'Te dera e burgut ku prisnim të takonim babin askush s’na përgjigjej... kujtimet e vajzës së ish-anëtares së Byrosë Politike

'Te dera e burgut ku prisnim të takonim babin askush s’na përgjigjej... kujtimet e vajzës së ish-anëtares së Byrosë Politike

Liri Belishova dhe Nako Spiru (çifti në mes)

Drita Çomo lindi në Tiranë, në vitin 1958. Në nëntor të vitit 1960, në moshën dy-vjeçare, ajo internohet së bashku me të gjithë familjen, për shkak të dënimit politik të nënës së saj, Liri Belishovës, anëtare e Byrosë Politike she sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, e cila u akuzua nga Enver Hoxha si revizioniste. Ndërsa babai i Dritës, Maqo Çomo, ish-zvëndës ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër i Bujqësisë, u dënua dhe ri dënua nga regjimi komunist, duke e kaluar pjesën më të madhe të jetës në burgun e Burrelit, deri në shembjen e regjimit komunist, i akuzuar si “armik i popullit”. Nisur nga kjo, Drita Çomo, një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshencës së saj e kaloi e internuar në fshatin Kuç të Vlorës e më pas në Progonat të Kurveleshit. Në fundin e viteve ’70-të familja e saj u internua në qytezën e Cërrikut, ku ajo mbaroi shkollën e mesme, por për arsye të disa mungesave që kishte bërë në shkollë, për shkak të sëmundjes së pashërueshme si dhe pengesave që i nxirrnin si “familje reaksionare” ajo nuk u lejua të përfundonte maturën. Fatkeqësisht sëmundja avancoi dhe më 19.02.1981, në moshë fare të re, ajo ndërroi jetë në spitalin Onkologjik të Tiranës. Në momentet tragjike të ditëve të fundit të jetës nuk iu lejua të kishte pranë as nënën dhe deri në grahmat e vdekjes ajo mbeti e vetme, edhe pse nëna e saj, Liri Belishova, i kishte shkruar disa letra Nexhmije Hoxhës (ish-shoqes së ngushtë të saj që nga periudha e luftës), por s’morri përgjigje kurrë…! Shkrimi që po publikojmë më poshtë, është shkëputur nga libri i saj “Dritë që vjen nga humnera”.

PJESË NGA DITARI I DRITA ÇOMO

(SHKËPUTUR NGA LIBRI “DRITË QË VJEN NGA HUMNERA”)

E premte, 1.X.76

Të martën u nisëm me gjyshen për të shkuar te babi dhe daja. Gjetëm vetëm dajën. Babin e kishin hequr që andej. Ku është?

Nuk na përgjigjen. Askujt s’i intereson në se ti shqetësohesh. Të gjithë janë të shurdhër. “Nuk përgjigjemi”- të përgjigjen. Nuk kam për ta harruar atë mbrëmje, kur unë prisja para derës së burgut, në errësirë dhe pak më tej, një grup policësh bisedonin me zë të ulët. Befas më zuri veshi disa fjalë: “arkivoli… më duket se do ta nxjerrin sonte…”

Një tmerr i ftohtë më pushtoi tërë trupin, ndjeva të dridhura dhe desh m’u zu fryma. “O Zot i madh, vetëm kjo jo, vetëm kjo jo”! Tërë atë ditë nuk kisha nxjerrë pikë loti dhe isha përpjekur të tregohesha sa më e qetë. Që në çastin e parë mendova vetëm një variant: e kanë arrestuar për t’i bërë gjyq tjetër. Gjatë gjithë kohës, kisha menduar për këtë dhe gati e kisha harruar që ishte thjesht një supozim imi.

Vetëm në atë çast e kuptova se, sado e tmerrshme të jetë diçka, ajo kurrë nuk është absolutisht e tmerrshme; gjithmonë ekziston diçka që mund të jetë edhe më e tmerrshme. Nuk isha e zonja të mendoja për asgjë. Në gjithë qenien time, rrihte si çekan vetëm një mendim: “Vetëm të jetë gjallë, vetëm të jetë gjallë, o Zot, vetëm…”!

Përsëri më përcollën: “Eja nesër në orën 7”. U kthyem përsëri me gjyshen në rrugën e errët, duke ecur kuturu, duke u penguar gati në çdo hap dhe pa qenë në gjendje të thoshim asnjë fjalë. Nuk shihja asgjë dhe nuk dëgjoja asgjë, vetëm ai mendimi i tmerrshëm vërtitej në trurin e lodhur…!

Shkuam në Degën e Punëve të Brendshme dhe kërkuam shefin. Ai refuzoi të më takonte. Atëherë, e pafuqishme siç isha në shqetësimin tim, më hipi një këmbëngulje e çuditshme. “Do të pres deri sa të dalë, thashë- dhe do ta ndaloj këtu përjashta”.

S’di sa zgjati ajo pritje e ngrirë. Dikur, një burrë i hollë, me kostum gri, doli. “Më falni, ju jeni kryetari i Degës”? “Jo, unë jam nënkryetari”. Më dha dorën, u futëm në dhomën e pritjes. U soll mirë, por përgjigje nuk më dha.

E kotë çdo përpjekje. Sidoqoftë, nga biseda munda të kuptoj se ajo më e tmerrshmja nuk kishte ndodhur. Ishte gjallë – dhe kjo ish kryesorja. Gjallë. E ç’rëndësi kishin të tjerat para kësaj?

Të nesërmen shkuam në Tiranë. Shkova në Ministri dhe e njëjta përgjigje. “Është shumë mirë. E kemi ne. Tani për tani nuk të themi se ku ndodhet. Eja pas një muaji. Le që ai mund të kthehet prapë atje ku ishte”.

Dhe tani – një pritje e ftohtë, pasive. Çdo të ndodhë?

E premte, 16. IX.’77

Të martën mbasdite u nisa me Bulen për në Lezhë – morëm telegram se të nesërmen, bëhej gjyqi i dajës. Telegramin e morëm në drekë, kështu që u detyruam të shkonim me taksi deri në Tiranë. Që andej me tren për në Laç dhe nga Laçi në Lezhë me autobuz. Arritëm vonë, kështu që atë natë shkuam drejt në hotel. Të nesërmen shkuam që në mëngjes në prokurori. Kur po dilnim nga hoteli, Bulja u pengua në shkallën e fundit dhe u rrëzua e tëra.

I dridhej tërë trupi. Gjyqi filloi rreth orës 8.00. Në sallë na priste Sokoli. Aq i edukuar dhe me atë seriozitet të parakohshëm, si gjithmonë.

Kishte shumë njerëz. Salla ishte e vogël dhe shtynin njëri-tjetrin, hipnin mbi stola, shtrëngoheshin…! Dikur ai erdhi, me prangat në duar, në mes dy policëve, i zbehtë, me sy të hapur jashtë mase. As që mund ta njihja. Tjetër njeri. Sytë i lëviznin çuditërisht shpejt, sikur kërkonte dikë, një mbështetje, një shikim të ngrohtë, ose përkundrazi, sikur nuk guxonte të shikonte askënd drejt në sy. Një damar i pulsonte në qafë, si një fragment ankthi. Dikur pa të birin dhe sytë iu qetësuan një çast, pastaj qetësia u duk se e pushtoi ngadalë të tërin…!

Gjyqi i një njeriu. Ishte hera e parë që asistoja në një gjyq.

Ai fliste. Herë i pushtuar nga ai shqetësim i çuditshëm, gati mbytës, herë i fundosur i tëri në apati.

E kisha kaq të vështirë ta njihja. Ky ishte ai Agroni, që unë e doja aq shumë, ai mjeku që bënte kilometra të tëra për t’u shkuar në ndihmë fshatarëve, ai që tërë malësorët e mbanin në gojë?

Gjyqi mbaroi rreth orës 12.00.

Më 16.30 u dha vendimi.

Pastaj ne shkuam në Degë dhe kërkuam që ta takonim. E takuam rreth një çerek ore në korridor, më këmbë. Tani dukej i qetë, buzëqeshte dhe fliste gati normalisht. Ikëm. Edhe S. ishte i tronditur dhe i hutuar. Si do ta durojë. Gjithë jetën.

Në darkë erdhën të tre fëmijët në hotel, i’u lut Bulja Sokolit, se donte të takonte gocat. Të dyja aq të mira, aq simpatike, aq të edukuara. Me atë zë të butë dhe të ëmbël, mishërim i pafajësisë dhe pastërtisë njerëzore. O Zot, mendova. Përse?

U ndamë ashtu shpejt e shpejt. Erdhi sportelistja e hotelit dhe na tha se nuk lejohej të rrinin fëmijët brenda. I përcolla. Jashtë bënte freskët dhe ishte natë, kështu që u ndamë. Kushedi se kur do të takohemi prapë.

E premte, 7. X.’77

Sot morëm letër nga babi. Dy letrat e para që na kish dërguar akoma s’i kemi marrë. Kjo është e treta.

Dhjetë vjet. Përsëri nga e para. Akoma nuk e dimë motivacionin e dënimit. Po kjo as që ka rëndësi. Përsëri nga e para. Loja “mos u nxeh”.

“Liria është nga pasuritë më të shtrenjta që mund t’u ketë dhënë qielli njerëzve. Të gjithë thesarët që fshihen në gjirin e tokës dhe në thellësitë e detit nuk mund të krahasohen me të”.

E diel, 26. II.’78

Po bëhen rreth dy muaj që nuk mbaj ditar. Le të mbetet kjo periudhë heshtjeje si kujtim i varfërisë. Titi u kthye nga ushtria dhe akoma nuk ka gjetur punë. Unë gjithashtu jo, ndërsa rroga e mamit nuk na mjaftonte as për ushqim. Kështu që nuk kisha mundësi të blej fletore. Para tri ditësh, më në fund, fillova nga puna dhe fletoren e fitova me “djersë”.

Punoj në komunale, punëtore lulishteje.

Këto dy ditë na kanë përdorur si punëtore transporti, shpërndajmë drutë nëpër qytet me “Zuk” ose me “Zetor”. Lodhem ca, po dikush i pat thënë mamit se puna do të më kalisë dhe, siç duket, dashur pa dashur, po zbatoj porosinë e tij. Shoqet e punës i kam relativisht të shkuara në moshë. I vetmi njeri, me të cilin mund të argëtohem, është një jevg rreth 30 vjeç, simpatik, po shumë i zi, që tërë ditën këndon, bërtet dhe bën shaka.

Është edhe një grua gazmore, ca më e re se të tjerat dhe po aq e bardhë sa ç’është i zi ai i pari, lashe në tërë kuptimin e fjalës. Po ajo tani është me raport. Shoferja e “Zuk”-ut është grua, nga fshatrat e Sarandës, ka rreth një vit që është martuar në Cërrik, kështu që kurioziteti i banorëve tashmë është shuar. Po këto ditë prezenca ime e bëri përsëri zukun objekt vëmendjeje.  Ç’të shkruaj tjetër?

Kam kohë që mësimin e anglishtes dhe leximin e dispensave të letërsisë i kam lënë. Kam lexuar ndonjë gjë që më ka rënë në dorë. Tani, natyrisht nuk më mbetet fare kohë. Nga fundi i janarit, më në fund, mamin e lejuan dhe shkuam të dyja për takim te babi e daja. Kisha kaq kohë pa e parë dhe me kishte marrë shumë malli. Po, për përshtypje të tilla as që mund të shkruash…!

E martë, 13. II.’79

Dje ishim me mamin te babi dhe daja.

Na lajmëruan që të shtunën. Të dielën unë shkova në Elbasan për të blerë ushqime, u nisa me autobusin e mëngjesit dhe u ktheva me të orës 11.30. Nga daja nuk shkova fare. Pjesën e kohës që më mbeti e lirë e kalova në bibliotekë.

Për Burrel u nisëm me gaz, më 6 të mëngjesit. Na shoqëronin dy çuna. Rruga ishte e gjatë dhe e mërzitshme. Ishte zagushi, mamin e zuri makina dhe volli. Kurse unë mendoja se ç’mund të bënim gjatë një ore dhe përpiqesha të kujtoja se ç’gjëra kisha dashur t’u them gjatë gjithë kësaj kohe. Po na lejuan të takohemi vetëm 10 minuta me dajën dhe gjysmë ore me babin.

Këtë na e komunikuan në çastin e fundit, ishte diçka e papritur dhe mendimet u shpërndanë fare. Çdo gjë që thoshim më dukej se nuk ishte ajo që duhej. Sikur na e merrnin kohën kot. Minutat ikën shpejt, shumë shpejt dhe në fund pata përshtypjen se nuk kishim folur për asgjë, bile as nuk e kishim puthur njëri-tjetrin aq sa duhet. Pastaj më dukej vetja si një fëmijë që i kanë premtuar një lodër dhe e kanë gënjyer.

Prapë rrugë e gjatë dhe e lodhshme. Një interval i shkurtër ndërmjet dy lodhjeve të gjata, të gjata. Ky është babai në jetën time. Babai im i mirë, i fortë.

Tani çdo gjë më dukej e huaj, pa kuptim, gati qesharake. Njerëz në rrugë, fëmijë që luajnë, autobusë punëtorësh, djem që pinë cigare dhe takohen me vajza. Gazeta, fjalë…! Dhe babai im atje. 18 vjet rresht. Babai im. Thua do të kalojnë ditë dhe unë do të kthehem prapë në jetën time të zakonshme? Në shqetësimet e mia të vogla, boshe, në vuajtjet e mia qesharake. Ka çaste që më vjen turp nga vetja.

E hënë, 19. II.’79

Të shtunën Kina sulmoi Vietnamin. Këto dy ditë kanë qenë të mbushura me diçka që nuk e di si ta shpjegoj, me diçka të madhe, jo të zakonshme. Provoja një ndjenjë që i ngjante ankthit. Ishte hera e parë që kërkoja në radio lajme dhe jo muzikë. Në jetën tonë të vogël, monotone, befas lindi një interes.

Që kur shkuam te babi nuk e ndiej veten mirë. Kam dhimbje në pjesë të ndryshme të trupit, gati në tërë organet e brendshme, më dhemb beli dhe veshkat, veçanërisht në darkë nuk di si të rri. Sot në mbrëmje më zuri kolla dhe… Vura termometrin, 37 gradë.

E martë, 27. XI.’79

Të dielën isha me Bulen në Tiranë, takuam dajë Bardhylin. Na lejuan vetëm 10 minuta përmes një dere me hekura. Ai mbështeti faqen te hekurat dhe ne u puthëm, pastaj i mbështetëm ne faqet te hekurat dhe na puthi ai. Bulja mezi e bëri rrugën. Mbaruam punë rreth orës 10.00, e çova Bulen te treni dhe vetë dola nëpër Tiranë, se kisha për të blerë ca gjëra.

Kur u kthyem, gjetëm në shtëpi Sh., fjeti aty atë natë. Piu pak me dajën dhe filloi të këndojë këngë të vjetra, që këndoheshin në kohën e rinisë së tij. Këndonte me pasion dhe fliste me pasion për ato vite. Ida, Ledi dhe Laura e rrethuan, e shikonin në sy dhe e shoqëronin si mundnin. Në shtëpi u ktheva sot pasdite./ Memorie.al

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë