Speciale/ Nga karnavalet ilire tek pehlivanët, traditat e (pa)harruara

Shqiptarët në Ballkan ruajnë me fanatizëm ritet pagane të ilirëve dhe pehlivanllëkun

Karnavalet Ilire

Në mitologjinë ilire janë zbuluar, legjenda, besime, praktika fetare pagane dhe tradita të popullit të lashtë ilir. Megjithëse shumica e kësaj mitologjie është humbur nëpër kohë, disa elemente janë ruajtur nëpërmjet disa zbulimeve arkeologjike dhe rrëfimeve të trashëgimisë verbale. Një prej tyre janë karnavalet Ilire në fshatrat e Malësisë së Sharrit në Maqedoninë e Veriut në kufi me Kosovën dhe Shqipërinë.

Konsiderohen si më të vjetrat në Ballkan, gjurmët e të cilave janë të hershme. por me kalimin e kohës ato pësuan ndryshime dhe u transformuan, deri në atë masë sa në shekullin e fundit kanë ngelur vetëm si kujtesë etnografike, duke u zbehur si në aspektin e organizimit ashtu edhe në masivizimin popullor.

Karnavalet janë kremtuar edhe Korçë, në Shkodër, në disa fshatra të Tetovës si Lisec, Veshalla dhe Shipkovica, por tradita vitet e fundit ruhet vetëm nga banorët e Bozovcës.

Të veshur me gëzofë dhe lëkurë prej deleje, sipas traditës banorët nga 11 e deri më 21 mars besojnë se do t’i trembin gjërat e këqija dhe shpirtrat e këqij që të qëndrojnë sa më larg fshatit, që të mos dëmtojnë burimet e ekzistencës së banorëve të këtij vendi. Njerëzit shkojnë shtëpi më shtëpi, për të kujtuar të kaluarën se si ka qenë tradita orgjinale e këtij karnavali. Ata këndojnë këngë të dasmave, kurbetit dhe beqarisë. Kurse zonjat e shtëpisë japin dhuratat më të si simbolikë solidariteti.

Karnavalet e këtilla janë organizuar çdo vit në malësinë e Tetovës deri në vitin 1980, më pas sistemi i atëhershëm e shihte si një manifestim nacionalist dhe e ndaloi. 28 vite më pas karnavalet risillen në fshatin Bozovcë. Kjo falë punës dhe vullnetit të banorëve të zonës.

Këtë vit kjo festë u organizua në Prizren,

Me lëkurat që mbanin në trup, maskat në fytyrë dhe këmbanat në duar, traditat e hershme kombëtare u prezantuan me parakalim të pjesëmarrësve nga treva të ndryshme shqiptare, duke filluar nga kompleksi “Lidhja e Prizrenit” deri tek sheshi "Shatërvan".

Neshat Mehmedi nga shoqata “Karnavalet Ilire” tha se ndryshe nga karnavalet që organizohen në Shqipëri, karnavalet ilire janë tipike origjinale pa ndikime të huaja.

Pjesë e veshjes janë materiale origjinale dhe jo të fabrikuara, më së shumti të marra prej barinjve të zonës, ku mbizotëron lëkura e kafshëve, këmboret, qeleshja, apo maskat prej lëkure. Shkopi është një tjetër element i rëndësishëm që bashkë me hinin përbëjnë dy armët kryesore të karnavaleve që shërbejnë për të sulmuar dhe për t’u mbrojtur. Dikur maskat janë punuar me më shume detaje, duke imituar kafshët shtëpiake, por edhe ato të egra si ujkun, ariun, kaprollin. Sot vijnë më të thjeshtëzuara, në të cilat mbetet elementi kryesor, lëkura e kafshëve.

Secili nga pjesëmarrësit ka rolin e vet, që nga nusja, vjehrra, vjehrri, vajza, dhëndri, vëzhguesit, rolet e vajzave dhe grave bëheshin nga djemtë dhe burrat.

Eralda Baze nga Tirana prezantoi veshjen tradicionale të Zymit dhe teleteisjen e nuses ilire. Karakteristikë e këtyre nuseve ishin fytyrat e tyre të lyera me të bardhë, që sipas traditës, simbolizojnë pastërtinë e femrës ilire.

Këto karnavale dhe të gjitha të tjerat karakteristike të zonave të ndryshme të Shqipërisë duhet të kenë më shumë vëmendje sipas organizatorëve. Të promovohen me qëllim ruajtjen jo vetëm të traditave, por edhe njohjen e të rinjve me jetën e dikurshme të të parëve të tyre.

Pehlivanet

Këtë vit Prizreni është shndërruar në bujtës dhe promovues të traditave popullore të shqiptarëve nga të gjitha trevat e Ballkanit.

Në një periudhë më të vonshme është zhvilluar sporti i mundjes që të gjithë e njihnin me emërtimin Pehlivan.

Fjala pehlivan rrjedh nga fjala perse “pehlevān”, që do të thotë “hero”, “kampion”, “fitues”.

Sait Berisha, 51 vjeç është një nga pehlivanët hero të Kosovës. Këtë sport popullor e ka ushtruar prej 30 vitesh ndërsa sot është trajner. Ai tregon se sporti i mundjes-pehlivanllëk është i kultivuar shumë shekuj më parë në rajonin e Shishtavecit, Vrrinit e Pollogut.

Sporti dhe muzika gërshetohen së bashku. Pehlivanët ndeshen në ndonjë livadh të butë, në shoqërinë e zurleve dhe tupanave. Kjo për ngritjen e adrenalinës dhe përgatitjen psikike të pehlivanëve, tregon Sulejman Shala, trajner dhe ligjërues i sporteve luftarake në Kosovë.

Pehlivanët dikur ishin pjesë e oborreve të agallarëve dhe bejlerëve. Në fillim shumica ishin osmanë, por më vonë pehlivanllëku, u shtri edhe më gjerë. Në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni e Veriut ky sport u popullarizua me depërtimin e turqve në Ballkan.

Në shkrimin “Ilmia Mileinoviqi (Milaimi) sërish i pari i pehlivanëve”, të botuar më 23 tetor 1937, në “Vreme”, flitet për garën e pehlivanëve të zhvilluar në Kavadar. Aty triumfoi Ilmi Mileimi, pehlivan nga Piroku i Tetovës, për të cilin gazeta shkruan se brenda ditës hante katër kilogram mish, dy kilogram hallvë, pinte dy litër qumësht dhe katër litër birrë. 

Garat ishin parë nga pesë mijë shikues dhe kishin filluar prej orës 9. Çdo fituesi i takonin nga 200 denarë, kurse humbësit fitonin një dash. Kampionit, Ilmi Mileimit, i takoi një dem.

Egzon Shala këtë sport e ka nisur në vitin 1999 i frymëzuar dhe trajnuar nga babai i tij. Këtë vit u rendit i pari mundës më i mirë në dorën e parë- Bash, në turneun e pehlivanëve “Epopeja e Verrinit”, që u zhvillua në Lez të Prizrenit.

Pehlivanët janë konsideruar si njerëz shembullorë në shoqëri. Në traditën shqiptare roli i pehlivanëve ka qenë shumë i rëndësishëm si mjet edukimi. Këtë traditë po e kultivojnë edhe pehlivanët e rinj Adriatik Berisha nga Prizreni dhe Klevis Prençaj nga Tirana.

Turneu u organizua nga Federata  e Mundjes e Kosovës së bashku me Klubin e Mundjes “Xhevat Berisha” në bashkëpunim edhe me Federatën e Mundjes së Shqipërisë. Ky turne organizohet për çdo vit në Lez të Prizrenit edhe në nderim të Xhevat, Bekim e Salajdin Berisha, dëshmorë të kombit, ish sportistë të mundjes tradicionale, Pehlivanët.

Nuk është e lehtë ruajtja e traditave  të hershme për më tepër kur promovimi është i vakët. Megjithatë ka ende shqiptarë në treva të ndryshme të Ballkanit që këmbëngulin me fanatizëm në shpëtimin e zhbërjes së tyre.

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë