërmend të bëjë marrëveshje, dhe a janë këto akuza kode për Bashën? Rama vjen në parlament, i ofendon deputetët e opozitës.

Gramoz Ruçi: Kryeministri ka të drejtë ta marrë fjalën sa herë të dojë, dhe si të dojë. Ashtu sikurse me kryeministrin për fjalën që merr në parlament ka të drejtë të replikojë vetëm drejtuesi i opozitës kryesore, njëjtë sa ai flet. Nuk i bëhen kryeministrit në sallë pyetje kur ai merr fjalën. ai ka detyrimin që sa herë deputetët e kërkojnë në seancë pyetjesh, në seancë me mocion, të vijë.  Asnjë nen i rregullores nuk e detyron kryeministrin as të jetë non stop në sallë, por aq është i detyruar që sa herë që kuvendi e kërkon.

Ora 13:21
Murrizi: Gjiri i Lalëzit dhe rezidenca pas Tegut janë 2 burgje model, shqiptarët do ja shohin hajrin (VIDEO)

Nënkryetari i Kuvendit Myslim Murrizi foli gjatë fjalës së tij në seancën planare, për qëndrimet kontradiktore të opozitës lidhur me vendimet e qeverisë në 29 vite post-komunizëm, siç i quajti ai. Murrizi foli edhe për sistemin e drejtësisë duke shigjetuar dy rezidenca luksoze në vend, duke thënë se shqiptarët do ja shohin hajrin kur drejtësia të fillojë të funksionojë si në vendet e tjera europiane.

"E vërteta e hidhur e 29 viteve post-komunizëm është se shqiptarët e duan anëtarësimin në BE. Politika dhe banorët e kësaj salle, elitat vendimmarrëse nuk e kanë dashur ashtu si këto dy ditë po nxitojnë të zaptojnë llogoret, njëri i fitues e tjetri si i mërzitur. Fjala më e sinqertë e Ramës është se në këtë vend asnjë punë nuk është bërë pa u sulmuar nga të tjerët. Ai e tha për vete por do ishte më e sinqertë të thoshte në përgjithësi. Ajo pjesë që kërkon sot të jetë në Europë është ajo pjesa që e ka kërkuar me ngulm. Opozita në këtë sallë fjalën ka. Tenderët i kanë ata që rrinë këtu. Me opozitën që shani sot e keni shndërruar opozitën në manekin të atij që drejton qeverinë. Së bashku bëtë që qytetarët të mos dinë kë të votojnë. Ndaj u zgjodh Arba në Suedi se me variantin tuaj nuk do zgjidhej. Më mirë thotë Balla që jemi pa gjykatë kushtuese se ishte shejtani brenda. Këta shejtanë 25 emra janë. Nga kjo sallë kanë dalë. nga 97 deri në fund. Kur u bënë dreqër këta. Ata dreqër iu kanë shërbyer ju si dreqër nga 2001. Ata iu kanë ruajtur të mos shkoni atje ku e keni vendin. Gjiri i Lalëzit dhe rezidenca pas Tegut janë dy burgje model që shqiptarët do ja shohin hajrin kur drejtësia të fillojë të funksionojë që Europa të bindet se kush vjedh në këtë vend e ka vend pas hekurave", u shpreh Murrizi.

Ora 13:01
Gjuzi i përgjigjet Ramës: Mos na bëj estradë këtu, unë nuk jam naltmadhni (VIDEO)

Deputeti i opozitës së re, Kujtim Gjuzi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama lidhur me termin me të cilin ai iu referua në seancën e sotme planare "naltmadhni". Gjuzi iu drejtua kryeministrit që të mos bëjë estradë.

"Mos na bëj estradë këtu. Nuk mund të më thoni mua naltmadhni. Grupin që ka pasur këtu merri dhe çoji atje në burg. Nëse do të flasim hajde flasim. Nëse do përballje hajde shkojmë në Këshillin bashkiak", u shpreh Gjuzi.

Ora 12:09
Rama: Duhet të bashkojmë zërat! Opozita rrugore nuk ka vullnet për çeljen e negociatave (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama i ka bërë apel opozitës joparlamentare që të mos ktheje në peng të axhendës politike një proces të rëndësishëm për gjithë Shqipërinë, i cili nuk ka lidhje me një palë politike, që të bashkojnë zërin në mënyrë që Shqipëria të marrë dritën jeshile edhe nga Këshilli i Evropës për çeljen e negociatave.

Gjatë fjalës në kuvend kreu i qeverisë tha, se raport progresi i Komisionit Evropian, që rekomandon hapjen e negociatave është mjaft objektiv, por vendimi i Këshillit të Evropës nga të gjitha vendet anëtarë në BE, është politik dhe ndaj angazhimi i politikës së brendshme në Shqipëri duhet të jetë në favor të këtij procesi.

"Mes rekomandimit pa kushte për çeljen e negociatave dhe vendimit politik të KiE, ka një hapësire kohore dhe subjektivizmi politik, ku Shqipërisë i takon të bëjë të vetën, dhe partive u takon të jenë bashkë në një zë. Mjafton të shohësh reagimet e opozitës rrugore në raport me raportin e progresit për të kuptuar, se jo vetëm që nuk ka asnjë vullnet për të bashkuar zërin me të gjithë ne që jemi këtu pavarësisht dallimeve dhe kundërshtimeve që kemi këtu, dhe me gjithë shqiptarët që mbi 90% e tyre duan BE-në, është e qartë që ka një vendosmëri për të vijuar përpjekjen destruktive dhe alibi negative të gjithë atyre që për arsyet e tyre nuk e duan as zgjerimin e Evropës, aq më pak çeljen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë. Është për të ardhur keq, e pakuptimtë në aspektin strategjik, se negociatat nuk janë të një partie, i gjithë ky proces nuk ka qenë procesi i një pale", u shpreh Rama.

Shefi i mazhorancës i bëri edhe një herë apel për dialog opozitës joparlamentare sa i përket procesit zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet e 30 qershorit nuk negociohen, pasi kjo datë buron nga Kushtetuta, si caktim i dekretit të Presidentit.

"Ne mbetemi të vendosur që të stimulojmë një proces dialogu me opozitën, por pa diskutim nuk kemi asnjë gatishmëri për të negociuar kushtetutën si ligj themelor që na imponon të gjithëve ta respektojmë në funksion të zgjedhjeve që i përkasin popullit sovran dhe jo partive. Ne kemi gjithë gatishmërinë të dialogojmë me opozitën jashtë parlamentare, por asnjëherë nuk do të negociojmë legjitimitetin dhe detyrimin për vazhdimësinë e këtij parlamenti, që buron nga një mandat i qartë, në bazë të të cilit është e pamundur që atyre që na kanë zgjedhur t'u themi: "Na falni po ata që nuk i zgjodhët për të qeverisur do të kenë prioritete në raport me ju që na zgjodhët për të qeverisur.", tha kryeministri.

Ora 12:07
Rama replika me Gjuzin: Proges i madh është bërë nga Flamuri pa shkop te Gjuzi i parë (VIDEO)

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Edi Rama u ndërpre nga deputeti i opozitës së re, Kujtim Gjuzi. Në përgjigje të Gjuzit, Rama tha se për ata që nuk e kanë zërin e sallës kanë nderin të ndërpriten nga "madhëria" e tij Kujtim Gjuzi i parë.

“Mos më ndërprit dhe reflekto edukatën monarkike, si shprehja më e lartë e njeriut për të respektuar njeriun. Proges i madh është bërë nga Flamuri pa shkop te Gjuzi i parë, jemi në progres. I japim sharm seancës ndërprerjet në parlament ndryshe nga ndërprerjet e shkopit pa flamur” u shpreh Rama.

Ora 11:59
Lleshaj vlerëson raportin e KE! Prezanton sfidat e ardhshme të policisë dhe bën një paralajmërim për liderët e opozitës (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi në seancën e sotme plenare se progres raporti i KE paraqet arritjet të cilat janë finalizuar në fushën e sigurisë. Ai paralajmëroi krijimin e një ekipi Fast Albania i cili do të shërbejë për kapjen e personave në kërkim.

Lleshaj u ndal në procesin e garantimit të së drejtës për të votuar përballë kërcënimeve të opozitës për ta penguar këtë proces. Lleshaj iu drejtua edhe drejtuesve politikë të opozitës të tërhiqen nga organizime të tilla pasi nuk do të tolerohen nga forca e ligjit.

"Po citoj diçka nga raporti i djeshëm. Një numër i madh operacionesh kanë rezultuar me shumë të arrestuar. Një numër i madhe operacionesh janë realizuar në fushën e krimit të organizuar. Vëzhgimi ajror ka certefikuar mungesën e trafikimit të kanabisit në Shqipëri. Ky ishte citimi nga raporti i KE. Këto gjetje të raportit shënojnë një hap tjetër. Fusha e sigurisë konsiderohet si një nga 5 prioritetet kyçe. Policia ka vijuar pa u lëkundur luftën kundërkrimit. Sulmet e gjithanshme nuk kanë arritur t'i cenojnë hapat e saj. Mjafton t'iu përmend vetëm disa tregues kyç. Shifrat e personave të vrarë sot janë më poshtë se gjysma. Edhe numri i i aksidenteve me pasojë vdekjen kanë pësuar ulje. Janë goditur një numër i madh grupesh kriminale. në këtë angazhim të qartë të policisë, raporti i KE e vlerëson qartë. Raporti është vetëm një vlerësim pozitiv dhe përpjekja jonë do të vazhdojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracioni të paligjshëm. Ajo çka ka rëndësi të veçantë është goditja e aseteve kriminale. Për realizimin e këtyre detyrave të mëdha policia po vijon me kapjen e personave të shpallur në kërkim. Është krijuar ekipi Fast Albania, si një skuadër për kapjen e personave në kërkim. Kjo strukturë është në finalizim dhe pritet të fillojë punën. Emigracioni i paligjshëm mbetet prioritet i dytë i madh. Ne do ndalojmë imigracionin dhe emigracionin e paligjshëm. Jemi para një sezoni turistik dhe jemi në punë për të shmangur pritjet e gjata në kufi.

1559209672_lleshaj.jpg

Raporti është baza e një plani të ri veprimi të policisë së shtetit. Bashkëpunimi me të gjithë aktorët kombëtarë është një detyrë e dorës së parë. Policia do marrë masat për goditjen e veprimeve të paligjshme për të ndaluar pjesëmarrjen në ushtrimin e votës së lirë. Ne do kë krijojmë një mjedis të lirë dhe të sigurtë përgjatë fushatës zgjedhore. I drejtohem edhe drejtuesve politikë të cilët kanë zgjedhur bojkotin të tërhiqen nga organizime kundër procesit zgjedhor të cilët janë vepra penale. Ato nuk do të tolerohen nga forcat e ligjir", u shpreh Lleshaj.

Ora 11:24
Myslim Murrizi ulet në karrigen e Gramoz Ruçit: Po bëj një lëshim meqë e kam për herë të parë (VIDEO)

Seanca e sotme plenare drejtohet nga nënkryetari Myslim Murrizi.

Kjo është hera e parë që Murrizi ulet në karrigen e drejtuesit të seancës plenare në një kohë kur kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ishte në një takim me ambasadorin e BE Luigi Soreca, teksa ky i fundit i dorëzoi progres raportin me rekomandimin pozitiv për Shqipërinë për hapjen e negociatave.

Ndërkohë, që po i jepte fjalën deputetit Ralf Gjoni, Murrizi tha me sportivitet se kjo është seanca e parë që drejtohet prej tij.

“Eshte hera e parë që drejtoj seancën, ndaj po bëj një lëshim, po të lejoj nje replikë dy minuta” i ka thënë ai deputetit Ralf Gjoni, që ka kërkuar fjalën ne replikë me deputetin e PS-së, Taulant Balla.

Vetë Gjoni deklaroi se është i nderuar, që Murrizi përfaqëson opozitën në atë pozicion.

Edhe deputetja socialiste Mimi Kodheli i uroi sukses Murrizit.

"Ju uroj suksese në pozicionin tuaj fisnik", u shpreh Kodheli.

Ora 11:08
Balla: Do punojmë me opozitën e re për Reformën Zgjedhore! Gjoni: Pa ne nuk e ndryshoni dot kushtetutën, zgjohuni! (VIDEO)

Kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla dhe deputeti i opozitës së re, Ralf Gjoni kanë replikuar në Kuvend lidhur me reformën zgjedhore. Balla tha se opozita e re është e mirëpritur për këtë çështje. Gjoni deklaroi se puna për këtë ndryshim duhet të nisë pasi pa opozitën.

Taulant Balla- Genc Pollo nuk bënte punën. Bëje ti punën bashkë me Hajdarin dhe jeni të mirëpritur. E dyta që lidhet me çështjen për reformën zgjedhore. Kjo çështje u fut nga Këshilli. Ne e kemi depozituar që në qershor dhe me deputetë të rinj të opozitës jemi të gatshëm të bashkëpunojmë qoftë për reformën në drejtësi apo për reformën zgjedhore

Ralf Gjoni- Iku ish-opozita mos u merrni më me Genc Pollon na keni këtu, ne morëm vendet tona në reformën zgjedhore, çfarë prisni? Hajde e ndryshojmë që tani sistemin zgjedhor, apo prisni ndonjë mesazh në whatsapp, hajde pra, vetëm inflacion fjalësh, vetëm akuza, vazhdojnë akoma merren me opozitën që është në rrugë.  Keni forcën e ndryshimeve kushtetuese këtu, pa ne nuk ndryshoni dot kushtetutën. Zgjohuni.

Ora 11:01
Ralf Gjoni: Partitë politike të lobojnë bashkarisht për interesat kombëtare (VIDEO)

Deputeti i opozitës së re Ralf Gjoni deklaroi në seancën plenare, se lidhur me interesat kombëtare duhet të lobohet bashkarisht.

"Unë mendoj se duhet të fillojmë të ndjekim interesat tona kombëtare dhe të lobojmë bashkarisht. Pasi kur vjen puna për interesat e shqiptarëve nuk ka opozitë dhe mazhorancë. 95% e shqiptarëve e shohim integrimin si një biletë vetëm vajtje për t'u larguar nga vendi. Sundimi i ligjit ka rënë. Drejtësia po bëhet, por nuk ka drejtësi. Një shqiptari nuk i intereson një raport i tillë kur nuk gëzon të drejtat themelore. Balla duhet ta dije, se nuk ka reformë zgjedhore. Shqiptarët votojnë, por nuk zgjedhin. Ka vend për t'u gëzuar, por nuk ka vend për festë. Kryeministri ka tre javë që nuk vjen në parlament, shpërfillës totalisht. Sundimi i ligjit nuk është i garantuar. Nuk e di si do ja bëni me 30 qershor. Zgjedhjet duhet të bëhen, por siguria nuk është e garantuar. Duhet t'i kërkojmë llogari çdo hallke për integrimin europian. Duhet ta kemi të qartë, se parlamenti është baza e çdo demokracie. Kështu është në çdo vend të botës. Nuk vendos dot Merkel pa Bundestangun. Parlamenti është baza e demokracisë", u shpreh Gjoni

Ora 10:41
Tre 'pse-të' e Rudina Hajdarit...për Ramën, Bashën dhe Berishën (VIDEO)

Në replikë të kryetarit të grupit të PS, Balla, Hajdari është ndalur të flasë sërish për integrimin e vendit në BE dhe se çfarë rëndësie ka ai për shqiptarët. Nga foltorja, Hajdari akuzoi liderët politik nga Berisha, te Rama dhe Basha sipas së cilës nuk ua kanë bërë të qartë se çfarë do të thotë ky proces për vendin, por merren me punët e tyre personale politike.

"Unë e kuptoj retorikën tuaj politike, por nuk dua të hyjë në atë mesele. Mungon Rama, qoftë duke na thënë diçka sa i përket këtij raporti. Kam ardhur të them këtu disa të vërteta. Sot kemi vetëm një njeri se është i "i vetmi më i miri i të mirëve", po përpiqet të bind se vetëm ky po punon. Një njeri që varfëron të varfërit. Qeveria e tij është në një regres, integrimi nuk vjen nga të paintegruarit. Asnjë nga liderët tonë nuk e bindi dot BE që do jenë ato që do bëjnë integrimin. BE ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm për BP, por pranojë se BE na ka ndihmuar shumë, por ndihma më e vërtetë duhet të vijë nga ne. Ne nuk dimë se ç'do të thotë integrimi për Shqipëri, ku thonë se rroga është më e larta se në Gjermani, kur shpërndanë karta si letra nderi si njëherë e një kohë, kur nuk bëjnë asnjë ditë punë, por vetëm letra dashuri, apo ata që protestojnë në një ditë pushimi ku ai është vetë pushim. Shqipëria është bërë me një "gjoja". Ka ardhur koha që të mos bëjmë më gjoja. Ka ardhur koha e një gjenerate që arsimohet ndryshe. Është detyra jonë patriotike për të marrë vendimin pozitiv të BE, duhet të fitojmë", tha Hajdari.

Ora 10:38
Ditmir Bushati: Raporti pasqyron qartë të gjitha arritjet, reagimet e opozitës pasqyrë e dëshpërimit (VIDEO)

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi gjatë seancës së sotme plenare se progres-raporti pasqyron qartë të gjitha arritjet. Bushati deklaroi se dje ndjeu keqardhje nga reagimet e opozitës.

"Ka vende që edhe pse janë bërë para Shqipërisë ia lejojnë vetes të ulen në dy karrige. Nuk është rastësi që raporti identifikon mbështetjen e fuqishme të firmosjes së marrëveshjes së Prespës. Raporti ofron një pasqyrë të qartë të të gjitha arritjeve. Unë kam 10 vite në këtë sallë dhe më erdhi keq me reagimet e opozitës në lidhje me këtë sukses të Shqipërisë. Ishin pasqyrë e dëshpërimit. Kam qenë ministër i jashtëm dhe në 2016 kemi bërë një debat. Po ashtu vjet kemi bërë debat nëse rekomandimi do shtronte rrugën për hapjen e negociatave. Qeveria në këtë proces ka thjesht barrën kryesore dhe duhet të bëjë detyrat. Merita është vetëm e shqiptarëve. Mbi 90% e shqiptarëve nuk kanë asnjë dyshim për sa i përket kursit të Shqipërisë", u shpreh Bushati.

Ora 10:27
Balla: Brenda këtij sesioni vendi do ketë gjykatë kushtetuese, negociatat hapen në 2019, ta dijë edhe opozita e rrugës (VIDEO)

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se Komisioni Europian rikonfirmoi rekomandimin pa kushte për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Gjatë fjalës që mbajti në Kuvend, duke iu drejtuar opozitës që ndodhet jashtë parlamenti, Balla tha, se Viti 2019 do mbahet mend për hapjen e bisedimeve dhe përpjekjet e opozitës për të minuar rrugën europiane. 

"Sot është një ditë e gëzueshme për të gjithë shqiptarët, pasi meritat kryesore i takojnë atyre. 94% e shqiptarëve e mbështesin rrugën europiane. Kjo mbështetje është pikënisja, ku mbështetet puna e qeverisë sonë për të ndërmarrë reformat. KE rikonfirmoi rekomandimin pa kushte për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Dua të jem i sinqertë se për ne, për shumicën, ky vendim nuk ishte asgjë tjetër i punës sonë të sigurtë për aspiratën e shqiptarëve drejt BE. Publikimi i raportit u la direkt pas zgjedhjeve europiane është një fakt që ky proces është edhe politik. Është fakt se vendimi, i cili ishte rekomanduar që vitin e kaluar u shty akoma më tej për arsye politike. Shqipëria mund të influencojë, por nuk mund të jetë vendim marrëse. Progres raporti i bazuar në fakte, ndonëse nuk i hapi negociatat vitin e kaluar, qeveria jonë vijoi punën. Progres raporti i publikuar dje është raporti më i mirë, që ka marrë vendi ynë. Shqipëria do i hapë negociatat brenda vitit 2019. Viti 2019 do mbahet mend për hapjen e bisedimeve dhe përpjekjet e opozitës për të minuar rrugën europiane. Progres raporti është objektiv, me shifra dhe jo me retorikë rruge. Raport inkurajon çdo institucion të vijojë përpjekjet. Arsyeja përse kundërshtarët e saj janë bërë bashkë është kundërshtia e kësaj reforme.

"Në raport thuhet, zbatimi i reformës në drejtësi ka vazhduar në një formë konsitstente. Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka përparuar në një formë të prekshme", pra dje u tha troc se reforma jonë në drejtësi është unike dhe artikulohet si model për atë që ka bërë Shqipëria. Edhe në fusha të tjera KE thotë se Shqipëria është në nivelin e vendeve të BE. Në luftën kundër korrupsionit vlerësohen hapat që ka bërë vendi ynë. Ky skaner është pikënisja e vendeve anëtare. Cështjet e brendshme nuk duhet të krijojnë një barrierë. Në raport evidentohet se lufta kundër korrupsionit përfshin shkarkimin nga detyra edhe të gjyqtarëve që nuk respektonin asnjë cak. Nuk mund ta mbanim gjykaten kushtetuese me shejtanin brenda. Brenda këtij sesioni parlamentar ne fund te korrikut, vendi do kete gjykata kushtetuese. Në fund për sa i përket krimi të organizuar,citohen operacionet që kanë finalizuar arrestime.

Nuk është ligji ai që ka munguar por lidershipi i munguar i këshillit kombëtar për integrimin. Ia kemi besuar opozitës dhe për 18 muaj", tha Balla.

Ora 10:13
Raporti i KE/ Hajdari: Në fokus të Këshillit për Integrimin, bashkëpunimi politik (VIDEO)

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari deklaroi sot në Kuvend, se në fokus të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian do të jetë bashkëpunimi politik ndërpartiak dhe forcimi i grupeve të interesit.

"Viti 2018 ka qenë sfilitës për procesin e integrimi të Shqipërisë. Pas rekomandimit të pakushtëzuar për hapjen e negociatave erdhën përfundimet e BE, i cili parashikon kushte të qarta. Komisioni i integrimit i kushton vëmendje bashkëpunimit politik, rritjen e transparencës dhe nxitjen e një dialogu konstruktiv.

Në këtë kuadër këshilli ka marrë në shqyrtim dokumente të rëndësishëm dhe rekomanduar gjetjet dhe rekomandimet kryesore. Struktura negociatore ka qenë në fokus të këshillit. Këshilli është i angazhuar që përfshirja e shoqërisë civile të forcohet më tej.

Këshilli Kombëtar do të vijojë veprimtarinë e tij në forcimin e grupeve të interesit, nxitjen e dialogut politik dhe përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit

Do të rriten përpjekjet për konsultime dhe bashkëbisedim me të gjithë grupet e interesit", deklaroi Hajdari.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Drejtesia: 30/05/2019 15:40

    Berisha-Basha duhet t'i kerkojne falje publike votuesve te djadhte per katandisjen qe i kane bere PD-se,per emrat ne lista per qoken e radhes por qe ju kthye ne bumerang,ky eshte shkaterrimi dhe degjenerimi me i madh qe i eshte bere PD-se.

    Përgjigju
  • sapa: 30/05/2019 13:20

    Futini te poshtrit dhe te korruptuarit qe keni me mijera ne burg dhe skeni nevoje te diskutoni kot!Apo per ti hedhur hi syve popullit?jo nuk doni integrim jo e pengoni-E pengojne ata qe nuk nuk denojne poshtersine´dhe pike!Bota perendimore nuk do llapaqenerine shqiptare por fakte!

    Përgjigju
  • Diana: 30/05/2019 11:38

    I uroj suksese Qeverise Rama dhe Opozites Parlamentare e cila duket se eshte me kembe ne toke se rrugacet qe mbeten rrugeve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja