TIRANË- Molotovë e fishekzjarrë ndaj godinës së qeverisë, disa institucione të tjera por dhe efektivëve të policisë prodhoi dhe protesta e radhës e opozitës këtë të dielë. Nisi me një sulm të dhunshëm ndaj Kryeministrisë, vijoi duke shkaktuar kaos në rrugët e kryeqytetit dhe përfundoi me një tjetër sulm ndaj forcave të policisë të rreshtuara për të penguar afrimin e protestuesve drejt selisë së parlamentit. Një sulm që çoi në lëndimin e 6 efektivëve të policisë të dërguar në spital, ndërsa 23 protestues u shoqëruan në polici. 

Ndonëse ditë pushimi dhe feste për bektashinjtë shqiptarë, Sali Berisha kishte zgjedhur 22 marsin, për të evokuar fitoren e parë të opozitës në vitin 1992, pas shembjes së komunizmit. Por protesta dëshmoi dhe një herë, se PD-ja e sotme është shumë larg asaj të 34 viteve më parë. Dhe shumë më të paktë janë shqiptarët që e mbështesin.

Ndryshe nga herët e tjera, për të frymëzuar protestuesit ishin zgjedhur flamuj gjermanë, shtet i cili ka shprehur edhe vërejtje për procesin e negociatave pas vendimit për Ballukun. Flamuri amerikan duket se i ka zhgënjyer sërish demokratët, në fillim me “non gratën”, pastaj me LaCivitën e ndoshta së fundmi me presidentin Trump që ftoi kryeministrin në Bordin e Paqes.

Thirrja që i kishte mbledhur përpara selisë së qeverisë, është ajo që përsëritet pa sukses prej një kohe shumë të gjatë, rrëzimi i kryeministrit Rama dhe krijimi i një qeverie teknike. Edhe skenari, po i njëjtë, ai që shihet që prej dhjetorit të kaluar. Molotovë dhe breshëri fishekzjarrësh të fuqishëm mbi mermerin e mureve të kryeministrisë.

Ndërhyrja e policisë është e menjëhershme. Makinat e ujit hyjnë në veprim e po ashtu dhe gazi lostsjellës. Sheshi përpara godinës së qeverisë zbrazet në pak sekonda.

Nga ky moment nis marshimi. Fillimisht në bulevard drejt bllokut të ministrive. Këtu në shënjestër, për herë të parë, është ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, aty ku Belinda Balluku nuk është më prej disa javësh

Destinacioni i radhës duket selia e PS, por një numër i madh forcash policie i presin të rreshtuar. Në pamundësi molotovët lëshohen pranë godinës së Bankës Qendrore, e më pas shënjestër bëhen dy makina policie

Sorollatja në kryeqytet pakëson numrin e ndjekësve, që vjen duke u tkurrur. Ndërsa itinerari duket se është përcaktuar tanimë nga policia e cila ka bllokuar më herët disa nga akset.

Asnjë ndalesë pranë drejtorisë së policisë së Tiranës. Lëvizja që vazhdon drejt sheshit Uillson, zbulon një tjetër të vërtetë të hidhur për demokratët, ndërsa kalojnë pranë bareve dhe lokaleve të mbushura me njerëz të cilët i shoqërojnë vetëm me sy, nën frikën ndoshta të një shpërthimi të papritur molotovi

Në rrugën drejt Librit universitar të dy akset që mund të conin drejt zonën së ish bllokut, janë po ashtu të bllokuara. Ish vila e diktaorit Hoxha, e sulmuar barbarisht më 28 shkurt, sot ishte e mbushur me pjesëmarrës të një aktivitetit artistik.

Kalimi në udhëkryqin pranë radio Televizionit publik, pranë pjesës së pasme të kryeministrisë shënon një tjetër moment përplasjesh të forta.

Këtu protestuesit shpërndahen në drejtime të ndryshme. Berisha ndalon për disa momente qetësie poshtë banesës së tij. Të tjerët janë në anën tjetër drejt Urës së rrugës së Elbasanit. Destinacioni është selia e parlamentit. Forcave të shumta të policisë së rreshtuara aty, i përgjigjen me një tjetër sulm të egër me molotovë e fishekzjarrë, që nuk kursejnë as mjediset e xhamisë.

Pak më tutje deputeti Xhelal Mziu përplaset me efektivët e policisë. Atij i bashkohet Flamur Noka i cili betohet policëve: “Keni marrë urdhër të sulmoni liderin e opozitës! Do ta paguani shtrenjtë”.

Berisha afrohet nga krahu tjetër, duke mbajtur maskë mbrojtëse në fytyrë. Bëhet e qartë se shanset për t’iu afruar parlamentit janë zero. Të gjithë bëjnë prapaktheu drejt selisë së partisë, ku si zakonisht kreu demokrat flet për një tjetër betejë të fituar.

“PD është partia që ka marrë përsipër misionin për përmbysjen e këtij regjimi. Në mënyrë absolute agjenda e saj do të shkojë gjithnjë duke u pasuruar dhe duke mbrojtur interesat jetike të qytetarëve shqiptare. Por ajo që është imperative, ajo që është jetike largimi me urgjencë i Edi Ramës dhe bandës së tij nga pushteti”, tha Berisha.

Këtë herë kilometri i fundit nuk u përmend, por protestat do të vazhdojnë, pavarësisht se nuk prodhojnë politikisht asgjë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:52
Xhelal Mziu shkel flamurin kombëtar, efektivi s’duron kur e sheh në tokë, gjesti i tij tërheq vëmendjen (VIDEO)

Gjatë një momenti të tensionuar mes efektivëve të policisë dhe deputetit të PD, Xhelal Mziut, pati një episod që s’kaloi pa u vënë re.

Njëri nga policët e anashkaloi paksa situatën për ta përqendruar vëmendjen te flamuri kombëtar i rënë në tokë. Në video dallohet momenti kur Xhelal Mziu e shkel flamurin me këmbë, ndërsa polici Edison Mehmetaj reagon menjëherë.

Me hap të shpejtë, ai e shtyu paksa deputetin e PD dhe mori flamurin.

Ora 22:17
6 efektivë të lënduar nga sulmet me molotovë, Lamallari nga Spitali i Traumës: E patolerueshme, autorët do të mbajnë përgjegjësi! (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka vizituar efektivët e lënduar nga sulmet me molotovë gjatë protestës së dhunshme të Partisë Demokratike. Të lënduarit, të cilët i përkasin Forcave “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po trajtohen në QSUT dhe Spitalin e Traumës.

Lamallari shkruan në reagimin e tij në rrjetet sociale se sulmet ndaj uniformës shtetërore janë të patolerueshme, ndërsa dënon shfrytëzimin e të miturve në protesta. Ai thotë se personat përgjegjës do të përgjigjen për aktet e dhunës.

“Në Spitalin e Traumës për të parë nga afër punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur nga molotovët dhe mjetet e rrezikshme teksa ishin në krye të detyrës për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Sulmet ndaj uniformës së shtetit janë të patolerueshme!

Mjerim i madh e pabesi të vësh përpara të miturit, t'i shtysh të ndezin molotovë dhe të hedhin fishekzjarre ndaj institucioneve e punonjësve të Policisë së Shtetit. Kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve.

Autorët, organizatorët dhe nxitësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi. Ne do të qëndrojmë fort në mbrojtje të ligjit, institucioneve dhe çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë”, shkruan Lamallari krah videos.

Ora 22:06
Protesta e dhunshme e PD me molotovë, 23 militantë të shoqëruar në polici

Në përfundim të protestës së Partisë Demokratike, raportohen deri më tani 23 persona të shoqëruar në polici. Ashtu si dhe në tubimet e tjera, u hodhën molotovë, mjete piroteknike në drejtim të institucioneve, kryeministrisë, ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pranë godinës së AKSHI-t dhe selisë së PS e gjithashtu ndaj efektivëve të policisë.

Ora 21:19
FOTOLAJM/ U prek nga gazi lotsjellës, Berisha me sy të skuqur e të përlotur

1774210542_saliberisha.jpeg

Ky është momenti kur kryetari i PD, Sali Berisha, pësoi edhe vetë efektet e gazit lotsjellës që policia hodhi gjatë protestës së dhunshme të PD. Për shkak të këtij incidenti, ai ndaloi pranë shtëpisë së tij sepse nuk ishte ndier mirë, para se të vazhdonte marshimin me militantët.

Ora 20:56
‘E tmerruat Edi Ramën!’ Berisha përsërit thirrjen për largimin e kryeministrit: Jep dorëheqjen ose do të të tërheqim siç s’ta pret mendja! (VIDEO)

Pas mbylljes së protestës-marshim së PD, Sali Berisha mbajti një fjalim para selisë së PD dhe militantëve të tij duke u shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen në protestë duke thënë se “e tmerruan” Ramën. Ai tha se nuk do të ketë më paqe deri në largimin e Ramës, të cilit i bëri thirrje të dorëhiqet.

“Një përshëndetje vëllazërore, një mirënjohje të pakufishme, me guximin, trimërinë, qëndresën tuaj! Nderuat më shumë se kurrë këtë datë historike të kombit shqiptar: përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë, por njëkohësisht i dhatë goditjen më të merituar diktaturës së sotme. Kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe ju garantoj se tjetra do të jetë më e shkëlyqer! Për Edi Ramën s’do të ketë më strofull, vrimë miu ku të futet! Kryengritja paqësore shqiptare do ta çojë atje ku e meriton! Keni qenë të shkëlqyer! Nuk e di si e nderuat ju kaq shumë sot 22 marsin! E tmerruat Edvin Kristaq Ramën! Prandaj le të zotohemi në këtë shesh se nuk ka paqe në këtë vend me ata të cilët vjedhin si hiena pasuritë publike të shqiptarëve dhe pasurohen vetë, përdorin ligjet dhe mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tyre. Qëndresa, bashkimi ynë do të bjerë mbi ta dhe do të përfundojnë në Lanë, në koshat e plehrave të historisë! Ka rrethim që na pengon ne? Kurrë! Edi Rama, jep dorëheqjen sa më shpejt! Jep dorëheqjen se do të të tërheqim ashtu siç s’ta pret mendja!”, tha Berisha.

Sa për gazin lotsjellës prej të cilit u prek edhe vetë ai, nuk i dha shumë vëmendje duke e quajtur vetëm “akt të shëmtuar”. Më tej u zotua për rrëzimin e Ramës dhe vijimësinë e protestave, duke shtuar se e radhës do të njoftohet së shpejti.

“Ishte akt i shëmtuar, por ajo vetëm sa rrit vendosmërinë e kryengritësve paqësorë për të hedhur në Lanë regjimin e tij dhe atë. Jemi në betejë dhe nuk kemi të ndalur. Sot ne fituam një betejë, zhvilluam betejën në të bukur në të ekzistencën tonë, por dhe më madhështore do jetë dhe ajo që vjen. Shumë shpejt do e njoftojmë. Nuk ka paqe me Ramën vetëm betejë deri në largimin e tij nga pushteti së bashku me hajdutët që e rrethojnë. T’i shporrim këta kusarë që s’kanë ligj e moral. PD është partia që ka marrë misioni dhe përsipër përmbysjen e këtij regjimi. Në mënyrë absolute axhenda do të shkojë duke u pasuruar dhe duke mbrojtur interesat jetike të shqiptarëve. Ajo që është jetike largimi me urgjencë i Ramës dhe bandës së tij nga pushteti”, tha Berisha.

Ora 20:47
Berisha përfundon ‘kilometrin e fundit’ të protestës së PD në selinë blu (VIDEO)

Pas thuajse dy orësh, mbyllet protesta e opozitës. Berisha ka hyrë në selinë e PD bashkë me disa deputetë. Pas një mbledhjeje të shkurtër që mund të ketë për të kuptuar dinamikën e ngjarjeve në secilën prej pikave ku është ndalur protesta e PD, pritet që Berisha të mbajë një fjalim.

Protestuesit s’mundën të përçanin kordonin e sigurisë përpara parlamentit.

Ora 20:46
Sulmet me molotovë drejt AKSHI-t, deputetët Boçi e Strazimiri përplasje me efektivët e policisë (VIDEO)

Deputetët e Partisë Demokratike si Luçiano Boçi, Gent Strazimi e të tjerë mbështetës, janë përplasur me efektivët e policisë në zonën e ish-Bllokut. 

Ora 20:32
Mziu, Boçi e Noka u hakërrehen efektivëve: Ushtarë, legena! S’mungojnë kërcënimet: Do ta paguani shtrenjtë sulmin ndaj Berishës! VIDEO e përplasjes

Xhelal Mziu, Luçiano Boçi, Flamur Noka dhe disa militantë të PD janë përplasur me efektivët e policisë pranë Kuvendit, ndërsa këta të fundit kanë përdorur edhe shkop gome. Boçi dhe Noka i quajtën “ushtarë”, “mercenarë”, "legena" ndërsa nuk mungoi as gjuha kërcënuese ndaj policisë. Madje, Noka shkoi aq larg sa tu thoshte efektivëve se e kanë sulmuar Berishën qëllimisht me gaz lotsjellës duke shtuar se do ta paguajnë shtrenjtë.

Luçiano Boçi: Unë të të lutem ty? S’ke turp! Përpara krimit e dini si jeni ju? Ushtarë! Hajde o Flamur se e ke këtu drejtuesin se fshihet! Mos më prekni mua me dorë! Mos e zgjat!

Flamur Noka: Pse funksiononi si bandë?

Luçiano Boçi: Për Edi Ramën vini këtu ju?

Flamur Noka: Keni marrë urdhër të sulmoni liderin e opozitës! Do ta paguani shtrenjtë! Nuk jeni shërbëtorë të ligjit, jeni mercenarë të krimit të organizuar! Largojini policët, tërhiqini që këtu!

Ora 20:30
U sulmuan me molotovë nga militantët e Berishës, 4 policë dërgohen në spital (VIDEO)

3 efektivë të Policisë së Shtetit janë dëmtuar si pasojë e hedhjes së bombave molotov nga protestuesit e Partisë Demokratike. Të tre efektivët janë transportuar drejt Spitalit të Traumës, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë, i lënduar ka mbetur edhe një efektiv i Rrugores, i cili po merr ndihmë mjekësore në QSUT. 

Ora 20:23
Protesta e PD/ Policia u bllokon rrugën drejt Parlamentit, militantët sulmojnë me molotovë policinë te xhamia e Namazgjasë (VIDEO)

Një kordon policie i vendosur te Xhamia e Namazgjasë, u ka bllokuar rrugën protestuesve të Partisë Demokratike për të shkuar te godina e Parlamentit. Sapo kanë tentuar të afrohen, në drejtim të tyre është hedhur ujë e gaz lotsjellës ndërsa protestuesit kanë hedhur molotovë e fishekzjarrë.

Ora 20:17
Berisha pëson efektet e gazit lotsjellës, vijon marshimin me maskë me militantët drejt parlamentit (VIDEO)

Gazi lotsjellës nuk e ka kursyer as vetë kryetarin e PD, Sali Berishën. Ai ndodhet pranë banesës së tij pasi ishte ndier keq, ndërsa tani po vijon ecjen bashkë me disa militantë drejt parlamentit.

Kujtojmë që ky i fundit është kthyer në një fushëbetejë në protestat e PD pasi protestuesit kanë flakur molotovë dhe janë përplasur me policinë, ndërsa efektivët janë përgjigjur me gaz lotsjellës e ujë.

 

Ora 20:06
Policia shpërndan protestuesit e PD me gaz lotsjellës e ujë

1774206451_protestaepd22mars.jpg

Gazi lotsjellës dhe uji i hedhur nga policia ia ka dalë të shpërndajë protestuesit. Një pjesë e tyre i janë drejtuar stadiumit “Air Albania”. Efektivët kanë penguar lëvizjen e protestuesve drejt parlamentit.

Situata shfaq një lloj qetësimi pas përshkallëzimit të sulmeve te AKSHI me molotovë e flakadanë.

Ora 20:03
Protesta e dhunshme e Berishës, hidhen molotovë pranë godinës së AKSHI-t, bien pranë murit rrethues të Ambasadës Italiane (VIDEO)

Militantët e Partisë Demokratike kanë hedhur me molotovë pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Disa prej molotovëve kanë rënë pranë murit rrethues të Ambasadës Italiane që ndodhet në zonë. Policia u është përgjigjur me hedhje uji dhe gaz lotsjellës.

Aty pranë ka qenë i vendosur një kordon i policisë duke i bërë pritë këtij sulmi. Në të njëjtën zonë, ndodhet dhe godina e Radio Televizionit Shqiptar.

Ora 19:43
Protestuesit e PD në 'tur' përmes ish-Bllokut, molotovë drejt koshave të mbeturinave e stacioneve të autobusëve (VIDEO)

Marshimi pa itinerar i protestuesve të PD që deri tani ka pasur tri ndalesa për sulme me molotovë: kryeministrinë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe selinë e PS, vijon në rrugët e ish-Bllokut. U kalua edhe pranë Drejtorisë së Policisë, por pa bërë një ndalesë.

Duket se nuk ka një destinacion të qartë, por thjesht një marshim për të tërhequr vëmendjen. Gjatë marshimit, ka vijuar edhe hedhja e fishekzjarrëve në koshat e mbeturinave, si dhe një molotov te një stacion autobusi.

Forcat Shqiponja kanë krijuar një lloj korridori duke bllokuar rrugicat që të çojnë drejt Vilës 31, në mënyrë që protestuesit të orientohen drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

 

Ora 19:21
Protesta e PD/ Sulmohen me molotovë automjetet e policisë përpara Bankës së Shqipërisë (VIDEO)

Militantët e PD kanë sulmuar me molotovë automjetet e policisë të dislokuar përpara ndërtesës së Bankës së Shqipërisë dhe pranë selisë së Partisë Socialiste.

Ashtu si dhe në sulmet e tjera, protestuesit janë shpërndarë me hedhje të ujit dhe gazit lotsjellës.

 

Ora 19:14
Përshkallëzon sulmi i militantëve të PD, vërvitin molotovë pranë selisë së PS (VIDEO)

Militantët e PD e kanë lënë pas kryeministrinë dhe Ministrinë e Infrastrukturës që i sulmuan me molotovë dhe i janë drejtuar selisë së Partisë Socialiste.

Për herë të parë, vala e molotovëve ka prekur disa institucione duke paraqitur një skenar të dhunshëm. Molotovët po bien mes Bankës së Shqipërisë dhe selisë rozë, pasi kordoni i sigurisë e ka vështirësuar depërtimin e sulmit dhe godina e PS s’është prekur.

 

Ora 19:08
Protesta e PD, turma braktis kryeministrinë! Marshimi vijon në bulevard, e paqartë shënjestra e radhës (VIDEO)

Skenari i protestës së PD po zbulohet gjatë zhvillimit të saj. Molotovët nuk vonuan të hidheshin duke ndërprerë edhe fjalën e dikujt që po mbante fjalim. Edhe policia u gjend paksa e papërgatitur, por reagoi me ujëhedhëse ndërsa me megafon bëri thirrje për qetësimin e siutuatës.

“Marshimi ecën në bulevard”, ishte një thirrje që u dëgjua. Turma është drejt hotel ‘Dajtit’, por nuk është ende e qartë ndalesa e radhës.

Ora 19:08
Sulmohet me molotovë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ‘fishekzjarrë feste’ për shkarkimin e Ballukut (VIDEO)

Molotovë e fishekzjarrë janë hedhur dhe tek ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndryshe këto fishekzjarrë mund të jenë dhe “një festë” e demokratëve për shkarkimin e Belinda Ballukut nga detyra. Policia u është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me qëllim shpërndarjen dhe ndalimin e sulmit. Ende nuk është e qartë se ku është destinacioni final i marshimit të kësaj proteste.

Ora 18:54
PAMJET ME DRON/ Momenti kur militantët e PD hedhin molotovë e fishekzjarrë drejt kryeministrisë

Militantët e Partisë Demokratike kanë hedhur molotovë e fishekzjarrë drejt kryeministrisë. Ndërkohë që në drejtim të protestuesve, po hidhet ujë e gaz lotsjellës me qëllim shpërndarjen e tyre.

Ora 18:47
‘Grupi i zjarrit’ nuk mungon në protestën e PD, fshihet nën kapuçët e zinj dhe pankarta (VIDEO)

Të fshehur nën kapuçë të zinj e pankartave, ‘grupi i zjarrit’ i PD është gati për aksionin e njohur të hedhjes së molotovëve në protesta. Metoda e kamuflimit të tyre nuk është e panjohur, ndërsa shihet të kenë vendosur edhe maska në fytyrë për të shmangur identifikimin e tyre.

Ora 18:44
PAMJET ME DRON/ Ja pjesëmarrja në protestën e Berishës, vetëm militantët i shkojnë nga pas

Report Tv sjell pamjet me dron nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pika e parë ku u pozicionua protesta e Partisë Demokratike.

Nga pamjet se Sali Berisha dhe partia e tij po braktiset gjithmonë e më shumë edhe nga militantët, të cilët duket qartë se e kanë humbur besimin për progres nga kjo opozitë.

Ora 18:39
Protesta/ Akuzat për integrimin, Berisha zëvendëson flamujt e SHBA-së me ato të Gjermanisë dhe BE-së (VIDEO)

Në protestën e Partisë Demokratike flamujt e SHBA-së janë zëvendësuar me ato të BE-së dhe Gjermanisë.

Një simbolikë kjo që po përdoret nga demokratët pas akuzave ndaj PS-së se ka bllokuar integrimin me vendimin për të mos ia dorëzuar Belinda Ballukun, SPAK-ut.

Ndërkohë, ende nuk ka një afat se kur 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të shprehen për Raportin e Komisionit Europium mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e bisedimeve për anëtarësim.  Simbolika e flamurit gjerman në protestë lidhet edhe me lajmet që kanë qarkulluar se Gjermania është në krye të vendeve që ka ngritur pikëpyetje për miratimin e raportit.  

Ora 18:36
Nis protesta e PD, Berisha lë selinë! Marshon me militantët drejt Kryeministrisë (VIDEO)

Sali Berisha del nga selia e PD për t’u nisur drejt kryeministrisë ku do të mbahet protesta. Ky moment shënon edhe fillimin e saj. Protesta nuk përfshin fjalime.

Ora 18:11
Protesta e PD, Vila 31 vijon aktivitetet e rrethuar nga policia! Kordon sigurie te Kryesia e Kuvendit (VIDEO)

Protesta e PD nuk i kap të papërgatitur efektivët e policisë. Në daljen anësore të Kuvendit janë vendosur barriera metalike, ndërsa te Vila 31 që më 20 shkurt u shënjestrua nga molotovët, ndodhen forcat e policisë.

Gjithashtu, këtë herë në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha s’ndodhen vetëm artistë, por edhe vizitorë që duket se po ndjekin një sërë aktivitetesh që përfundojnë rreth orës 20:00, çka do ta bënte të pamundur hedhjen e molotovëve.

Ora 17:55
Protesta e PD/ Sali Berisha mbërrin në seli, një grusht militantësh e presin jashtë (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbërritur në selinë blu disa minuta para nisjes zyrtare të protestës. Jashtë ambienteve të selisë, ai është pritur një militantët.

Ora 17:46
Protesta e PD, Xhamia e Namazgjasë sërish e rrethuar me barriera metalike (VIDEO)

Protesta e PD është vetëm disa minuta larg nisjes. Edhe këtë herë, masat e policisë kanë përfshirë Xhaminë e Namazgjasë ku janë vendosur barrierat metalike.

Kujtojmë që kjo masë u ndërmor edhe në protestën e 12 marsit, pasi më 20 shkurt, molotovët e protestuesve nuk e kursyen as objektin fetar ndërkohë që besimtarët po kryenin ritet fetare gjatë muajit të Ramazanit.

Ora 09:47
Sot protesta e PD, reagon Policia: Kemi marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë! Akset rrugore që do të bllokohen

1774169386_sryu7ioop.jpg

Pasditen e sotme, në orën 18:00, në bulevardin para godinës së Kryeministrisë do të zhvillohet protesta e radhës e lajmëruar nga Partia Demokratike.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit.

Po ashtu Policia njofton se për shkak të protestës, do të ketë kufizime të lëvizjes në disa akse rrugore.

Konkretisht:
-Nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”;
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Në bazë dhe në zbatim të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit publik në tubimin që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 18:00, përpara Kryeministrisë.

Në këtë kuadër, do të ketë kufizime të lëvizjes në disa akse rrugore. Konkretisht:

-Nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”;

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.