Teuta gjeti fitoren e parë sezonale në javën e dytë të kampionatit, duke mposhtur 3-1 me përmbysje Tiranën. Bardheblutë e kryeqytetit realizuan të parët me Kish, duke dhënë përshtypjen se nisja e keqe e kampionatit me Egnatian është lënë pas. Megjithatë durrsakët të cilët kanë bërë goditje të rëndësishme në merkato përmbysën rezultatin në pjesën e dytë me golat e Zogos, Boçit dhe Umeijego-n.
“Është një fitore shumë e rëndësishme. Sidomos kur je në disavantazh. Mendoj që kjo fitore shkon për grupin, ekipin dhe në veçanti për lojtarin e 12 që është tifozi. E kanë zbukuruar sot stadiumin,”-u shpreh Edlir Tetova, trajner i Teutës.
Sfida në Niko Dovana të Durrësit pati edhe episode të pazakonta, teksa në pjesën e parë ikja e dritave u bë shkak për dy ndërprerje. Më herët, për javën e dytë të Superligës, Elbasani barazoi 1-1 kundër Vllaznisë, ndërsa Partizani u mposht 1-2 nga Laçi.
Sot ndërkohë luhet dy sfidat e fundit të kësaj jave me Vorën që fillimisht pret kampionët e Shqipërisë Egnatian si dhe Skënderbeu që përballet me Dinamon në orën 21:00. Në Korçë të dy ekipet do të kërkojnë fitoren e parë sezonale.












Komente
Komento