Elisa Spiropali dhe Albin Kurti
Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali u takua në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Spiropali dhe Kurti diskutuan për projekte transformuese si hekurudha kuq e zi, korridoret energjetike dhe thellimi i bashkëpunimit në disa fusha.
Sipas Spiropalit, mbledhja e përbashkët e qeverive Rama-Kurti, me projekte konkrete, me afate dhe me përgjegjësi të qarta, është hapi i radhës i bashkëpunimit.
“Kënaqësi e veçantë takimi i hapur dhe përmbajtësor me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti. E përgëzova për rezultatin zgjedhor dhe për konstituimin e institucioneve të reja. Në një kohë kur rajoni dhe Europa përballen me pasiguri, fakti që Kosova formoi në kohë Kuvendin dhe Qeverinë është shenjë stabiliteti dhe maturie institucionale. Stabiliteti nuk është luks. Është kusht për vendimmarrje të qartë – në proceset e brendshme, në dialog dhe në rrugën e integrimit. Në planin dypalësh, folëm për projekte që nuk janë simbolike, por transformuese: hekurudha kuq e zi, korridoret energjetike, thellimi i bashkëpunimit në arsim, kulturë, siguri, diplomaci dhe në çdo fushë me interes të përbashkët. Mbledhja e përbashkët e qeverive Rama-Kurti, me projekte konkrete, me afate dhe me përgjegjësi të qarta, është hapi i radhës i bashkëpunimit. Shqipëria do të qëndrojë përkrah Kosovës jo vetëm me solidaritet, por me angazhim të përditshëm dhe vizion afatgjatë. Sepse zëri ynë është më i fortë kur është i përbashkët”, tha Spiropali.
Lajmi kryesor:
Spiropali në Kosovë, takon Konjufcën, Osmanin, Kurtin dhe Haxhiun: Vendi meriton statusin kandidat në BE, të kemi mbledhjen e dy qeverive brenda vitit 2026












