Sot më 3 janar, pushteti lokal dhe qendror kishin vendosur si afatin kur banorët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe që më pas u strehuan në hotele duhet të dilnin në shtëpitë me qira, subvencionin e të cilave do ta paguajë shteti deri kur të ndërtohen shtëpitë e reja, që u shembën. Por duke parë situatën e krijuar, teksa disa prej banorëve që janë prekur nuk kanë marrë ende bonusin e qirasë, bashkia e Durrësit ka shtyrë vendimin e largimit të banorëve nga hotelet, por vetëm për disa kategori.
Bashkia e Durrësit sqaroi për Report Tv se 480 familjet që kanë qenë në banesa me qira kur ra tërmeti i 26 nëntorit, duhet të dalin nga hotelet që janë vendosur dhe ku kaluan festat e fundvitit. Gjithashtu, po sipas bashkisë edhe 25 familje që aktualisht janë në hotel, por që kanë përfituar bonusin duhet të largohen për të gjetur banesat me qira. Ndërkohë që familjet që u është shembur shtëpia apo është bërë e pabanueshme, por që janë në proces të marrjes së bonusit të qirasë do të vijojnë që të qëndrojnë në hotelet e Durrësit deri në një urdhër të dytë.
Report Tv ishte sot në qytetin bregdetar në një prej hoteleve që janë strehuar familjet e prekura. Në prononcimet për Report Tv, qytetarët shprehen se kanë dy probleme; e para që nuk gjejnë dot shtëpi me qira, teksa çmimet për një dhomë dhe një kuzhinë kanë arritur deri në 350 euro dhe pronarët nuk pranojnë të firmosin kontratë për shkak të frikës se duhet të paguajnë 15% në shtet, dhe shqetësimi tjetër lidhet nivelin e bonusit të qirasë, që sipas tyre është shumë i vogël dhe burokracitë nga bashkia e Durrësit.
Njëra prej banoreve që i është shembur shtëpia i tha Report Tv se nëse nuk do të shtyhet vendimi i largimit nga hoteli do të dalë në protestë nesër, por tashmë bashkia deklaroi se ata që ende nuk kanë marrë bonusin do të vijojnë të qëndrojnë këto struktura. Ndërkohë që qytetarët që përpara se të godiste tërmeti tragjik kanë qenë në shtëpi me qira dhe tashmë u është kërkuar që të largohen, i bëjnë apel shtetit që të ndërhyjë për të mos bërë diferencime se nuk kanë ku të shkojnë, aq më tepër tani që qiratë janë rritur.
Bashkia e Durrësit ka shtyrë afatin e largimit nga hotelet për banorët që u është shembur shtëpia apo është bërë e pabanueshme dhe që janë në proces për të marrë bonusin e qirasë nga pushteti lokal. Pas interesimit të Report Tv, bashkia e Durrësit sqaroi se 480 familjet që kanë qenë në banesa me qira kur ra tërmeti i 26 nëntorit, duhet të dalin nga hotelet që janë vendosur. Gjithashtu, po sipas bashkisë edhe 25 familje që aktualisht janë në hotel, por që kanë përfituar bonusin duhet të largohen. Ndërkohë që familjet që u është shembur shtëpia apo është bërë e pabanueshme, por që janë në proces të marrjes së bonusit të qirasë do të vijojnë që të qëndrojnë në hotelet e Durrësit deri në një urdhër të dytë. Njëra prej banoreve që i është shembur shtëpia i tha Report Tv se nëse nuk do të shtyhet vendimi i largimit nga hoteli do të dalë në protestë nesër, por tashmë bashkia deklaroi se ata që ende nuk kanë marrë bonusin do të vijojnë të qëndrojnë këto struktura.
E ndërsa në Durrës ende nuk dihet se si do të veprohet me familjet që duhet të lënë sot hotelet, në Shëngjin banorët e Thumanës do të vijojnë që të qëndrojnë deri kur të gjejnë shtëpitë me qira. Kryetari i bashkisë Artur Bushi u ka premtuar se do u gjejë shtëpitë dhe do të rishikojë vlerën e qirasë. Banorët kanë treguar edhe situatën që ndodhen gjatë prononcimeve për Report Tv.
"Na tha se deri kur të siguroni banesat nuk do të lëvizni. Kryetari i bashkisë na tha se nëse nuk do i gjeni vetë, do i gjej unë. Këtu në resort na kanë ofruar edhe punë dhe ata që punuan me 31 morën lekët në dorë. Është mrekulli që jemi gjallë. Zoti i di vetë punët e veta, me fatin nuk luhet, kam qenë në katin e pestë. Tmerrin e kam përjetuar brenda, isha te pallati që është shembur. Dolëm me rroba gjumi jashtë. Deshi Zoti që shpëtuam, ato janë fatkeqësi. Kemi besim se do të ndërtohen shtëpitë" tha njëra nga banoret.
Ndërsa një tjetër theksoi se "Kërkuam për banesë me qira, por nuk mund ta gjej se kam një nënë 90-vjeçe, më tha kryetari i bashkisë që do ta gjejmë ne. Sapo të gjejmë shtëpitë do të ikim, nuk duam të rrimë këtu. Kryetari i bashkisë na dha fjalën se do të na ndihmojë. Është e vështirë për të gjetur banesa me qira".
Një tjetër banor që i është prishur shtëpia dhe biznesi tha se "Jam banor i Thumanës, pallatit që u shemb, kryetari i bashkisë na tha se shtëpitë do i bëjmë. Ai na ka ndihmuar. Rritje të çmimit të qirasë ka, por ne jemi në kërkim, kryetari i bashkisë na tha do u ndihmoj. Edhe ne nuk kemi pse rrimë këtu, se duam të vijojmë jetën normal" tha ai. Bashkia miratoi në vendimin e parë vlerën e qirasë 3 mijë lekë për person, por duke qenë se çmimet janë rritur, u është premtuar se do të rishikohet vendimi.
'Po na nxorën jashtë, do të shkojmë para bashkisë'! Kështu shprehet me lot në sy një tjetër qytetare në Durrës që është strehuar në hotel. Ajo thotë se po kalon në depresion nga situata e krijuar. "Nuk jam lajmëruar akoma për të ikur, presim. Në bashki të nxjerrin jashtë. Kemi kërkuar banesa me qira, por nuk ka. Ikim në mëngjes dhe vijmë në darkë, gjithë ditën rrugëve. Edhe po na nxorën jashtë do të shkojmë para bashkisë. Pak jemi të strehuar nga tërmeti, por tani edhe këtë....Po kalojmë në depresion, jemi bërë të marrim një gotë helm dhe ta pimë të gjithë më mirë" tha ajo.
Ndërsa një tjetër qytetare, që para se të godiste tërmeti tragjik ka qenë me qira kërkon që edhe këtë kategori ta ndihmojë shteti, pasi aktualisht gjetja e shtëpisë është e pamundur dhe çmimet janë shumë të larta dhe të papërballueshme.
"Ne e dimë që do të dalim dikur, por nuk e dimë ku të shkojmë, unë e kam burrin invalid. Banesa ime është dëmtuar, unë kam qenë me qira. Me 100 mijë lekë të vjetra që marr kemp nga burri nuk e marr dot 300 euro një dhomë. Po ne që jemi me qira të vdesim? A kanë dallim racial a? Të na mbledhin të na fusin flakën të gjithëve. Shteti nuk po bën asnjë gjë. Rri i paralizuari në akull? Jo vetëm ai, por edhe ne....I bëjmë thirrje shtetit që të na japë një rrugëdalje, ose më mirë të vijë të na mbysë vetë. Shteti duhet të verë dorë te të gjithë, jo vetëm ata që kanë shtëpi, por edhe ata me qira. Ne jemi me fëmijë të vegjël" tha ajo.
Një tjetër qytetar tha për Report Tv se nga hoteli do të largohet vetëm nëse i nxjerr policia me dhunë, pasi nuk kanë ku të shkojnë. Ai shprehet se për të marrë banesën me qira duhet tapia e shtëpisë së pronarit, por fakti që disa prej tyre nuk pranojnë, pasi duhet të paguajnë 15% në shtet, por edhe çmimet e larta e bëjnë të pamundur.
"Më kanë lajmëruar për t'u larguar sot. Më ka ardhur një ministre mbrëmë në orën 09:00 të darkës, që sot të dalim. Mirë se po dalim por ku do të shkojmë. Bonusi më ka dalë, por duhet tapia e shtëpisë e pronarit, por ku do të shkoj, jam vetë i katërt, qeveria po na jep një tërmet të dytë. Banesa ime doli e pabanueshme nga komisioni. Nuk e di, nuk kemi ku të shkojmë, vetëm kur të vijë policia të na nxjerrë me dhunë. Për ditë kemi kërkuar për banesë me qira, por është e pamundur, janë çmimet e larta, 300-350 euro, është e pamundur. Ne shpresojmë nga shteti. Shteti na futi këtu, tani të marrë masat, jo sa për të larë gojën dhe tani të na nxjerrin jashtë" tha ai.
Njëra prej banoreve që i është shembur banesa nga tërmeti dhe që është akomoduar në hotel, thotë se janë lajmëruar që sot duhet të dalin, por duke qenë se nuk kanë se ku të shkojnë se nuk kanë gjetur shtëpi me qira, pronarja e hotelit u ka dhënë afat deri të dielën. Ajo tregon edhe problemet që ka hasur për gjetjen e shtëpisë me qira, ndërsa akuzon bashkinë e Durrësit për burokraci.
"Pronarja na dha afat deri të dielën. Na lajmëruan pardje se sot duhet të kishim ikur. Sa për bonusin emri na ka dalë por nuk kemi informacion për vlerën që na ka dalë. Çmimet janë të rritura dhe ta dimë nëse është. Edhe fjalët që thuhen për kontratën e qirasë, disa nuk pranojnë ta firmosin, disa thonë kanë frikë e bonusit nëse do e japë shteti, ndërsa të tjerët thonë se kanë frikën e pagesës së 15% të qirasë në shtet. Ministrja tha se kontrata nuk ishte e nevojshme, por më nxorën nga bashkia duke më thënë shko plotëso kontratën e qirasë dhe sot nuk e di ku të shkoj. Më mbetet të shkoj te një cep i vogël te dhoma ime, që ka mbetur e pa shkatërruar.
Shtëpia ime ishte investim 65 mijë euro. Nuk e di se ku të shkoj, nuk është zgjidhje të rrimë te familjarët një apo dy ditë. Mund të shkoj te prindërit në Berat, por i kam fëmijët sëmurë. Unë kam një muaj nga tërmeti, që po rri këtu, asnjë lloj ndihme. Asgjë nuk ka ardhur. Thirrja është në emër të të gjithëve, të paktën të marrim përgjigje, pasi as përgjigja nuk vjen tek ne. Duhet të vini të na informoni, asnjë gjë nuk ka ardhur. Edhe kur na lanë aty në harresë, asnjeri nuk e dimë si do ia dalim. Edhe informacionet na mohohen, nuk dimë sa na takon nga bonusi i qirasë. Institucionet thonë plotëso letra pa fund, nuk ka nevojë për kaq shumë burokraci, radhë pa fund" tha ajo.