Këtë të premte, Partia Demokratike dhe opozita zbret në Bulevard për protestën e 8 kombëtare. Demokratët kanë menduar t’i rikthehen skenarit të marshimeve, për të shigjetuar disa institucione. Në bulevard përpara kryeministrisë do të mungojë podiumi i fjalimeve, të cilat do t’i lënë vendin aksionit.
Policia ka publikuar planin e masave për kufizimin e qarkullimit në disa rrugë, me të cilat lidhet bulevardi.
Pas protestës së fundit, ku strategjia e tij kapi në befasi militantët e PD, Drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita i bëri thirrje PD-së një ditë më parë, që protestën ta zhvillojë vetëm në Bulevard, duke paralajmëruar se nëse tejkalohet kjo zonë për të cilën është marrë leje, dhe nëse shigjetohen institucionet, policia do të veprojë.
“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që protesta të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të jetë e përqendruar. Në rast të veprimeve joligjore nga ana e protestuesve do të veprohet në bazë të procedurave standarde dhe në bazë të ligjit dhe Kodit Penal”, deklaroi ai.
Por kjo deklaratë e Hitës, u pa nga opozita si provokim.
"Opozita e konsideron provokim të hapur këtë deklaratë të kreut të krerëve të shitur te narkobandat dhe e refuzon si antiligjor. Ne e dimë se ushtari i Belës, që ka si koordinator me bandat, Oltion Bistrin e sapoliruar nga burgu, e bën këtë që të provokojë dhe të përligjë dhunën policore në protestë. Të vetmen kërkesë që kemi për Hitën është që të mos fusë në radhët e protestuesve kalecët e tij me qëllim provokimin e qytetarëve", tha Balliu.
Ndërsa nga selia blu, kryedemokrati Sali Berisha tha se një nga arsyet që thërret qytetarët sot në protestë, është raporti i miratuar pak ditë më parë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
Nisur nga aktet e dhunës në protestat e shkuara, ku nuk u kursyen as efektivët e policisë dhe as hedhja e motolovëve pa kriter, edhe ambasada e SHBA i ka bërë thirrje amerikanëve që ndodhen në vendin tonë të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonën e protestës.
Foto: Njoftimi i ambasadës amerikane
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë në lidhje me protestën e PD që do të mbahet pasditen e kësaj të premteje.
Ambasada thekson se protesta mund të zgjerohet edhe në zona të tjera përreth, ndërsa paralajmërohen masa të shtuara policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit në orët para dhe gjatë tubimit.
Në njoftim bëhet e ditur se personeli i ambasadës është udhëzuar të shmangë zonën e protestës. Po ashtu, qytetarëve amerikanë u kërkohet të mos marrin pjesë në aktivitet dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në kryeqytet.
Ambasada këshillon qytetarët të shmangin zonat ku zhvillohen protestat, të jenë të vetëdijshëm për ambientin përreth, të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar, të kenë një plan emergjence ose rrugë alternative largimi, si dhe të mbajnë profil të ulët gjatë lëvizjeve në publik.
“Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Komente







