Deputetja demokrate Ina Zhupa e akuzoi të mërkurën kryeministrin Rama për qëndrime kontradiktore lidhur me çështjen e zonave të mbrojtura në Shqipëri dhe specifikisht lidhur me rezolutën e Parlamentit Europian që bën thirrje për një moratorium  për ndërtimet në zonat e mbrojtura deri në ndryshimin e ligjit

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Zhupa i thotë Ramës se nëse është në një linjë me qëndrimet e Parlamentit Europian, duhet të nxjerrë nga sirtari projektligjin e depozituar prej saj  për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 që ka të bëjë me zonat e mbrojtura.

Deklarata e Zhupës në rrjete sociale 

"Një vendimmarrje e jashtëzakonshme e Parlamentit Europian, e cila reflekton të gjitha shqetësimet e opozitës dhe shqetësimet e protestuesve. Në fakt ishte në përputhje të plotë me atë që miratoi edhe raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian pas misionit fakt-mbledhës në Shqipëri. Ndërsa Edi Rama bëri atë që di të bëjë më mirë, “të tjera thotë e të tjera bën”.

Ndërsa futi buldozerët, kamionët, rrethuan me tela një zonë të mbrojtur, sot flasin për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Të gjithë e dimë që vlerësimi i ndikimit në mjedis bëhet përpara se të jepet një leje, përpara se të bëhet çdo lloj ndërhyrjeje dhe përpara se projekti të shfaqet si një projekt 4 miliard dollarë, me njëmijë vende pune e me qindra fantazi të tjera që i kanë shfaqur deputetët e mazhorancës gjatë këtyre ditëve.

Një është kërkesa e panegociueshme e protestuesve, e Parlamentit Europian dhe e kujtdo shqiptari në fakt: shfuqizimi i ligjit nr. 21/2024. Kush është qëndrimi i Edi Ramës?

Qëndrimi është ai që mban në Facebook, që e përshëndet, apo qëndrimi është ai që mban në Kuvend, që mban në sirtarët e Kuvendit që nga data 14 maj projektligjin tim për të shfuqizuar ligjin nr. 21/2024?

Është një muaj që nuk futet as në komisione e aq më pak që t’i vijë radha në seancën plenare. Ndaj askush nuk e beson propagandën e Edi Ramës. Ndaj qytetarët do të protestojnë, sepse kërkesa e tyre themelore është jo vetëm shfuqizimi i katër ligjeve, që janë shumë të rëndësishme për t’u shfuqizuar, por edhe dorëheqja e Edi Ramës si një njeri që e ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë Shqipërinë për interesa personale dhe të klientëve të tij" tha Zhupa

U.D/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Qershor, 18:28

    A duhet ta dorëzojë mandatin ‘Neomalësorja’ pas largimit nga grupi i PS?