Nexhbedin Meda dhe Vullnet Skëndaj, e kanë marrë letrën e largimit nga detyra me date 29 shkurt. Megjithëse ata mbanin statusin e nënpunësit civil, në një rrëfim për “Shqiptarja. com”, ata shpjegojnë paradokset që po ndodhin në të gjitha strukturat e bashkisë së Tiranës, vetëm e vetëm për të sjellë në punë militantët e tyre.
Sipas tyre, ndryshe sa shkruhet në vërejtjet apo në zgjidhjen e kontratë së punonjësve të shkarkuar nga puna në bashkinë e Tiranës, arsyet e vërteta janë thjesht dhe vetëm politike.
"Në një takim sqarues që para me drejtorin Geron Ibrahimi, pasi mbaroi takimi më tha në mënyrë konfidenciale "Si specialist unë të heq kapelën, por t'i ke angazhime politike, dhe për ty ka që në muajin tetor që marr sms për të të hequr nga detyra. Nuk mund të të mbaj më shumë në punë". Dhe angazhimi im politik është vetëm që unë jam në listat e këshilltarëve socialistë për njësinë bashkiake, nr.11. Nuk jam këshilltar, por jam në listë. Dhe unë iu përgjigja: vetëm një gjë nuk ma mohon dot askush. Të drejtën për të zgjedhur dhe për t'u zgjedhur", - na tregon Nexhbedin Meda.
Akuza
Nexhmedin Meda, është 42 vjeç dhe ka dy fëmijë, njërin 2 vjeç dhe tjetrin në klasën e gjashtë. Bashkëshorten e ka të sëmurë dhe si rrjedhim nuk punon. Rroga e tij ishte e vetmja e ardhur që futej në shtëpi, ndërsa tashmë kanë ngelur pa asnjë të ardhur. Nexhmedini shkon më larg me akuzat e tij dhe shprehet se kreu i Bashkisë e ka vrarë, njësoj siç u vranë protestuesit më 21 janar. "Më ka hequr nga puna pa të drejtë. Thotë për mos shfrytëzim me efikasitet të orarit të punës. Po ne kemi punuar të shtunë e të dielë, ka pasur raste kur kemi vajtur në shtëpi në orën 12:00 të natës, nuk kemi bërë asnjë ditë pushimi...Unë kam konkurruar 7 herë për ta fituar atë vend pune. Dhe tani ky vjen dhe më heq nga puna pa bërë asnjë shkelje, pa më sqaruar, vetëm e vetëm se duan të marrin militantët e tyre në punë. Unë po them me plot gojën se Lulzim Basha më ka vrarë, jam njësoj si familja e Hekuran Dedës që u vra në bulevard. Çfarë t'u them fëmijëve të mi?", - na thotë më tej Nexhbedini. Ai shprehet i vendosur se kjo çështje nuk mbaron me kaq. “Unë kam bërë gati dosjen me të gjithë dokumentet dhe sigurisht që do t’i drejtohem gjykatës, pasi nuk kam bërë asnjë shkelje ligji. Jam e sigurtë se e drejta do të dalë, ashtu siç e fitova këtë vend pas 7 konkursesh”, - na thotë Meda.
Shkeljet
Dy inspektorët e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit shpjegojnë se 'gafat' e adminsitratës së Bashës, të cilët po i heqin njerëzit nga puna, vetëm për të sjellë njerëzit e tyre, fillojnë që nga vërejtjet që u kanë mbërritur Medës dhe Skëndajt, pasi e njëjta strategji po ndiqet për të gjithë. "Vërejtja e parë mua që më ka ardhur me datë 6 shkurt, ditë të cilën unë e kam pasur pushim javor. Motivacioni ishte për "performancë të ulët" dhe ishte bazuar në analizën 4-mujore. Ne punojmë në grup, nuk punojmë të vetëm, por në të vërtetë u ndëshkova vetëm unë. Ndërkohë që vërejtja e dytë më ka ardhur me datë 16 shkurt, dhe kishin kapur tre shkelje. Njëri ishte një subjekt i ri, i palicencuar, të cilin ne nuk e kontrollojmë; i dyti ishte një subjekt shumë i rregullt dhe që kishte faturën tatimore se kishte paguar detyrimet e 6-mujorit të dytë të vitit 2011 me datë 31 janar të këtij viti dhe në këto raste ne nuk lëmë akt-konstatime; dhe e treta ishte një subjekt në një rrugë që unë nuk e kisha kontrolluar atë ditë", - na shpjegon Nexhbedin Meda. Ndërsa ish-kolegu i tij, Vullnet Skëndaj na shpjegon se rasti i tij ka qenë edhe më flagrant. "Në paralajmërimin që më ka ardhur me datë 6 shkurt, flitej për kontrolle në një zonë tjetër dhe jo në ato rrugë ku unë bëja inspektimet. Pasi u ballafaqova me ta, u detyruan të ndryshojnë ekstraktin e vërejtjes që ishte për "performancë të ulët". Në një kohë që ata nuk e kanë të përcaktuar se sa kontrolle duhet të bëjmë, sa inspektime, sa gjoba", - na shpjegon Vullnet Skëndaj, i cili si për ironi, e ka marrë letrën e largimit nga detyra ditën që festonte 63-vjetorin e lindjes. Ata na shpjegojnë më tej se me datë 23 mars kanë bërë një ballafaqim me drejtorin, Geron Ibrahimi, por asgjë nuk u është marrë në konsideratë. Më 27 shkurt u ka ardhur letra e largimit nga puna dhe me datë 29 shkresa për zgjidhjen e kontratës individuale. "Por motivacioni që na kanë shkruar në letrën e zgjidhjes së kontratës individuale, nuk është i njëjtë me motivacionin që u ka ardhur në vërejtjet që kemi marrë gjatë këtij muaji. Nëse vërejtjet i kemi për "Performancë të ulët", zgjidhja e kontratës bëhet "për shkak të mosrealizimit sistematik të detyrave pa shkaqe të arsyeshme dhe mospërdorimit me frytshmëri të orarit zyrtar për realizimit e detyrës së caktuar", - shpjegojnë dy ish-specialistët e AMK.
(sg/shqiptarja.com)