Ku dhe pse gjykata vendos të detyrojë institucionin shtetëror të paguajë punonjësit të shkarkuar një vit punë me pagë rreth 37 mijë lekë në muaj, i liruari nga detyra nuk do të mund të marrë dot më shumë se 3640 lekë në muaj. Ndërsa me përllogaritje dëmi do të përfundojë në jo më pak se 8 vite.
Vendimi
Në vendimin e gjykatës që mban numrin 1189, gjykatësi, Ilir Mustafaj, ka gjetur në shkelje të ligjit Bashkinë Kamëz. Çështja ka lindur në vitin 2009 kur punonjëses A.V i është njoftur lirimi nga detyra nën motivacionin për moszbatimin e urdhërave të titullarit. Ndërkohë që gjykata shprehet se shkarkimi është dhënë në mënyrë të menjëhershme dhe në shkelje të ligjit.
”Bazuar mbi provat dhe fakte të cilat analizuam më sipër, Gjykata, çmon se zgjidhja e marrëdhënies së punës, që pala e paditur Bashkia Kamëz, i ka bërë paditëses A. V, me Urdhrin Nr.2. …, është zgjidhje kontrate e menjëhershme, pa shkaqe të justifikuara dhe në kundërshtim me kriteret e nenit 153 të Kodit të Punës. Nisur nga sa sipër, Gjykata çmon se pala e paditur, duhet ta dëmshpërblejë paditësen, sipas kritereve të nenit 155/3 të Kodit të Punës”, thuhet në vendim. Ndërsa shtohet se punonjësja ka realizuar të gjitha detyrat e ngarkuara.
Surpriza
Por edhe se punonjësja ka marrë vendimin në dorë. Nuk do të mund të marrë pagën e vendosur për një vit. Ajo do të marrë vetëm 10 për qind të saj. Kjo për shkak të veprimit të udhëzimit të qeverisë “Nr.2, datë 18.8.2011”. “Për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të institucioneve buxhetore në llogari të thesarit”. Udhëzimi i jep të drejtë përbarimit të bllokojë llogaritë bankare të institucionit që nuk paguan. Por, njëkohësisht i jep të drejtë të shtrijë afatin e pagesës në një sistem të përballueshëm.
Vetë agjencitë e përmbarimit deklarojnë se me një urdhëresë të tillë penalizohen të gjithë punonjësit e shkarkuar në mënyrë të padrejtë. Ndërkohë që vetë përmbarimorët nuk kanë asnjë të drejtë të realizojnë bllokimin e llogarive bankare. Kjo pasi urdhëresa e qeverisë, e firmosur prej ish kryeministrit Berisha, ndalon këtë veprim në momentin që paraqitet një plan shpërndarje. Sado që përfituesi do të marrë në muaj vetëm një të dhjetën e pagës, edhe pse është shkarkuar me të padrejtë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)