Sulmet ndaj SPAK në Kuvend/ Braçe: Si mafia e Cosa Nostras! Spiropali: Meta 'kafshoi' Dumanin nga ekrani! Bardhi: E bën dhe Rama

TIRANË- Sulmet e Ilir Metës ndaj institucioneve të drejtësisë, e veçanërisht kreut të SPAK, Altin Dumanit morën vëmendjen më të madje të Kuvendit ndërkohë debat pati dhe lidhur me pr/ligjin për prefektin.  Ministri Taulant Balla tha se ndryshimet synojnë të kthejnë rolin e prefektit më funksional, ndërsa opozita e quajti mekanizëm për të kontrolluar edhe pushtetin vendor.

Në reagimin e parë të qeverisë, për sulmet që pas Sali Berishës i nisi edhe kreu i Partisë së Lirisë, ministrja Elisa Spiropali tha se përmes një gjuhe të dalë nga binarët, dy drejtuesit e opozitës po 'kafshojnë' SPAK-un.

"Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK dhe tjetri në majën e dëlirit të madhështisë ku kafshon SPAK dhe kreun e SPAK nëpër ekrane e ku t’i dalë para", tha Spiropali. 

Sulmet ndaj kreut të SPAK, Erion Braçe i krahasoi me sulmet e mafias së Cosa Nostras, duke thënë se pushteti politik po përdoret për të linçuar prokurorët.

"Deligjitimimi përmes shpifjes lindi te mafia, Cosa Nostra. Po ndodh dhe në Shqipëri. Nuk mund ta tolerojmë që politikanët t’i japin vetes pushtet mbi Kushtetutën duke sulmuar institucione të tjera", tha Braçe. 

Spiropali u kërkoi deputetëve të Rithemelimit që t'i japin përgjigje akuzave dhe sulmeve nga 'dy balllarët' e opozitës, Ilir Meta dhe Sali Berisha, ndaj Altin Dumanit.

"A keni ju një opinion për këto, meqë keni opinione për gjithçka, bëni prokurorin e gjyqtarin. Gjuhën e dalë nga binarët e mendjes së dy baballarëve në majë të thanës ju as nuk e përmendi, të dy presidentë të kësaj republike, dy kryeministra, të dy bela të këtij populli", vijoi Spiropali. 

Replikën ia dha Gazment Bardhi, i cili përqëndrua tek futja në rendin e ditës të mocionin me debat në lidhje me prodhimin e lëndëve narkotike në Shqipëri, pa thënë asgjë lidhur me sulmet e Metës kundër SPAK. Bardhi tha se Rama është ai që ka dy standarde ndaj drejtësisë së re, ndërsa u ndal edhe tek mos dërgimi në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës.

“Babai jot i gjithë drejtimeve, Edi Rama ka ekzaktësisht të njëjtin qëndrim që kur goditen kundërshtarët, lavdëron SPAK e kur i cenohen oligarkët, e sulmon", tha Bardhi. 

Kryetari i PD-se, Lulzim Basha nga ana e tij akuzoi Kuvendin se kanë kthyer konferencën e kryetarëve ‘në bunker’ dhe në ‘pazar’ me Rithemelimin po bllokojnë iniciativat e Partisë Demokratike.

“Ku e ke interpelancën me Ramën për Arben Ahmetaj, dhe marrëveshjen me emigrantët. Ka 4 muaj që mbani në sirtar amendamentin prë Kosovën” tha Basha.

Prej disa ditësh Ilir Meta ka ashpërsuar gjuhën ndaj Altin Dumanit dhe SPAK që po heton disa dosje të ish Presidentit. Më herët SPAK-un organizatë kriminale e ka quajtur edhe Sali Berisha, që nuk i ka ndaluar akuzat as nga arresti në shtëpi.

Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në interpelancën e thirrur nga deputeti Nasip Naço se do të ketë ndryshime ligjore për mënyrën e investimeve në strukturat e Forcave të Armatosura tha se Shqipëria ka vendosur si synim strategjik rijetëzimin e industrisë ushtarake dhe për këtë NATO ka bëtë një raport për vlerësimin e uzinave shqiptare.

Në fund të seancës u miratuan dy projektligje. Me 96 vota pro, asnjë kundër, u miratua Projektligj 'Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë'.

Po ashtu është miratuar me 71 vota pro dhe 27 kundër, Projektligj “ Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2016, “Për prefektin e qarkut”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:07
Deputeti i PS-së: Të bëjmë një ligj për të tredhur personat që abuzojnë me fëmijët

 

Florenc Spaho, deputet i Partisë Socialiste në seancën e sotme plenare ka propozuar që të hartohet një ligj për kastrimin, tredhjen, e personave që abuzojnë me fëmijët.

‘Si mjek, më vjen në mendje një gjë për këta persona, ne nuk bëjmë dot për shkak të Këshillit të Europës një ligj dënim me vdekje për ta ndyrësira që abuzojnë më fëmijët. Të bëjmë një ligj ta çojmë hakën tek i zoti siç bëhet për kafshët, t'i tredhim.’- tha Spaho, me profesion mjek

Çfarë është kastrimi kimik?

Kastrimi, termi i të cilit në shqip është tredhje, është praktika e heqjes, regjimit ose mpirjes së organeve mashkullore të një kafshe ose njeriu, me qëllim që ta bëjë të paaftë të kryejë marrëdhënie seksuale ose të krijojë pasardhës. Kastrimi kimik konsiston në përdorimin e medikamenteve të ndryshme për të zvogëluar dëshirën dhe aktivitetin seksual. Kastrimi kimik përgjithësisht realizohet në cikle, megjithëse efektet kanë prirjen të jenë të përhershme në trup. Në maj të vitit 2016, New York Times raportoi një numër të madh vendesh që përdorin pastrimin kimik ndaj abuzuesve seksualë.

Ora 20:13
Me 96 vota pro asnjë kundër, miratohet projektligji për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë! Kalon edhe ligji për ‘Prefektin’

 

Janë miratuar dy projektligje në seancën e sotme në Kuvend.

Është miratuar me 96 vota pro, asnjë kundër Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë.”

Po ashtu është miratuar me 71 vota pro dhe 27 kundër, Projektligj “ Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2016, “Për prefektin e qarkut”.

Ora 19:41
Manja prezanton pr/ligjin: Lehtësohet procedura e cerfikimit për përkthyesit zyrtarë

 

Gjatë prezantimit në Kuvend të pr/ligjit që i jep zgjidhje problematikës së mungesës së përkthyesit zyrtar për gjuhët e rralla Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, tha se ndryshimet do të kenë efekte pozitive dhe të shpejta në rregullimin e problemit. Sipas tij, në rastet kur ka mungesë të përkthyesve zyrtarë institucionet mund t’i drejtohen institucioneve diplomatike në vendin tonë.

“Objektivi i ndryshimeve ligjore është sigurimi i shërbimit të përkthimit zyrtar edhe për ato gjuhë për të cilat ky shërbim nuk mund të ofrohet për shkak se deri më tani nuk ka përkthyes zyrtar të certifikuar. Vlen të theksohet se projektligji parashikon një mekanizëm të ri në rastet kur mungojnë përkthyes zyrtarë, ku për nevoja të ushtrimit të kompetencave të ministrisë apo organeve që ligji u ka njohur të drejtën për përkthim zyrtar, ata të mund të kërkojnë ndihmën e misioneve diplomatike ose posteve konsullore, organizatave ndërkombëtare që ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë ose institucioneve të Bashkimit Evropian, ose autoriteteve të tjera të huaja”, u shpreh Manja.

“Përmes këtyre zgjidhjeve synohet që të garantohet e drejta kushtetuese për të komunikuar në gjuhën që kupton, e çdo personi që nuk di gjuhën shqipe, që gjatë hetimit të një çështjeje penale, si dhe gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore civile, penale ose administrative, sipas parashikimeve të legjislacionit procedural në fuqi ose gjatë shqyrtimit të çështjeve nga Gjykata Kushtetuese. Efekti i pritshëm i këtij parashikimi do të jetë ofrimi i shërbimit të përkthimit sa më shpejt të jetë e mundur përmes angazhimit të personave të tjerë që nuk janë përkthyes zyrtarë, mbi bazën e marrëveshjes.

Gjithashtu, me qëllim lehtësimin e procedurave dhe kostove të personave që do të ushtrojnë profesionin, është parashikuar ndërhyrja në dispozitat mbi pajisjen me vulë dhe kartë identifikimi të përkthyesve dhe interpretëve. Në këtë mënyrë këto subjekteve do të kryejnë vetë të gjitha veprimet për t’u pajisur sa më parë me vulën dhe kartën e identifikimit, pa pasur nevojë që të shpenzojnë kohë dhe mjete financiare për t’iu drejtuar Ministrisë së Drejtësisë”, theksoi Manja.

Ora 19:35
Kuvend/ Spiropali i përgjigjet Gjekmarkajt me fjalët e At Zef Pllumit

 

Ministrja Elisa Spiropali ka replikuar në Kuvend me deputetin Agron Gjekmarkaj.

Spiropali i është përgjigjur Gjekmarkajt me fjalët e At Zef Pllumit duke i thënë se "me fundin e mbramë të jetës nuk ka të drejtë me u tall kurrkush!"

"Udhëheqësi juaj, nga halli, e ka të drejtën për t'u tallur me fundin e mbramë të jetës së tij."- tha ajo.

Më tej ministrja u shpreh se Shkodra do dalë në dritën e një zhvillimi të ri turistik, ekonomik, historik dhe do të jetë një qendër për rajonin.

Replika:

At Zef Pllumi thoshte se me fundin e mbramë të jetës nuk ka të drejtë me u tall kurrkush!

Udhëheqësi juaj, nga halli, e ka të drejtën për t'u tallur me fundin e mbramë të jetës së tij. Por ju lutem ju, në këtë foltore dhe kudo tjetër, mos u tallni me fundin e mbramë të jetës së tij. 

Sa për Shkodrën të falënderoj shumë për të gjitha ato që rendite. Fakti që na ndjek këmbë pas këmbe për çdo vepër është mjaft inkurajuese. Të gjitha mrekullitë e Shkodrës që përmendët këtu do dalë në dritën e një zhvillimi të ri turistik, ekonomik, historik, për ta bërë Shkodrën qendrën e rajonit. 

Ora 17:05
Ambasadori i BE-së, Gonzato shkon në Kuvend

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato ka shkuar në parlament. Nuk dihet arsye e prezencës së tij, ndërkohë që ditët e fundit veç Sali Berishës edhe Ilir Meta ka sulmuar SPAK e kryeprokurorin Dumani. Këto veprime janë dënuar nga SHBA dhe BE.

Ora 15:18
Gjylameti denoncon Bashën në parlament: Nxiti të tjerët të votojnë kundër dje në asamble për daljen nga monitorimi

 

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, ka denoncuar në Kuvend Lulzim Bashën, për të cilin tha se ka nxitur dje të tjerët që të votojnë kundër për daljen nga monitorimi nga KiE.

‘Ajo çfarë është shkruar në raportin e komitetit të monitorimit dhe u votua me unanimitet në asamble, ka qenë edhe meritë e opozitës. Por nuk mund të lë pa i kthyer përgjigje një kolegu, që çfarë bën nuk e thotë e çfarë thotë nuk e bën, për ish ministrin e jashtëm, i cili këtu në Shqipëri reporterit i thotë pro daljes nga monitorimi, ky dashnor i procedurave nuk shfrytëzon për të argumentuar kundër nëse kishte, as me gojë as me shkrim as me prezencë fizike dhe nuk mori pjesë, shkon dhe lobon në grupin e djathtëve që të kundërshtojnë daljen nga monitorimi, këto thikat pas shpine qe i ka ngulur Shqipërisë e bëjnë fiks djalin e babait, ligësia që e karakterizon.

Pavarësisht asaj që bëri Basha, asnjë nuk e dëgjoi, të gjithë votuan pro. Nuk e falënderoj dot zotin Basha, bëri edhe një herë atë që bën gjithmonë, nuk e di çfarë kapitali politik mund të fitojë, por kjo ishte arritje e të gjithëve, falënderoj të gjithë veç atij.’- tha Gjylameti.

Ora 13:18
Sulmet e Metës ndaj SPAK, Braçe: Po delegjitimohen prokurorët siç bënte mafia e Cosa Nostrës, linçimi ka tronditur opinionin publik

 

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ndaj sulmeve që po bëhen ndaj SPAK dhe Altin Dumani kohët e fundit nga Ilir Meta. Braçe dënoi sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë, duke thënë se politikanët nuk duhet ta përdorin pushtetin si mjet për të linçuar prokurorët dhe gjyqatrët.

Balla tha se delegjitimimi i prokurorëve që ka lindur te mafia e Cosa Nostrës po ndodh edhe në vendin tonë.

“Ka që nga shtator që ka tension shumë të madh mes politikës dhe drejtësisë. Madje ndaj drejtësisë së re. Se kuptoj tensionin. Reforma e drejtësisë kishte këtë qëllim, politikanët në rolin e tyre dhe organet e drejtësisë në rolin e tyre kushtetues. Prokurorët ngrenë akuza, politikanët nuk kanë asgjë më tepër se qytetarët në këtë asket. Ky pushteti nuk mund të përdoret kundër institucioneve të drejtësisë. Pse ka kaq mllef? Pse duhet shkuar në linçimin, siç gjatë ditëve te fundit linçimi ka ikur në eterr. Ka vajtur aq larg sa ka shkaktuar tronditje të thellë në opinion publik.

Pse duhet që politika të përdorë pushtetin e saj për të linçuar prokurorë dhe gjyqtarë. Pse u dashka që ne deputetët të mos bindemi kundrejt kushtetutës, por të synojmë deligjitimimin e prokurorëve. Deligjitimimi përmes shpifjes lindi te mafia, Cosa Nostra. Nga Cosa Nostra dhe pastaj vajti te politika e mafies, pastaj në shtete malinje. Po ndodh këtu, po ndodh dhe në Shqipëri. Nuk mund ta tolerojmë që politikanët t’i japin vetes pushtet mbi Kushtetutën duke sulmuar institucione të tjera. Gjej në këtë sallë njerëz që e kanë mbështetur reformën në drejtësi, një pjesë nuk janë fare këtu, janë përzënë nga partia. E gjitha ca po ndodh demonstron se s’kemi qenë bashkë në qëllime për këtë reformë. Jo vetëm që s’kemi qenë bashkë, po urrejtja kundrejt atyre institucioneve të drejtësisë së re është në kulm. Duhet të bëjmë një hap pas të gjithë bashkë dhe të pranojmë rolin tonë, s’kemi asgjë më shumë se qytetarët e në raport me kushtetutën, secili duhet të jetë i barabartë para ligjit”, tha Braçe.

Ora 13:10
Pr/ligji për prefektin në Kuvend/ Balla: Pylli i Pishë Poro u dogj për të ndërtuar park fotovoltaik! Së shpejti ligj i ri për mbrojtjen ndaj zjarrit

TIRANE- Ministri i Brendshëm Taulant Balla mbrojti sot në Kuvend pr/ligjin për “Për prefektin e qarkut”

Pr/ligji rregulon dhe rolin që ka prefekti në marrëdhëniet me ministrin e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe Agjencinë Kombëtare Civile dhe prandaj kërkon votën e opozitës.

“Nuk po shpikim rrotën, por mo marrim modelet që kemi parë tek ligji për prefektin në Francë, Itali e Rumani, vende që kanë konceptin e prefektit. E rëndësishme është që prefekti të kthehet në koordinator dhe historia e kryebashkiakut që merr në telefon hajde se ka rënë zjarr në filan fshat”

Balla bëri të qartë dhe se po punohet për një pr/ligj të ri që i takon mbrojtjes ndaj zjarrit.

“Po përgatisim një ligj të ri sa i takon mbrojtjes ndaj zjarrit dhe shpëtimit. Ku brenda në qeveri po kërkoj më shumë mbështetje sa i takon njësive të qeverisjes vendore për infrastrukturën e mbrojtjes së zjarrit” tha Balla.

Ministri I Brendshëm u ndal dhe tek zjarri që dogji hektarë të tërë me pisha në pyllin e Pishë Poros, tetorin e kaluar. Pylli ishte pjesë e zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë ku hodhi dyshime se flaka u vendos nga pronarët e tokave për të ndërtuar parqe fotovoltaike

“Edhe për zjarrin e Pishë Poro kemi pasur disa prej arrestimeve. Edhe dyshimet e mija që i kam bërë publike në vendngjarje është për pronar tokash në atë zonë që i gënjen mëndje që duke i vënë zjarrin zonës së mbrojtur do të kenë shpresë të marrin ndonjë leje për fotovoltaik.

Balla kërkon që institucionet e drejtësisë të ashpërsojnë dënimet për zjarrvënësit

“Në burg të shkojë kushdo që i vën flakën. Dhe thirrja ime është që kur të vijnë këtu institucionet e drejtësisë, KLP, KLGJ, vendosni në rekomandime që bën kuvendi që për zjarrvënien të jepet dënim maksimal e ta kalojmë me konsensus të gjithë bashkë. Se larg qoftë të gjendemi para situatës ku u gjendën komshinjtë tanë grekë. Prandaj dua që të japin prefektit këtë. Dua dhe mbështetjen tuaj që sapo të vijmë për ligjin për mbrojtjen kundër zjarrit të kem propozimet dhe mbështetjen tuaj”.

Pr/ligji i prefektit parashikon dhe krijimin e këshillave vendor të sigurisë publike dhe këshill kombëtar, dhe Balla i bëri ftesë të bashkëpunojnë opozitës.

“Rregullat e funksionimit të këshillit vendor të sigurisë publike apo këshillit kombëtar për sigurinë në komunitet ulemi. Ju garantoj që dhe aktet nënligjore do vijnë tju konsultojmë me ju”

Ora 12:47
'Çojnë dëm 1 orë e 5 minuta dhe pastaj qeshin me njëri-tjetrin', Braçe për opozitën: S'kanë pse luajnë me nervat e kujtdo

 

Deputeti Erion Braçe kërkoi në seancën plenare që të mos harxhohet koha me debate të kota nga opozita duke dalë jashtë rendit të ditës dhe duke mos i lënë mundësinë deputetëve që janë në listë për të folur për rendin e ditës të mos kenë mundësi të shprehen 

'Kemi vetëm 35 minuta që kemi hyrë në punë, që kemi filluar seancën ligjërisht. Të gjithë ata që na morën 1 orë e 5 minuta kohë të kësaj seance nuk janë në sallë, me përjashtim të drejtuesit të tyre dhe zotit Sula që gjithmonë janë prezentë në punë. Që do të thotë se çdo gjë që ndodh në këtë sallë prej javësh...po edhe zoti Dogjani që është në sallë.

Çdo gjë që ndodh në sallë prej javësh, çdo të enjte e që i merr kohën apo i çon kohën dëm, kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe i shkatërron nervat gjithë atyre që kanë marrë mundimin të ndjekin parlamentin, natyrisht që është një gjë e kotë dhe që normalisht duhet të ndërpritet.

Unë e kuptoj se sa mbaron ai cikli i 1 orë e 5 minuta këtu fillojnë e qeshin me njëri-tjetrin, argëtohen, bëmë edhe këtë, bëmë edhe këtë. Por asnjëra prej tyre nuk është punë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Ne vijmë këtu në bazë të një rendi dite, regjistrojmë emrat për të folur dhe normalisht ora e parë është ora e fundit e punës së Kuvendit. Gjithë ata që duan të marrin fjalën le të zhvendosen në fund të seancës plenare dhe të plotësojnë atë pikë të rendit të ditës.

Por s’kanë pse luajnë me nervat e kujtdo tjetër, përfshirë edhe këtyre që marrin mundimin për ta ndjekur Kuvendin. S’kanë pse i mohojnë të drejtën e fjalës të gjithë atyre që janë regjistruar sipas rregullores dhe sipas ligjit për të marrë fjalën për ato që janë themelore dhe që janë në rendin e ditës. Kaq po kërkoj', tha deputeti Braçe. 

Ora 11:03
Bardhi i përgjigjet Spiropalit: Babai yt Edi Rama e lavdëron SPAK kur godet opozitën, por e sulmon kur i cenon interesat e oligarkëve

 

Gazment Bardhi i është përgjigjur ministres Elisa Spiropali, e cila pyeti opozitën se çfarë mendimi ka për SPAK, nisur nga sulmet e Metës ndaj Altin Dumanit. Bardhi tha se mazhoranca vepron me dy standarde, sulmon SPAK ku i cenon interesat e oligarkëve dhe e lavdëron vetëm kur sulmon opozitën.

“Babai jot i gjithë drejtimeve, Edi Rama ka ekzaktësisht të njëjtin qëndrim që kur goditen kundërshtarët, lavdëron SPAK e kur i cenohen oligarkët, e sulmon. Delir madhështie ka vetëm babai jot, e dëgjove si i tha, më marrin liderët botërorë e më marrin në telefon për të zgjidhur hallet e botës. Kur goditet opozita nga SPAK thërret fitore, kur goditen interesat e tij iu kërkon llogari, për portin e Limionit. Bëhet zëdhënësi i oligarkëve. Ne nuk kemi asnjë hall, hall jeni ju. Nuk shëtisim çdo ditë siç shëtisni. Hyn Niko, del Ogerta, hyn njëri këtej del andej. Ora e drejtësisë për çdo gjë që i keni bërë vendin këto vite, do ngjitet tek ministrat, ish ministrat. Ka vetëm një hall për ato që i ka bërë këto 11 vite Shqipërisë. Sa për mbështetjen për drejtësinë, për interesat personale të një ish ministrit të Edi Ramës grisët dhe hodhët në kosh një vendim të GJK.

Ora 10:57
Majko-Bardhit: Shqipëria ka dalë nga monitorimi i KiE, i bie të ketë tradhtuar Basha

Deputeti Pandeli Majko solli në vëmendje në parlament daljen e Shqipërisë nga vendet e monitoruara nga KiE, teksa iu drejtua Gazment Bardhit, duke përmendur edhe rolin e Lulzim Bashës si raportues në KiE.

'Në këtë atmosferë korrupsioni droge, trafiku, KiE mori një vendim ose kolegët kanë punuar më shumë sesa duhet, ose zoti Basha ka tradhtuar më shumë sesa duhet', tha Majko.

Nga ana tjetër, Basha u përgjigj nga foltorja duke treguar se shqetësimi në Europë është dyfishuar për Shqipërinë

'Zoti Majko në fakt mos u gëzoni para kohe. Me të vërtetë e hartuar nga një dyshe, rekomandoi këtë duke e mbajtur si një çështje rutinore. Shqetësimet për Shqipërinë janë dyfishuar, në Bernë për pastrim parash. Janë dyfishuar në Komisionin e Venezias. Mos kujtoni se ekspertët e KiE nuk i lexojnë raportet e DASH, ekspertëve të Freedom House që tha se Shqipëria ka nevojë për dyfish monitorim. Që të meritosh ndarjen nga monitorimi nuk duhet të kapesh si i mbyturi pas fijes së kashtës. Shqetësimi në KiE është dyfish më i madh se vitin e kaluar. Është meritë e kryeministrit tënd, qeverisë tënd. Do t’ja dëgjoni krismën', u shpreh Basha.

Ora 10:48
Basha: Mjegulla e revolucionit 'Rahmet Pastë' bllokoi dhjetëra iniciativa nga Partia Demokratike

Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit kërkoi të hyjë në seancë plenare debati për amendamentin në buxhet për ndihmën ndaj Kosovës që prej muajsh mbahet në sirtar sipas tij

Basha: Qytetarët e dinë se ju prej 6 muajsh në mjegullën e ish revolucion rahmet pastë keni bllokuar dhjetëra iniciativa nga opozita. Ku e keni interpelancën e kërkuar nga PD për kampet e refugjatëve. Ku e keni interpelancën e kërkuar për Arben Ahmetaj. Ka 4 muaj që mbani në sirtar amendamentin për Kosovën. Ka nevojë të votohet amendamenti. E keni kthyer në bunker konferencën e kryetarëve. Pres përgjigje. Çfarë keni bërë me vettingun e politikanëve.

Felaj: Do flisni për seancën e sotme

Basha: Skam mbaruar. S’kam mbaruar. Ku e keni projekt vendimin për heqjen e imunitetit të deputetëve. Ku i keni këto akte. Dy interpelanca me kryeminstrin. Amendamenti 50 milionë euro për buxhetin e Kosovës. Projekt vendimi për heqjen e imunitetit të parlamentarëve. Pres përgjigje, pse nuk vijnë në seancë.

 

Ora 10:46
Spiropali opozitës: Dy ‘baballarët’ tuaj bërtasin kundër SPAK-ut, hani thana në pemët e tyre dhe t’i vilni votat e popullit! Meta doli nga binarët e ‘kafshon’ Dumanin në ekrane

 

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar ndaj sulmeve që ka bërë Ilir Meta ndaj SPAK dhe Altin Dumanit. Spiropiali i kërkoi opozitës që të dalë e të thonë para Kuvendit se çfarë mendimi kanë për SPAK, është organizatë kriminale siç e quajnë dy baballarët e tyre (Meta e Berisha) apo institucion i drejtësisë.

“Ju që keni opinion për gjithçka dhe gjithëkënd, a keni ju një opinion për dy baballarët në majë të thanës ku jeni ngjitur të tërë. Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK dhe tjetri në majën e dëlirit të madhështisë ku kafshon SPAK dhe kreun e SPAK nëpër ekrane e ku t’i dalë para. A keni ju një opinion për këto, meqë keni opinione për gjithçka, bëni prokurorin e gjyqtarin. Gjuhën e dalë nga binarët e mendjes së dy baballarëve në majë të thanës ju as nuk e përmendi, të dy presidentë të kësaj republike, dy kryeministra, të dy bela të këtij populli. Ju nuk mund as të shpreheni dhe vini këtu e doni të bëni sherr e rrëmujë dhe të na thoni njëherë e mire ca opinioni keni për ulërimat e tyre. Nuk janë dy kokë dele, por janë dy baballarët e opozitë suaj në emër të cilëve vini këtu e na drejtoni gishtin për drejtësinë, ju që jeni të zhytur kokë e këmbe, vetëm dy gishta jashtë. Ju mendoni se mund të hani thana në pemët e tyre dhe vilni votat në koshin e popullit. Duke i mbajtur të dy ata mbi supe siç mbanin shërbëtorët njëherë e një kohë mbretërit në ato karroca, vini këtu të mbani peng këtë kuvend me hallin e madh që ka gjet ata dy. Çohuni thoni qartë ca është SPAK organizatë kriminale, apo pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë që po luftojnë pandëshkueshmërinë. Përgjigjja mos të jetë si hera e kaluar se kur SPAK godet Ramën është institucionet e drejtësisë e kur godet baballarët tuaj është organizatë kriminale”, tha Spiropali.

Ora 10:31
'Dilni hapur avokatë të Olsi Ramës', Bardhi insiston për mocion me debat për drogën në Xibrakë, Çuçi: Është hetuar e gjykuar nga drejtësia

Në fjalën e tij në nisje të seancës plenare, Gazment Bardhi kërkoi futjen në rendin e ditës mocionin me debat në lidhje me prodhimin e lëndëve narkotike në Shqipëri.

'Në shkelje të rregullores ju shkelët një çështje që është shqyrtuar në konferencën e kryetarëve. Nuk e keni sjellë në seancë plenare. Grupi parlamentar i PD, ka paraqitur kërkesë për mocion me debat sa i takon prodhimit shitjes së lëndëve narkotike në vend. Bazuar në shqetësimin si vend prodhues i lëndës narkotike, dhe vend tranzit. Lufta e qeverisë ka favorizuar grupe kriminale në tregtimin e narkotikëve. Keni marrë përsipër të bëni avokatinë e Olsi Ramës. Morët urdhër politik për ta bllokuar. Por keni detyrim të shpjegoni pse e bllokoni. Kemi detyrim për 10 minuta kohë të shpjegojmë pse duhet futur mocioni në seancë. Nuk mund të mbyllni kuvendin se pse nuk keni mbyllur dot procedimin penal për zotin Rama', tha Bardhi.

Nga ana tjetër iu përgjigj kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi se për këto çështje është ezauruar debati politik.

'Ne nuk pranuan as rendin e ditës për ta diskutuar këtë çështje se është ezuruar nga drejtësia dhe kuvendi. Po të lexosh kërkesën e bërë nga grupi i PD, duket qartë që referencat lidhen duke filluar nga grupi Habilaj që është hetuar, janë marrë vendime nga gjykatat, për të vijuar me Xibrakën që është hetuar gjykuar dhe mbi të gjitha edhe një debat politik është bërë në kuvend për këto çështje. Ka pasur edhe një komision hetimor që e ka ezuaruar debatin politik. S’ka arsye që të ketë mocion dhe debat për këto çështje', iu përgjigj Çuçi.

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Milwaukee shpëton veten në ndeshjen e 5-të! 76ers shmangin eliminimin nga play-off, Cleveland në epërsi ndaj Magic

NBA/ Milwaukee shpëton veten në ndeshjen e 5-të! 76ers shmangin eliminimin nga play-off, Cleveland në epërsi ndaj Magic