TIRANE-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur SHBA-së pas thirrjes së fortë të ambasadës (lexo ketu) për të mos djegur mandatet, pasi me kërcënimet që po bëjnë po minojnë demokracinë dhe po sabotojnë Shqipërinë. Lideri i opozitës i është përgjigjur ambasadës me një shprehje të Presidentit Lincoln. Më pas kryedemokrati theksoi se vendimi për djegien e mandateve është rekursi i fundit për të rrëzuar qeverinë.

"Unë nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë, por dua t’jua them fare qartë: për PD dhe për mua, personalisht, nuk ka frymëzim më të madh sesa SHBA dhe demokracia amerikane. Në veçanti, mes galerisë së personaliteteve që kanë dhënë kaq shumë në altarin e demokracisë amerikane, veçoj presidentin Lincoln. Dhe dua ta citoj, ndjesë se citimi duhet bërë fjalë për fjalë, po aq sa më kujtohet nga fjalimi i tij në Gettysburg.

“That these dead shall not have died in vain. That this nation under God, shall knoë a neë birth of Freedom and that Government of the people, by the people and for the people shall not perish from the face of Earth”. Tani, për të gjithë bashkëqytetarët e mi dhe bashkëkombasit kudo që na ndjekin. Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetëvete. Djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor: që të shembim një qeveri të krimit, për krimin dhe nga krimi dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit. Për këtë, ne nuk po kërkojmë të marrim diçka.

Deklaratat Lulzim Basha i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike. "Me votë unanime u vendos  për djegien e mandateve, vendimi do i përcillet nesër Këshillit Kombëtar" përfundoi Basha. Nesër rreth orës 17:00 do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD. Ndërkohë që pasditen e sotme kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi një takim në selinë blu me ambasadorin britanik Duncan Norman. Takimi ka zgjatur më shumë se një orë, ndërsa në qendër të bisedës ka qenë djegia e mandateve nga opozita.