Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se Sali Berisha mund të largohet nga politika vetëm duke u dënuar nga gjykata, ose duke u ndërgjegjësuar qytetarët që ai është një patericë e kryeministrit Edi Rama dhe duhet votuar një parti tjetër opozitare.
Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se dënimi i Berishës nga gjykatat në Shqipëri është shumë i vështirë, pasi sipas tij, asnjë gjykatës nuk e merr guximin për një vendim të tillë.
“Unë konsideroj që Berishën mund ta largojnë 3 faktorë nga PD. Unë mendoj se Berishën mund ta largojë Zoti, mund ta largojë Rama dhe mund ta largojë Gjykata përmes dënimit me burg. Mendoj që Zoti nuk e merr, sepse ai është aq i ligë, sa zakonisht të ligët nuk i merr, zakonisht merr të mirët shumë shpejtë. E dyta, mendoj që edhe Rama nuk e heq, nuk e përdor super-pushtetin e tij, sepse është njeriu më i interesuar për të mbyllur hesapet e tij politike, kalkulimet e tij, ndryshimet kushtetuese dhe për t’i thënë faktorit ndërkombëtar ‘ose gogoli, ose unë’. Edhe faktori ndërkombëtar bie dakord me një lloj establishmenti, sepse ka shfaktorizuar Berishën dhe mbaron punët e veta me Ramën dhe PS-në, të cilët i hapin rrugën për çdo gjë edhe BE-së edhe SHBA-së.
Unë mbetem në bindjen time, se i vetmi faktor që mund ta largojë Berishën nga politika dhe kreu i PD-së, është një dënim penal nga gjykata, por duhet të jetë shumë i vështirë. Sepse socialistët do të luajnë çdo lloj guri që Berisha të mos dënohet penalisht dhe të shpallet e pafajshëm. Që të funksionojë kjo procedurë kushtetuese dhe ligjore për ta larguar nga politika, është shumë e vogël dhe mendoj që nuk ka gjyqtarë që ka kurajon dhe guximin që ta nxjerrë nga politika. Pra e vetmja mënyrë është ose me dënim penal, ose me parti nga jashtë, që do të thotë se shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen që ai është një patericë e Ramës dhe duhet votuar një alternativë tjetër”, tha mes të tjerash Spahiu.
Lajmi kryesor:
Ironia e Spahiut: Berisha nesër do akuzojë BE-në se u korruptua nga Soros dhe se e anëtarësuan Shqipërinë pa plotësuar kriteret





