Ndërsa maja e Gjalicës mbetet ende e mbuluar nga bora, në luginën poshtë saj gjethet e pemëve nuk janë dorëzuar plotësisht ndaj vjeshtës. Në mesin e tetorit, Kukësi përjeton një mot të thatë, pa reshje dhe me temperatura të buta një qetësi që në pamje të parë, duket e zakonshme për këtë stinë.

Por pas saj fshihet një shenjë alarmi. Thatësira e zgjatur edhe pse në fillim të tetorit pati reshje bore e shiu ka zbrazur Liqenin e Fierzës, duke e çuar nivelin e ujit pranë “pikës së vdekjes”, momenti kur hidrocentrali ndalon prodhimin e energjisë elektrike. Sipas matjeve më të fundit, uji ka zbritur në kuotën 252 metra, vetëm disa metra larg kufirit kritik prej 240 metrash. Pika optimale është 271 metra, ndërsa në stinët e lagështa liqeni ngjitet deri në 296 metra.

Kjo rënie e shpejtë po risjell ngadalë në sipërfaqe kujtimet e një qyteti të zhdukur. Rrënojat e Kukësit të Vjetër, që prej më shumë se katër dekadash flejnë nën ujë, po dalin sërish në dritë. Copëza muresh dhe struktura betoni kanë filluar të duken në qendër të ish-qytetit të vjeter. Herën e fundit që Kukësi i Vjetër u pa mbi sipërfaqe, ishte në mars të vitit 2022, pas një periudhe të ngjashme thatësire.

Ndërkohë që pjesë të mëdha të shtratit të liqenit janë kthyer në një fushë balte. Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, që dikur përziheshin nën ujë për të krijuar këtë liqen të madh, janë kthyer në përrenj të cekët që përdridhen mes baltës. Kafshët e fermerëve enden aty ku dikur kalonin anijet e peshkatarëve të ndërmarrjes së dikurshme të peshkimit dhe trageti i linjës Kukës–Fierzë–Bajram Curri, një kujtim i largët para viteve ’90-të.

Tani, tokat që në nivelin maksimal të liqenit mbulohen nga uji janë bërë kullota. Peizazhi ka ndryshuar përnjëherë, duke krijuar një pamje te pazakonte, një shenjë e qartë e asaj që lë pas mungesa e reshjeve dhe ndryshimet klimatike. Kukësi, qyteti që dikur u zhyt për t’i hapur rrugë energjisë, po përballet sërish me ujërat e fatit të tij këtë herë, për shkak të mungesës së tyre.