I ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për rrezikun që na vjen nga sheqeri.
”Sheqeri mund të konsiderohet si armiku i heshtur me lëndë vrastare që po bëhet motiv i shumë fataliteteve sot në botë” e nis bisedën Altini.
”Unë do thoja që është lëndë vrasëse dhe jo ushqim, pasi bëhet toksinë në trup dhe është shkaktar i obezitetit, disa tumoreve dhe dëmton sistemin kardio-vaskular dhe veshkat” tha më pas ai.
”Një dozë normale ditore e sheqerit në trup, është diku tek 9 lugë çaji për të rriturit, 6 lugë çaji për gratë dhe 3 lugë çaji për fëmijët, kjo sigurisht tek grupmosha e fundit edhe në përpjestim me peshën. Ndërsa sipas disa studimeve, doza ditore e konsumimit të sheqerit nga njerëzit sot shkon deri në tre-katër fish më shumë dhe askush nuk e kupton që po rëndon shëndetin e vet” theksoi ai.
I pyetur nga moderatorja se cilat janë disa nga problemet që shkakton në trupin e njeriut përdorimi mbi normë i sheqerit, ai tha:“Përdorimi mbi normë i sheqerit rëndon funksionin e veshkave së pari, më pas dëmton pankreasin, i cili është shkak për depresion, sikurse mund të shkaktojë hiperaktivitet dhe ankth tek fëmijët. Sheqeri është armë e shkatërrimit në masë, ai është përgjegjës për dobësimin e sistemit imunitar, si dhe ndalon përthithjen e kalciumit dhe magnezit”.
Mjeku nutricionist tha dhe se ndikimi i sheqerit shkon deri në atë pikë sa të dëmtohet ADN-ja tek fëmijët e vegjël, apo krijon dhe shton aknet në lëkurë. Një tjetër problem që lidhet po me sheqerin, është përdorimi i pijeve me gaz që kanë sasi të lartë sheqeri. Ndërkohë që duhet të dimë se 80% e produkteve që ne blejmë kanë sheqer në përmbajtejen e tyre.
”Truri i njeriut prodhon në sasi të kontrolluar dopaminë dhe serotoninë, dy hormone që janë përgjegjëse për kënaqësinë, kur një njeri krijon varësi nga sheqeri, trupi e kërkon vazhdimisht dhe këto hormone kanë mbiprodhim” u shpreh nutricionisti.
Por si të largojmë varësinë nga sheqeri? Sipas Altinit, shumica e ushqimeve që përdorim kanë në përmbajtjen e tyre sheqer, ndaj produktet e ëmbla duhet të shmangen duke i zëvendësuar me fruta, perime apo fruta të thatë si hurmat, kajsitë apo rrush të thatë”. Në fund të bisedës ai tha së në Suedi, vendin ku ai jeton, banorët i dinë dëmet e sheqerit dhe janë më të kujdesshëm në përdorim, ndaj janë të gjithë në përmasa normale trupore.