Tahiri në Fushë-Arrëz e Qafë Mali
inspektim dhe ndihma për banorët

FUSHË-ARRËZ-Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka shpërndarë këtë të shtunë ndihma në Fushë-Arrëz dhe Qafë Mali për banorët e prekur nga vështirësitë e motit. Ministri Tahiri u shoqërua nga deputeti i zonës Pjerin Ndreu, strukturat e Emergjencave Civile dhe pushteti lokal.
 
Ministri Tahiri u shpreh se në 4 ditë janë shpërndarë 42 ton ndihma ushqimore për familjet në nevojë. Ai ka deklaruar se kjo qeveri ‘’nuk i ka kthyer kurrizin njerëzve dhe nuk i le ata të përballen vetë me vështirësitë e tyre’’.
 
Ministri siguroi banorët se e gjithë struktura shtetërore, Emergjencat Civile janë në këmbë, Policia është në gatishmëri, emergjenca shëndetësore, pushteti vendor është i gjithi në këmbë, deputeti është këtu 24 orë në 24.
 
Fjala e plotë e ministrit Tahiri:
Unë dua të falënderoj para jush deputetin edhe kryetarin e Bashkisë, të cilët nuk kanë lënë minutë, orë, ditë pa u interesuar me Kryeministrin, me mua dhe çdo koleg timin në qeveri, për të pasur sa më pak probleme nga historia e motit të vështirë dhe borës në këtë zonë.

Ju e dini shumë mirë se ne me kapriçot e motit nuk kemi si t’ia bëjmë. Por ne kemi çfarë të bëjmë për t’iu gjendur në krah njerëzve, në mënyrë që të mos kenë probleme nga kushtet e vështira që na krijon kjo situatë e pazakontë. Nëse moti është vështirësi, ne këtë duhet ta përballim bashkë duke iu gjendur pranë të gjithë atyre që kanë më shumë nevojë.

Kjo nuk është e lehtë. Ndaj po bëjmë gjithçka që kemi mundësi që familjet në nevojë të mos kenë probleme të rënda nga pikëpamja e ushqimeve, veshmbathjeve, kujdesit shëndetësor, komunikimit.

Është përpjekja jonë, e Kryeministrit, e qeverisë, për të bërë gjithçka kemi në dorë që këto ditë të vështira të  kalojnë sa më lehtë për çdo banor të Pukës, Fushë Arresit, Qafës së Malit dhe çdo zone që ka pasur probleme me dëborën dhe motin.

Mbase shumë nga ju mund të mendojnë se ka ende nevojë për ndihmë.

Në këto katër ditë kemi shpërndarë gati 42 ton ndihma ushqimore për familjet në nevojë. Nuk është aq sa duhet, mbase nuk mjafton. Por kjo është një qeveri që nuk i ka kthyer kurrizin njerëzve dhe nuk i le ata të përballen vetë me vështirësitë e tyre. Ne jemi aty ku ka vështirësi, ku njerëzit kanë nevojë. Duhet të bëjmë më shumë. Por po luftojmë me harresën e 25 viteve. Është shumë e nevojshme që dhe ju të na mirëkuptoni. Po bëjmë gjithçka kemi mundësi.

Të gjithë njerëzit janë në këmbë: e gjithë struktura shtetërore, Emergjencat Civile janë në këmbë, Policia është në gatishmëri, emergjenca shëndetësore, pushteti vendor është i gjithi në këmbë, deputeti është këtu 24 orë në 24. Ka shumë për të bërë ende. Ju na keni besuar me votë – ne jua shpërblejmë besimin tuaj me sa kemi mundësi. Mbetet ende shumë për bërë, por çdo ditë të vështirë e përballojmë bashkë. Çdo familje ka vështirësi e ka mundësi të bëjë më shumë. Edhe ne kemi mundësi të bëjmë më shumë vetëm duke u bërë bashkë.

Ndaj shumë faleminderit për besimin. Shumë faleminderit që na mirëkuptoni. Ne do vazhdojmë t’ju ndihmojmë, ju dhe çdo familje që ka nevojë për ndihmë në këtë zonë. Jemi këtu me ju. Qeveria është e gjitha në gatishmëri për t’ju ndihmuar me sa ka mundësi. Dhe kam shumë besim se ditët e vështira do t’i përballojmë të gjithë bashkë. Dhe kjo është mënyra më e mirë për të zgjidhur çdo vështirësi që na del përpara.


Tahiri
Tahiri

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet