Juristi Kreshnik Spahiu foli në Studio Live në Report TV edhe për intervistën e kreut të SPAK, Altin Dumani dhe përshtypjeve që ajo i la.
Ai e vlerësoi si pozitive dhe punën e institucionit si të suksesshëm, madje si një moment kulminant pjesën kur Dumani u shpreh se “hetojnë me prova dhe jo me grafikë”, pavarësisht vjetërsisë së dosjeve apo krahut nga ku goditet.
“Momenti kulminant i intervistës së Altin Dumanit ishte ai kur foli për pasuritë që sekuestrohen brenda dhe jashtë vendit, kur shprehu faktin se në SPAK ka zyrë të FBI, të Interpolit, të organizatave partnere dhe ka hetime të përbashkëta, në të cilat hetojnë vepra penale në të cilat dëmtohen të dyja shtetet. Në këtë rast Shqipëria dhe shteti përkatës, në këtë rast psh. Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe sigurisht kjo është një risi. Është risi edhe intervista e Altin Dumanit, i cili si drejtues i Prokurorisë Speciale, po ta vëmë re, në këtë intervistë nuk ka pasur shmangie gjatë gjithë kohës të komunikimit me publikun. Ndryshe nga prokurorë të tjerë, Dumani ka krijuar një lloj tradite, ka krijuar një lloj kontakti në komunikimin me publikun nëpërmjet rrugës dhe mjetit të komunikimit mediatik. Ka pranuar të flasë për veten, të shkuarën e tij, ka pranuar të marrë përgjegjësi, ka pranuar të flasë për ata që e godasin politikisht, të flasë edhe në emër të kolegëve të tij, që në fund të fundit edhe mund të mos e bënte”, tha Spahiu.
Juristi e cilësoi të arritur intervistën dhe punën e SPAK, si dhe fitimin e besimit te publiku.
“Në vetëvete intervista e Dumanit ka qenë shumë interesante. Ka shumë njerëz që e paragjykojnë për këndvështrimin, dialektin, aksentin, artikulimin, personalisht mua kjo nuk më intereson. Thelbi i deklaratave të Dumanit dhe çështjet për të cilat ata po hetojnë ishte shumë korrekt dhe në fund të fundit deri më sot, Altin Dumani dhe Prokuroria Speciale deri tani kanë qenë të suksesshme. Ata kanë arritur që në kohë rekord t’i fitojnë besimin publikut. Dhe është një fakt që në të gjitha sondazhet, Prokuroria Speciale, pra SPAK-u është organi me besueshmërinë më të lartë te publiku”, u shpreh Spahiu për Report TV.
Në lidhje me deklaratën se “nuk veprojmë me grafik, por hetojmë me prova”, Spahiu e cilësoi të rëndësishme dhe jo të rastësishme deklaratën.
“Të gjithë e kanë kritikuar dhe kanë pasur pretendime nga më të ndryshmet ndaj prokurorisë Speciale nga faktori politik apo mediatik qoftë, nga të gjitha krahët. Dhe një nga pretendimet ka qenë se pse nuk hetohet kryeministri dhe hetohet kryetari jonë (Berisha). Pse arrestohen më shumë socialistë dhe nuk ka në burg asnjë demokrat. Pse çështje të vjetra janë vonuar kaq shumë dhe të rejat ia kanë kaluar të vjetrave. Në një farë mënyrë ai u tregua preciz dhe të japi në mënyrë të përmbledhur se kush është rregullator. Ai tha se rregullatori janë provat dhe faktet që ne dispojojmë. Pra çështjet që kanë prova, pavarësisht se janë të reja apo të vjetra, se kanë 1 apo 10 vite, se janë të majta apo të djathta, ne u japim më shumë prioritet se çështjeve të tjera që nuk kanë prova dhe fakte. Pra ky ishte thelbi i asaj që ai tha dhe u dha përgjigje të gjitha pretendimeve që ne kemi pasur apo interpretimeve politike që janë bërë, për afate, procedura etj”.
Lajmi kryesor: