TIRANË- Më shumë se 2 muaj e gjysmë kur në seancën e parë në themel, para se cështja të ndahej, GJKKO urdhëroi SPAK-un t’i dorëzonte të gjitha aktet hetimore Erion Veliajt, kryebashkiaku i Tiranës ende nuk ka marrë 24 nga 61 fashikujt e dosjes. Avokati i Veliaj kërkoi që trupa gjykuese të marrë masa, ndërsa prokurori Ols Dado pretendoi se janë dorëzuar vetëm ato akte që ka lidhen me kryebashkiakun. Edhe provat digjitale që mbrojtja kërkon, të lidhura me përgjime apo filmime, Dado tha se Veliaj do t’i shohë për herë të parë gjatë gjyqit. Seanca u shty për shkak se munguan disa avokatë, por afatet e paraburgimit u pezulluan për Veliajn, edhe pse e kishte mbrojtësin ligjor në sallë.

***

Kamerat u lejuan vetëm në nisje të gjyqit, për pak minuta, gjatë diskutimeve teknike të procesit. Kryesuesja e treshes gjykuese, Elsa Ulliri, vendosi që operatorët të dalin jashtë, dhe seanca e parë e gjyqit në themel për kryebashkiakun Erjon Veliaj, të mos filmohet.

“Gjykata mban në konsideratë se parimi i publicitetit të seancës gjyqësore garantohet nëpërmjet mundësisë së ndjekjes së saj nga publiku dhe përfaqësuesit e medias dhe pranitë e tyre në sallën e gjyqit. Në rastin konkret gjykata shkon se prania e kamerave mund të ndikojë në ecurinë normale të gjykimit dhe në zhvillimin e një procesi pas procedurës të gjykimit të zakonshëm, ku priten ndër të tjera edhe pyetja e dëshmitarëve përfshirë dëshminë e dëshmitarëve. Transmetimi në media i seancës mund te zhvendosë fokusin nga shqyrtimi gjyqësor drejt debatit publik duke dëmtuar në këtë mënyrë edhe ecurinë e gjykimit. Për këtë arsye, gjykata vendosi refuzimin e kërkesave”, u shpreh gjyqtarja Elsa Ulliri.

Në sallë mungoi qytetari i parë i Tiranës, i cili u përfaqësua nga avokati Plarent Ndreca. Siç e ka theksuar më herët, nga kushtet që ai të vijë në proces, është të qëndrojë në krah të avokatit dhe jo në kafazin e të pandehurit.

Ndonëse Veliaj vetë nuk ishte, në gjyq kishte edhe përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për monitorimin e procesit, pas ankimit të kryebashkiakut se i shkelen të drejtat duke qëndruar në kafazin e qelqtë.

Nga SPAK, përfaqësimi ishte vetëm nga prokurori Ols Dado, ndërsa Altin Dumani, mungoi.

E bashkëpandehura në proces, bashkëshortja e kryebashkaikut, Ajola Xoxa, nuk ishte e pranishme, e në mungesë dhe dy avokatët e saj, Maksim Haxhia i cili ndodhet jashtë vendit në Lubjanë, dhe Dritan Jahaj i cili për shkaqe shëndetësore nuk mund të ndodhej në gjyq. Xoxa paraqiti prokurë për ndryshimin e mbrojtësve, e tashmë do të përfaqësohet nga dyshja Gurali Brahimllari dhe Maksim Haxhia.

Prokurori i Posaçëm vlerësoi se seanca duhet të shtyhet, duke e parë shkakun te mosparaqitja e të pandehurve apo avokatëve të tyre, bashkë me kërkesën që afatet e paraburgimit për kryebashkiakun Veliaj, i vetmi që ndodhet në qeli në këtë proces, të pezullohen deri në mbajtjen e seancës tjetër.

Kërkesa u quajt antikushtetuese nga mbrojtësi Plarent Ndreca, përballë faktit që Veliaj e ka përfaqësimin në sallë me avokat.

Kryebashkiaku po nis nga e para gjyqin në themel, pasi më 27 prill togat e zeza  ndanë çështjen duke pranuar gjykimin e shkurtuar për 11 te pandehur të së njëjtës dosje, mes tyre edhe ish-deputetja, Klotilda Bushka.

Veliaj dhe 18 të pandehur të tjerë, kanë tashmë një proces normal me trupë të re gjykuese, Elsa Ulliri, Flora Hajredinaj dhe Besmir Stroka.

Në seancën e kësaj të marte, Plarent Ndreca tha se Velaijt ende nuk ka mundur të ketë në paraburgimin e Durrësit, 24 fashikuj, të domosdoshme sipas tij për t’i garantuar të gjithë palëve një mbrojtje efektive.

Gjithashtu, mbrojtja kërkoi administrimin dhe verifikimin e disa provave në CD, që përmbajnë përgjime, duke pretenduar se nuk u janë dhënë materialet origjinale për t’i dëgjuar, por vetëm procesverbalet e zbardhura të tyre.

Kjo bie ndesh – theksoi Ndreca, me vendimin që gjykata mori para se çështja të ndahej, që Veliaj të njihej me të gjitha aktet. 

“Nuk është zbatuar ky vendim dhe kërkojmë të merren masa. As unë as i pandehur nuk kemi akses në provat, akoma nuk kemi kopje. Kjo kohë deri seancën tjetër të përdoret për të na vënë në dispozicion provat digjitale”, tha Ndreca.

Në përgjigje, prokurori Ols Dado tha se provat dixhitale do të shihen gjatë gjykimit, ndërsa për aktet hetimore, pretendoi se janë dorëzuar vetëm ato që lidhen me kryebashkiakun.

“Gjykata e themelit ka marrë vendim për dorëzim aktesh fizikisht dhe janë dorëzuar, akte të cilat i përkasin të pandehurit në fjalë. Aktet e tjera janë pjesë e procedimit. por nuk i përkasin të pandehurit”, u shpreh Dado.

Për kërkesat e avokatit të Veliajt për t’i vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat dixhitale, gjykata tha se do të bëjë verifikimet dhe do te shprehet ne seancën e radhës më 10 qershor.

Por deri atëherë, Gjykata e Posaçme vendosi të pezullojë afatet e paraburgimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, edhe pse ai e kishte mbrojtësin ligjor në sallë, dhe shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatëve të katër të pandehurve të tjerë.

Të pandehurit me proces normal
Ajola Xoxa