Sot votohet për arrestimin e Berishës, PS-PD dy raporte në Kuvend: Të autorizohet SPAK! Alibeaj: Akuzat jo politike, por fakte se favorizoi dhëndrin (Dokumentet)

Dy raporte janë kopsitur nga anëtarët e Këshillit të Mandave të cilët dy ditë më parë me 6 vota pro votuan në mbështetje të kërkesës së SPAK për arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha i cili akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Ndonëse PS dhe Enkelejd Alibeaj i dorëzuan të ndarë në Kuvend raportet që do të votohen sot, kërkesa e tyre për deputetët është e njëjtë që parlamenti t'i hapë rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës dhe më pas arrestimin e tij.

"Përfundimisht, si anëtar i Këshillit për Imunitetin, i rekomandoj seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin kërkesës për dhënien e autorizimit, të kërkuar me shkresën nr. 16688 prot., datë 12.12.2023 të SPAK “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit", rekomandon Enkelejd Alibeaj, i cili ishte i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve.

"Anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, duke vlerësuar parimet kushtetuese për funksionimin e shtetit së drejtës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, barazisë para ligjit së të gjithë shtetasve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe garancive procedurale në hetim dhe procesin penal, me qëllim që drejtësia të ushtrojë funksionet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës, nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, unanimisht i rekomandojmë Kuvendit: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit", nënvizohet në raportin e mazhorancës.

Si opozita dhe mazhoranca argumentojnë se akuzat ndaj Berishës nuk janë politike. Në raportin e tij të gjatë Enkelejd Alibeaj ndalet te faktet që SPAK ka paraqitur ndaj Berishës duke përmendur se ish-kryeministri akuzohet se ndryshoi disa ligje për të favorizuar dhëndrin në privatizimin e ish-kompleksit Partizani.Gjithashtu evidentohet fakti se provat e prokurorisë, kanë kaluar tashmë hallkat gjyqësore: në shkallën e parë dhe në apel, ndërsa mosdhënia e autorizimit sipas tij, do të ishte mungesë vullneti për luftën ndaj korrupsionit.

“Shkeljet penale që deputetit i atribuohen, në mënyrë të qartë nuk janë të bazuara në motive politiko-partiake dhe as kanë për qëllim shqetësimin apo intimidimin e deputetit apo ndikimin në mandatin e tij. Nga vetë deputeti (përfaqësuesit e tij) as nuk u pretendua një motiv i tillë politik. Për me shumë është pohuar publikisht, prej tij, respektimi i vendimmarrjes së Kuvendit, si shenjë e një qëndrimi dinjitoz politik. Shkelja e pretenduar nga ana e prokurorisë (akuzat) janë veçanërisht të rënda. Mosdhënia e autorizimit, është një akt i cili kompromenton tërësisht autoritetin dhe legjitimitetin e parlamentit në sytë e publikut dhe në marëdhëniet institucionale me organet e tjera”.

Socialistët, i qëndruan kushteve ligjore, që kërkesa e SPAK plotësonte, për të bindur Kuvendin t’i japë dritën jeshile arrestimit të Berishës, duke evidentuar faktin se vendimet e gjykatave janë të detyrueshme për t’u zbatuar.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova se deputeti e ka kryer veprën penale dhe për nevoja të hetimit të mëtejshëm kërkohet dhënia e autorizimit për masën që kërkohet në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit Gjatë shqyrtimit të kërkesës nuk rezulton që kërkesa të jetë bërë në kushtet e një ndikimi politik  apo të një natyre/ndërhyrje tjetër të padrejtë që të bjerë ndesh me interesat e drejtësisë”.

Përballja e Berishës me drejtësinë, thotë më tej Alibeaj në raport, do t’i ruante atij dinjitetin.

“Vendosja e një deputeti para situatës kur duhet t’i nënshtrohet drejtësisë, e krijon një bjerrje të imazhit apo goditje të vlerësimit që publiku ka pas krijuar për të, zgjedh të vendos se zgjidhja optimale, pragmatiste, politike dhe etike që figura publike e atij deputeti, të rikuperohet, të ruhet, mbrohet, ndoshta të përforcohet është ajo që tejkalon domosdoshmërisht testin e drejtësisë. E gjykoj si një mundësi të mirë për ruajtjen e dinjitetit politik të deputetit në fjalë, përballjen me drejtësinë”.  

SPAK iu drejtua kuvendit me kërkesën për dhënien e autorizimit për rëndimin e masës ndaj Sali Berishës në arrest, më 12 dhjetor pasi ish-kryeministri, nën akuzë për privatizimin e ish kompleksit Partizani, nuk respektoi masën e parë, atë të detyrimit për paraqitje. Vetë Berisha nuk u paraqit në mbledhjen e Këshillit, dhe betejën e tij përballë prokurorëve Arben Kraja dhe Enkeleda Minollai, që e akuzojnë për korrupsion pasiv, ia besoi dy avokatëve. Prokurori Arben Kraja i parashtroi Kuvendit të gjitha provat e SPAK se Berisha ka bërë korrupsion në aferën Partizani me qëllim që dhëndri i tij të përfitojë miliona euro. Nëse ish Kryeministri do të mbyllet në shtëpi apo në burg, prokurorët i lanë të hapura të dyja mundësitë.

(Kliko këtu për të parë raportin e deputetit Enkelejd Alibeaj)

(Kliko këtu për të parë raportin e deputetëve të mazhorancës)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:16
Raporti i PS: Kërkesa e SPAK për arrestimin e Berishës jo e ndikuar politikisht! Të respektohen vendimet e gjykatave, ish-kryeministri s'e përfilli

1703103702_KeshilliMandateve1scaled.jpg

Anëtarët e PS në Këshillin e Mandateve i rekomandojnë Kuvendit që t'i heqin imunitetin Sali Berishës duke nënvizuar se kërkesa e SPAK nuk rezulton të jetë bërë në kushtet e një ndikimi politik. Në raportin e dorëzuar në Kuvend që do të votohet nesër, socialistët nënvizojnë se vendimet e Gjyaktave duhen respektuar, gjë të cilën Berisha nuk e ka bërë.

"Gjatë shqyrtimit të kërkesës nuk rezulton që kërkesa të jetë bërë në kushtet e një ndikimi politik apo të një natyre/ndërhyrje tjetër të padrejtë që të bjerë ndesh me interesat e drejtësisë. Në mënyrë të përmbledhur, të pyetur nga anëtarët e Këshillit, nëse organi i akuzës është ndjerë i ndikuar nga ndonjë faktor për ushtrimin normal të funksioneve të veta, nëse deputeti është vënë në dispozicion të drejtësisë apo e ka penguar hetimin, nëse institucionet shtetërore apo subjekte të tjera e kanë penguar atë të realizojë detyrat e veta, përfaqësuesit e organit të akuzës u përgjigjën se referuar procesverbaleve të konstatimit të mbajtura nga oficeri i Policisë Gjyqësore/hetuesi në datat 06.11.2023, 20.11.2023, 04.12.2023, konstatohet se personi nën hetimin Sali Berisha nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para Policisë Gjyqësore dhe se organi i akuzës nuk ndihet nën presion për ushtrimin e funksioneve të veta, të cilat po i ushtron sipas ligjit dhe nuk ka asnjë sfond politik në punën e vet."

Ora 20:56
SPAK kërkon arrestimin, Alibeaj: Përballja me drejtësinë, një mundësi për ruajtjen e dinjitetit politik të Berishës

1703102620_1200630enkelejdalibeaj21140x600670.jpeg

Përballjen e Sali Berishës me drejtësinë Enkelejd Alibeaj e shikon si një mundësi që ai të ruajë dinjitetin e tij politik prandaj i kërkon Kuvendit që të votojë pro heqjes së imunitetit të ish-kryeministrit.

"Së fundmi, nuk mund të anashkaloj edhe raportin njerëzor që krijohet mes kolegësh deputetë. Pavarësisht rreshtimit politik, pavarësisht qëndrimeve partiake, pavarësisht divergjencave dhe qëndrimeve antitetike të kohërave politike më të fundit, marrëdhënia njerëzore është e jo e papërfillshme. Aq më shumë kur bëhet fjalë që me deputetin, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, kam ndarë për shumë kohë, (sidomos për periudhën kohore përgjatë së cilës vendosen kronologjikisht faktet e pretenduar si penale), të njëjtën anë të pozicionimit politiko-partiak, të njëjtat angazhime qeverisëse apo parlamentare. Megjithëkëtë përgjegjësia e lartë, e pozicionit të deputetit të Kuvendit, kur thirret në situata të tilla delikate si në aspektin emotiv, ashtu edhe atë politik e më së shumti ligjore, duhet të prevalojë qoftë mbi brengat njerëzore që natyrshëm krijohen, qoftë mbi përllogaritjet e vogla partiake që bashkëshoqërojnë pandashëm aktivitetin politik apo solidaritetin partiak. Angazhimi si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, mbart si një vlerë të patjetërsueshme, komponentin e mbrojtjes së interesit publik dhe të gjithë vendit. Duhet të jetë ky pozicionimi politik i epërm, mbi të cilin duhet gjetur objektiviteti dhe shpirtqetësia në 17 | F a q e ndërmmarrjen e një konkluzioni për gjykimin mbi pozitën politike dhe imazhit publik të cdo përfaqesuesi të lartë politik. E në kushtet, kur pranoj se së paku në imazhin publik, vendosja (apo vetvendosja) e një deputeti para situatës kur duhet t’i nënshtrohet drejtësisë, e krijon një bjerrje të imazhit apo goditje të vleresimit që publiku ka pas krijuar për të, zgjedh të vendos se zgjidhja optimale, pragmatiste, politike dhe etike që figura publike e atij deputeti, të rikuperohet, të ruhet, mbrohet, ndoshta të përforcohet është ajo që tejkalon domosdoshmërisht testin e drejtësisë. E gjykoj si një mundësi të mirë për ruajtjen e dinjitetit politik të deputetit në fjalë, përballjen me drejtësinë."

Ora 20:37
Raporti/ Alibeaj: Akuzat e SPAK ndaj Berishës jo politike, por se ndryshoi ligjet në favor të dhëndrit për privatizimin e ish-klubit Partizani

Përfaqësuesi i PD në Këshillin e Mandateve Enkelejd Alibeaj në raportin e tij drejtuar Kuvendit përmes të cilit rekomandon që të autorizohet SPAK për arrestimin e ish0kryeministrit, nënvizon se SPAK në kërkesën ka paraqitur se Sali Berisha akuzohet se ka ndryshuar disa ligje në favor të dhëndrit të tij për privatizimin e ish-klubit Partizani.

“Nga kërkesa e paraqitur nga organi i Prokurorisë, Relacioni bashkëngjitur saj dhe përgjigjet e prokurorëve në mbledhje të Këshillit për Imunitetin rezulton se: SPAK, ka regjistruar procedimin penal nr. 287 të vitit 2020 për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i K.Penal. Më datë 02.10.2023, në kuadrin e këtij procedimi penal është vendosur, ndër të tjera, regjistrimi i emrit të personit nën hetim Sali Berisha, si i dyshuar se ka kryer veprën penale të: “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Kjo dispozitë parashikon se kërkimi ose marrja, drejtëpërdrejtë ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose moskryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet. Konkretisht, nga hetimet, vlerësohet se është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se personi nën hetim Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, përgjatë periudhës kohore që shtrihet që nga viti 2005 e vijim, ka kryer veprime konkrete, aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familje ish-pronare, me qëllim kthimin dhe në vijim shfrytëzimin si troje ndërtimore të territoreve ku janë shtrirë ish Klubi Shumësportesh Partizani dhe ish Klubi i Futbollit Partizani, ku përfitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi. Nga ana e shtetasit Sali Berisha, janë kryer veprime aktive, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e kontrolleve administrative (Urdhëri nr. 1289 prot., datë 16.04.2009), me qëllimin e ushtrimin e presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete për veprime që duhet të kryenin funksionarët që pengonin përfundimin e procesit të privatizimit, në favor ndër të tjera, të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.

Nga ana e shtetasit Sali Berisha, janë kryer veprime aktive, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore në favor të tij. Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit Jamarbër Malltezi, në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit Sali Berisha, ekziston dyshimi se është, vetë privatizimi i objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi.

Përfitim i parregullt, janë ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, pavarësisht interesit publik që ekziston në lidhje me nevojën e ekzistencës së ambienteve sportive, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi”, nënvizohet në raportin e Alibeajt.

Sipas tij akuzat ndaj Berishës nuk janë politike.

“Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë: të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partiak për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare. Një qëndrim i tillë i tillë i Kuvendit, mbështetet nga dokumenti i mësipërm i Komisionit të Venecias i cili në paragrafin 162 përshkruan se: 162. Komisioni i Venecias, në përgjithësi, konsideron se duhet të ketë një prezumim bazik që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet në të cilat nuk ka arsye të besohet se akuzat kundër deputetit në fjalë janë të motivuara politikisht. Imuniteti duhet të zbatohet vetëm në rastet kur ka arsye të dyshohet për një element politiko-partiak në vendimin për të ndjekur penalisht parlamentarin në fjalë. ...” Në funksion të këtij qëllimi, Kuvendi, në këtë lloj procedure verifikon: Së pari ekzistencën e një procedimi penal të ligjshëm; Së dyti ekzistenca e kushteve ligjore për arrestin dhe kontrollin.”

Pjesë nga raporti i Alibeajt ku përmend akuzat e SPAK ndaj Berishës për favozirimin e dhëndrit

 
Ora 19:51
Raporti i Alibeajt: Kuvendi të japë autorizimin për heqjen e imunitetit të Berishës, të mos ndërhyjë në kompetencat gjyqësore! Shkelja e detyrimeve, e provuar

1703098365_alibeaj714x450.jpg

Në raportin e Enkelejd Alibeajt i cili përfaqësonte opozitën në Këshillin e Mandateve kur u shqyrtua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit ndaj Sali Berishës, nënvizohet se me dhënien e autorizimit Kuvendi tregon standardin më të lartë të sjelljes etike. Sipas Alibeajt për Kuvendin është i rëndësishëm fakti që shkelja e detyrimeve ndaj drejtësisë nga ana e Berishës është e provuar.

“Në këto kushte rezulton e provuar fakti se personi nën hetim nuk ka zbatuar detyrimet që rëndonin mbi të, caktuar me vendim gjykate, në mënyrë të përsëritur. KPP, në nenin 231/1 dhe 260/3, ia lë në diskrecion prokurorisë si mundësi të kërkojë ose jo një “masë tjetër më të rëndë” sesa të mëparshmet. Mesa duket qartazi prokuroria ka zgjedhur opsionin që në mungesë të respektimit të masave të mëparshme të kërkojë një masë tjetër më të rëndë. Në këtë pikë përsëri, Kuvendi nuk ka të drejtë të vlerësojë nëse është e vlerësuar drejt apo jo kjo nevojë-mundësi, kjo zgjedhje e prokurorisë. Edhe ky kriter bie nën suazën kontrolluese të juridiksionit gjyqësor. Nëse do ndodhë që Kuvendi do japë autorizimin, do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë nëse ka vend apo jo për një masë më të rëndë bazuar në proporcionalitetin shkelje – rëndim mase. Për Kuvendin është i rëndësishëm fakti, që premisa bazë, ajo e shkeljes së detyrimeve të mëparshme është e provuar. Nëse gjykata do ta gjejë me vend kërkesën, është kompetencë e saj, porse Kuvendi, duhet të mos ndërhyjë në këtë kompetencë gjyqësore me mosdhënien e autorizimit të kërkuar”, thuhet mes të tjerash në raportin e Alibeajt.

B.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • fshati: 21/12/2023 08:09

    Edhe Basha e perjashtoi, por nuk i dolen mire llogarite.

    Përgjigju
  • Arbëri: 20/12/2023 21:08

    O IDIOT, U BËRE MULTI MILIONER (€) MBRENDA NATES, O TRADHTAR!

    Përgjigju
  • Arbëri: 20/12/2023 21:05

    Alibej krimineli

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë