Zgjedhjet e 30 Qershorit/ 771.863 vota për 61 kryebashkiakët, pjesemarrja 21.6%

Zgjedhjet e 30 Qershorit/ 771.863 vota  për 61 kryebashkiakët, pjesemarrja 21.6%

Qendër votimi në Kamëz, procesi i votimit

Sot në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet vendore ku u votua për 61 kryetarët e rinj të bashkive. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton zyrtarisht se në të gjithë vendin kanë votuar 771.863 shqiptarë ose 21.6%. PD, LSI, PDIU dhe 5parti opozitare te tjera e kanë bojkotuar këtë garë elektorale. Duke llogaritur që shumica e këtyre votave është për kandidatët e PS-së, rezultati i zgjedhjeve konfirmon për Partinë Socialiste suksesin e arritur në 2017 si numër votash dhe një rritje më shumë se 50 % të votave të marra nga Partia Socialiste në këshillin bashkiak të 2015. Pjesëmarrja prej 21.6 %  në rrang kombëtar e ditës sotme korrespondon me pjesëmarrjen e regjistruar në zgjedhjet e 2017 që në rrang Kombëtar ka qenë 46.8%, por duke përfshirë edhe zgjedhësit e opozitës së bashkuar që sot bojkotuan qendrat e votimit.

Opozita kundërshton pjesëmarrjen e ditës së sotme të njoftuar nga KQZ edhe për të zhvleftësuar suksesin politik të arritur nga shumica socialiste dhe për të justifikuar dështimin e bojkotit masiv që vetë opozita e kishte kërkuar. Të dhënat e pjesëmarrjes në fakt tregojnë që peshorja politike mes shumicës dhe opozitës nuk ka ndryshuar dhe Partia Socialiste mbetet forca e parë politike në vend.

Veç disa incidenteve të vogla në gati të gjitha qendrat e votimit në të gjithë vendin procesi vijoi me qetësi. Përveç 1 qendre votimi në Bashkinë e Shkodrës (në Prekall), në të gjitha qendrat e tjera të vendit u votua. Kutitë u transportuan drejt KZAZ-ve, ku po vijon procesi i numërimit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:57
Zyrtare, ja sa shqiptarë kanë votuar sot për zgjedhjet lokale

KQZ informon se janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit dhe në të gjithë vendin sot votuan  771863 persona ose 21.6% e shqiptarëve.  Pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në Lezhë, ku në votime morën pjesë vetëm 8.93% e qytetarëve. Sa i përket bashkisë me pjesëmarrjen më të lartë në votime, rezulton së në Pustec kanë votuar 55% e qytetarëve. Në bashkinë e Tiranës pjesëmarrja ka qenë në 25.86%.



Shifrat zyrtare Ora 19:00

 

 

 

Ora 20:45
Mbyllja e votimit në Shkodër/ Frikë nga militantët e PD-së, FNSH në gatishmëri pranë shkollës Arben Broci

Pas incidenteve të një pasnjëshme të shënuara gjatë procedurave të shpërndarjes se materialeve zgjedhore në Shkodër, në këtë qytet ka patur një prezencë të shtuar të forcave të policisë.


Gjithashtu edhe gjatë ditës së sotme ku qytetarët e Shkodrës kanë votuar në qendrat e votimit u  vendosën efektivë të shumtë policie. Ndërkohë pas procesit të votimit kutitë janë mbledhur dhe janë transportuar drejt shkollës Arben Broci ku në të janë vendosur KZAZ nr.2, nr.3, nr.4, nr.5.

Kujtojmë se disa prej këtyre KZAZ u vendosën në këtë shkollë pas sulmeve me molotov të militantëve të Partisë Demokratike si dhe bllokimit të ambienteve me urdhër të kryetares së bashkisë Shkodrë, Voltana Ademi.

 

Ora 20:34
Në Fier radhë të gjata për dorëzimin e kutive në KZAZ, numërimi nis në orën 22:00



Në qytetin e Fierit procesi i votimit është mbyllur pa incidente. Ndërkohë në KZAZ nr.27 janë krijuar radhë të gjata për shkak të grumbullimit të kutive.

Ndërkohë nisja e numërimit të votimit do të nisi në orën 22:00.

Ora 20:25
Dërgohen kutitë në KZAZ Fier, në orën 22:00 nis numërimi i votave


Në Fier, gazetari i Report Tv, Kristaq Thano raporton se po vijon dërgimi i kutive të votimit ndërsa në orën 22:00 do të nisë procesi i numërimit.

Ora 20:25
Zbulohen shifrat, ja sa kanë votuar në Berat, Poliçan dhe Kuçovë, pritet numërimi


Pas mbylljes së votimeve dhe dërgimit të kutive në KZAZ-të përkatëse pritet që të nisë edhe numërimi. Por sa janë shifrat e votimit në këtë qark? Në Berat nga 79.700 persona kanë votuar 9980 votues ose 15%, në Poliçan, që është KZAZ-ja nr. 65, nga 13394 kanë votuar 5000 ose rreth 30%. Ndërsa në Kuçovë, që është KZAZ-ja nr. 63. nga 44 mijë votues kanë votuar 28 mijë. Në Urën Vajgurore, KZAZ-ja 62, votues 30 mijë, kanë votuar 7.940 ose 30%.

Ora 20:21
Dërgohet kutitë edhe në KZAZ-në e Pogradecit për numërim

Edhe në Pogradec po dërgohen kutitë në KZAZ pas mbylljes së votimeve në qendrat e votimit.

Ora 20:11
Dërgohen kutitë në KZAZ-në e Gjirokastër, gati për numërimin e fletëve të votimit

Edhe në bashkinë e Gjirokastrës, nga qendrat e votimit, kutitë janë dërguar në KZAZ në pritje të nisjes së numërimit.

Ora 20:09
U mbyll votimi, kutitë dërgohen në dy KZAZ-të në Lushnje për numërim

Pas përfundimit të procesit të votimit në Lushnje ka nisur transportimi i kutive nga qendrat e votimit në KZAZ-të 54 dhe 55, ku janë dërguar deri tani 161 kuti.

Ora 19:42
Mbyllet votimi në Kamëz, kutitë grumbullohen në KZAZ

Në qytetin e Kamzës votimi është mbyllur në orën 19:00. Edhe pse në këtë qytet pritej të kishte incidente, nuk janë shënuar ngjarje madhore. I vetmi incident i shënuar ishte arrestimi i një personi i cili në gjendje të dehur ka tentuar që të thyje materialet zgjedhore.

Ora 19:34
Mbyllet votimi në Krujë, kutitë shpërndahen në KZAZ


Është mbyllur procesi i votimit edhe në qytetin e Krujës. Tashëm kutitë e votimit do të dorëzohen në KZAZ e këtij qyteti. Në këtë qytet nuk janë shënuar tensione. Theksojmë se për bashkinë e Krujës kandidon i vetëm Artur Bushi kandidati i Partise Socialiste.

Ora 19:32
Mbyllet pa incidente votimi në Elbasan

Në qytetin e Elbasanit është mbyllur në orarin e duhur 19:00 procesi i votimit. Në këtë qytet përgjatë kohës kur qytetarët kanë votuar nuk janë shënuar incidente.

Ora 19:32
Mbyllet votimi në Fier, Lushnje, dhe Korçë/ Dërgohen kutitë në KZAZ

Në orën 19:00 është mbyllur procesi i numërimit edhe në qytetin e Fierit, Korçës dhe Lushnjes. Procesi i votimit është mbyllur pa incidente, e ndërsa janë dërguar kutitë e para në KZAZ, ku dhe pritet të nisë numërimi i votave.

Ora 19:29
Vlorë/ Nis dërgimi i kutive në KZAZ-të, pritet të fillojë procesi i numërimit

Është mbyllur procesi i votimit në qytetin e Vlorës. Siç raporton gazetari Armand Xhelili, kutitë e votimit janë nisur drejt KZAZ-vë, ku pritet të nisë procesi i numërimit të votave.

Ora 19:27
Zgjedhjet/Rezultatet e pjesëmarrjes, zbulohet ku votuan më shumë të burgosurit


Drejtoria e Burgjeve raporton se gjatë votimeve në ambientet e vuajtjes së dënimit nuk është shënuar asnjë incident.
Pjesëmarrja në votime në Burgje;
J. Misja 34%
M.Peza 61%
A.Demi 79%
Kukes 100%
Tropoje 42%
Elbasan 29%
Berat 42%
Shkoder 39%
Burrel 34%
Lezhe 17%
Fushe Kruje 66%
Korce 15%
Vlore 22%
Durres 61%
Rrogozhine 92%
Lushnje 95%
Fier 39%
Tepelene 40%
Sarande 93%
Peqini nuk ka te regjistruar
Rrogozhina, Lushnja, Kukes, Tropoje, Fushe Kruje, Berat kane perfunduar
Totali i votuesve 799 ose 37%
Total te rregjistruar 2154
Te perjashtuar nga ligji 138/2015: 2201

Ora 19:23
Shifrat/ Ja sa shqiptarë kanë votuar në zgjedhje deri në orën 18:00

1561915464_1561877134votime.jpg
Deri në orën 18:00 sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pra 60 minuta para orarit zyrtar të mbylljes së qendrave të votimit kanë votuar 671255 shqiptarë, ose 19.4%.

Ora 19:16
Kreu i KQZ i prerë: Orari i votimit nuk shtyhet!

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri ka dalë në një deklaratë  për mediat ku ka reaguar në lidhje me shtyrjen e orarit të votimit.

Sipas Zgurit ai ka marrë vesh nga mediat se është bërë një kërkesë për të shtyrë me 30 minuta procesin e votimit dhe kjo ka qenë pikërisht arsyeja  përse ai thirri edhe mediat.

Zguri ka deklaruar se orari i procesit nuk do të shtyhet dhe do të mbyllet në orën 19:00. Ai ka thënë sipas kodit Zgjedhor është që orari zgjedhor të hapet në orën 7:00 dhe të mbyllet në orën 19:00.

"Ajo që dua të sqaroj dhe shkak mori një informacion mediatik bëhet fjalë që persona që kërkojnë shtyrje të procesit të votimit. Është në kundërshtim me ligjin, në rastin konkret dua të citoj Kodin. Saranda, në rastin konkret. Orari fillon në 7 dhe përfundon në 19:00. Vetëm ku ka zgjedhës në radhë komisioni merr kartat e identifikimit të atyre që nuk kanë votuar  dhe me pas ata votojnë. Nuk ka të dhëna ende për votimet dhe %. Marr shkas për kërkesën për tu shtyrë në 30 minuta për votimin. Është kërkesë e ligjit. Tani që flasim nuk ka incidente. Është normë e kodit zgjedhor kur nis e kur mbyllet votimi.Orari nuk shtyhet dhe nuk ka mbledhje të KQZ. " ka thënë Klement Zguri.

Ora 19:07
Lezha mbyll qendrat e votimit në 19:00

Në orën 19:00 është mbyllur procesi i votimit edhe në Lezhë. Ai nisi rreth orës 07:00, ndërsa siç është raportuar ditën e sotme procesi në këtë qytet ka qenë pa asnjë incident.

Ora 19:05
Mbyllen votimet edhe në qarkun e Shkodrës, vetëm një qendër votimi mbeti e 'kyçur'

Në Shkodër u mbyllën të gjitha qendrat e votimit. Qarku me probleme të mëdha edhe para procesit zgjedhor, kaloi këtë ditë votimesh pa incidente, vetëm me akuza politike nga opozita joparlamentare. Votimet nuk u kryen vetëm në qendrën e votimit në Prekall, e cila u sulmua nga persona të paidentifikuar gjatë mbrëmjes së djeshme.

Ora 19:04
Mbyllen qendrat e votimit në Kukës, nuk shënohen incidente

Me shënimin e orës 19:00 u mbyllën edhe në Kukës qëndrat e votimit. Një proces që nuk shënoi incidente në këtë qark.

Ora 19:03
Mbyllet votimi edhe në Vorë

Me të kaluar ora 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit edhe në Bashkinë e Vorës. Kutitë më vonë do të kalojnë në KZAZ për tu numëruar.

Ora 19:02
Mbyllet votimi në Sarandë

Kur ora ka shënuar 19:00 është mbyllur procesi i votimit në Sarandë. 

Ora 18:43
Mbyllet qendra e votimit para orarit zyrtar, anëtari i KZAZ me kutitë në duar: Pritëm 5 orë nuk erdhi asnjë njeri!

Ende pa përfunduar orari zyrtar i votimeve, ora 19:00, qendra e votimit 2160 në Synej, mbylli dyert duke marrë kutitë me vete dhe duke i çuar në KZAZ-në numër 42 në Kavajë ku do të kryhet procesi i numërimit.

Në një prononcim për gazetaren e Report Tv, anëtari i qendrës së votimit, tha se kutitë i kanë sjellë me vullnetin e tyre pa asnjë urdhër, duke thënë se kishin 5 orë në qendër votimi që prisnin pa ardhur asnjë qytetar për të votuar. "Pritëm 5 orë, asnjë votues nuk erdhi. Atëherë çfarë do të bëja unë? Nuk ka njeri tjetër, janë të gjithë në Itali", tha ai për Report Tv.

Ndërkohë, gazetarja Doris Sallaku raporton se qendra e votimit me numër 2160 në fshatin Synej të Kavajës kishte vetëm 57 vota, nga 410 persona në lista, nga 100 familje. 

KZAZ ka marrë vendim të mos i pranojë kutitë pa shkuar orari zyrtar i mbylljes së votimit, duke i lënë ato jashtë ambiente të Qendrës së Numërimit. 

Kryetari i QV-së 2160, Bajram Bekshiu, nga lagjia Bukaq është personi që solli dy kutitë me 57 vota. Kutitë u shoqëruan me në efektiv të policisë i pajisur me armë kallashnikov.

Ora 17:31
Pjesëmarrja në % në çdo Bashki deri në orën 15:00, kryeson Pusteci

Ora 16:12
Dritan Leli për Report tv: Vlora është bastion i njerëzve të mençur (VIDEO)

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli i cili kandidon për një tjetër mandat e ka quajtur të kënaqshme ecurinë deri në këto momente. Ai tha se pjesëmarrja në disa zona ka ardhur me një trend pozitiv nga zgjedhjet e 2015 dhe 2017.

"Është një ecuri i kënaqshme deri më tani. Trendi është pozitiv me dy zgjedhjet e 2015 dhe 2017 dhe madje në disa zonë ka rritje. Temperatura në Vlorë sot është në rritje dhe njerëzit janë duke votuar. Dua të shfrytëzoj rastin që t'i bëj thirrje qytetarëve për të votuar për të ardhmen e qytetit. Është një atmosferë e qetë me ndonjë parregullsi të vogël . Ka qetësi në të gjitha qendrat e votimit. njerëzit janë duke votuar lirshëm. Zgjedhjet do jenë zgjedhje të një standardi të ruajtjes së rendit. Vlora është me një kandidate, është një gazetare që dua t'i uroj suksese. Unë them që Vlora është bastion i njerëzve të mençur që dinë të mbështesin ata që kanë bërë diçka për këtë qytet. Çdo punë e madhe që është bërë në këtë qytet ka konsoliduar të ardhmen e këtij qyteti. Unë premtimin e madh që kam për qytetarët është që të vazhdoj me të njëjtin ritëm, duke nisur nga Lungomarja, me një korsi të dedikuar të biçikletave dhe Bypasset që lehtësojnë qarkullimin. Unë kam bërë fushatë më shumë se në vitin 2015 sepse besoj në atë që dua të bëj në 4 vitet që do të vijnë", tha Leli.

Ora 16:06
Kandidati i PS në Gramsh apel për të votuar: Uroj që të gjitha bashkitë t'ia kalojnë si ne (VIDEO)

Në një prononcim për Report Tv, kandidatit i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Gramsh, Klodian Tace, ka deklaruar se procesi i votimit ka qenë mjaftë i qetë dhe se nuk janë shënuar incidente.

Ai ka falenderuar qytetarët që kanë votuar si dhe ka ftuar banorët e tjerë që të dalin në votime.

"Dua t'i falenderojë të gjthë qytetarët , na ka ngelur vetëm tre orë, me kulturën e vetë të zgjedhin, të dalin e të votojnë. E kanë të drejtën për ta shprehur. Urojë që bashkitë e tjera të kalojnë si ne. "

Kujtojmë se ditën e sotme Klodian Taçe bëri edhe një denoncim  ku tha Partia Demokratike në Gramsh ka filmuar votuesit që marrin pjesë në votime. 

Ora 15:53
Sa është pjesëmarrja në votime deri në orën 15:00? (VIDEO)

Zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Drilona Hoxha doli në një konferencë për mediat, ku tha se procesi i votimit ka vijuar normalisht. Pjesëmarrja deri në orën 15:00 është 15.5%. Në total, kjo përqindje përkthehet në 546382 vota

Ndërkohë, edhe pas kësaj deklarate, kryetari i KQZ-së, Klement Zguri tha se i qëndron deklaratës dhënë edhe më herët gjatë ditës, se të "dhënat për pjesëmarrjen nuk janë zyrtare. Shifrat janë marrë përmes rrugës elektronike nga Qendrat e Votimit për në KZAZ dhe më pas në KQZ. Shifrat nuk janë të konfirmuara zyrtarisht".

Ora 15:46
Valdrin Pjetri falenderon shkodranët: Zgjedhjet më të qeta në 28 vite (VIDEO)

Kandidati i PS për Shkodrën Valdrin Pjetri i cili kandidon i vetëm për këtë bashki, ka falenderuar qytetarët për pjesëmarrjen e shënuar deri këtë orë dhe i bëri thirrje të që në orët e mbetura të votojnë edhe pjesa e mbetur.

"Dua ta filloj me një falënderim për çdo banor të bashkisë Shkodër, për çdo pjesëmarrës në këto votime të datës 30 qershor për qytetarinë e treguar, për pjesëmarrjen e treguar deri në këto momente. Mund ta them me plot gojën dhe me shumë krenari që janë zgjedhjet më të qeta të zhvilluara në Shkodër këtu e 28 vite të shkuara dhe kjo meriton me të vërtetë falënderim për çdo banor pjesëmarrës të bashkisë Shkodër deri në këto momente. Unë kam vetëm një thirrje, në këto orë të mbetura deri në orën 19:00 kur mbyllet zyrtarisht procesi, të rrisim pjesëmarrjen në kutitë e votimit pastaj unë kam vetëm falënderime dhe na keni bërë të ndihemi shumë krenarë në sytë e gjithë Shqipërisë”, tha Pjetri.

Ora 15:23
Kamza vijon votime të qeta, mbështetës të PD-së para QV-ve, nuk ka incidente

Në 13 qendrat e votimit të hapura në shkollën "Halit Çoka" në Kamëz, procesi i votimit është duke vijuar normalisht. Nga sa raporton nga terreni gazetarja e Report Tv Xhensila Kodra, në ambientet e jashtme të Qendrës së Votimit, qëndrojnë të grumbulluar mbështetës të Partisë Demokratike. Sipas komisionerëve, ka pasur tentativa për bllokimin e dyerve të shkollës, për të mos lejuar votuesit të futen brenda. Por kjo situatë ka zgjatur më pak se 30 minuta.

Ora 14:30
Delvinë, kërkesë shtesë për fleta votimi

Qendrat e votimit në Delvinë kanë kërkuar që fletat e votimit të shtohen me 400 copë.

Sipas vendimit të KQZ, dy qendra votimi do të pajisen me nga 200 fletë votimi secila.

Ora 14:00
Zguri: Shifrat e pjesëmarrjes nga KAZ janë paraprake...lë pa përgigje nëse do të votojë apo jo

1561895999_zguri.jpg

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri ende nuk ka votuar, kur ora shënon 14:00 në procesin që mbyllet në 19:00. I pyetur nëse do ta ushtrojë të drejtën e votës, ai nuk dha një përgjigje për gazetarët, teksa doli nga ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkohë ai tha se rezultatet e dhëna nga zëdhënësja e KQZ-së në lidhje me pjesëmarrjen e cila deri në orën 11:0 ishte 12 %, janë ende paraprake, nuk janë zyrtare deri sa të firmosen në procesverbal. Zguri sqaroi se ato janë të bazuara në komunikime telefonike të sekretarëve të KZAZ-ve me KQZ-në, dhe ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Ora 13:46
Qytetarët në Fier: Votuam Armando Subashin, për bukurinë që i ka dhënë qytetit (VIDEO)

Votimet në Fier po vijojnë të qeta, së paku kështu kanë raportuar qytetarët për Report Tv.

“Votuam, sitata ishte shumë mirë, kishte goxha pjesëmarrje. Votuam të fitojmë. Zoti të na ndihmojë edhe të jemi në paqe me dashuri.”- thotë një qytetare nga Fieri.

Kujtojmë, se kandidat për kryebashkiak në këtë qytet është Armando Subashi nga radhët e PS-së.

Për këtë të fundit një nga qytetarët është shprehur se i ka dhënë bukuri qytetit të Fierit.

“Votuam Armando Subashin, për bukurinë që i ka dhënë Fierit dhe do vazhdojë ta bëjë deri në 4 vitet e ardhshme. Vetëm qetësi dhe lumturi të gjithëve.”- tregon qytetari.

Ora 12:58
KQZ, hidhet online faqja test e numërimit të votave

Në faqen online të KQZ-së është hedhur faqja test e cila do të bëjë transmetimin e rezultateve paraprake, ashtu si në çdo proces zgjedhor. 

Faqja është në testim gjatë ditës dhe po punohet që të jetë gati kur të fillojë procesi i numërimit.

Edhe këtë vit u hodh para se të fillonte numërimi, në mënyrë që edhe aplikacioni i ri të mësohet të përdoret duke qenë se ndryshon nga moduli me te cilin KQZ-të, mediat apo publiku ishin mësuar.

Ora 12:17
Armando Subashi për Report tv: Procesi i rregullt, më vjen mirë që PD na vëzhgon që të dokumentojë ato që thotë (VIDEO)

Kandidati i PS për Fierin, Armando Subashi deklaroi për gazetarin e Report tv Kristaq Thano se deri më tani procesi i zgjedhjeve ka qenë i qetë teksa shtoi se deri në fund të procesit do ketë një surprizë për sa i përket pjesëmarrjes.

"Numri i votuesve është shumë mirë. Deri në orën 19:00 besoj se pjesëmarrja do jetë një surprizë shumë e këndshme, sepse njerëzit duhet të votojnë për të ushtruar të drejtën kushteteuese. Sot është dita kur populli do i japë një mësim klasës politike e cila nuk mund të lozë se kur i do zgjedhjet. Kjo ditë do të ndajë njëherë e mirë periudhën e tranzicionit. Gjatë këtyre orëve nuk ka pasur asnjë problem. Më vjen mirë që kundërshtarët tanë politika jane kudo nëpër çdo qendër votimi për të dokumentuar çdo pa rregullsi. Objektivi jonë do jenë standardet", tha Subashi.

Ora 11:25
KQZ njofton zyrtarisht: Si po ecën procesi zgjedhor dhe sa është pjesëmarrja deri në orën 11:00

1561829419_drilonahoxha.jpg

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë në një deklaratë zyrtare për mediat në orën 11:00, ku thotë se deri në këto orar, pjesëmarrja në votime është 12 %. Qendrat e Votimit janë hapur në të gjithë Shqipërinë, përveç 7 qendra votimi në Shkodër të cilat janë bllokuar nga kryetarja e bashkisë Voltana Ademi, ndaj së cilës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxhaj bëri thirrje ndaj qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre me votë.

Deklarata e zëdhënëses së KQZ, Drilona Hoxhaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon opinion publik se janë  hapur të gjithë qendrat e votimit në të gjithë vendin, duke përjashtuar 7 Qendra Votimi në Postrribë të qarkut Shkodër. Nga këto, 6 qendra votimi nuk ka filluar ende votimi, ndërsa për 1 qendër votimi janë djegur materialet zgjedhore.

Vlen të theksohet se,  53 qendrat e votimit e KZAZ-së nr. 6 Vau i Dejës pavarësisht vonesave të shpërndarjes së materialeve zgjedhore, për arsye tashmë të njohura publikisht, janë hapur dhe procesi i votimit ka filluar normalisht.

Deri tani pjesëmarrja në votime është: 12%.

Kjo është një e dhënë paraprake, e cila ndryshon në bazuar në informacionin që Qendrat e Votimit kanë përcjellë në qendrën  e të dhënave në KQZ.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i’u bën apel të gjithë qytetarëve që tu drejtohen kutive të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë, pasi zgjidhjet në demokraci mund dhe duhet të dalin vetëm nga vota.

Ora 11:24
Në Sarandë votime të qeta, në Finiq disa raste të votimit kolektiv për shkak të moshës së votuesve (VIDEO)

Në Sarandë votimi deri në këto momente ka qenë i qetë dhe nuk ka patur incidente. Megjithatë në qendrën 4640 në shatin Krane në bashkinë Finiq ka patru disa raste të votimit kolektiv.  Kjo vjen për shkak të moshës së votuesve dhe pamundësinë për të votuar pa ndihmë.  Në bashkinë Finiqi kandidojnë Kristo Kiqo dhe Leonidha Hristo.

Ora 10:13
U bllokuan nga PD/ Ne Shkoder KQZ zhvendos 6 qendra votimi

6 qendra votimi të cilat kanë hasur probleme për shkak të mbylljes së shkollave pas urdhrit nga kryebashkiakja Voltana Ademi janë zhvendosur nga KQZ.

Ndërsa edhe dy ambiente të tjera në Berat të bllokuara nga PD janë zhvendosur për të krijuar një proces të lehtësuar të votimit.

Ora 09:49
Në Kashar, votime të qeta, qytetarët në radhë (VIDEO)

Në qendrën e votimit në Kashar qytetarët kanë mbërritur prej orëve të para të mëngjesit, në 07:00 kur janë hapur qendrat, për të votuar për zgjedhjet vendore 2019. Në këtë qendër votimi vihet re pjesëmarrje e lartë e votuesve krahasuar me qendra të tjera në të njëjtin orar.

 Rradhë votuesish janë krijuar në qendrën e votimit ‘At Zef Pllumu’ në Bashkinë Tiranë.

Ora 09:20
Raport për qarkun Shkodër ora 09:00

Në Bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz janë hapur të gjitha QV dhe vijon procesi normalisht

Ne Bashkine Shkoder:
Zaz 2, vijojnë 8 QV pa u hapur:
6 Postribë
1 Dajç
1 Kuç, Guri Zi
Ne ZAZ e qytetit Shkoder
Janë 4 QV pa u hapur ne ZAZ 3 
Janë hapur të gjitha QV ne ZAZ 4 
Janë hapur të gjitha QV në ZAZ 5

Ora 09:15
Nuk miratohet qendër, në burgun e Peqinit nuk votohet

Në burgun e Peqinit nuk votohet.  Nuk është miratuar qendër votimi nga KZAZ dhe KQZ.

Ora 08:23
Procesi në Kamëz nis i qetë/ Qytetarët për Report tv: Hera e parë që do fitojë PS se na i vidhte votat Xhelal faqeziu (VIDEO)

Nga Kamza procesi duket se ka nisur i qetë mëngjesin e sotëm. Gazetarja e Report tv Xhensila Kodra ka marrë edhe disa prononcime nga disa votues të cilët kanë zgjedhur të hedhin votën në orët e para të mëngjesit.

Qytetari 1: Nuk e di, nuk merremi, ne thjesht kemi ardhur si popull

Qytetari 2: Skam punë me njeri unë le tmë dalë njeri para.

Qytetarja 3: Ashtu sic e mendonim ne s'na doli se mendonim se do bëhej gjurulldi. Është hera e parë që do fitojë që do fitojë PS se na i vidhte votat ai Xhelal faqeziu.

Ora 08:19
Nuk paraqiten komisionerët e pavarur, procesi i votimit nis pas orës 07:00

Në 20 qendra votimi në Pogradec procesi i votimit nuk ka filluar në orën 07:00. Shkak janë bërë komisionerët që i përkasin shoqërisë civile, të cilët nuk janë paraqitur pranë Qendrave të Votimit, duke bllokuar procesin. KZAZ Pogradec bën të ditur se komisionerët që mungojnë do të zëvendësohen nga komisionerë të tjerë, të miratuar nga KQZ. Me zëvendësimin e tyre procesi i votimit ka nisur pa probleme.

Ora 08:05
U dogjën nga militantët e PD, shpërndahen materialet e reja zgjedhore në Bushat

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, raporton se këtë mëngjes, në orën 05:00 janë shpërndarë në qendrat e votimit në Bushat. Materialet e votimit u dogjën disa ditë më parë nga militantë të PD-së që sulmuan me zjarr KZAZ-në ku ndodheshin materialet zgjedhore.  Fletët e votimit të dëmtuara mbërritën nga Sllovenia. 

Ora 08:01
Nis i qetë procesi i votimit në Durrës, qytetarët i drejtohen kutive

Janë hapur në orët e para të mëngjesit të sotëm qendrat e votimit edhe në qytetin e Durrësit. Votimi ka nisur i rregullt në të gjitha qendrat e votimit. Qytetarët e Durrësit votojnë sot për dy kandidatë, Valbona Sako nga PS dhe Valdona Sakollari nga Bindja Demokratike.

Ora 07:52
Në Berat hapen të gjitha qendrat e votimit, tre kandidatë në garë për bashkinë e madhe

Ka nisur procesi i votimit në Qarkun e Beratit. Në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, Drejtoria e Policisë së Qarkut, njoftoi se uniformat blu morën në ruajtje të gjitha qendrat e votimit pas shpërndarjes së bazës materiale zgjedhore vendore.

Në KZAZ-në me numër 64 në qytetin e Beratit që është bashkia më e madhe e qarkut, njoftohet se ka nisur procesi dhe do të votohet në 125 qendra votimi dhe janë të regjistruar 75 mijë zgjedhës. Kjo është bashkia e vetme që ka të regjistruar tre kandidat për kryetar bashkie, ndërsa katër bashkitë e tjera kanë nga vetëm një kandidat.

Për Bashkinë e Beratit kandidatojnë Plarent Aleksi, Pavlo Shkarpa dhe Ervin Demo.

Ora 07:38
Edhe në Shkodër qendrat e votimit hapen pa incidente...Në 2 fshatra ende nuk kanë mbërritur materialet (VIDEO)

Edhe Shkodra, një nga qarqet më problematike, ku kryebashkiakja Voltana Ademi ka bllokuar disa qendra votimi të organizuara në ambiente në administrim të Bashkisë, këtë të dielë ka nisur qetësisht procesin e votimit në zgjedhjet e 30 qershorit. Në qytet janë hapur qendrat e votimit dhe kanë mbërritur qytetarët e parë për të votuar.

Ndërkohë, disa qendra votimi janë zhvendosur në ambiente të tjera, siç është rasti i Teatrit Migjeni dhe bibliotekës që nuk u liruan nga kryebashkikja Ademi. Në këto kushte, votimet po bëhen në "Radio Shkodra" ku materialet zgjedhore kanë mbërritur prej mbrëmjes së djeshme pa shënuar incidente. Në Shkodër votimet kryhen për Valdrin Pjetrin, kandidat për kryebashkiak nga Partia Socialiste. Vetëm në Shllak dhe Temal në bashkinë Vau i Dejës nuk ka nisur procesi. Materialet zgjrdhore janë rrugës për tu çuar në 6 Qendrat e Votimit.

Ora 07:33
Qarku i Korçës hap qendrat e votimit pa probleme...Garë mes Filos dhe Ollit

Në gjithë qarkun e Korçës, qendrat e votimit janë hapur pa probleme. Në Bashkitë Maliq, Korçë, Devoll e Pustec, deri më tani nuk është shënuar asnjë incident, dhe prej orës 07:00 të mëngjesit kanë mbërritur qytetarët e parë për të votuar. Per Bashkinë e Korçës garojnë Sotiraq Filo, kryebashkiak aktual i PS-së, dhe Leonard Olli nga Bindja Demokratike.

Ora 07:26
Kukësi çel pa probleme qendrat e votimit...PD do të monitorojë procesin (VIDEO)

Në Kukës, thuajse të gjitha qendrat e votimit të KZAZ-së numër 11 janë hapur pa shënuar incidente. Agron Hoxha, nënkryetari i KAZA-së, në një prononcim për mediat për fillimin e procesit zgjedhor, tha se nuk ka pasur probleme që nga dje kur janë shpërndarë bazat materiale, e deri më tani me hapjen e qendrave të votimit. Edhe në Has është hapur pjesa më e madhe e qendrave. Deri tani nuk është konstatuar asnjë problem.

Kryetari i Partisë Demokratike Arif Rexhmati bëri të ditur se PD do të monitorojë procesin.

Në Kukës, qytetarët do të zgjedhin mes Abedin Oruçit dhe Safet Gjicit të kandiduar nga Partia Socialiste.

Ora 07:19
Votohet edhe në Vlorë, zgjidhet mes Dritan Lelit dhe Valbona Mezinit

Edhe në Vlorë kanë nisur të hidhen në kuti votat e para për zgjedhjet vendore 2019. Deri më tani procesi është i qetë dhe në qendrat e votimit nuk janë shënuar vonesa në hapjen e tyre. Në Vlorë, votohet për Dritan Lelin, aktualisht kryebashkiak i zgjedhur i PS-së, dhe Valbona Mezini, e kandiduar nga Bindja Demokratike.

Ora 07:16
Hapen qendrat e votimit në Fier, garon vetëm Armando Subashi

Edhe në qytetin e Fierit, në KZAZ numër 57 janë hapur qendrat e votimit. uk është shënuar asnjë incident. Ndërkohë për bashkinë e Fierit qytetarët votojnë për Armando Subashin, aktualisht kryebashkiak, i cili nuk ka kandidat përballë.

Ora 07:12
Hapen pa probleme qendrat e votimit në Lezhë (VIDEO)

Hapen qendrat e votimit edhe në Lezhë. Procesi ka nisur pa probleme. Në Lezhë Partia Socialiste kandidaton Pjerin Ndreun, ndërkohë që Bindja Demokratike kandidon Salvador Kaçajn. Lezha është ndër të paktat bashki që ka tre kandidatë, ku në garën elektorale është edhe Eduard Ndocaj, si kandidat i pavarur.

Ora 07:09
Nis votimi në Gjirokastër (VIDEO)

Në Gjirokastër ka nisur procesi i votimit. Në 4 qendrat e votimit të vendosura në shkollën e mesmes "Siri Shapllo" kanë mbërritur në orën 07:00 votuesit e parë, duke çelur kështu procesin e votimit për vendoret 2019. Për Bashkinë e Gjiroakstrës, është vetëm një kandidat i PS-së, Flamur Golemi.

G.M./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Katnar surreli: 01/07/2019 01:51

    U hap Drita ne horizont per ne qe ishim dikure prina Enver Rama prina drejt fitoreve te reja nuk duam me viza per jashte shtetit te ndertojme socializmin me forcat tona BE kapitaliste dhe imperializmi amerikan nuk na duhen me rrofte ed enver Rama RROFTE SOCIALIZMI BE BYRONE RILINDJEN RROFSHIN HERONJTE E HESHTUR TE RILINDJES SI SAIMIR TAHIRI VANGJUSH DAKO

    Përgjigju
  • www.youngtribune.com: 30/06/2019 23:42

    Me ne fund do shohim drite ne horizont pa pranine e opozites shkaterruese per jeten e mijerave shqiptareve

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë