Deputetja, ministrja e Infrastrukturës dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku zgjodhi të mos marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit, aty ku SPAK i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestimin e saj, në burg apo në shtëpi.
Pak para se drejtuesi i ri i SPAK, Klodian Braho dhe 2 prokurorët që po hetojnë numrin 2 të qeverisë, Dritan Prençi Dorina Bejko mbërritën në kryesinë e Kuvendit, Belinda Balluku iu drejtua kryeministrisë për mbledhjen e qeverisë.
Mbledhja e Këshillit të Imunitetit u zhvillua me dyer të mbyllura. Pavarësisht kërkesës së 5 deputetëve të PD për të qenë e hapur dhe të merrnin pjesë të gjithë deputetët e Kuvendit, SPAK përsëriti përballë tyre, se materialet në dosjen ndaj Ballukut, janë sekret hetimor e si të tilla duhen ruajtur me përgjegjësi vetëm nga anëtarët e Këshillit.
Të panjohur me dosjen që SPAK i dorëzoi kuvendit në një USB, Këshilli vendosi t’ia dorëzoi deputetëve materialet gati 10 mijë faqe, përfshirë avokatit të të pandehurës Belinda Balluku, Ardian Kalija që ishte i pranishëm në mbledhje pranë prokurorëve. Këtu nisi një debat i gjatë, për kohën që palëve do i duhej të njiheshin me këto akte.
"SPAK tha se 3 ditë kohë janë të mjaftueshme, maksimumi 5 ditë. 5 anëtarët e opozitës në këshill do thërrasin mbledhjen e këshillit të hënën, maksimumi të martën. PS thotë të mblidhet këshilli me 20 janar", thotë Bardhi.
Pas 4 orë e gjysmë debat, dhe një pushimi 20 minuta, drejtuesi i Këshillit të Imunitetit, Niko Peleshi, u rikthye të mbyllte mbledhjen, pa një datë se kur do të thërritet seanca e ardhshme.
"Kryetari u kthye dhe tha se për datën do t’ju njoftojë një herë tjetër. Kuptova që, në këto 20 minuta, Rama nuk i ishte përgjigjur. Kuvendi po bëhet pengesë për drejtesine, po i jep kohë Ballukut të prishë provat”, tha Bardhi.
Në relacionin e SPAK drejtuar Kuvendit thuhet se ndaj Belinda Balluku është e pandehur për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, është në hetim për 7 lote të Unazës së Madhe në Tiranë, si dhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë, përfshirë koncensionin Thumanë-Kashar të Gener2.
Jashtë kryesisë, mbështetës së partisë Mundësia të Agron Shehaj, protestuan duke kërkuar dorëheqjen e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, bashkë me kryeministrin Edi Rama.Protestë që nga dritarja e zyrës së tij, deputeti socialist Erjon Braçe, e ironizoi kështu: “Protesta e frikshme e Gones, Tani t’i numërojmë pak… 91, kaq janë."

Për shkak të volumit të madh të materialit në USB-në e SPAK, si dhe për shkak se brenda saj ka edhe materiale të tjera që nuk printohen, Kuvendi ka bërë 10 kopje USB-së, të cilave ju ka vendosur një kod hyrjeje që e ka vetëm deputeti që e merr në ngarkim.
Masë kjo për të penguar që në material të hyjë dikush tjetër veç anëtarit të Këshillit të Mandateve.
Burime për Report Tv, bëjnë me dije se deputeti i parë që ka pritur kopjen e tij ka qenë Saimir Korreshi, ndërsa nuk dihet ende nëse e kanë marrë të tjerë veç tij.
Anëtarët e PS të pyetur a e tërhoqën kopjen e tyre, thonë se ende nuk e kanë marrë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pasditen e së premtes lidhur me mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvend për çështjen e Belinda Ballukut.
Në postimin e tij në Facebook, Bardhi thotë se mbledhja u mbajt me dyer të mbyllura për të fshehur të vërtetën, për të fshehur pengimin e drejtësisë që, sipas tij, po bën kryeministri Edi Rama dhe për të prodhuar lajme të rreme rreth kësaj çështjeje. Ai theksoi se Partia Demokratike kërkoi që mbledhja të ishte e hapur për publikun, në mënyrë që çdo deputet të mbante përgjegjësi për qëndrimin e tij.
Bardhi bëri të ditur se PD mbështet plotësisht kërkesën e SPAK dhe kërkon miratimin sa më të shpejtë të autorizimit për arrestim, duke shtuar se deputetët dhe e pandehura duhet të kenë vetëm tri ditë kohë për t’u njohur me provat, të cilat u vunë në dispozicion vetëm gjatë kësaj mbledhjeje. Sipas tij, edhe Prokuroria e Posaçme ka kërkuar një afat prej tre deri në pesë ditësh.
Ai akuzoi kryeministrin Rama se ka vendosur ta zvarrisë çështjen, duke e mbyllur mbledhjen pa caktuar një datë të re, veprim që, sipas Bardhit, përbën pengim të drejtësisë. Bardhi shtoi se Prokuroria ka konfirmuar se Belinda Balluku po prish provat dhe po intimidon dëshmitarët, çka e bën të domosdoshëm dhe urgjent miratimin e autorizimit nga Kuvendi.
Në përfundim, Bardhi deklaroi se opozita do të kërkojë mbledhjen e Këshillit të Mandateve në fillim të javës së ardhshme për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve për rastin “Balluku-Rama” u bë për të fshehur të vërtetën, për të fshehur pengimin e drejtësisë që po bën Edi Rama dhe për të prodhuar lajme të rreme.
Qëndrimi i PD në mbledhje ka qenë i qartë:
1. Mbledhja duhet të jetë e hapur për publikun, ku secili deputet të jap llogari për qëndrimin e tij.
2. Mbështetje e plotë për kërkesën e SPAK dhe miratimi sa më parë i autorizimit.
3. Deputetët dhe e pandehura të kenë vetëm 3 ditë kohë për njohjen e provave, të cilat na u dhanë vetëm sot. 3-5 ditë kohë kërkoi edhe Prokuroria e Posaçme.
4. Mbledhja e ardhshme e Këshillit të bëhet të hënën, datë 22 Dhjetor 2025, ku Këshilli të rekomandojë dhënien e autorizimit për arrestim.Edi Rama vendosi që të zvarrisë çështjen, duke e mbyllur mbledhjen pa caktuar një datë të mbledhjes së ardhshme. Kjo përbën PENGIM TË DREJTËSISË. Prokuroria konfirmoi se e pandehura Belinda Balluku po prish provat, duke intimiduar dëshmitarët. Është çështje e ngutshme miratimi i autorizimit nga ana e Kuvendit.
Anëtarët e opozitës do të kërkojnë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, në fillimin e javës së ardhshme, për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën për autorizim të Prokurorisë së Posaçme.
Gazment Bardhi është përplasur me Niko Peleshin në Mbledhjen e Këshillit të Mandateve për Belinda Ballukun. Peleshi e mbylli mbledhjen pa një afat se kur do të mblidhen sërish, ndërsa Bardhi e akuzoi se nuk iu përgjigj Rama në telefon prandaj nuk caktoi një datë.
“Kur ishte mbledhja tjetër, kur ishte? Nesër do ta thërrasim ne, nuk i është përgjigj Ram anë telefon dhe na thotë ta shtyjmë”, tha Bardhi.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve për Belinda Ballukun u shty pa caktuar një datë se kur do të rimblidhen sërish. Pas përfundimit të mbledhjes, Gazment Bardhi tha se do të kërkojnë, siç ua njeh rregullorja e Kuvendit, mbledhjen e Këshillit të Mandateve të hënën ose të martën. Shqetësimi kryesor i Bardhit, që është ngritur edhe nga SPAK, është se nëse Këshilli i Mandateve mblidhet më 19 janar siç kërkon PS, Balluku ka kohë të prishë provat.
“Sipas rregullores ka 2 forma se si mblidhet këshilli. Një, e thërret kryetar i kuvendit. E dyta, 1 e dyta e anëtarëve të këshillit. 5 anëtarët e opozitës në këshill do thërrasin mbledhjen e këshillit të hënën, maksimumi të martën e fillim javës që vjen, për të mos krijuar asnjë vonesë. Për ti dhënë kohë të pandehurës të vijë të mbrojë veten, nëse nuk do ne nuk e detyrojmë dot.
Nuk ka ndodhur që këshilli mandateve të mbyllet pa caktuar një datë tjetër. Gjithmonë koha ka qenë minimumi 48 orë, maksimumi 72 orë. Ne vlerësuam se 72 orë ishin mjaftueshëm, balluku kishte kohë për tu mbrojtur. Këshilli ka marrë vendimin që do ti shpërndahet provat cilitdo deputet që është anëtar. Tre orët e para të mbledhjes kolegët e mazhorancës ishin me qëndrimin se nuk kemi pse i marrim provat. Kur SPAK konfirmoi se nuk ka asnjë problem, e di çfarë bënë, thanë janë shumë faqe na duhen 1 muaj kohë ti shqyrtojmë. Kjo është tallje me këtë proces, kanë vendosur të mbrojnë një të pandehur, kanë vendosur ti japin kohë asaj dhe Ramës për të prishur provat. 72 orë i kemi lënë Ahmetaj, deputetëve të opozitës të akuzuar, kjo ka qenë koha. S’ka pasur pretendim nga askush. Nuk mund të ketë balluku më shumë të drejta se të tjerët që janë ulur në të njëjtën karrige para saj. Ahmetaj ka pasur 15 mijë faqe dhe i është lënë vetëm 48 orë kohë. SPAK këmbëngul se kjo kërkesë është e ngushtme, SPAK thotë se po intimdon vartësit. Tani ajo do marrë dëshmitë e çdo personi dhe ne do i japim 1 muaj derisa t’i intimidojë të gjithë? SPAK tha se tre ditë kohë janë të mjaftueshme, maksimumi 5 ditë. Me afatet që kanë vendosur, kjo çështje i bie që të shqyrtohet në shkurt, deri në shkurt balluku ka ngrenë bakllavanë, provat de dëshmitarët. Kjo është e paprecedentë”, tha Bardhi.
Po nëse Peleshi nuk e thërret mbledhjen pas kërkesës së opozitarëve? Bardhi dha këtë përgjigje.
“Kryetari i Kuvendit është i detyruar të thërrasë mbledhjen kur e kërkon ½ e anëtarëve. Balluku nuk erdhi të mbrohet, 72 orë s’kam pas kohë të përgatitem. E pandehura i ka marrë materialet nga SPAK se është marrë e pandehur për njërën nga procedurat dhe pjesën dërrmuese i ka marrë paraprakisht. Pra është e përgatitur,. Ka vetëm një pjesë të të dhënave shtesë që do duhet t’i shqyrtojë. Gjykata i ka dhënë 3 ditë kohë të njihet me provat. Kjo është tentativë e Ramës dhe Ballukut për të zvarritur drejtësinë që të fitojnë kohë për të prishur provat”, tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Mandateve, Gazment Bardhi tha pas përfundimit të mbledhjes, se mbyllja në kasafortë e USB-së me prova nga SPAK për Ballukun nga Niko Peleshi, ishte për t’i dhënë asaj mundësinë për të kërkuar shtyrje të mbledhjes me qëllim për tu njohur me provat.
Bardhi tha se në mbledhje anëtarët e PS kërkuan 20 minuta pushim për të ckatuar datën e mbledhjes së ardhshme dhe se në përfundim vendosën që dta do të shpallet në një moment të dytë.
“Dua të sqaroj qëndrimin e anëtarëve të opozitës. Nëse do të ishte respektuar qëndrimi ynë, ju do të ishit në dijeni njësoj si për këtë mbledhje, ashtu edhe për atë se kur është caktuar mbledhja tjetër. Kemi kërkuar, sipas rregullores, që mbledhja e sotme të ishte transparente dhe e hapur, sigurisht duke lënë të mundur opsionin që sa herë që prokuroria do të çmonte se duhet të informonte anëtarët e Këshillit për një çështje që cilësohet sekret hetimor, media të largohej.
Kjo kërkesë nuk u mor në konsideratë. Sot nuk kemi diskutuar asnjë çështje që përbën sekret hetimor. Jemi marrë vetëm me procedurë. Kemi diskutuar nëse deputetët kanë apo jo të drejtë të kenë të plotë materialin e sjellë nga SPAK-u. Sipas ligjit, secili anëtar duhet ta ketë të plotë USB-në e famshme që Peleshi e kishte kyçur në kasafortë.
Dhe sot u zbulua edhe skenari pse e kishte kyçur. Kjo ishte bërë për t’i dhënë alibinë Ballukut, për të kërkuar shtyrjen e mbledhjes, me pretendimin se nuk ishte e përgatitur, dhe kështu të shtyhej mbledhja.
Rama nuk e ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me Ballukun dhe po i jep kohë vetes. U bënë aq qesharakë, sa kërkuan që mbledhja e radhës të jetë pas një muaji. Prokurorët e Posaçëm, të cilët dua t’i falënderoj për profesionalizmin, bënë të qartë se kjo është një çështje e ngushtë dhe çdo vonesë mund të rrezikojë provat. Kërkuan 20 minuta pushim për të diskutuar datën. Kryetari u kthye dhe tha se për datën do t’ju njoftojë një herë tjetër. Kuptova që, në këto 20 minuta, Rama nuk i ishte përgjigjur. Kuvendi po bëhet pengesë për drejtesine, po i jep kohë Ballukut të prishë provat ”, tha Bardhi.
Kryeministri Edi Rama vijon të jetë në kryeministri që prej mesditës së sotme. Në zyrë gjithashtu ndodhet dhe Belinda Balluku që prej orës 10:00 të paradites.
Pasi mbledhja e qeverisë përfundoi, Rama dhe Balluku vijojnë të jenë në të njëjtin ambient.

Ardian Kalija, avokati i Belinda Ballukut ka kërkuar të shtyhet me 3 javë mbledhja e Këshillit të Mandateve për tu njohur më të gjitha aktet e SPAK. SPAK ka thënë se maksimumi mund të marrë 5 ditë kohë për tu njohur me aktet, por avokati thotë se janë 10 mijë faqe dosje. PS propozon që mbledhja të shtyhet më datë 19 janar.
Deputeti demokrat Gent Strazimiri pyeti prokurorin e çështjes, Dritan Prençi: Duke patur parasysh që e pandehura nuk bashkëpunon sepse nuk jep dorëheqjen madje intimidon dëshmitarët, që qeveria e mbron publikisht, a keni ju personalisht një urgjencë, një afat të arsyeshëm brenda të cilit edhe avokati të njihet me provat, edhe hetimi të mos zvarritet?
Prençi: Afati mendoj të jetë 3-5 ditë. Po ashtu edhe prokurorja tjetër.

PS dhe PD janë dakord që të shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për autorizim për arrestimin e Ballukut. Pritet të shihet se në çfarë datë do të caktohet mbledhja e radhës, ndërkohë që SPAK ka deklaruar se edhe avokati i Ballukut mund të njihet me USB-në me provat.

Ardian Kalija, avokati i zv.kryeministres Belinda Balluku ka kërkuar të shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për autorizim për arrestimin e zv.kryeministres. Avokati ka thënë se i duhet kohë për mbrojtjen.

Në mbledhjen e Këshillit të Mandatave për heqjen e imunitetit të Ballukut, po diskutohet ende për USB-në me provat e SPAK. Socialistët thonë se provat duhet të shqyrtohen brenda në mbledhje dhe se USB-ja nuk duhet t’iu jepet anëtarëve që të aksesojnë materialet vetë. Por, prokurorët e SPAK thonë se materiali i USB-së mund të aksesohet nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe mund t’i kenë provat secili prej anëtarëve.

Ardian Kalija, avokati i zv.kryeministres Belinda Balluku ka kërkuar në mbledhjen e Këshillit të Mandateve të njihet me provat e SPAK që janë dorëzuar në Kuvend bashkë më kërkesën për autorizim për arrestimin e saj.
Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka ironizuar protestën e organizuar nga Partia Mundësia përballë Kuvendit. Braçe ka numëruar të pranishmit, të cilët i rezultojnë vetëm 91 persona prezentë dhe jo qytetarë, por anëtarë të partisë Mundësia.
“Protesta e frikshme e Gones, që do të përfitojnë nga veprimet e drejtësisë. Tani t’i numërojmë pak… 91, kaq janë. Pashë këtë deputetin e Gones. Ja edhe flamuri. Pra, nuk janë qytetarë të grumbulluar nga rrjetet sociale, por është partia e Gones. Ky që ka mbështetje të madhe ndërkombëtare, që do të përfitojnë nga veprimet e drejtësisë”, shkruan Braçe.

Gazment Bardhi dhe Taulant Balla
Mbledhja e Këshillit të Mandateve ka nisur që prej orës 10:30 dhe diskutimet po vijojnë ende për mënyrën se si do të zhvillohet mbledhja, me dyer të hapura apo të mbyllura. SPAK edhe sot në seancë ka kërkuar mbledhje me dyer të mbyllura. Ndërkohë që, opozita kërkon që mbledhja të jetë e hapur. Gazment Bardhi ka kërkuar që USB-ja me prova t’i vendoset në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandatit.
Ndërkohë, PS kërkon mbledhje me dyer të mbyllura me argumentin se duhet ruajtur sekreti hetimor.
Bardhi: Mbledhja e hapur për median dhe publikun, të marrin pjesë të gjithë deputetët, të na vihen në dispozicion provat dhe USB-ja.
Balla: Mbledhja e mbyllur sepse duhet ruajtur sekret hetimor, në mbledhje vetëm anëtaret e Këshillit.
Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka kërkuar që të jetë prezent në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku do shqyrtohet kërkesa e SPAK për autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut. Shehaj u shfaq në ambientet e Kryesisë së Kuvendit dhe kërkoi që të futej në mbledhje për të parashtruar kërkesën e tij dhe më pas Këshilli të shprehej me vendim. Por, mbledhja ka nisur me dyer të mbyllura, ndërkohë Shehaj akuzoi për pazare PS-PD.
“Duan ta mbyllin mbledhjen, duan të mbrojnë Ballukun, në fakt mbrojtja është për Ramën, se Balluku ka ikur dhe s’ka asnjë shans që të shpëtojë. Për të drejtat më elementare duhet të luftojmë, duhet të përplasemi. Kërkojmë të drejtën tonë për të qenë prezent në mbledhjen e Këshillit që do të vendosë fatin e Ballukut. Iu kemi dërguar një shkresë. Pse më shtyni. Kemi bërë një kërkesë, kemi të drejtë të parashtrojmë këtë kërkesë. Duhet të nisë më dyer të hapura dhe të parashtrojmë kërkesën. Vazhdon avazi PS-PD, askush nuk duhet t’iu prishë planet e pazaret”, tha Shehaj.
Me Shehajn ishte edhe deputeti Erald Kapri, i cili më pas u largua për t’iu bashkuar protestës së Partisë Mundësia para Kuvendit.
Teksa Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet për të vendosur mbi kërkesën e SPAK për arrestimin Belinda Ballukut, para Kryesisë së Kuvendit janë mbledhur protestuesit e parë në lidhje me tubimin e organizuar nga kryetari i Partisë 'Mundësia' Agron Shehaj.
Me pankarta në duar ata kërkojnë drejtësi për çështjen e zëvendës kryeministres Balluku.
‘Pa drejtësi, s’ka BE’, ‘Sot Balluku nesër Rama’, lexohet nga disa nga pankartat që mbajnë në duar qytetarët.
Kanë mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë 3 prokurorët e Posaçëm të cilët do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Pjesë në mbledhje do të jenë prokurorët Dorina Bejko, Dritan Prençi dhe Klodian Braho, ky i fundit i zgjedhur në krye të SPAK.
Belinda Balluku nuk shkoi në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për autorizim për arrestimin e saj Ndërsa anëtarët e Këshillit dhe prokurorët e SPAK ishin në Kryesinë e Kuvendit për mbledhjen, zv.kryeministrja ishte në godinën e Kryeministrisë përballë, ku u mbajt mbledhja e qeverisë. Pas mbledhjes, Balluku qëndroi në zyrën e saj në kryeministri.
Teksa Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet për të vendosur mbi kërkesën e SPAK për arrestimin Belinda Ballukut, kryetari i Partisë 'Mundësia' Agron Shehaj do të mbajë një protestë në të njëjtën kohë përpara Kryesisë së Kuvendit.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara disa oficerë të policisë janë rreshtuar para këtij mjedisi për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.

Tre prokurorë të SPAK do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa për autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut. Tre prokurorët janë Dorina Bejko, Dritan Prençi dhe drejtuesi i ri i SPAK, Klodian Braho.
Komente











Pamvarsisht se cdo behet me ceshtjen e Zj.Balluku apo me te tjeret e PS, nje gje eshte e sigurt qe dhe 100 here te perseriten zgjedhjet prap PS do ti fitoje.Korrupsion ka ne cdo vend te botes. Nuk po them mos te luftohet te kuptohemi por PS eshte e vetmja force politike qe perkunder gabimeve te saj ka punuar shume per te miren e vendit e te popullit. Vendi duhet te futet ne BE,se vetem ateher mund te ulet korrpsioni dhe ulerimat e horrave te .....
PërgjigjuUn menoj qe te falet edhe kyt here e nese e persrit ma ti thuhet qe te hanen te vin me prind ne shkolle e te nxirret para klase dhe ti bahet fletrrufe e te vendoset te kandi fletrrufeve dhe ne çdo shtylle elektrike.Dhe nese nuk xen men ti sekuestrohet biçikleta dhe skuteri.....
PërgjigjuSapo i pashe ato faktet ne usb..qesharake, shumica jane biseda whatsapp dhe emaile pa lidhje. Nuk lidhin dot ku qendron vepra penale. I kane bashkuar ato faqet pa lidhje. Pune e çorbet dhe pa profesionalitet, kerkesa do te rezohet
PërgjigjuNga interrnimi ne interrnim , mos se eshte gjynah....
PërgjigjuCa po numeron milionat qe ka vjdh balluku o brace prap si numerove mire se jan 1.2 miliard
PërgjigjuARRESTOJENI ATE BELEN PREJ ZHELESH ti japi 300 apartamentet pensionisteve qe skane lek ne xhep
PërgjigjuThirre ate plehren hahahahaha
PërgjigjuArrestoni saliun se ai na ka sjelle ne kete dite. 8 vjet ne pushtet! Ai e ka fajin per ballukun per tahirin per ahmetajn per meten , te gjithe ca ajane arrestuar deri sot. Saliu eshte e keqja e ketij vendi. Zoti carlo bollino vendosni drejtesi ju lutem. Çirrja masken saliut. Perpara
PërgjigjuSala e ka o plak.po te mos ishte sala ne krye te pd un edhe shum SI puna ime qe djegim boten se japin prej sales.ti mendoje SI te duash kush esht fajtori.edi qe vjedh se esht ne pushtet ngaqe ne nuk votojm .apo sala qe na ka bo mos me votu pd e me bo sehir
Spaku duhet te zhvilloje aksione kunder korrupsionit në drejtësi, pse? Po veprojnë si grup i strukturuar kriminal avoketer, ekspertë, prokurore e gjyqtare në gjyqet kunder OSHEE dhe ARRSH. Çdo proces shkon mbi 500 mijë euro duke u sajuar si raste aksidentale. Madje Gjykatat po i japin vendimet te ekzekutueshme qe në shkallë te parë pa u gjykuar ende në Apel pra pa marrë vendimi formë te prerë. Për më tepër as Gjykata e Apelit, as ILD e për më tepër Gjykata e Larte nuk po ndërhyn në këtë masakër te vjedhjes se prave publike nga ky grup kriminalI bëj thirrje Edi Ramës ta analizojë këtë fenomen e shohe qe fstura e vjedhjes dhe korrupsionit në këtë skemë mund ti kalojë 50 milion euro në vit
PërgjigjuNe fakt KLSH ka then qe demi ne buxhet te shtetit eshte mbi 1 miliard euro