Jonuz Begaj, një prej ish-hartuesve të Kushtetutës së 2008, komentoi në "Studio Live" sulmet e politikës ndaj institucioneve të Reformës në Drejtësi. 

Duke iu referuar qëndrimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj SPAK, Begaj tha se synimi është pengimi dhe shtyrja e hetimeve dhe vendimeve të Prokurorisë që po heton korrupsionin e nivelit të lartë. 

"Jemi shumë të vonuar në miratimin e ndryshimeve legjislative në Shqipëri dhe në krijimin e SPAK-ut. Këto ishin arritje shumë të mira. Por pse ishin të tilla vuajtëm kaq vite për t'i miratuar. Dhe sa i miratuam, bëjnë gjithçka për t'i sabotuar. Kjo nuk do na çojë askund nëse lejojmë që politika të vendosë dorë mbi SPAK-un. Këto janë të domosdoshme për vendin sepse ndryshe do të kthehemi nga kriza në krizë. Krizë e thellë e partive të djathta, ka rrezik të kalojë në krizë të thellë të partive të majta. 

Ata që sulmojnë SPAK-un sot janë ata që ndjejnë rrezikun kryesor të tij. Përpiqen gjithçka në mos ta pengojnë, të shtyjnë vendime te SPAK-ut", tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:21
Duraj: Kushtetuta e 2008-ës e bëri presidentin "drejtor" të kryeministrit

Alban Duraj avokat dhe ekspert i Kushtetutës e vuri theksin në "Studio Live" te ndërhyrjet që i bëhen Kushtetutës. 

"Është për të ardhur turp që ne as 25 vite Kushtetutë e kemi ndryshuar 4-5 herë. Roli i Presidentit është ulur. Presidenti është bërë një "drejtor" i kryeministrit dhe kjo gjë shfaqet edhe në publik, presidenti është vartës i kryeministrit. Presidenti është një figurë që duhet të përfaqësojë unitetin e popullit dhe nuk ishin të nevojshme ato ndryshime", tha ai.  

Sipas tij, një president që zgjidhet nga populli ai e kryen detyrën më së miri sepse nuk jep llogari përveçse para popullit.

Ora 07:15
Konstitucionalisti: Kushtetuta e 2008-ës solli krizën që po kalon sot PD

Në një lidhje me Skype për "Studio Live", në Report Tv, Jonuz Begaj, ish-anëtar i komisionit që hartoi Kushtetutën e 2008-ës bën thirrje të korrigjohet Kushtetuta e 2008-ës. 

Sipas tij, ndryshimet që iu bënë ligjit themeltar të shtetit me konsensusin e PS dhe PD, rrezikojnë ta çojnë vendin në autokraci.  

"Themelin e prek vendimi i 2008-ës. Ai qe më i rëndi. Të tjerët kalojnë, menaxhohen, korrigjohen. Po nuk u korrigjua vendimi i 2008-ës, kjo Kushtetutë ka rrezik të dështojë dhe vendi të mos ketë mundësi të ecë përpara. Vendi nga një republikë demokratike, po kthehet në një shtet ku vendos "njëshi". Po vendosi "njëshi" nuk ka demokraci", u shpreh Begaj. 

Konstitucionalisti tha se kriza që po kalon sot PD është pasojë e asaj Kushtetute. 

"Ndryshimet e 2008 rrezikuan që kjo Kushtetutë demokratike ta çojë vendin në autokraci. Pasojat e saj janë çfarë ndodhi në PD ku kryetari caktoi zëvendësin e tij dhe kjo nuk u prit aspak brenda partisë, krijoi kriza jo të lehta për partinë. Por mos kujtoni se nuk krijoi edhe vështirësi në PS. Më e keqja është se nëse do të vazhdohet pa u reformuar ky vendim që u mor, kriza do të vazhdojë akoma më tej", tha ai.