SPAK t’ia mbyllë ‘tmerrin pa fund’ Berishës, iu shtua dhe ‘21 janari’

SPAK t’ia mbyllë ‘tmerrin pa fund’ Berishës, iu shtua dhe ‘21 janari’

Sali Berisha

Nuk ka gjë më të të tmerrshme që të presësh pafund një fund të tmerrshëm. Për një politikan themi, i cili gjithë karrierën politike me ligj duhet ta ngrejë mbi moralin, vlerat dhe integritetin.

Por kur ke kryer zullume gjatë tërë karrierës politike, dhe mbi të gjitha kur i di vetë më mirë se të gjithë të tjerët se e ke bërë ‘baltë’ në të gjitha drejtimet, është akoma më keq.

Eshtë si puna e mjekut specialist, i cili e di në detaje diagnozën e sëmundjes së tij, pafuqinë e trajtimeve mjekësore për të shmangur më të keqen, dhe pret nga dita në ditë fundin e tij. Madje duke lutur Zotin që të vijë sa më parë që të shpëtojë veten dhe familjen nga stërmundimet.

Eshtë sfilitëse të ngrihesh në mëngjes me mendimin, nëse do ta mbyllësh këtë ditë i gjallë apo jo, dhe të ulesh për të fjetur me mendimin nëse do të ngrihesh më nesër në mëngjes.

Kjo po ndodh dhe me politikanët shqiptarë të akuzuar për korrupsion dhe lidhje me elementët kriminalë, të cilët për fat të Zotit nuk luftojnë për të jetuar dhe për të qënë mes të gjallëve, s’kanë probleme të këtij lloji, por po luftojnë me të gjitha mjetet, dhe duke dhënë goditje ‘poshtë brezit’ në 90 përqind të rasteve, për të mbijetuar politikisht dhe për të qënë jashtë qelisë së burgut.

Dhe në veçanti simptoma të tilla të tmerrit pa fund po i shfaqen Sali Berishës, njeriut që në 32 vite të post-komunizmit ka qënë kryetar i PD, tërë kohën, President i Republikës i zgjedhur dy herë dhe kryeministër në 8 vite. Tashmë i rikthyer për të drejtuar një ‘copë’ të PD, ‘Foltoren’.

Drejtësia për Berishën është kthyer në makth, pasi e di me në detaje ‘sëmundjen’ që e ka zënë këtu e 32 vite me radhë bashkë me familjarët e ortakët e tij, atë të korrupsionit madhor sidomos, me pasojë futjen e dorës tek paratë e shtetit dhe përfitimin për veten, familjen dhe ortakët e tij.

Për hir të së vërtetës, drejtësia shqiptare ndonëse e dinte që së largu ‘diagnozën’ e Berishës, atë të korrupsionit madhor, nuk kishte folur asnjëherë. Më saktë nuk kishte guxuar kurrë që të flasë, jo për korrupsionin madhor të Berishës, por as të zinin në gojë emrin e tij. Nuk bëhej fjalë.

Anipse paralajmërimet Berisha i bënte nga vila e stërmadhe dhe dia milionë euroshe në Gjirin e Lalzit, anipse ato dilnin nga apartamentet në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, apo nga biznesi i demontimit të municioneve, tregtimit të fishekëve kinezë e së fundmi dhe të biznesit të boronicave në Gërdec.

Kërcënimet e tulatjet ndaj drejtësisë për ta penguar që në embrion hetimin e mundshëm, ndonëse thellë thellë ishte i bindur se s’guxonte askush, vinin dhe nga kryeministria ku u vranë nga Garda e Republikës sipas akuzës, 4 demonstrues të opozitës më 21 janar 2011. Dosja e njërit prej të cilëve, Aleks Nikës u mbyll pa autor dhe mbetet sërish për t’u gjykuar.

Por dhe nga 230 milionë eurot e zhdukura të Rrugës së Kombit, mbi 500 milionë eurot e aferës CEZ-DIA, aferës së privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani” dhe të gjitha aferat e tjera të këtij lloji, që janë krijuar nga Berisha, familjarët dhe ortakët e tij në këto 32 vite.

Pra në të gjitha herët drejtësia e emëruar prej Berishës dhe ortakëve të tij, thjeshtë kishte heshtur, dhe përmes kësaj heshtjeje vetë kjo drejtësi kishte përfituar rëndë duke rrjepur qytetarët në të gjitha herët, duke hapur dyert e qelive për njerëzit e krimit, dhe duke mos futur asnjë zyrtar të korruptuar në qeli. Me përjashtim të atyre që nuk i ‘vinin’ pazarit të vetë drejtësisë e politikanëve ‘mirëbërës’ të drejtësisë.

 

Nëse dikush ka dyshime për këtë le të shohë rezultatet e Vettingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve, ku në krye të herës u ‘shkri’ Gjykata Kushtetuese, pasi thuajse të gjithë anëtarët e saj nuk e justifikonin pasurinë e vënë ‘me mund e djersë’, pas një jete ‘kothere’ para se të vishnin rrobën e drejtësisë, dhe pa asnjë akt trashëgimie nga parardhësit e tyre.

Ndërkohë që mbi 80 përqind e trupës gjyqësore dhe të prokurorëve dolën nga sistemi, po për mosjustifikim të pasurisë e kritere të tjera që nuk i plotësuan. Pasi për të paaftët u gjet zgjidhja, i futën dhe njëherë në moshë madhore për të kapur ndonjë libër dhe studiuar. Jo te “plepat’!

Dhe për të guxuar drejtësia, u desh pastrimi i saj, aq sa mund të jetë pastruar, përmes reformës në drejtësi, ngritjes së institucioneve të drejtësisë së re duke filluar nga SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykata e Posaçme. Me mbështetjen e SHBA e BE dhe për hir të së vërtetës, edhe me iniciativën e fortë të PS tashmë në mazhorancë, e cila që në fillim, në përballjen elektorale të 2009, ku mbeti në opozitë për pak vota, e kishte boshtin themeltar të programit të saj politik. Që e bëri realitet pas fitores përballë PD më 2013. Dhe e realizoi vetëm 3 vite pas ardhjes në pushtet.

Pas ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, filloi pak e nga pak goditja e zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion. Hope hope, por ama u goditën, diku shumë ashpër, diku më shumë se duhet, diku në ‘shenjë’, por ama filluan të injektojnë besimin te partnerët që financojnë drejtësinë e re por dhe tek shqiptarët, se pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion në këtë vend, ka marrë fund.

Ka ministra të dënuar e nën hetim, madje dhe një zv.kryeministër, ka kryetarë bashkie të dënuar ose nën hetim, ka deputetë dhe ish deputetë, zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë që po ‘parakalojnë’ përditë para SPAK, duke u pyetur dhe dhënë dëshminë e tyre për dosje të ndryshme nën hetim. Eshtë një arritje vërtetë madhore kjo nga drejtësia e re, është një besim që po krijohet ngadalë por i sigurtë tek të gjithë shqiptarë se kjo drejtësi po funksionon.

Por mjerisht deri para pak kohësh, njeriu më i akuzuar për korrupsion dhe të gjitha akuzat e mundshme që mund të ndodhin tek një zyrtar, Sali Berisha, nuk ishte prekur. Madje nuk i përmendej as emri. Prokurorët dhe gjyqtarët flisnin me kode duke përmendur çështje dhe jo subjektin kryesor të çështjes. Madje nuk ‘rridhnin’ as informacionet nga dosjet e tij për këto afera të mëdha drejt mediave, siç ndodhte me dosjet e zyrtarëve socialistë të akuzuar.

U desh një vendim i SHBA, aleatit tonë të madh e të palëkundur, që të shpallte Berishën person ‘non grata’ për korrupsion madhor, minim të demokracisë e presion ndaj drejtësisë, që drejtësia e re të marrë pak e nga pak zemër. Por dhe të shohë vilat miliona euroshe që kanë familjarët e tij dhe ku banon vetë kreu i “Foltores” të cilat tashmë janë nën sekuestro, të shohë korrupsionin madhor në favor të familjes së tij. Dhe të fillojë e t’i përmendë dhe emrin, sa për të ‘thyer’ mitin e paprekshmërisë së Berishës, të krijuar nga vetë ai, që nuk linte prokuror e gjyqtar pa sulmuar, sa herë që prekej një zyrtar që kishte qënë bashkëpunëtor i tij.

SPAK në fund të herës i ra në ‘zemër’ këtij muhabeti, duke vënë nën akuzë vetë Sali Berishën për korrupsion pasiv dhe duke dhënë masën e detyrimit të paraqitjes dy herë në muaj para një oficerit të SPAK. Qoftë dhe për të ‘fshirë’ mungesën.

Akuza ndaj Berishës është e rëndë, pasi bëhet fjalë për aferën më të madhe por dhe më të drejtëpërdrejtë, atë të ish kompleksit sportiv “Partizani”, për të cilën ndryshoi ligje, vendime qeverie dhe çfarë i doli përpara, vetëm e vetëm që të përfitonte dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili është aktualisht në burg nën akuzën e pastrimit të parave.

 

Dhe jo mijëra dollarë, por ka përfituar plot 5.4 milionë euro nga kjo aferë, pjesa e dukshme kjo, ku 113 metra katrorë ‘pollën’ ndërtimin e një kompleksi gjigand me 19 kulla, dhe pa hedhur asnjë lek financim nga dhëndri sollën një superfitim prej miliona eurosh. Një pjesë të të cilave të transferuara në Gjermani në llogarinë e vajzës së tij, supermbesës së Berishës, për të cilat dhe pala gjermane ka nisur hetimet, për të zbuluar burimin e këtyre parave. Eshtë komplekse çështja.

Berisha e ka pritur në mënyrë aspak dinjitoze dhe keq masën e sigurisë detyrim paraqitje ndaj tij. Duke refuzuar marrjen e njoftimit për këtë masë sigurie, jo më të paraqitet në SPAK. Herë duke u fshehur në selinë e PD buzë Lanës, herë duke mashtruar tek blloku i apartamenteve ku po strehohet, pasi s’ka asnjë banesë në emrin e vet, Berisha nuk e ka marrë në ‘dorëzim’ njoftimin. Madje dhe duke u mbrojtur me pretendimin se nuk është respektuar Kushtetuta për marrjen e masës ndaj tij. Pasi është deputet. Ndonëse nuk bëhet fjalë për këtë masë sigurie në Kushtetutë.

Leja nga Kuvendi kërkohet vetëm kur kërkohet arrestimi i një deputeti. Po Berisha ka ‘kodin’ e tij të interpretimit të Kushtetutës, sipas hallit personal me të cilin përballet. Dhe tashmë hall për të është drejtësia te dera e shtëpisë së tij, familjarëve e ortakëve të tij. Ku ‘laku’ është ngushtuar rëndshëm dhe arrestimi është më afër se kurrë. Madje më afër se sa e kishte parashikuar shumë më herët, kur nuk guxonin t’i përmendnin as emrin.

Berisha kundërshtinë e tij, në refuzimin e tij për të marrë njoftimin dhe me postë, apo për të vajtur në SPAK, e ka përkthyer në një sulm ndaj Parlamentit. Duke thyer karrige, duke hedhur tymuese, duke rrëmbyer kartat e deputetëve të mazhorancës, duke u ulur në karriget e ministrave, kryetares së Kuvendit dhe kryeministrit, duke shkulur mikrofonët dhe duke bllokuar seancat dhe komisionet parlamentare.

Madje dhe kur deputetët që e mbështesin përjashtohen për sjellje aspak ligjore në Parlament, fusim dhe Gazment Bardhin këtu, ata kapërcejnë kangjellat apo hyjnë nga dritarja e kryesisë së Kuvendit dhe prishin punën e tempullit ku bëhen ligjet në Shqipëri. Megjithëse i është gjetur ‘antidoti’ kësaj dhune të Berishës dhe deputetëve të tij, përmes mbledhjes online të komisioneve parlamentare. Dhe mbështetësit e Berishës kur s’gjejnë deputetë të PS përballë, atëherë bëjnë sherr me vetë deputetët demokratë. Mjafton që të jenë në fokus të medias për dhunë.

Që të rikthehemi në pikën e nisjes, Berisha është në një tmerr pafund, pasi po përjeton ditët më të këqija të tij në politikë, duke u ngrysur e gdhirë nën trysninë e një mase më të ashpër sigurie, asaj me ‘arrest shtëpie’ si politikan në moshë të thyer, e arrestit me burg nëse e acaron më tej situatën. Për korrupsionin pasiv në rastin e aferës së “Partizanit” tani për tani, pasi ka shumë dosje në ngarkim.

Pasi kreun e “Foltores” e ka acaruar shumë dhe rikthimi i hetimit për “Gërdecin” ku është thirrur si dëshmitar djali i tij Shkelzen Berisha, i akuzuar si pronari i vërtetë i këtij biznesi vdekjeje të përfituar nga babai kryeministër në atë kohë dhe ku nga shpërthimi tragjik në mars 2008 humbën jetën 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Ku me shumë gjasa do të vijnë dhe prova, e fakte të nxjerra përmes dëshmive të dhëna dhe në SHBA nga të ‘penduar’ si ish shefi i shtabit të përgjithshëm i ushtrisë shqiptare, “çunat amerikanë të armëve’ apo dhe gazetari amerikan që shkroi librin, i cili u bë dhe film me personazh djalin Shkelzen Berishën.

Por dhe rihapja e sigurtë e hetimit për ’21 janarin’, pas atij vendimit të Gjykatës së Strasburgut për rastin e vrasjes së Aleks Nikës nga Garda, ku evidentohet nga kjo gjykatë se ishte përgjegjës shteti dhe për këtë kërkoi të bëhet hetim. Duke ju referuar vendimit të gjykatës së Strasburgut që kërkon që të kryhen hetimet me themel për të gjetur dhe dënuar autorët, këto hetime duhet në nisin nga e para e në lidhje me këtë duhet të merren në pyetje dhe Sali Berisha e Lulzim Basha. Ndaj është trembur Berisha. Eshtë korrupsion i përgjakshëm ky i Berishës.

SPAK ka ndjekur paratë dhe nuk është çudi që të zbardhen llogari të shumta në bankat e huaja të familjarëve të tij që nuk u ka thënë njeri deri më sot ‘puna e mbarë’ apo ortakëve të tij, që s’kanë lënë para shteti pa përfituar dhe kanë biznese e llogari në të gjitha vendet. Në Shqipëri po e po. Ndoshta kanë ardhur dhe përgjigjet për letër-porositë e nisura nga SPAK për bankat e huaja.

Të gjitha këto e kanë vënë në një situatë të vështirë Berishën, familjarët dhe ortakët e tij, duke i shtyrë në deklarata dhe veprime të pakontrolluara. Që për fat është kthyer në një lojë politike me ‘salla të mbyllura”. Brenda sallës apo kryesisë së Kuvendit, dhe pa asnjë ndikim jashtë këtij perimetri. Pasi demokratët s’po lëvizin as ‘gishtin’ në mbrojtje të Berishëve dhe ortakëve të tij.

Demokratët nuk mund të bëhen ‘kamikazë’, dhe as që e kanë ndërmend të bëhen, për 19 kullat miliona euroshe të dhëndrit të Berishës, as për vilën në Gjirin e Lalzit, apo për bizneset pafund të familjarëve të Berishës e ortakëve të tij, ndërkohë që vetë këta demokratë që kanë dhënë shpirtin ndër vite për këtë parti, mezi mbyllin muajin e po luftojnë për mbijetesë. Apo për një jetë normale. Si të gjithë shqiptarët e tjerë. S’kanë ngenë e halleve me vlerë miliona euroshe të Berishës, familjarëve dhe ortakëve të tij. Dhe as përballjen me drejtësinë të tij për këto halle.

Mungesa e mbështetjes e ka ‘destabilizuar’ rëndë Berishën, i cili përpos në media dhe në studio televizive, po shkon dhe në takime nëpër qytete për të ‘rekrutuar’ mbështetës për ‘revolucionin’ e madh kundër Edi Ramës e qeverisë së PS. Pa mundur të ‘kapë’ asnjë protestues të mundshëm për kauzën e tij të mbrojtjes nga drejtësia, si i akuzuar për korrupsion.

Por dhe SPAK e Gjykata e Posaçme e ka vënë në vështirësi Berishën. Jo vetëm për akuzat ndaj tij, gjetjen e provave dhe marrjen e masës së sigurisë, por dhe zgjatjen pafund të procesit ndaj tij. Qoftë dhe duke mos reaguar deri më tani për refuzimin që Berisha i ka bërë njoftimit për masën e sigurisë e paraqitjes në SPAK. Duke e zgjatur pa fund kërkesën e lejes ndaj Kuvendit për një masë më të ashpër sigurie. Duke ia vënë ‘arrestin’ para syve dhe duke ia lëvizur nga dita në ditë. Duke e bërë që të ngrihet në mëngjes me këtë imazh në mendje, të bëjë ‘lëvizjet’ e ditës dhe të ngryset në mbrëmje po me imazhin e masës së arrestit në sy e mendje.

Kjo e ka nxjerrë jashtë nga sjellja normale Berishën, aq sa mund të jetë normale sjellja e tij themi. I cili kërcënon prokurorët dhe gjyqtarët e çështjes, kërcënon këdo që i del përballë dhe nuk jeton me hallin e tij. Me një fjalë, SPAK i ka rezervuar Berishës një tmerr pa fund, e lodhshme për një njeri të moshës së tij. Pavarësisht se i quan vitet numra, por ato janë vite dhe nuk kthehen, rëndojnë pa kuptuar.

Dhe nëse do të me jepej mundësia t’i bëja një lutje SPAK-ut dhe Gjykatës Speciale, ajo do të ishte për pak mëshirë për Berishën. Në këtë fund karriere politike e perëndim të jetës biologjike, duhet ta mëshirojë SPAK. E dimë që Berisha ia ka nxirë jetën drejtësisë, por mendoj se ka ardhur koha që SPAK t’i japë fund ‘torturës’ së kreut të “Foltores”. Pasi iu shtua në kurriz dhe dosja e ’21 janarit’, pas vendimit të Strasburgut për ankimimin e familjes së Aleks Nikës që të hetohet nga fillimi, dhe dosjet po i bëhen ‘kapicë’ Berishës. Kë të kapin më parë prokurorët.

Ta bëjë atë kërkesën siç e do dhe Berisha, ‘kushtetuese’, ta dërgojë në Kuvend dhe të kërkojë atë lejen për masën e arrestit për të. Arrest shtëpie apo qelie, si të dojë SPAK-u, por ta mëshirojë e ta bëjë sa më shpejt, se mbeti rrugëve. Ju garantojmë se do të qetësohet tërësisht, nuk do të bëjë këto që bën. Do qetësohen dhe mbështetësit e tij deputetë. Kuptohet dhe Gazi. Shqiptarët janë në pritje të këtij ‘akti human’ nga SPAK.

M.T/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë