Ditën e sotme janë ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, 5 persona të arrestuar atje, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale, si të përfshirë në grupe kriminale.
Në mesin e tyre është dhe Kristi Qirici alias Jetmir Hoxhaj apo Jetmir Qirici, së bashku me Shkëlzen Kraja, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal që kultivonte kanabis në Sarandë dhe zonat përreth në vitet 2019-2021 dhe më pas droga trafikohej drejt Greqisë. Qirici është gjithashtu dhe vëllai i Edmond Papës, biznesmeni i ekzekutuar në dhjetor 2022.
Po ashtu janë ekstraduar edhe Aleks Pepaj e Ilir Lazri, pjesë e grupit kriminal të Jetmir Pepës, të akuzuar për trafik droge nga Amerika Latine drejt vendeve të BE. Ndërsa Merxhan Celiku është shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik si pjesë e grupit të Amant Josifit.
Në mesin e personave që janë ekstraduar sot është dhe biznesemeni me 3 emra Devit Patrut alias Elidon Skëndaj alias Devid Boraj alias Fatmir Pepaj, i shpallur në kërkim nga SPAK si anëtar i grupit të bosit të ‘Cincos’ Ermir Ndreaj, që mbushën Evropën me kokainë.
"Policia e Shtetit-Finalizohet ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe i 6 shtetasve të kapur në Dubai, pjesëtarë të grupeve kriminale.
Të ekstraduarit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe, u finalizua ekstradimi në Shqipëri i shtetasve:
- K. Q., alias J. H., alias J. Q., 44 vjeç;
- Sh. K., 44 vjeç;
- A. P., alias Sh. P., 38 vjeç;
- D. P., alias E. S., alias D. B., alias F. P., 39 vjeç;të gjithë të akuzuar për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Gjithashtu u ekstradua shtetasi:
- I. L., alias I. S., 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
si dhe:
- M. C., 34 vjeç, i akuzuar për mashtrim kompjuterik, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim vendosjen e tyre përpara drejtësisë", thuhet në njoftimin e Policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









